POLITIKA SERBE DHE PËRVETSIMI I HISTORISË PËRMES OBJEKTEVE TË KULTIT NË KOSOVË
Dr. Qazim NAMANI
Pas Luftës së Dytë botërore, në Kosovë u aplikuan kriteret e njëanshme për shpalljen e monumenteve në mbrojtje shtetërore duke përdorur politika dhe metodologji jo shkencore.
Në këtë kohë u rrënuan komplekse të vjetra qytetare në të gjitha qytetet urbane të Kosovës, u përvetësuan kishat dhe prona të shqiptarëve përrreth kishave, dhe u ndërtuan kisha të reja në themelet e kishave të vjetra mesjetare. Objektet e banimit të shqiptarëve me ndikim në jetën politike dhe shoqërore gjatë Luftës së Dytë Botërore u konfiskuan, disa prej tyre u shfrytëzuan si objekte publike, kurse në objektet tjera u vendosën familje të luftërave dhe të partisë komuniste të Serbisë. Gjatë kësaj periudhe nuk u kursyen edhe komplekset me varreza të vjetra të popullatës shqiptare. Mbi varreza u ndërtuan rrugë, objekte të ndryshme, fabrika dhe parqe të qyteteve.
Nga këto parime, prej vitit 1947-1999 prioritet kishin objektet e kultit ortodoks dhe shtëpitë e banimit të personaliteteve sllave të luftës. Kjo dëshmohet nga një letër, të cilën Milutin Foliqi i’a dërgon një gjenerali ushtarak menjëherë pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, më 28 mars 1989.
Në letër shkruan: “Shoku Gjeneral, me një vonesë të madhe po u’a dërgoj tekstin për historinë e Kosovës dhe Metohisë, që moti ju kam premtuar. Për këtë dhe fatin e tij në Mitrovicën e Titos nuk kam zbuluar diçka të re, por kjo nuk e përjashton mundësinë për hulumtime të mëtejme. Kaq për tash, shpresoj se do të takohemi në Sutomore nëse lirohem nga obligimet që kam këtë vit. Përshëndetma shumë të dashurin tim, Kirka Novoviqin, dhe të gjithë tuajt”.
- IV. ‘89 Milutini
Prishtinë.
Kësaj letre i bashkëngjitet një dokument, ku në pjesën e parë prej tetë faqesh përshkruhen monumentet historike dhe kulturore përgjatë historisë së Kosovës, kurse në tri faqet e fundit përshkruhen monumentet e Partisë komuniste të Serbisë të ngritura në Kosovë gjatë shekullit XX, dhe historia e Kosovës e shkruar në tekst dymbëdhjetë faqe nga Milutin Foliqi. Në këtë dokument vërehet qartë se trashëgimija kulturore dhe historike e shqiptarëve në Kosovë është përvetësuar si trashëgimi serbe, përderisa trashëgimija pesë shekullore nën pushtimin e Perandorisë Osmane, është cilësuar si trashëgimi turke dhe me stil të ndërtimit oriental. Këtu përmenden vetëm me një fjali kullat e rrafshit të Dukagjinit, pa i cilësuar si trashëgimi të popullatës shqiptare.
Në vitin 1992, gjatë masave të dhunshme, u botuan edhe dy letra të panjohura, të cilat Todor Stankoviq i’a dërgon Stojan Novakoviqit.
Këto dy letra u botuan për herë të parë në revistën “Glasnik Bastina” në vitin 1992, në Prishtinë. Në vijim po japim disa fragmente të botuara: Në pronë të Stojan Novaković-it ruhen dy letra me të dhëna interesante nga viti 1891, të shkruara nga Todor Stanković, atëherë konsull serb në Prishtinë.
- Letra 1. Regjistrimi i fshatrave në mes Novobërdës, Gjilanit e deri te kufiri me Serbinë nëpër Krivarekë.
Letra 2. Vendbanimet ndërmjet hekurudhës Prishtinë-Gjilan në disa fshatra edhe tej vijës së hekurudhës.Në bazë të këtyre letrave, Novaković ka kërkuar nga Todor Stanković të dhëna për fshatrat ndërmjet Prishtinës dhe kufirit të atëhershëm të Serbisë, duke konsideruar se ky është një rast i mirë për të siguruar informata lidhur me popullatën, kulturën, gjurmët e lashtësisë dhe pozitën gjeografike, duke i shënuar kishat dhe manastiret me vëmendje të veçantë, më qëllim të përvetësimit të historisë së mesjetës.Me anë të këtyre letrave, Todor Stankoviq i ka mbledhur shënimet dhe ka i dërguar të dhëna lidhur me strukturën e popullatës, duke i’u kushtuar rëndësi të veçantë kishave dhe manastireve.
Stankoviq, i lindur me 13 shkurt të vitit 1852 dhe i shkolluar në qytetin e Nishit, në vitin 1871, punoji në shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës në Prizren si redaktor i revistës“Prizreni”, e cila u shtyp në gjuhën serbe dhe turke deri në vitin 1875. Me largimin e qendrës së Vilajetit nga Prizreni, u ndërpre edhe shtypja e revistës dhe puna e shtypshkronjës u bartë në qytetin e Manastirit dhe në fund të vitit 1875, me propozim të Milosh Milojeviqit, Stankoviqi shkoi në Carigrad me qëllim që të hapë shtypshkronjën serbe. Gjatë luftës së viteve 1876-1878 ishte shumë aktiv si kryetar i rrethit të qyteteve të banuara me popullatë shqiptare në Sanxhakun e Nishit. Rastin e shpërnguljes së popullatës shqiptare nga Toplica, Nishi, Leskoci dhe rajoneve tjera i përmend edhe Milutin Foliqi në përshkrimin e historisë së Kosovë që në vitin 1989 i’a dërgon gjeneralit të ushtrisë.
Në vitin 1890 në Prishtinë u vra konsulli serb, Lluka Marinković, në vend të tij u emërua Todor Stankoviq. Ai qëndroi në këtë pozitë nga qershori 1890 deri në vitin 1892, kur u emërua konsull në Shkup. Në vitin 1897/98 rikthehet konsull në Prishtinë, ku mbajti edhe një ditar me të dhëna nga etnologjia dhe historia. Shënimet e tij lidhur me Manastirin e Banjskës do t’i përdor dhe do t’i botojë më vonë Stojan Novakoviq.
Gjatë luftërave ballkanike Stanković duke e njohur mirë terrenin në Malësinë e Galabit dhe Llapit, i priu ushtrisë serbe për të pushtuar Prishtinën. Sipas burimeve të kohës kjo ushtri prej kufirit e deri në Prishtinë kishte vrarë dhe masakruar 5000 shqiptar të pambrojtur.
Siç duket, Stanković i shtyrë nga politika pansllaviste dhe udhësuesi e mësuesi i tij Milosh S. Millojeviqi, në të dy letrat e tij jep të dhëna për strukturën e popullatës për rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit, ku popullatën e krishterë shqiptare e regjistron si popullatë serbe.
Rrugën e Stankoviqit gjatë periudhës midis dy luftërave botërore e ndjek edhe Anastasije Uroshević, i cili në librin e tij “Novobrdska Krivareka”, në mënyrë të njëanshme e përshkruan strukturën e popullatës së krishterë në atë anë duke e quajtur si popullatë serbe.
Një misionar serb, Mita Rakić, i cili po ashtu i vizitoi këto treva pas luftës së viteve 1877/1878, në librin e tij “Iz Nove Serbije”, shkruan se Kushumlia ishte fole e shqiptarëve, se në Kushumli jeton dhe sundon popullata etnikisht e pastër shqiptare.
Po ashtu ai pohon se në anën e djathtë të Toplicës e deri në “Petrovo Gorë” dhe në Llap jetonin vetëm shqiptarë etnikisht të pastër.
Për shtrirjen e shqiptarëve edhe në pjesën qendrore të Serbisë gjejmë burime të shkruara për Kralevën edhe te libri i Tatomir Vukanović “Naselja u Serbiji”, i cili shkruan se Kraleva në vitin 1784, i kishte 11 shtëpi serbe dhe 89 shtëpi turke e shqiptare. Në këtë kohë numri i banorëve në Kralevë ishte 664, prej tyre 592 ishin turq dhe shqiptarë, ndërsa serb rreth 72 banorë. Duke ditur se në këtë periudhë nuk kishte popullatë turke që jetonin nëpër qytetet e Ballkanit, mund të pohojmë se pjesa dërrmuese e banorëve të Kralevës ishte shqiptare.
Nga të dhënat e terrenit edhe në territorin e sotëm të Kosovës vërehet qartë se popullata e sotme serbe që kishte jetuar në këto anë gjatë shekujve XIX, ishte popullatë e krishterë shqiptare, e cila u asimilua në fund të këtij shekulli dhe në dekadat e para të shekullit XX.