Grabitja dhe terrori në Fier, kush është 37-vjeçari Zini Fyraj, i cili edhe në qershor 2017 u arrestua për grabitje
Zini Fyraj, 37 vjeç nga Vlorë është një prej autorëve të grabitjes së ndodhur sot në qytetin e Fierit, ku shënjestër ishte një pikë këmbimi valutor. Pronari i Exchange dhe një tjetër mbetën të plagosur.
Pas grabitjes së parave, Fyraj nga Sevasteri i Vlorës bashkë me dy persona të tjerë Lulëzim Demiraj, banues në Vajzë, Vlorë dhe Dashamir Gergali, 41 vjeç, banues në Zhupan, Fier u përpoqën t’i ikin policisë duke u fshehur në fshatin Baltëz. Megjithatë policia arriti t’i kapte pas një operacioni që zgjati rreth 90 minuta.
Por Zini Fyraj nuk është një emër i panjohur për policinë. 37-vjeçari ishte protagonist i një tjetër grabitjeje një vit më parë në qytetin e Vlorës kur 4 persona nën kërcënimin e armës grabitën 29-vjeçarin me iniciale A. B., duke i marrë një sasi parash prej 4 mijë eurosh. Fyraj u arrestua me akuzën për “Përkrahje të autorit të krimit”, duke i shpëtuar shumë shpejt burgut.
Njoftimi i policisë në qershor 2017
Vlorë, policia dokumenton ngjarjen e vjedhjes me armë të ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Vlorës!
Arrestohen 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Në vijim të informacionit të datës 30. 06. 2017, ku bëhet fjalë për vjedhjen e ndodhur në lagjen “24 Maji”, ku nën kërcënimin e armës së zjarrit disa persona i kanë vjedhur 29-vjeçarit A. B., një sasi parash prej 4000 eurosh, policia bën me dije se:
Nga veprimet hetimore intensive, shërbimet e Policisë së Vlorës kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të cilët janë implikuar duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, si më poshtë:
- – Vilson Bylaj, 29 vjeç, banues në Vlorë, arrestuar si bashkëpunëtor i vjedhjes me armë (neni 140/25 dhe 278).
- – Zini Fyraj, 36 vjeç, banues në Vlorë, arrestuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” (neni 302), pasi në banesën e tij është kapur shtetasi Vilson Bylaj.
- – Avdulla Bregu, 29 vjeç, banues në Vlorë, arrestuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kallëzimi i rremë” (neni 283 dhe 305), pasi dyshohet se u ka shitur lëndë narkotike dy shtetasve të mësipërm.
- – E. A., 32 vjeç, banues në Vlorë, shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i vjedhjes me armë.
Gjithashtu, në kohën e ndodhjes së ngjarjes më datë 30. 06. 2017 është arrestuar në flagrancë shtetasi Marjo Bregu.
Materialet janë referuar në Prokurori për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallëzim krimi”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.