Albspirit

Media/News/Publishing

Kolosi i letërsisë shqiptare mbush 82-vjeç. Kadare, shqiptari që “pushtoi” botën me veprat e tij

Një nga njerëzit i cili ka lënë gjurmë në letërsinë shqiptare, Ismail Kadare, sot ka datën e tij të lindjes. Më 28 janar të vitit 1936, 82 vite më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar, ndërsa urimet për të kanë nisur prej mëngjesit nga dashamirës të veprave të tij. Ky nuk është gëzimi i vetëm për të brenda pak ditëve, pasi kujtojmë se shkrimtari i madh u dekorua me çmimin “Nonino” në Itali, ku ishte akorduar disa ditë më parë, por Kadare udhëtoi drejt Italisë për ta tërhequr.

Në Ronchi di Percoto, Itali, kandidatit disa herë për çmimin Nobel, Ismail Kadare, iu akordua çmimi ndërkombëtar “Nonino 2018”, gjatë edicionit të 43-të të këtij evenimenti në Udine. Ky çmim u shkon personazheve të mëdhenj të kulturës.

Në vlerësimin e jurisë, Kadare vlerësohet si “një rapsod i dashuruar, por edhe kritik me popullin e tij”. Shkrimtari shqiptar u vlerësua si poet, romancier dhe autor i eseve e librave: “Kritik ndaj popullit të tij, midis realiteteve historike dhe legjendave, që ngjallin madhështinë dhe tragjedinë e së kaluarës ballkanike dhe osmane, ka krijuar rrëfime të mëdha. U largua drejt Parisit në kohën e diktaturës, për të mos i ofruar shërbimet e tij tiranisë, duke mos pranuar të heshtë, shpesh duke e zhytur historinë e tij në një botë imagjinare, e duke u bërë dëshmitar i tmerreve të kryera nga totalitarizmi dhe inkuizitorët e saj. Ai bëri që toleranca fetare të jetë një prej gurthemeleve të punës së tij”.

Ismail Kadare është njëri nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë, i nominuar disa herë për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin Princi Asturias për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Me pëlqimin e tij, duke filluar nga viti 2015, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi.

Kadare, ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe

Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976).

Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Temë qendrore e veprave të tij është totalitarizmi, mekanizmat e tij dhe kompliciteti që e bën atë të mundur. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1970). Në romanin Kronikë në gur (1971) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980).

E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Ndër veprat më të njohura të Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: Gjenerali i ushtrisë së vdekurKështjellaKronikë në gurUra me tri harqeKush e solli DoruntinënPrilli i thyerDosja HPallati i ëndrravePiramidaPasardhësi./konica.al/

Please follow and like us: