Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet shqiptaro-greke

(Intervistë e Shaban Muratit dhënë gazetarit francez Louis Seiller të “Le Courrier des Balkans”)

 

 

-Ministrat e Jashtëm grek dhe shqiptar zhvilluan kohët e fundit një takim, të komentuar shumë në shtyp. Çfarë rezultatesh mund të nxjerrim nga këto bisedime?

Jehona mediatike në Shqipëri e bisedimeve të 10-12 nëntorit midis ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe të Greqisë nuk buron nga rezultatet e bisedimeve, por nga pritshmëritë e stërzgjatura për zgjidhen e problemeve të mëdha ekzistuese midis dy vendeve.

Komunikata e përbashkët e dy ministrave në fund të bisedimeve nuk flet për asnjë problem të zgjidhur apo për arritje konkrete, çka në interpretimin diplomatik don të thotë se ose nuk ka pasur progres real, ose pala shqiptare ka bërë lëshime, të cilat mendon se është herët për t’ia thënë opinionit. Tek kjo e dyta të çon edhe semiotika ballkanike sipas së cilës, nëse pala shqiptare nuk do të kishte bërë lëshime, qeveria greke nuk do të kishte demonstruar gjenerozitetin e kthimit në Tiranë të delegacionit shqiptar me avionin qeveritar grek.

Në planin konkret nuk mund të flitet as për kthesë të madhe e as për kapitull të ri, sepse qoftë klima e krijuar nga diplomacia greke në prag të bisedimeve, qoftë metoda greke e pranuar për tratativat, ishin jo në skemën e rezultateve me përfitim reciprok. Bisedimet u bazuan në propozimin e ministrit të Jashtëm grek Kotzias, paraqitur në bisedimet e tij gjatë vizitës së parë në Tiranë në korrik 2015. Metoda është një i quajtur mekanizëm, i cili i përfshin në një paketë të përbashkët për tratativa të gjitha problemet ekzistuese.

Është një metodë e papërshtatshme, sepse secili problem ka gjenezën dhe dinamikën e veçantë, problemet nuk kanë lidhje njëri me tjetrin dhe në diplomaci problemet zgjidhen një nga një. Metoda e “aksham bazaarit” apo “toptan bazaarit” nuk është e këshillueshme në diplomaci dhe sjell fitim për atë që e propozon. Për mendimin tim, ky mund të konsiderohet lëshimi i parë nga pala shqiptare.

-Të dyja vendet kanë disa çështje të diskutueshme. A do të gjenden zgjidhje?

Unë i përmbahem mendimit se të gjitha çështjet e hapura midis dy shteteve mund të zgjidhen në rrugën e diplomacisë dhe të dialogut, duke u shkëputur nga sindromat negative të së kaluarës. Nuk janë probleme që zgjidhen me fryma populiste.

Për shembull, Greqia ka qysh në Konferencën e Paqes në Paris në 1919 e deri në ditët e sotme në nëntor të vitit 2017 që pretendon zyrtarisht proteksionin e saj mbi ortodoksët shqiptarë dhe probleme të brendshme ligjore shqiptare, si për ato për ndonjë kishë në Përmet apo në Himarë, i bën objekt të komunikatave të Ministrisë së saj të Jashtme. Ky problem 100-vjeçar nuk është përfshirë në këtë të quajtur paketë.

Historia e 25 viteve të postkomunizmit tregon se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë zhvilluar mbi bazën e asimetrisë. Duke qenë shteti i parë në Ballkan anëtar i BE dhe i NATO-s, Greqia ka mbajtur pozicionin se ajo duhet të dëgjohet nga të tjerët.

Shqipëria ka vuajtur gjithmonë nga një sindromë inferioriteti, dobësi e inkurajuar nga mendimi se Greqia është një faktor i rëndësishëm elektoral në Tiranë, qoftë nëpërmjet lobit të saj, qoftë nëpërmjet minoritetit grek. Edi Rama është i pari kryeministër, që u përpoq në mandatin e tij të parë qeveritar të impostonte një simetri marrëdhëniesh. Por në mandatin e tij të dytë pas shtatorit 2017 ka disa lëvizje, që ta dobësojnë bindjen për vazhdimin e linjës.

I ashtuquajturi mekanizëm i zgjidhjes në grup të problemeve të hapura midis dy vendeve nuk duket se mund të sjellë produkt real. Sepse nuk mundet që çështjet me karakter strategjik si rivendikimi grek për proteksion mbi ortodoksinë dhe mbi kishën ortodokse shqiptare, për zona të reja minoritare greke në Shqipërinë Jugore, për varreza të reja të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke dhe çështja e marrëveshjes së anuluar të detit e vitit 2009 midis dy qeverive, të përfshihen në një kosh të përbashkët tratativash me çështje konsullore si apostila, toponimet apo sigurimet shoqërore.

Logjika diplomatike e ka të vështirë të pranojë futjen në këtë kosh tratativash të propozimit të palës greke që të përfshihet në paketë edhe njohja e Kosovës, duke e përkufizuar si lëshim grek, në shkëmbim të lëshimeve shqiptare për marrëveshjen e anuluar të detit. Kosova është një shtet i tretë dhe as Shqipëria e as Greqia nuk kanë të drejtë ta bëjnë objekt të paketës së tratativave midis tyre.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ligjin e luftës, për të cilin burimet thonë se ka hyrë në rrugën e zgjidhjes. Propozimi grek është që ligji ekzistues i luftës i vitit 1940 të përfshihet në Traktatin e ri të Miqësisë midis dy vendeve. Është një propozim absurd si vetë ligji, sepse në fakt ai është një ligj grek dhe duhet të abrogohet nga parlamenti i Greqisë, që të mos ketë efektet e tij negative juridike për pronat shqiptare të sekuestruara nga shteti grek qysh në luftën italo-greke, kur shqiptarët u konsideruan si armiq për shkak se Italia fashiste e sulmoi Greqinë nga territori i Shqipërisë së pushtuar prej saj.

E quajtura paketë e bisedimeve nuk përfshiu një nga çështjet më të ndjeshme të pazgjidhura si çështja çame. Diplomacia greke e përjashtoi atë me vendosmëri nga bisedimet e Kretës. Fakti që një problem kaq i mprehtë dhe ndër kryesorët të pazgjidhura të dosjes shqiptaro-greke refuzohet nga pala greke e vë në dyshim karakterin gjithëpërfshirës të paketës së Kretës.

Çështja çame është sa historike, aq edhe aktuale, sepse sot në Shqipëri është një komunitet prej 300 mijë vetash, të parët e të cilëve kanë qenë shtetas grekë dhe u dëbuan me dhunë si popullsi nga shtëpitë dhe pronat e tyre në Greqi në fund të Luftës së Dytë Botërore nën akuzën kolektive të bashkëpunimit me pushtuesit. Unë kam hedhur idenë e “formulës ruse” për zgjidhjen e këtij problem, siç veproi Rusia pas rënies së komunizmit, që lejoi popullsinë tatare të deportuar kolektivisht nga Stalini, që të kthehej në tokat e tyre dhe u kërkoi edhe falje për akuzat dhe për dëbimin. Çështja çame është çështje e mprehtë dhe e nevojshme për t’u zgjidhur nga tryeza e bisedimeve dypalëshe, sepse siç theksoi edhe Komisioneri i Lartë i BE, Johannes Hahn, në shtator të vitit 2016, duke folur në parlamentin europian në emër të Komisionit Europian, çështja çame është një çështje që duhet zgjidhur midis dy vendeve. Brukseli e pranon, Athina e mohon.

Natyrisht, ka një rrugë të lehtë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe çështjet e hapura midis dy vendeve dhe ajo është që Shqipëria të rikthehet në diplomacinë asimetrike, që kanë ndjekur qeveritë e mëparshme shqiptare.
-Greqia ka qenë e pakënaqur me ligjin e fundit për minoritetet, i miratuar kohët e fundit nga parlamenti shqiptar. Pse?

Mund të thuhet se me ligjin e ri, Shqipëria ka vendosur në Ballkan një rekord të ligjërimit të shumë minoriteteve, duke njohur nëntë të tilla, gjë që nuk e ka asnjë shtet ballkanik. Greqia, e cila nga ana e saj nuk njeh asnjë lloj minoriteti në vendin e vet, në një kohë që ka disa minoritete si shqiptar, turk, maqedonas, vlleh, romë, etj. dhe e cila në periudhën midis dy luftërave botërore e njihte zyrtarisht minoritetin shqiptar, ka shprehur pakënaqësi për ligjin e ri shqiptar të minoriteteve.

Athina ka kërkesa të reja, nuk kërkon barazinë e të drejtave të minoriteteve para ligjit, por kërkon diferencimin midis tyre. Athina kërkon krijimin e një hierarkie minoritetesh, ku minoriteti grek të këtë status të posaçëm administrativ më të favorizuar në krahasim me minoritetet e tjera. Po kërkon gjithashtu shtrirjen gjeografike të zonave minoritare greke në Shqipërinë e Jugut, gjë që përputhet me mentalitete të vjetra rivendikuese ndaj Shqipërisë. Këto janë kërkesa politike e strategjike, që nuk kanë të bëjnë as me minoritetin, as me ligjin e ri dhe as me të drejtat e tyre.
-Në bazë të eksperiencës suaj, cili është opinioni juaj për zhvillimet e fundit të marrëdhënieve politike midis dy vendeve?

E rëndësishme është që kanalet e bisedimeve dhe dialogu të mbahen hapur. Çështjet e hapura midis dy vendeve zgjidhen e duhet të zgjidhen një e nga një. Çelësi është vendosja e një barazie tratativash dhe pranimi i parimit realist se të dyja shtetet kanë nevojë reciprokisht për njëra-tjetrën si anëtare të NATO-s sot dhe që nesër do të jenë së bashku edhe në BE. Por, sinoptika reale diplomatike nuk parashikon zgjidhje të shpejta të drejta, me përjashtim të rastit kur njëra diplomaci me ndërgjegje do të harrojë të marrë me vete çadrën në tryezën e bisedimeve, mbi të cilën bie shiu i problemeve të pazgjidhura dypalëshe.

-Çfarë roli luan Greqia në perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE?

Roli i Greqisë konsiston në të drejtën e vetos për hapjen e bisedimeve të pranimit midis BE dhe Shqipërisë. Greqia nuk është shtet i madh europian. Ajo nuk ka ndonjë rol determinant as në zhvillimin dhe as në perspektivën europiane të Shqipërisë, siç kanë fuqitë e mëdha europiane. Kërcënimet për përdorimin e vetos, që ka bërë katër herë me radhë presidenti i Greqisë gjatë kësaj vjeshte në adresë të Shqipërisë, mendoj se janë më shumë shantazh diplomatik për të shkëputur lëshime nga Shqipëria se sa një planifikim real për në Bruksel. Nuk mendoj se BE do të lejojë situatën që Greqia të mbajë jashtë integrimit europian edhe Shqipërinë, edhe Maqedoninë. Nuk besoj se në Athinë do të harrojnë që Shqipëria ka avantazhin e madh që është anëtare e NATO-s dhe nuk mund të luhet si me Maqedoninë.

Please follow and like us: