Albspirit

Media/News/Publishing

Sotir ATHANASI: Amnestia dhe “fundi Belami”

 

  (Parsmnezi*)

( E treguar nga një veteran i policisë që meritoi buqetën me lule të freskëta vendosur mbi trapezën e shoqërisë sonë letrare, XINGOGRAFIA)

Blegtori, la çelsat e makinës mbi tryezë dhe përpara se të largohej, tha:

– Zoti zëvëndës shef, serbatori është plot me karburant. Në qoftëse nuk keni porosi tjetër, unë po dal.
Gerti nuk u përgjigj menjëherë. Ai mori nga sirtari kutinë e shkrepses, nxorri prej aty një kunjë dhe si i këputi kokën e hodhi atë në taketuke, kurse spicën e futi në gojë midis dy dhëmbëve qëndrorë. E bënte këtë veprim, sa herë kishte vendosur të nisej në një aksion policor kundër keqbërësve. Qe më shumë se një gjest. Ishte fillimi i një akti luftimi. Se dhe maja e kokës së shkrepses, tek ai njeri, si të ishte bajonetë e drejtonte me gjuhë përpara. E barazonte atë si fillesën e kryerjes së detyrës dhe ndjelljen e fitores. Shkurt, qe supersticioz, siç mbase ju pëlqen ju shkrimtarëve, ta quani. Por, edhe siç e njihnim të gjithë ne, bashkëpuntorët e tij. Pastaj kapi çelsat dhe shkoi te dritarja. Pulsoi butonin dy herë dhe kur pa si u ndezën dhe u fikën sinjalet e furgonit, u përgjigj:
– Domethënë makina është e para në këmbësoren përballë, kështu?
– Po, zotni!
– Mirë, faleminderit. E shumta tre ditë. Të katërtën ejani të merrni çelësat në vëndin  ku i latë. Dakort?
Tjetri nuk u përgjigj me fjalë, por tundi kryet në atë mënyrë kur duam të themi: të gjithë të mirat, ose…,  paç fat, buzëqeshi dhe derën e hapi lehtë për të dalë. Se e dinte: aksioni niste që tani. Por oficeri e ndali me një pyetje:
– Viçat që i dërgoni në grumbullim për mish, çfarë karakteristikash duhet të kenë?
– Dëgjo, – nisi spjegimin specialisti i tyre, – ato duhet të jenë të shëndetshme dhe të kenë një farë peshe.
Gerti buzëqeshi: – Faleminderit! E paskam të fituar bastin me mikun tim.
Pas kësaj e hoqi spicën e futur midis dy dhëmbëve qëndrorë dhe e hodhi në tavëll për të përsëritur ritualin. Ky veprim do të thoshte se biseda mbaroi.
Specialisti i blegtorisë e përshëndeti me kokë dhe doli. Gerti ishte Zëvëndës shef i rajonit. Ai pra, hapi sërish dosjen. Përpara kishte një shkresë ku bëhej fjalë për një urdhër – ndalimi poli-cor, fotografinë e një ish tutori femrash të keqtrajtuara e të trafikuara prej tij në Itali. Tre fotografitë e tyre, ku spikasnin vështrimet jo vetëm të njoma e të pafajshme (më të vogla se njëzetë vjeç), por edhe ai reliev i përbashkët e tejet i brishtë. Thirrja e tyre drejtuar, kujt? Mos ndofta Zotit. Po. Se çastin e fotografimit, nuk e kishin kërkuar me dëshirën e tyre. Kurrsesi . Ato ishin sjellë aty me përdhunë dhe që t’i shpëtonin shëmtimit fizik, kishin pranuar një tjetër dhimbje, atë më të madhen: shkatërrimin shpirtëror. Se e kishin njehsuar si më të pranushëm. Prandaj, të shtrënguara u detyruaran dhe i plazmuan portretit një pamje ikone edhe pse tanimë kishin përfunduar në skllave.
Zëvëndës shefi duke ditur pozicionin e tyre, sa herë që i shihte, i nëpërmendej përcaktimi mëse i gjetur, vetëm me një shprehje e psikologut në Akademi: Maska e një ikone rrezikzezë.Por këtë herë, në vënd të saj, lexoi vetëm pak rreshta. E kishte shkruar njëra nga Ato, nëpërmjet klientit të saj të rradhës (i cili, për fat të mirë, kishte qënë bashkatdhetari ynë dhe se, jo pa rrezik, e kish pranuar një pusullë për t’ia shpënë babait të saj në Tiranë). Le t’a lexojmë atë:
“Idhuli im, baba! 
Mamaja kishte të drejtë, por ne nuk ia dhamë.
I “fejuari” im doli maskara. Më ka nxjerrë në trotuar në shoqërinë e dy fatkeqeje të tjera. Të lutem më shpëto përpara se të hidhem në rrotat e ndonjë makine.
Me lot në sy, 
Dobësia jote, Moza”!

Një ditë më parë ia kishte treguar psikologut të akademisë fotografinë fotozhenike të tutorit dhe ky, si e pa me vëmëndje, qe shprehur:
“Shkathtësitë verbale dhe matematikore, janë frutëdhënëse në kulturën e amerikanëve, të cilët e kanë përvetësuar lehtësisht të tillë tipa.., Belami (“bukuroshë”).
Por këtyre mund t’u kundërvihemi me shpejtësinë dhe shkathtësinë e hedhjes së heshtës, karakteristikë kjo e kulturës së gjahtarëve. A nuk e kemi ne një detyrë të tillë, i dashur koleg?
Dhe oficeri hodhi me pezm kujin e shkrepses në taketuke për të vënë midis dhëmbëve një tjetër sfinë, të cilën, pas dy a tre minutash edhe kjo  do të përfundonte në zjarrishte, pa e kuptuar aspak se për vete goja e tij qe kthyer në…, shpuzore.

Qe dita e fundit për të përfituar nga Amnistia disa kategori ish të dënuarish,  të cilët jetonin në liri jashtë burgjeve. Mjafton të ktheheshin me dëshirën e tyre në vëndin e kryerjes së dënimit. Këtu futej edhe ky kalorës që kishte llogaritur t’ia hidhte paq, pa i hyrë asnjë gjëmb në këmbë, vetëm të gdhihej një natë në burg.
Gerti zbrazi himbajtësen në koshin e plehrave dhe, pasi morri me vete gjithçka që duhej, përfshi edhe grykëgjatën (domethënë pistoletën heshtëse), doli.

2.
Rrugica ishte bosh. Oficeri ynë, furgonin me portën e hapur e kishte puthitur në trotuar.  Vetë, qëndronte në kabinë, në ndenjësen e pasagjerit dhe vëzhgonte rrugën nga të dy pasqyrat: atë në qëndër të makinës, tepër e madhe dhe e gjërë që e kishte montuar vetë, si dhe tjetën në krahun e djathtë.
Qëndronte kështu i gatshëm me orë të tëra. Sytë i qenë bërë ujë. Kujat e shkrepses i përtypte nga nervozizmi përpara se t’i pështynte te hapsira e vockël e derës paksa e hapur. Ndërsa kokat i hidhte jashtë, si të qenë koka peshku. Dhe ja, aty, në të ngrysur, atëhere kur durimi po e lëshonte, ndërsa këmbëngulja luftonte me ‘të, u përputhën si t’a quajmë:thepi me shtjegëzën.  Ky qe: parashikimi dhe Fati. Në të dy pasqyrat u shfaq peshku, të cilin ai e kishte pagëzuar: BELAMI. I veshur si për në bordello. Oficerit i hypi gjaku në tru. Vendosi menjëherë kapuçin-maskë mbi krye dhe në çastin e përshtatshëm,  u hodh jashtë kabinës. Grykëgjata në dorën e…, “maskës” e tmerroi Bukuroshin. Ky, kur pa se, arma lëvizi pak në të majtën e tij e kuptoi se duhet të futej në karoce-rinë e saj dhe u bind. Kaq duhej që oficeri vetëm me një gjest tjetër, t’a detyronte të shtrihej përmbys me duar dhe këmbë të hapura si bretëkoca në fekon-dim. Atij iu kujtua biseda me mbarështuesin e viçave atë paradite herët, që dërgonte në thertore viçat dhe u çtensionua. Madje, tek po i lidhte nga mbrapa, duart me litar ashtu siç ai dinte i erdhi edhe për të qeshur. Por, s’qe koha. Duhet t’ia vinte në krye edhe thesin e zi. Pa duhej lidhur edhe me litar: midis ganxheve  rrafsh në dyshemenë e mjetit, i cili ishte enkas për kafshë. Ky tip BUKUROSHI, miqtë e mi shkrimtarë, të mos ju bëjë përshtypje që u lidh rrafsh. Se nuk mund t’a rendisni në rradhët e njerëzve. Që të bindeni, mjafton t’u them se Ai, viktimat (dhe ato ishin vajza të reja e të brishta), diktuar nga sadizmi i tij i detyronte të ishin bashkëpunuese në seks. Ashtu nga mbrapa.  Dhe kur ato rebeloheshin, Ai i digjte në shpatull me cigaren që mbante në buzë.
3.
Mbas dyzet e tetë orësh oficeri,  me maskë në fytyrë dhe me gojën mbushur për të ndryshuar zërin, ia hapi derën makinës dhe i tregoi celularin e tij:
– Thuamë tani numrin e telefonit te simahorrët e tu në Itali dhe t’u japish urdhër që, jo më larg se pasnesër të tria këto vajza që sheh në këto fotografi, të jenë kthyer në Tiranë. Në të kundërt, në darkë, do të përfundosh i mbytur dhe askush nuk ka për t’a marrë vesh se ç’të ndodhi.
4.
Belami s’ishte budalla.
Të tria vajzat të nesërmen u kthyen në Rinas. Kur oficeri mori konfirmimin nga aviacioni, mrekullia kishte ndodhur. Tirana për ‘to ishte qyteti më i bukur në botë!
Ndërkaq, oficeri mendonte se tutorit po i plaste organi për të shuruar dhe fyti për një pikë ujë. Kur e hapi sërish portën e karrocerisë, nuk deshi t’a besonte, se ajo qelbej e gjitha. Bukuroshi qe kthyer në një kafshë që vetëm frymonte. Se urina e kishte mbushur të gjithë dyshemenë
Kishin kaluar kështu tre ditë nga afati i kushtit për t’u kthyer në burg të atyre që përfitonon nga Amnistia.
Kërcënimi se në rast përsëritje, do t’i pritej fare vegla e urinimit e tmerronte Belaminë.
5.
Zëvëndës shefi vendosi furgonin në trotuar dhe u ngjit lart në zyrën e tij. Vuri çelsat e makinës mbi tryezë dhe nisi të formulojë dorëheqjen.  Ndërkaq, erdhi i zoti i mjetit.
– Faleminderit! – i tha atij.
– Asgje, zoti zëvëndësshef, asgjë.
– Serbatori është plot e përplot me  karburant. Kurse brënda e ke të pastër se e çova në lavazh, nga që m’u desh të shpija një viç dhuratë për në dasëm.
Tjetri buzëqeshi, si të donte të thoshte: qoftë kështu siç po e thoni ju, zoti zëvëndës shef dhe paçim përherë viça për të shpënë në dasëm. Ai  doli.
Viçi kishte ngrënë shumë hasëll dhe e kish qelbur “shtrojën”, – mendoi oficeri.
Gerti shkoi në zyrën e shefit të tij. Ky ngrijti kryet dhe, nga që s’e priste t’a shihte kaq…, papandehur e disi vrullshëm si të hiqte një barrë nga shpina,  pyeti me habi:
– Mbarove punë, apo do të shkosh përsëri?  Se ti sikur kërkove shtatë ditë nga leja e zakonshme e prapambetur?
– Ashtu është zoti shef. Por viçi që duhet të siguroja për dasmën u gjet më shpejt dhe më lirë nga sa e mendova, – tha kështu dhe i la mbi tryezë kërkesën për largimin e tij nga policia.
Dorëheqje!  – u befasua shefi.
– Po, – dhe ai la në cep të tryezës edhe pistoletën me grykën e gjatë heshtëse.
– Pse e gjithë kjo?
Atë çast ra zilja e telefonit. Flisnin nga  burgu.
Belami, që ishte futur një natë më parë në burg, shtatëdhjetëegjashtë orë pas skadimit të afatit, me urdhër të prokurorit, duhet të linte qelinë.
– Të mos zbatohet ky urdhër, – tha shefi pa ditur ende se si ishte problemi, por vetëm nga kënaqësia që një tip si Belami, më në fund ishte mbërthyer.
– Të mos zbatohet, – përsëriti,-  deri sa të vij unë atje.
Dhe shefi, në ato nerva e sipër i tha zëvëndësit të tij: – Edhe ti do të më lësh, zoti Gerti? “Edhe ti, o Brut?
– Po.
– Pse?
– Sepse…, – E para, Bruti, ishte shok i Çesarit, por Ai qe kundër Çesarit Diktator. Kurse unë jam shoku yt në luftën me keqbërësit, tutorët, kriminelët. Dhe… në vënd të përgjigjes më konkrete,  zëvëndës shefi nxorri nga xhepi një gazetë.
Aty me gërma të mëdha shkruhej për njeriun me maskë që e kishte detyruar BELAMI-në të sillte me telefon nga Italia të tri vajzat e trafikuara.
Kaq u desh që shef Mentori të bindej se viçin e kishte futur në stallë Gerti, zëvëndës i tij dhe kjo e mbushte me admirim për guximin. Ai kuptoi tri gjëra. E para se kolegu i tij kishte sfiduar ligjin (edhe pse në emër të së mirës).  E  dyta: një kuadër si ai, rrezikonte karrierën. Dhe e treta:
Një prokuror duhet të ishte i mpleksur në aferë koruptive, përderisa jepte urdhër të lirohej banditi Belami.
Shefi ngrijti receptorin e telefonit. Formoi një numur dhe tha:
– Sekretaria?
– Po, flisni, ju lutem!
– Jam Mentori, shefi i komisariatit “X”. Kam nevojë urgjente të takohem me ministrin. Kur të jetë i lirë, bëmëni një zile, ju lutem.
Uli dorezën e aparatit në vënd dhe i hodhi një vështrim plot admirim kolegut të tij një dekadë e ca më të ri:
– Nuk ke biseduar ende me tjetër kënd mbi këtë Dorëheqje, sigurisht?
– Jo, zoti shef Mentori dhe s’e kam aspak ndërmënd t’a bëj me kërkënd.
– As për atë që shkruhej dhe aludohej në shtyp?
– Jo, zoti shef.
– Shumë mirë. Puna, mbas ikjes nga kjo botë, aksidentalisht të gruas sime, fare e re dhe pa fëmijë; mua më la një beqar të përjetshëm, – i tha ai dhe si ndezi një cingare, e morri Dorëheqjen dhe e grisi.
– Në qoftëse ministri, nuk do të gjejë kohë të më presë, dije se, do të jetë i detyruar ai palo prokuroruc i koruptuar të anullojë urdhërin e tij që,  “bukuroshi” BELAMItë të mos përfitojë nga AMNISTIA.   Atëhere do të bëj unë një Dorëheqje dhe do t’ia paraqes ministrit. Edhe një vit më duhet të dal në pension. Për mua s’është  ndonjë humbje që peshon.
Atë çast mori armën nga cepi i tryezës dhe përpara se t’a fuste në sirtar, shtoi: – kjo, padyshim që e ndreq punën, – dhe e futi grykëgjatën në paisej e tij personale.
Zëvëndës shef – Gerti, kur u takua sërisht me psikologun në Akademi, thuhet se një nga bisedat, larg e larg, ishte edhe kjo:
– Që bota rrotullohet, ka thënë Gëte, e kanë ditur edhe tjerë pëtpara Galileo Galileut. Por, ata kanë qënë të martuar dhe me fëmijë. ( Epur si Muove), – mbylli citimin Pedagogu  i Akademisë dhe përçfaqi një buzëqeshje tejet kuptimplote.
Gerti ia ktheu të njëjtën buzëqeshje me përkthimin në shqip të thënies brilante të Galileut:
Megjithatë rrotullohet. 
Shef Mentori dha dorëheqje  e cila u pranua nga zoti ministër. Zëvëndësi i tij, Berti, u bë shef i komisariatit. Belami mbeti në burg. Por. . .
Prokurori e hodhi një shkallë më lart vendimin e gjykatës e cila i dha të drejtë atij. Vonesa në paraqitjen e të pandehurit…, Belami, pranë vendit të kryerjes së dënimit, ishte bërë nga Forca të errta. Prandaj, ai lirohet në sallën e gjyqit me një vendim të formës së prerë”.
Këtu mbaron rrëfimi i veteranit të policisë. 

Një javë më vonë, një gazetar investigativ do të thoshte në një STUDIO të HAPUR se: Një farë tutori femrash, i njohur si  Belami që, përfitoi nga kushtet e Amnstisë, i del përpara një maskë dhe i hedh acid në fytyrë.

Belami,  që do të thotë “I bukur”, u shëmtua, në një farë mënyre tejet të frikshme.
Ky qe fundi i një… farë Belami.
___________________

*) Paramnezi= Përzierje e realitetit me trillin artistik.

Please follow and like us: