Shuhet albanologia Albina H. Girfanova
Një humbje e rëndë për katedrën e gjuhës shqipe në Sankt-Peterburg. Shuhet albanologia Albina H. Girfanova
Një humbje e rëndë për katedrën e gjuhës shqipe në Sankt-Peterburg. Shuhet albanologia Albina H. Girfanova
Dje, më 7 shkurt 2018, të afërmit, kolegët, studentët, miqtë dhe të njohurit e tjerë përcollën për në banesën e fundit pedagogen e gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Sankt-Peterburgut, doktoren e shkencave filologjike Albina Hakimovna Girfanova. Dy ditë pas operimit, pasditen e datës 2 shkurt, zemra e saj nuk mundi ta përballonte atë ndërhyrje të domosdoshme dhe pushoi së rrahuri. Albina H. Girfanova kishte lindur më 1 shkurt 1957 në Vajmar të Gjermanisë, ku i ati shërbente në radhët e trupave sovjetike të vendosura në ish Republikën Demokratike Gjermane.
Pasi u kthye në atdhe, familja e saj u vendos në Leningrad (sot Sankt-Peterburg), ku Albina filloi studimet universitare në Fakultetin e Filologjisë. Në vitin 1957, me nismën e prof. Agnia Vasilevna Desnickaja, atje ishte hapur dega e gjuhës dhe e letërsisë shqipe pranë katedrës së gjuhësisë të përgjithshme. Edhe në vitet e ndërprerjes së plotë të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet BS dhe Shqipërisë ajo degë ka vijuar rregullisht, duke pranuar studentë të rinj çdo dy vjet, me gjithë vështirësitë për gjetjen e literaturës dhe mungesën e kontakteve e të shkëmbimeve.
Albina H. Girfanova u formua si filologe e albanologe me njohuri të gjera nën drejtimin e profesorëve A. V. Desnickaja, G. I. Entrej, I. I. Voronina etj. Si studente e dalluar, e diplomuar me rezultate të larta, u emërua bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Gjuhësisë të filialit të Akademisë së Shkencave të BS për Leningradin. U caktua të merrej me studimin e gjuhëve altaike, por gjuha shqipe, letërsia dhe kultura shqiptare e kishin bërë për vete në vitet e studimeve dhe ajo nuk u nda prej tyre.
Kështu jeta e saj shkencore kaloi në dy caqe të skajshme të hemisferës sonë: herë Lindjen e Largët të Rusisë, te popullsitë e lashta vendëse pranë lumit Amur, gjatë viseve të bregut të detit Ohotsk dhe në ishullin Sahalin, herë në Ballkan, në vendet ku flitet gjuha shqipe (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi). Në Institutin e Gjuhësisë ishte formuar një grup albanologësh shumë të zellshëm e aktivë, që studionin probleme të ndryshme të gjuhës shqipe sipas orientimeve shkencore të A. V. Desnickajas, duke e vështruar shqipen sidomos në kuadrin edhe të gjuhëve të tjera të Ballkanit, për të njohur më mirë tiparet e saj si gjuhë ballkanike dhe njëkohësisht si gjuhë e veçantë. Për fat të mirë kjo traditë vijon, ndonëse jo në atë shkallë si më parë.
Në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe A. Girfanova dha kryesisht mësime praktike. Ndiqte me kujdes zhvillimet e reja sidomos në leksikun e shqipes pas pluralizmit demokratik, përpiqej të zgjidhte materiale sa më të përshtatshme për t’u mësuar mirë studentëve shqipen standarde dhe varietetet e tjera të saj, gjuhën e ligjërimit të përditshëm bisedor, gjuhën e shtypit, veçoritë e gjuhësore të dialekteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni.
Për të gjitha këto ajo mbante lidhje të vijueshme e të dendura me kolegët shqiptarë dhe ka ardhur në Shqipëri gati për vit gjatë shtatorit së bashku me grupin e studentëve që ndiqnin kursin veror të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës. Për nevoja të procesit mësimor hartoi dy fjalorë të rëndësishëm rusisht – shqip e anasjelltas: fjalorin e leksikut shoqëror-politik dhe fjalorin e termave të gjuhësisë. A. Girfanova ishte gjithnjë kureshtare dhe e etur të mësonte sa më shumë jo vetëm nga fjalët, shprehjet dhe hollësitë e gjuhës shqipe, por edhe nga historia, jeta e kultura shqiptare në përgjithësi, nga zakonet e traditat dhe nga bukuritë e natyrës. Udhëtimet nëpër viset shqiptare i jepnin kënaqësi të veçantë.
Duket se njohja e gjuhës tatare (që bën pjesë në një familje me turqishten) në rrethanat e mjedisit familjar qe një shtysë dhe premisë që në veprimtarinë e saj shkencore albano-ballkanologjike të merrej më fort me ndikimin e turqishtes e të gjuhëve turkike në përgjithësi në gjuhën shqipe dhe më gjerë në hapësirën e Ballkanit. Artikulli i i saj i parë nga kjo fushë ka si temë hulumtimin e toponimeve me burim nga gjuhët turkike në Ballkan (1993).
Këtë drejtim studimesh e thelloi hap pas hapi, disa herë edhe në bashkëpunim me prof. N. L. Suhaçev. Të dy së bashku në shtator të këtij vit referuan në Universitetin e Vlorës dhe në Tiranë mbi gjendjen e punës për fjalorin “Turkizmat në gjuhët e Europës Juglindore” si sprovë e një përshkrimi përmbledhës të të dhënave historike-leksikore dhe etimologjike nga ana e tyre. Ky fjalor, me parime e kritere të përparuara, kishte arritur atëherë në mbi 2200 faqe kompjuteri. Burimet dhe materialet nga gjuha shqipe zënë një vend të rëndësishëm në këtë fjalor.
Albina H. Girfanova ka pasur gjithnjë dëshirë të madhe për të zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet filologëve shqiptarë dhe studiuesve të gjuhës e të letërsisë shqipe në Rusi. Ajo ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme shkencore në vendin tonë dhe ka botuar artikuj e kumtesa me vlerë. Ka qenë në ballë të punëve për organizimin e disa veprimtarive albanologjike në Sankt-Peterburg; po ashtu ka qenë bashkëpunëtorja më aktive e Shoqatës sonë për organizimin e veprimtarisë së përvitshme Takime Shkencore Shqiptare Ruse, të zhvilluar në Tiranë (shtator 2014 – 2017). Botimet e saj shkencore dhe mësimore janë vlera të çmuara në fushën e albanologjisë.
Ndarja nga jeta e A. H. Girfanovës ka prekur thellë ndjenjat e kolegëve e të dashamirëve të shumtë që kishte në rrethet albanologjike. Shumë shprehje ngushëllimi kanë ardhur në adresë të Shoqatës sonë nga kolegë shqiptarë e albanologë nga vende të tjera të botës. Me një mënyrë shumë prekëse, e po aq edhe të ngjeshur me mendime, përjetimet tona i ka formuluar, me një shqipe shembullore, kolegu ynë i vyer nga Berlini dr. Gerd-Dieter Nehring, i cili na shkruan:
“U trishtova shumë kur e mora njoftimin tuaj për ndarjen nga jeta të koleges dhe mikes sonë Albina. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja personalisht si dashamire të zjarrtë dhe të pasionuar të kulturës shqiptare si dhe të marrëdhënieve shqiptare-ruse dhe si dhe gjermane. Me këtë Albina zë një vend të çmuar dhe të merituar mes shkencëtarëve dhe kolegëve tanë, numri i të cilëve, siç dimë, nuk është tepër i madh, duke pasur parasysh edhe ngjarjet në kohën tonë , që shpesh synojnë të arrihen qëllime të ngushta personale. Nga ky këndvështrim Albina ishte dhe do të mbetet një dritë. Me dhimbje ju shpreh hidhërimin tim nga Berlini që kolegia dhe mikja jonë ndërroi jetë. Ngushëllime të sinqerta edhe familjarëve të Albinës për këtë humbje të rëndë. Ajo do të mbetet mes nesh. Ju uroj forcë dhe paqe të brendshme që t’i vazhdoni përpjekjet e Albinës, përpjekjet tona të përbashkëta”.
Me përzemërsinë, optimizmin dhe gjallërinë e saj karakteristike Albina H. Girfanova ka gëzuar simpati të veçantë dhe dashuri nga të gjithë kolegët shqiptarë që e kanë njohur dhe që ndiejnë hidhërim, trishtim dhe zbrazëti, ngaqë nuk do ta kemi më ndërmjet nesh.
Kujtimi i saj do të jetë i paharruar!
Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare