Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqi në Tiranë i agjentëve të CIA

Shërbimi inteligjent amerikan i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe gjyqit që u bë në vitin 1954 për disa shqiptarë që ishin rekrutuar nga CIA. Në disa dokumente të deklasifikuara së fundmi, tregohet alarmi pas vendimit të gjykatës për pushkatimin e 8 personave, mes të cilëve emra të njohur si Zenel Shehu dhe Hamit Matjani. CIA ka publikuar dhe reagimet që ka sjellë vendimi me vdekje. Aty tregohet se i shqiptarët në mërgim u alarmuan nga një gjë e tillë dhe paralajmëruan hakmarrje ndaj regjimit. Në dokumente tregohet se disa prej agjentëve ishin me pseudonime, teksa ekzistonte frika se ata mundtë kishin nxjerr informacione.

20 prill 1954: Gjyqi në Tiranë i agjentëve të CIA

Gjyqi i 8 agjentëve të CIA kapja dhe gjykimi të cilëve u njoftua nga Radio Tirana 29 dhjetor 1953, filloi më 5 prill 1954. Gjyqi zgjati 5 ditë dhe përfundoi me dënimin e të akuzuarve. Anëtarët e mëposhtëm të grupit tonë Apple Team u dënuan me vdekje, me pushkatim: Zenel Shehu, Halil Branica (të rekrutuar personalisht nga Mbreti Zog), Ahmet Kabashi, Naum Sula, Gani Malushi e Rapush Agolli (ky i fundit u rekrutuar brenda në Shqipëri). Hamit Matjani, guidë dhe konsulent i rekrutuar nga CIA, u dënua me vdekje me varje, kurse Ibrahim Laçi, kontakt i grupit tona, u dënua me 10 vjet burgim. Dënimet u zbatuan më 15 prill 1954. Armiqtë pretendojnë se kanë vrarë tre prej agjentëve tanë menjëherë sapo u ulën me parashutë. Nuk dimë se ç’bëhet me dy anëtarë të grupit tonë, si për shembull Tahir Preçi, operatori fillestar i radios dhe Pal Nikollën lideri i nëngrupit. Ka një mundësi të vogël se ata mund të jenë ende të lirë, kurse mundësia më e madhe është të jenë vrarë gjatë marrjes në pyetje apo të dënuar në fshehtësi prej refuzimit të bashkëpunimit me gjykatësit.

Gjyqet publike

Gjyqet në fakt janë bërë publike si një mjet propagande kundër Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, si organizatorët kryesorë të aktiviteteve klandestine kundër qeverisë komuniste në Shqipëri. Prandaj dhe nuk është përmendur thuajse fare mënyra e kapjes së agjentëve dhe marrja e tyre nën kontroll. Kështu jemi ende pa të dhëna se kur grupi ynë kaloi nën kontrollin e armiqve.

Bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe ish-mbretit Zog është publikuar. Gjithashtu është analizuar me detaje të imta bashkëpunimi mes spiunazhit të SHBA dhe organeve greke, duke theksuar mënyrën e përulur të veprimit të Greqisë dhe vendeve të tjera perëndimore në lidhje me SHBA, si dhe lehtësia me të cilën agjentët amerikanë kalojnë kufijtë dhe operojnë në këto vende.

Janë bërë publike disa informacione në lidhje me metodat e trajnimit dhe vendndodhjen fizike të zonave të agjentëve në Greqi, por shumica e pikave dhe metodave tashmë janë ndryshuar, dhe ato që kanë mbetur do të ndryshohen së shpejti. Përveç kësaj të gjitha furnizimet, municionet, armët, veshjet, pajisjet radio dhe floriri, u kapën dhe u ekspozuan në sallën e gjyqit. Në lidhje me personelin e CIA, asnjë emër i vërtetë nuk u ekspozua gjatë gjyqit, përveç një agjenti kontakti që është larguar në vjeshtën e vitit 1951. Agjentë të tjerë të përfshirë kanë përdorur pseudonime në kontaktet me shqiptarët. Me qëllim kundërvënien ndaj efektit të propagandës që soli gjyqi, të paktën pjesërisht, u lëshua në Tiranë një broshurë pas ekzekutimeve, e cila ngrinte lart agjentët e vrarë si martirë të kauzës së çlirimit të Shqipërisë. Është propozuar një tjetër broshurë e cila është duke u hartuar.

 

10 mars 1954: Teksti i fletushkës së propagandës

Faqja e parë

A e lexuat Zërin e Popullit më 21 shkurt? Gazeta thoshte se çështjet mund të zgjidhet vetëm me mjete paqësore, në një mënyrë të pranueshme për të gjithë. Por në konferencën e Berlinit, Molotov tregoi se BRSS nuk të lejojë zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare përveçse sipas kushteve të tij. Përse ka frikë Molotov të bëjë lëshime ashtu siç bënë të gjithë palët e tjera, për arritjen e marrveshjes së traktatit me Austrinë dhe çlirimin e vendit nga pushtimi ushtarak?

Molotov ka frikë se e di se çdo zbutje e shtypjes sovjetike në Evropë do t’i lejojë vendeve të shtypura të thonë atë që mendojnë për komunistët. A ju kujtohet 17 qershori në Gjermani? Molotovit i kujtohet. Ai nuk guxon të lejojë zgjedhje të lira sepse kjo do t’i hiqte atij justifikimin për të mbajtur trupa ushtarake në Rumani dhe Hungari. Ai nuk guxon të heqë trupat ushtarake nga Evropa Lindore sepse populli do t’i përmbysë regjimet komuniste. Molotov nuk guxon të lejojë zgjedhje të lira në Gjermani, pasi komunistët nuk morrin asnjë vend në parlamentin e Gjermanisë Perëndimore. Molotov nuk mund të rrezikojë me zgjedhje të lira askund, kështu që Hoxha duhet të sajojë zgjedhje të rreme të këshillave të popullit që j të mos e hidhni poshtë nga pushteti, siç e meriton. Komunistët ngrenë lart konceptet e demokracisë por është në fakt Perëndimi që mban zgjedhje të lira e demokratike, jo diktatura e Hoxhës dhe e një partie.

Faqja e dytë

Tradhtarët po dridhen! Të gjithë satelitët e Kremlinit në Evropë ndjenë dridhjet e vdekjes teksa dëgjuan për vrasjen e Berias, ish-kreut të fuqishëm të inteligjencës sovjetike, pas një gjyqi të fshehtë, bashkë me një numër miqsh dhe vartësish. Që prej vdekjes së vrasësit masiv Stalin, Malenkovi, Enveri i Rusisë dhe Beria, Mehmet Shehu i Rusisë, po bënin një luftë të përgjakshme. Malenkovi goditi i pari prandaj ishte Beria që gjeti vdekjen. Por cili do të godasë i pari në Shqipëri? Hoxha Malenkovi apo Shehu Beria? Cili do t’i marrë me vete mbështetësit e tij drejt vdekjes dhe katastrofës? Cila është pyetja që i bëjnë vetes liderët komunistë, pasi ata e dinë që nuk e kanë jetën e gjatë. Cili e ka radhën të pësojë fatin e Koçi Xoxes e miqve të tij?

Në më pak se 20 vjet janë ekzekutuar katër krerë të njëpasnjëshëm të ministrisë së brendshme, 60 për qind e të cilëve ishin marshallë sovjetikë dhe gjeneralë të Leninit që prej vitit 1917, me përjashtim të tradhtarit, vrasës masiv, Stalinit.

 

12 tetor 1954: Përmbledhje e operacioneve të CIA në Shqipëri

Deri në korrik 1954, aktivitetet e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë drejtoheshin nga oficerët e shërbimeve të CIA dhe britanikëve MI-6 në Romë. Kontakti me selinë e NCFA në Nju Jork mbahej me anë të një konsulenti të fshehtë, kurse pjesa shqiptare e tij merreshin me mbikëqyrjen e teksteve të transmetimeve klandestine radio dhe fletushkave të propagandës. Në korrik 1954 pas marrëveshjes me britanikët, i gjithë stafi amerikan dhe britanik u tërhoq nga Roma dhe kontaktet e NCFA me CIA janë kryer vetëm prej Athinës. Kjo ka sjellë frikë nga ana e disa prej anëtarëve të komitetit, se interesat e SHBA për Shqipërinë po shuheshin. Klasa e emigrantëve shqiptarë është habitur gjithashtu nga njoftimi i 12 gushtit 1954 për formimin e Komitetit Kombëtar Demokrat nën drejtimin e krahut disident të Ballit Kombëtar, i cili më parë ishte tërhequr nga NCFA dhe kishte bërë çdo tentativë për të sabotuar aktivitetet e tij. divizioni ynë ka propozuar që drejtimi i NCFA t’i kalohet Komitetit të Evropës së Lirë, teksa aktivitetet klandestine të propagandës të kryhen në emër të NCFA. Divizioni beson se kjo lëvizje do të forcojë pozitën e NCFA në sytë e shqiptarëve, si dhe do të shpërndajë frikën se Perëndimi nuk është më i interesuar për Shqipërinë. Kur po mendohej të niste projekti amerikan për Shqipërinë në vitin 1949, u zbulua se britanikët e kishin nisur një projekt me thuajse të njëjtat objektiva, prandaj u vendos që dy projektet të koordinoheshin për të përdorur struktura të përbashkëta dhe që të parandalohej që CIA dhe MI-6 të shkelnin këmbët e njëra-tjetrës. Por operacionet e SHBA dhe të Britanisë kanë qenë thuajse krejtësisht të ndara dhe vetëm me këmbime informacionesh të përgjithshme mbi zonat e përafërta të aktivitetit dhe kohën e tyre, thjeshte për parandalimin e përplasjeve. Inteligjenca e operacioneve është këmbyer lirisht në terren dhe gjithashtu në nivel zyrtar Londër-Uashington. Aktivitetet e propagandës janë kryer bashkërisht nga Roma dhe Athina deri në korrik 1954 kur si CIA ashtu dhe MI-6 tërhoqën oficerët e tyre nga Roma, për të koordinuar aktivitetet nga Athina.

 

16 korrik 1953

Iniciativa diplomatike greko-turko-jugosllave mbi Shqipërinë

Referuar artikullit të New York Times, 12 korrik 1953

Memorandum për drejtorin e CIA

Jam plotësisht dakord me komentet tuaja në lidhje me iniciativën diplomatike të te vendeve në fjalë, siç është raportuar në artikullin e të përditshmes amerikane, dhe një nga pyetjet e para që barë ishte: “A është kjo iniciativë një verim i pavarur i këtyre kombeve apo është nxitur nga SHBA, Britania apo të dyja bashkë? Nëse është e pavarur, çfarë duhet të bëjë qeveria amerikane për ta përshtatur atë në platformën e përgjithshme diplomatike, që fokusohet në dobësimin e lidhjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Nëse nga ana tjetër është nxitur prej nesh, cilat janë hapat e radhës për t’u marrë duke pasur parasysh dëshirat dhe premtimet ndërkombëtare të bëra nga këto vende fqinje? Duke ngritur këto pyetje me stafin, unë kisha në mendje një dokument të vjetër mbi Shqipërinë në lidhje me zhvillimet e reja politike. Ne gjithmonë kemi sugjeruar se hapat e nevojshëm duhet të merren në fushën diplomatike, në një koordinim mes nesh, britanikëve, italianëve, grekëve dhe jugosllavëve, për të arritur në një mirëkuptim në lidhje me integritetin territorial të Shqipërisë. Ne mendojmë se për të rritur efektivitetin e operacioneve, është e nevojshme përgatitja e atmosferës së duhur me anë të veprimeve diplomatike dhe lëshimit të deklaratave simultane. Në udhëtimin tim të fundit diskutova dhe paralajmërova ambasadat tona në Londër dhe Romë për marrjen e propozimit nga Departamenti i Shtetit dhe qëndrimi i tyre ishte pozitiv, por ato theksuan problemin e pazgjidhur të triestes si një pikë bllokimi i tratativave mes italianëve dhe jugosllavëve edhe për çështjen e Shqipërisë. Problemi i Triestes është mjaft i komplikuar prej pozitës së de Gasperit në qeverinë italiane, dhe fakti që ai nuk mund të bëjë lëvizje të rëndësishme për momentin do të thotë se mund të ketë lëshime për jugosllavët.

Qershor 1951

Politikat bazë – Departamenti i Shtetit

Memorandum

Një memorandum britanik me datë 20 qershor 1951, ngrinte çështjen e statusit të ardhshëm të Shqipërisë dhe veprimin e duhur për t’u marrë nga Shtetet e Bashkuara e Britania, veçanërisht në lidhje me mundësinë e shembjes së regjimit të brendshëm apo të një prishjeje të mundshme të paqes në Ballkan, si rezultat i një agresioni sovjetik ose të vendeve të Comiform.

Pozita e SHBA mbi pavarësinë e Shqipërisë

SHBA vazhdon të ketë si objektiv ruajtjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe miqësor ndaj Perëndimit. Çdo politikë që ka si qëllim zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë apo ndarjen mes Jugosllavisë e Greqisë, nuk do të mbështetet. Arsyet kryesore për këtë janë si më poshtë:

Populli shqiptar ka një karakter të tijin dhe ndjenja të forta për pavarësinë. Për më tepërt ai ka qenë një vend, të paktën nominalisht i pavarur që prej vitit 1912. E drejta e shqiptarëve për të qenë të pavarur është njohur dhe mbështetur në shumë deklarata publike të qeverisë së SHBA, dhe gjithashtu nga Britania. Nëse nuk do të kishte një Shqipëri të pavarur, nuk duket se ka tjetër mënyrë për zgjidhjen e konfliktit territorial mes Jugosllavisë, Greqisë e Italisë në këtë zonë strategjike, e cila prek sigurinë e të trejave. Asnjë prej këtyre shteteve nuk do të mbështesë vendosjen e influencës së rivalëve të tyre në këtë rajon, dhe asnjë marrëveshje për ndarjen nuk ka gjasa të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme. Dorëzimi i Shqipërisë te një apo më shumë vende fqinje do të mbjellë farën e problemeve minoritare që mund të minojnë sigurinë e rajonit

Veprimet diplomatike

Mbështetja që i kemi dhenë Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë është bërë me supozimin se Shqipëria e pavarur është e rëndësishme për interesat amerikane. Veprimet që neglizhojnë të drejtën e Shqipërisë për pavarësinë, përveç faktorëve moralë dhe vështirësisë së justifikimit para opinionit publik, do t’i jepnin një armë të fuqishme propagande qeverisë sovjetike dhe kukullave të saj në qeverinë shqiptare. Por gjithsesi mund të jetë e nevojshme pranimi i disa masave të kombeve fqinje për ndërhyrje të armatosur në rast të nisjes së luftimeve në Ballkan.

Qeveria e SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe rrugëve të tjera duhet të kenë si qëllim një Shqipëri të pavarur dhe miqësore me Perëndimin, pro në të njëjtën kohë duhet të jemi vigjilentë për ruajtjen e politikave dhe interesave amerikane në rajon dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Italinë, Greqinë e Jugosllavinë. Besohet se qëllimi i dëshiruar është kalimi nga një Shqipëri e dominuar nga sovjetikët drejt në vendi të lirë e të padominuar nga vendet fqinje, që do të ketë mbështetjen e përgjithshme të Perëndimit. Masat që do të merren në këtë drejtim duhet të koordinohen me qeverive amerikane e britanike, dhe sipas rastit edhe të qeverive të tjera perëndimore. Por edhe mundësia e përfshirjes së Shqipërisë në një njësi më të madhe federale, duhet të mbahen në konsideratë. Një federatë e tillë duhet të jetë të paktën Ballkanike dhe jo marrëveshje me Jugosllavinë apo Greqinë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të inkurajohet një marrëveshje federale me Jugosllavinë, derisa vendi të bëhet më i pajtueshëm me idealet Perëndimore.

Pikëpamjet amerikane në lidhje me propozimet britanike

Mesa duket qeveria britanike nuk është e gatshme, ashtu siç nuk janë të gatshëm e SHBA, për të marrë masa ushtarake për neutralizimin e Shqipërisë në rast të një sulm sovjetik mbi Jugosllavinë, edhe pse kjo nuk përjashton përdorimin e mjeteve jo-konvencionale. Nëse në kohën e një sulmi të tillë Shqipëria do të përbënte rrezik dhe kërcënim për Jugosllavinë e Greqinë, Shtetet e Bashkuara pranojnë se mund të jetë e nevojshme një ndërhyrje ushtarake, ndoshta e pjesshme në Shqipëri, nga ana greke apo jugosllave, duke u siguruar për një mospërhapje të konfliktit mes fqinjëve dhe për natyrën e përkohshme të veprimit. Por Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë veprime të tilla në kohën aktuale, prandaj kërkojnë politika të mosndërhyrjes nga Grekët e Jugosllavët. Nga memorandumi britanik nuk ishte e qartë nëse qasja e këtyre të fundit ishte për të ardhmen e afërt apo për skenarin kur grekët dhe jugosllavët të kenë dërguar misione ushtarake në Shqipëri. Për të nxitur grekët dhe jugosllavët të mos ndërhyjnë në Shqipëri duhen marrë garanci mosndërhyrjeje nga të dyja palët, si dhe duhet diskutuar në linja të tjera dukje ulur vlerën e argumenteve të tyre mbi efektivitetin e një ndërhyrjeje të mundshme.

Sugjerime të Shteteve të Bashkuara

Duke besuar se është e papërshtatshme të kërkojmë tani të dhëna mbi qasjen e grekëve apo jugosllavëve për një ndërhyrje të mundshme në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara ka një plan veprimi mbi objektivat e pranuar nga SHBA dhe Britania, për të evituar situatat që mund të bëjnë të mundshëm ndërhyrjen ushtarake të Greqisë apo Jugosllavisë. Siç u theksua më sipër, SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe përpjekjeve të tjera, do të jetë mënyra sjelljen e një Shqipërie të lirë miqësore me Perëndimin. Vështirësia kryesore në punën drejt këtij objektivi, e veçanërisht për situatën pas eliminimit të pushtetit sovjetik në Shqipëri, mbeten qëllimet konfliktuese mes Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë, si dhe frika e dyshimet e tyre për njëri-tjetrin. Shumë mund të përfitohet nëse ato sigurohen se asnjë prej rivalëve nuk do të fitoje një pozitë privilegji në Shqipëri. Rrjedhimisht, ne propozojmë se në kohën e duhur SHBA dhe Britania të rrisin shanset e tyre të suksesit dukë marrë nga tre vendet fqinje deklaratat përkatëse se vendet nuk kanë pretendime dhe se njohin të drejtën e Shqipërisë për pavarësi, me institucione të zgjedhura prej tyre vetë. Do të ishte e dëshirueshme që deklarata të tilla të përfshinin dorëheqje nga pretendimet përkatëse të secilit vend, edhe diçka e tillë do të ishte e vështirë të merrej nga Greqia. Me konfirmimin e zotimeve të mësipërme nga tre fqinjët dhe me mbështetjen e SHBA, Britanisë e mundësisht Francës, eliminimi i kontrollit sovjetik në Shqipëri dhe krijimi i Shqipërisë së pavarur do të kishte sukses.

Please follow and like us: