Albspirit

Media/News/Publishing

Tepsia e kthyer në tigan – duke medituar përpara “Shqipërisë që duam”

Qebir Isaraj – Ekonomist

Të ndihesh i harruar duket si një përditshmëri për këdo që ende bazohet mbi idealen dhe jo mbi materialen, por ta marrësh këtë harresë si kthim të kontributeve për këdo që e provon, sjell jo vetëm zhgënjim. Kjo e dëgjuar është ne përditshmëri, por e provuar është sa lodhëse aq dhe pesimiste. Është sa më sipër transformim i formës dhe përmbajtjes së mjetit, arsyes dhe bindjes. Me zhargonin e kohës, është kthimi i “tepsisë” ne “tigan”. Mjet kuzhine ku tashmë nuk luftojnë lugët metalike apo prej druri, por duart e dobëta të paaftësisë, nepotizmit dhe më shumë se aq, duart e të rilindurve politikisht dhe asnjëherë profesionalisht.

Godinave përballë njëra- tjetrës shpesh nuk u ndryshon asgjë veç ngjyrës dhe kjo parë në kontekstin e kohës, ku njëra në opozitë e tjetra në pozitë, më detyron edhe mua të protestoj. Por jo më 27 janar. Më përpara dhe më gjatë, jo në rrugë, por në kohë, jo me zhurmë, por me bindje për shpresën e vrarë dhe zhgënjimin e marrë, tashmë jo nga rreshtat e opozitëbërjes, por shtetbërjes në më të keqen e mundshme të pritur.

Atë dite shtrëngoja gishtat dhe ndjeja gëzimin për çfarë doli nga kutitë ku verdikti ishte shprehur. Ndjeja se ndryshe gjërat do të ishin dhe shteti do të ngrihej. Sot shikoj që shteti ka hapur sytë, por nuk e di pse ka duar të lidhura dhe në rënkim të thelle pshehrëtin vetëm durim.

Pas katër vitesh me shpresë plot, pëllëmbët e duarve shtrëngoja se më bindës ishin numrat ku unë rreth tyre agimin kisha pritur. Përveç syve tani shteti kishte hapur dhe gojën të fliste.

Në pesë vite, shoh se veç syve dhe gojës, kufoma e shtetit s’ka duar, s’ka forcë, s’ka dinamikë, s’ka muskuj, por vetëm shikon e belbëzon, krah shumë shpresëplotëve që ndanë për tre votime rresht forcë nga forca e tyre, mundësi nga mundësitë e tyre, kapital nga profesionalizmi i tyre duke ja dhuruar kësaj qenieje që ngjalli shpresë. Një herë me emrin “rilindje” dhe më së fundi me emrin për “Shqipërinë që duam”.

Po, me këtë shpresë, për Shqipërinë që duam, menduam, kontribuuam, u përkushtuam, gëzuam dhe shpresuam. Jo për tepsi, por për shtetbërje dhe një tjetër frymë që kërkonte motivi “Për Shqipërinë që duam”. Për profesionalizëm, për drejtësi, për ekonomi, për progres dhe për një shoqëri që lufton korrupsionin, nxit aftësinë dhe profesionalizmin, shërbesë ndaj qytetarëve dhe jo copa tepsie për shtetarë.

Por jo, ndryshe….! Një e nga një prej druri, qelqi e hekuri, lugët nuk u bënë pjesë e tepsisë, por e tiganit, me pseudoformë e përmbajtje nën zero. Me paaftësi e pa profesionalizëm, me cv të mbushur me par-titizëm e me diploma cilësisht minimale, me konflikte të pastra interesi, me, me, me… dhe më në fund tepsia e rilindjes u kthye në tiganin e Shqipërisë që duam.

Mjafton për këtë të lexojmë në kohë, qershor – dhjetor 2017 dhe pastaj të shpresojmë se do ndryshojë në janar 2018- qershor 2021.

Ndaj idealizmi jone është kthyer në pesimizëm, shpresa jonë në zhgënjim, partia jonë në flluskë sapuni në vaskën e ëndrrave që pamë në ditët e shpresës për Shqipërinë që duam.

Godinave përballë u ndryshojnë flamujt dhe ngjyrat e godinave, natyrshëm dhe motorrët e gjeneratorëve që i japin energji korrupsionit e nepotizmit, servilizmit dhe pazareve të kulisave për të çuar në punë jo njeriun e punës, por atë që deri dje e larguat për korrupsion apo tjetrin me një barrë gjërash të ditura e të paditura. Ku janë ekonomistët, juristët, inxhinierët, arkitektët që fushatave ishin në tribunë, në kërkesë për kontribute të parët dhe tashmë në lugët e tiganit të fundit e të harruar?

Jetojmë në një qytet me vlerë, por vlerat e këtyre drejtuesve të Shqipërisë që duam s’u kemi parë si e shkruajnë emrin jo me t’u kemi marrë kontributet e tyre në shtetbërje, në shërbesë e devotshmëri.

Ja pse edhe unë protestoj.

Por jo në opozitë, jo në 21 janar, jo në Gërdec, jo në flori e bakër, jo në rrugë e në emërime të tjera për të cilat një ditë do të flitet e bëhen llogaritë. Edhe unë protestoj, e si unë plot të tjerë, nga vlerë u fshimë me gomë, nga profesionalizëm u lamë të papunë, nga kontribues u kthyem të panevojshëm.

Normale, por a po bëhet shtet e po mirëqeveriset?

Sa shumë fjalime do të citoja në protestë, sa shumë e më shumë do të kisha treguar, por në rresht me mua ka shumë, më shumë janë duke u shtuar dhe më shumë akoma kanë shpresë, se ende s’u kanë mbaruar premtimet dhe shpresa e venitur mes sloganeve ende përpëlitet mes kohës dhe harresës.

Po, dhe unë dua të protestoj edhe pse s’kam hapësirë për një të tillë, edhe pse s’kam kujt t’ja tregoj se qeverisja ka vetëm sy që shikon, ka vetëm gojë që premton por s’ka veshë të dëgjojë dhe duar të veprojë, se këta janë përfaqësuesit tanë kudo, në parti, në pushtet apo në bashki.

Vetë i kemi zgjedhur ndaj tani edhe protesta i ngjan një ceremonie varrimi të shpresës dhe vello e zhgënjimit që përjetojmë të gjithë profesionistë, të pakorruptuar, vlerë gjeri dje dhe letër e grisur në sirtarët e përfaqësuesve tanë që vetëm të tillë nuk janë dhe s’kanë për t’u kthyer ndonjëherë nga krahina jonë e vetmisë zhgënjyese të Shqipërisë që duam.

Protestë të mbarë opozitare, se ne deri te pragu i derës na dëgjohet zëri, neve të fjeturve në ëndrrat e strategjive dhe numrave elektoralë të kohës që ikën dhe merr me vete në faqet e histori-bërjeve për të formuar e formësuar një shtet për popullin e vet,  gjithë çka bëmë e dhuruam për të marrë mosmirënjohjen profesionale si kusur kafeje…!

Protesto opozitë, se ne flasim dhe nuk protestojmë dot se damarëve tanë ka ende ideal, por jo më shpresë…!

Please follow and like us: