Ismail Kadare: Fetë dhe civilizimet në mijëvjeçarin e ri
Ky takim ndërkombëtar bëhet në një kohë kur një shqetësim i ri, ose, më saktë, një shqetësim i vjetër, i rikthyer me një forcë të re është shfaqur në botë: marrëdhëniet midis besimeve.
Është kjo arsyeja që teza e Samuel Hantingtonit se pas rënies së utopive totalitare, shekulli XXI do të jetë shekulli i përplasjes së qytetërimeve ka zgjuar dhe vazhdon të zgjojë shumë interesim, në kahun e pranimit ose të kundërshtimit të saj. E pranuar tërësisht ose pjesërisht nuk mund të injorohet. Ka kohë që diçka e rëndësishme po ndodh në botën tonë, diçka që vëmendjes sonë për kohë të gjatë i ka shpëtuar. Do të quhet përplasje ose jo e qytetërimeve, do të cilësohet katastrofë e pashmangshme ose e shmangshme, kjo është vështirë të parashikohet. Ajo që mund të thuhet me bindje është se shumica e popujve të botës janë të përzier drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë problem. Rrjedhimisht, miliona e miliona njerëz kudo në botë kanë bashkuar mendjet, pasionin dhe vullnetet e tyre, për t’i dalë përpara së keqes.
Kam bindjen se mbledhja jonë këtu në Tiranë bën pjesë në mozaikun e këtij shqetësimi të përgjithshëm njerëzor. Për një ndërthurje fatkeqe të rrethanave, acarimi midis besimeve ka përkuar dhe shpesh është bërë amalgamë me një zezonë tjetër planetare: terrorizmin. Terrorizmi, ashtu si konfliktet, ashtu si luftërat, ashtu si urrejtja që i pjell, është shumë më i vjetër se të gjitha besimet e mëdha të sotme: krishterimi, islamizmi, judaizmi e budizmi. Terrori, në të gjitha trajtat e tij, me gjithë rekuizitën e maskat e veta, e ka shoqëruar historinë njerëzore në të gjitha fazat e saj. Terrorizmi nuk ka fe. Terrorizmi nuk ka sistem vlerash ku të mbështetet. Terrorizmi nuk ka atdhe. Ashtu si qyqja, që nuk ka çerdhen e vet dhe uzurpon çerdhet e të tjerëve, terrorizmi kërkon popuj, vende, ideologji, besime fetare, kauza politike, konflikte racore, acarime etnike, mjerime shoqërore e kështu me radhë, për të lëshuar në to vezët e veta e për të pjellë pastaj racën e vet: terrorin.
Identifikimi i terrorizmit me një popull ose me një grup popujsh, me një çështje madhore, me një besim fetar etj., është një keqkuptim tragjik. Për fat të keq, ky keqkuptim po ecën dhe po kthehet në faktor të parë, për t’i dhënë terrorizmit atë që nuk e ka: bazë, një truall, një besim. Terrorizmi e bashkë me të acarimi midis popujve me besime të ndryshme, janë kthyer, siç u tha më lart, në një problem dramatik planetar. Kontinenti ynë evropian është i prekur drejtpërdrejt nga ky shqetësim. E kur përmendim Evropën, e marrim me mend se gadishulli ynë ballkanik është dyfish i prekur. E në këtë gadishull vendi ynë, Shqipëria, vend i rrallë në Evropë me tre besime fetare, përbën vërtet një rast të veçantë, ashtu sikurse edhe cilësohet me të drejtë në programimin e këtij forumi.
Ne që jemi shqiptarë, ndonëse na vjen keq, jemi të ndërgjegjshëm se imazhi i vendit dhe i popullit tonë në botën e sotme nuk është për t’u lakmuar. Ne jemi të ndërgjegjshëm, gjithashtu se ky imazh nuk ndreqet as me mllefe, as me psherëtima revanshiste, por me punë dhe emancipim të gjithanshëm. Nuk do të zgjatem në këtë pikë sepse ajo nuk hyn në temën e këtij forumi. E përmenda imazhin e dëmtuar të Shqipërisë, për të ardhur te një e vërtetë tjetër, dhe pikërisht tek ideja se edhe në këto kushte të vështira, kur ne ndodhemi nën projektorët e kritikës, edhe në kushtet pra, kur cenet tona kanë dalë në plan të parë, ka diçka që mbarë bota na e njeh për meritë. Dhe kjo diçka, për fat të mirë, nuk është një gjë e vogël. Përkundrazi, ajo është diçka e madhe, e çmuar, veçanërisht sot.
Kjo është toleranca, harmonia fetare. Ka kohë që kjo tolerancë, përmendet si një gjë proverbiale.
Dhe ka arsye për këtë. Një popull jo i madh ballkanik, një komb me tre besime: dhe katër komunitete fetare, në një zonë të famshme për grindje dhe pezm. Një popull aspak i urtë, madje do të thosha i prirur, si pjesa më e madhe e ballkanasve, për acarim. E megjithatë, ndonëse me tri fe, kusht ideal për përçarje, shqiptarët, gjatë historisë së tyre nuk i kanë njohur konfliktet fetare. Shpjegimi për një harmoni fetare, që ka zgjatur me shekuj në Shqipëri, nuk duhet kërkuar në ndonjë paradoks, në ndonjë sistem edukimi e emancipimi të një niveli shembullor, e aq më pak, në cilësi moralo-etike të veçanta të këtij populli.
Shqiptarët janë si gjithë të tjerët. Harmonia fetare e tyre është pjellë e vetë jetës, rrjedhojë e natyrshme e kushteve dhe e rrugëtimit të tyre nëpër histori. Konvertimi, kthimi i një pjese të shqiptarëve nga feja e parë e tyre, katolicizmi, në besimin ortodoks, e më pas, kthimi i një pjese tjetër në fenë myslimane, ka qenë, me sa duket, edhe shkolla e parë e tolerancës. Gjatë këtij procesi për shqiptarët u bë e zakonshme që një pjesë e familjes të ruante besimin e parë katolik, e tjetra të ishte ortodokse apo myslimane. Raste të shumta dëshmojnë që dy vëllezër, njëri katolik e tjetri mysliman, të jetonin nën një pullaz, e kështu me radhë kjo ndodhte me fise e krahina të tëra.
Është e kuptueshme se kur njeriu mësohet të jetojë me besime të ndryshme në të njëjtin fis, madje nën të njërin pullaz, ai vetvetiu mësohet me tolerancën e me harmoninë. Një njeriu të tillë urrejtja midis feve i duket e huaj dhe absurde. Kur në shekullin e 19-të, në Ballkanin e shqetësuar, shqiptarët po përpunonin edhe strategjinë e tyre të shkëputjes nga perandoria osmane, rilindasit shqiptarë, filozofët, poetët, politikanët, e kuptuan se harmonia fetare ishte një thesar i paçmuar. Ata e kuptuan se një përçarje fetare e shqiptarëve do të vinte në rrezik vetë ekzistencën e Shqipërisë. Ndaj ata u kapën pas idesë së harmonisë fetare, me thonj e me dhëmbë, për ta kthyer atë në një antidot, në një flamur, krahas flamurit të lirisë.
Për fat të mirë, vizioni liberal për fenë, për pranimin e tjetrit, do të rrezatonte njëfarësoj një tolerancë në mos të njëjtë, së paku të ngjashme, kur ishte fjala për kombësinë ose racën tjetër. Toleranca ndaj “tjetrit”, ndaj atij që kishte jo vetëm tjetër fe, por edhe tjetër kombësi, u vërtetua në një shembull të madh e të shkëlqyer, që nuk ka qenë aq i shpeshtë në historinë e njerëzimit: qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve. Shqiptarët u shfaqën si komb filosemit jo vëtëm në jetën e tyre të përditshme. Filosemitizmi i tyre përballoi provën më të vështirë: holokaustin. Është një e vërtetë e njohur, e megjithatë, më lejoni ta përsëris se, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve, ndërsa pakësohej kudo, në Shqipëri u rrit gati 10 fish. Më lejoni ta përsëris këtë sepse popujt kanë nevojë për modelet e mira dhe ne jemi mbledhur sot këtu që t’i inkurajojmë ata.
Botimi kohët e fundit i dokumenteve të qeverisë kuislinge shqiptare, me të cilat ajo u kërkonte pushtuesve dhe aleatëve të vet gjermanë të hiqnin dorë nga përndjekja e hebrenjve në Shqipëri, ngaqë do të krijoheshin probleme me popullsinë vendase, dëshmon deri në çfarë shkalle mbrojtja e hebrenjve ishte unanime në Shqipëri.
2.
Për të kuptuar më mirë se si harmonia midis tre besimeve dhe katër komuniteteve fetare, në një vend kaq të ngushtë si Shqipëria, nga një program moral, nga një filozofi, etikë ose strategji shqiptare, u ndesh me realitetin e ashpër historik dhe nga kjo përplasje doli e padëmtuar gjer më sot, më lejoni që t’ju kujtoj fare shkurt, ato që kanë ndodhur në këtë vend lidhur me fenë.
Feja e parë e shqiptarëve, katolicizmi, e vjetër pothuaj sa ajo e Romës, ishte e vetmja në këtë vend për gati 1000 vjet. Ndarja e kishës romane nga ajo bizantine, ndarje kufiri i së cilës kalonte përafërsisht në Shqipëri, do të sillte konvertimin e parë të një pjese të katolikëve shqiptarë në ortodoksë. Disa shekuj më pas, pushtimi i krejt Ballkanit, nga perandoria osmane, do të sillte bashkë me ushtrinë dhe administratën, një besim të ri: islamin.
Nuk ishin vetëm një pjesë e shqiptarëve që u konvertuan. Dukuria ishte e gjerë në gadishull. U kthyen në myslimanë një pjesë e sllavëve e grekëve. Katolikët shqiptarë ishin e para popullsi e madhe katolike që ra nën sundimin otoman. Ata u përpoqën të mbanin lidhjet me botën e krishterë evropiane. Merret me mend se një kalvar i gjatë e një martirizim i pafund i priste katolikët shqiptarë, këta tragjikë të vetmuar, në perandorinë që ishte krejt e huaj për ta. E megjithatë ata e mbajtën ndezur pishtarin e lirisë, të fesë e të kulturës për t’u kujtuar shqiptarëve atë që kishin humbur: atdheun e Evropën.
Ortodoksët shqiptarë, ndonëse të ndarë fetarisht nga katolikët, u përpoqën, ashtu si ata, të mbanin ndezur flakën e lirisë dhe të shqiptarizmit. Një ndërlikim i ri u shfaq në jetën e ortodoksve shqiptarë në shekullin e 19 e 20, pas çlirimit të Greqisë nga zgjedha osmane. Një ide groteske, e pjellë nga qarqe panheleniste, ideja se ortodoksët ballkanas janë grekë dhe s’mund të kenë tjetër kombësi, i helmoi marrëdhëniet midis të krishterëve grekë dhe shqiptarëve. Ortodoksët shqiptarë me veprat e tyre, me aktet, disa herë me flijimin e jetës së tyre e dëshmuan se ishin ortodoksë të një kombi tjetër. Ka kaluar kaq kohë, e për fat të keq, një ide e tillë absurde vazhdon të gjëllojë në Greqinë e sotme, anëtare e Bashkimit Evropian.
Myslimanëve shqiptarë, ithtarë të besimit më të ri, do t’u duhej ndoshta të kalonin nëpër provën më të vështirë. Duke marrë fenë islame, besimin zyrtar të perandorisë, myslimanët shqiptarë, të tunduar nga favoret kishte rrezik t’i përçmonin e të ndahehin nga vëllezërit e tyre të krishterë. Ky do të ishte fundi i harmonisë fetare në Shqipëri dhe, ndoshta, fundi i Shqipërisë. Myslimanët shqiptarë nuk e bënë këtë. Dhe jo vetëm kaq. Si për të treguar qartë se ata ndërruan fenë, por nuk ndërruan kombin, ata, gjithashtu si edhe më parë, morën pjesë në të gjitha aksionet kombëtare bashkë me të krishterët. Ata morëm pjesë në besëlidhjet e hapta ose të fshehta, në komitetet, në kryengritjet kundër shtetit osman. Ashtu si të krishterët, u flijuan edhe ata, madje shpesh me dënime më të rrepta, ngaqë kur ishte fjala për fatet e kombit, midis tij dhe fesë, zgjodhën kombin.
Pavarësia e gjeti Shqipërinë në një kaos të plotë. Megjithatë edhe midis kësaj rrëmuje ballkanike të paparë, edhe midis principatave të përçara, midis programeve, flamurëve, peshkopëve, imamëve, feudalëve, poetëve e banditëve, shkurt, edhe në ditët kur dukej sikur shqiptarët nuk kërkonin veçse shkaqe për t’u kacafytur, përçarja fetare, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk u shfaq.
Një nga shpjegimet, si të thuash, një nga sekretet përse pas kosit mbretëria e Zogut arriti në një kohë të shkurtër të vendoste rregullin në Shqipëri ka qenë edhe legjislacioni për marrëdhëniet e të tri feve me shtetin shqiptar. Ndonëse i përpiluar tre çerekë shekulli më parë, ky legjislacion është më i miri gjer më sot në historinë e Shqipërisë dhe një ndër më të mirët në Evropë. Ai është i tillë ngaqë bazohet në traditën për të cilën folëm më lart. Përfitoj nga rasti për t’u sugjeruar autoriteteve shqiptare që, lidhur me problemet e sotme të ngjashme, do të bënin mirë të këshilloheshin me atë legjislacion.
3.
Historia e harmonisë fetare në Shqipëri nuk është një histori idilike. Në thelb ajo ka qenë dhe mbetet dramatike. Nuk e kam fjalën për episode të tilla, si farsa tragjikomike e ndalimit të besimeve prej regjimit komunist. As për mallkimin që, në emër të fesë, iu bë alfabetit shqiptar dhe ortodoksëve shqiptarë që e lexonin atë. E sa për rebelimin proturk të Haxhi Qamilit. Historia ka qenë në thelb dramatike, sepse ka qenë përherë e mbarsur me rreziqe të mëdha.
Sot, në Shqipërinë demokratike, të gjitha rreziqet e kapërcyera janë prapë të mundshme. Ato janë të tilla, siç u tha, në Evropë, e pa dyshim, në botë. Në fund të fundit, ngaqë janë të tilla, të mundshme, ne jemi mbledhur të flasim e të shqetësohemi për to. Harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë. Mjafton e çara e parë serioze, mjafton radikalizimi i njërit prej besimeve, që ngrehina të shembet. Në rastin e Shqipërisë, të tre besimet, ashtu siç e pamë, janë të lidhur me kombin, me vetekzistencën e tij. Neve nuk na lejohet asnjë sjellje e papërgjegjshme, asnjë harresë, asnjë pakujdesi në mirëmbajtjen e kësaj ngrehine. Aq më pak na lejohen pasionet meskine, anësitë, për të mos përmendur provokimet dhe provokatorët.
Së pari, ne duhet të jemi të qartë për gjërat themelore, ato që jeta dhe historia i kanë vendosur një herë e përgjithmonë e që nuk kanë nevojë të vihen në dyshim. Të gjithë popujt e qytetëruar e bëjnë këtë. Asnjë vend, që quhet i tillë, nuk i shkul e i ngul themelet e tij çdo vit e çdo stinë, si nomadët. Themeli i themeleve në çështjen fetare në Shqipëri është që të tre besimet kryesore janë të tria barazisht të rëndësishme e barazisht të ligjshme. Katolikët, pavarësisht se janë më të pakët në numër, përfaqësojnë fenë e parë të shqiptarëve. Si të tillë ata kanë një zbritje vertikale në historinë dhe kulturën shqiptare të pashembullt. Si të tillë, ata i kanë dhënë kombit shqiptar simbole dhe shenja themelore, nga Gjergj Kastrioti, te Nënë Tereza. Shkurt, ata janë ura më e vjetër, asnjëherë e shembur, që lidh Shqipërinë me Evropën.
Myslimanët shqiptarë, ndonëse feja më e re në Shqipëri, kanë të njëjtin legjitimitet. Ai sigurohet jo vetëm nga prania e tyre e fuqishme numerike, por nga kontributi rrjedhimisht i fuqishëm në gjithë rrugëtimin e popullit shqiptar drejt lirisë dhe emancipimit. Ortodoksët shqiptarë, ashtu si katolikët, ashtu si myslimanët, kanë qenë pjesë e pandarë e korpusit kombëtar në të gjitha stuhitë që ai ka përballuar. Keqkuptimit të pafalshëm, lidhur me kombësinë, ata i kundërvunë kontributin e tyre kolosal në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, krahas vëllezërve katolikë e myslimanë.
Ky drejtpeshim midis tre besimeve kryesore, duke mos harruar këtu edhe komunitetin e katërt, bektashizmin, nuk është një dëshirë e marrë për realitet, dhe as retorikë poetike, ose psikozë pajtuese, e tillë që kërkon drejtpeshimin dhe harmoninë atje ku ajo nuk ekziston.
Ky drejtpeshim e ky legjitimitet janë një realitet, një thelb. Shqipëria është një vend me tri fe. Ajo nuk mund të identifikohet me asnjërën prej këtyre feve. Në qoftë se ne nuk besojmë në këtë, ne nuk besojmë në arsyen tonë të të qenit, në arsyen e të qenit të vetë Shqipërisë.
Si rrjedhojë e kësaj, ne jemi të bindur se respekti i ndërsjellë midis besimeve duhet të jetë i shenjtë në këtë vend. Asnjë ngacmim a provokim nuk mund të lejohet midis vetë besimeve. Asnjë ngacmim i laikëve kundër fetarëve. Asnjë ngacmim i fetarëve kundër laikëve. Së fundi, asnjë ngacmim i të tre besimeve kundër shtetit.
Tundimet për të kundërtën janë vërejtur, për fat të keq, kohët e fundit, në periudhën e demokracisë. Keqkuptimet më të ndjeshme janë ato që lidhen me raportet komb-fe. Përkundër traditës shekullore janë shfaqur prirjet për ta vënë fenë kundër kombit.
Lidhur me ndikimin e qarqeve fetare greke për t’u mohuar ortodoksëve shqiptarë kombësinë, ky është një problem i rëndë që nuk ndihmon për asgjë të mirë në Ballkan. Shpresojmë që qeveria greke të ushtrojë, aq sa mundet, ndikimin e saj në këto rrethe për të ndrequr një keqkuptim.
Shfaqja e një rryme radikale midis myslimanizmit shqiptar e ka shqetësuar kohët e fundit jo vetëm opinionin, por, siç është dëshmuar në shtyp e në TV edhe vetë komunitetin mysliman. Mendoj se konflikti del nga kuadri i brendshëm fetar qysh në çastin kur prek raportet me kombin. Në shkrime dhe deklarata, vërtet të rralla, por shpesh të qarta, në shtyp dhe në internet, janë hedhur ide që e mohojnë haptas kombin shqiptar, në emër të një kombi tjetër, atij islamik. Jemi të sigurt se një shpallje e tillë nuk mund të ketë përkrahje midis shumicës së islamistëve të rinj shqiptarë, një pjesë të cilëve kanë kryer studimet në vendet arabe.
Si në rastin e panhelenizmit, shoqëruar me proselitizmin e emigrantëve shqiptarë, ashtu dhe në rastin e panarabizmit, kemi të bëjmë me një përpjekje për tkurrje të kombit shqiptar. Thënë ndryshe, kemi të bëjmë me një version “soft” të copëtimit të vendit.
Një dhunim tjetër i rëndë, i ndeshur sidomos në propagandat antishqiptare, ka qenë përçudnimi i idesë së lirisë e të drejtave të njeriut, duke u identifikuar vetëm me ato fetare. Për një kohë të gjatë propaganda e Millosheviçit u përpoq t’i mbushte mendjen botës se lufta për liri e shqiptarëve të Kosovës nuk ishte gjë tjetër veçse një luftë fetare e myslimanizmit shqiptar kundër krishterimit serb. Nuk është vështirë të përfytyrohet sot sesa tragjike do të ishte për Kosovën po të binte në këtë kurth dhe, në vend të lirisë së mirëfilltë, të kërkonte lirinë fetare. Kurse në vend të kriminelëve serbë t’i shpallte luftë krishterimit fqinj. Një vend i largët në malet e Kaukazit, Çeçenia, po e paguan shtrenjtë një ngatërresë të ngjashme.
Një tjetër problem, që lidhet me trysninë radikale fetare, është përpjekja për të shfrytëzuar historinë e vendit. Nga acarimet midis fondamentalistëve, rrezikohet përçudnimi i historisë shqiptare gjer në atë shkallë sa që për pezm kundër krishterimit, të mohohen rrënjët, të mohohet autoktonia e popullit shqiptar në trojet e tij. Ne e dimë se si ndodh në Ballkan, kur teza të tilla, dalin në skajim kinse historik, për t’u shndërruar aty për aty në tragjedi njerëzore. Mbështetur nga teza të tilla popullsia çame u dëbua nga trojet e veta gjashtëdhjetë vjet më parë. Mbështetur prej tyre 3 000 000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan në Turqi prej Jugosllavisë së Rankoviçit. Së fundi, ne pamë me sytë tanë dëbimin e gati një milion shqiptarëve të Kosovës në prag të shekullit XXI.
Duke iu rikthyer idesë së ruajtjes së drejtpeshimit fetar në Shqipëri, mendoj se është koha që shteti shqiptar t’i sigurojë një bazë kushtetuese e ligjore këtij drejtpeshimi. Institucionet fetare, vendet e kultit, shkollat, fondacionet, klerikët shqiptarë ose të huaj që shërbejnë në to, financimet e brendshme ose të jashtme, të gjitha këto nuk mund t’i lihen rastësisë, por duhet të rregullohen me ligj. Si rrjedhojë e kësaj, shteti shqiptar duhet të marrë masat për të njëmendësuar autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Gjithmonë në këtë vazhdë, si rrjedhojë e faktit që kombi shqiptar ka tre besime dhe katër komunitete fetare, duhet të sigurojë me kushtetutë ndalimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në aleanca ose liga fetare, ngaqë çdo aleancë e tillë bie ndesh me parimin bazë të laicitetit të Republikës dhe vë në pozitë diskriminuese dhe përjashtuese besimet e tjera.
Shteti shqiptar duhet të ritheksojë parimin e laicitetit të Republikës, duke e bërë të qartë se feja është e ndarë nga shteti dhe nga politika. Vendi ynë ka zgjedhur rrugën dhe orientimin e vet drejt familjes së tij natyrale, familjes së popujve evropianë. Ai bën pjesë sot në aleancën dhe luftën kundër terrorizmit, kësaj flame që është e drejtuar kundër gjithë botës dhe kundër gjithë besimeve. Vendi ynë modest ndodhet tani për tani në atë zonë që quhet si oborri i jashtëm i Evropës. Vendet që, ashtu si ne, janë në pritje, i ofrojnë kontributet e tyre shtëpisë evropiane. Kontributi ynë, harmonia fetare, është mesazhi më i qartë i miqësisë e i mirëkuptimit, që Shqipëria i dërgon sot familjes së popujve.
14-15 nentor 2003