Albspirit

Media/News/Publishing

Një marrëveshje detare, që t’iu rezistojë shekujve

Dr. Agim LALA*

*Gjeneralbrigade, Zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA)

Debati i fundit për marrëveshjen detare, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Ky opinion, po turbullohet në mënyrë permanente, me opinione të drejta dhe opinione të atyre që nuk kanë idenë e një marrëveshje të tillë. Sipas mendimit tim, po mirremi me anën e jashtme të problemit, duke mos u marrë problemin, thua se e kemi të qartë dhe të zgjidhur se si duhet të veprojmë. Në dijeninë time, kjo është një process i panjohur për ne. Fakti i shumë aktorëve në skenë, e bën sa komplekse për tu kordinuar po aq të vështirë për të tërhequr mendimin që duhet. Por me sa shoh, uroj që të jemë i gabuar, ka një “entuziazëm politik “ dhe aspak apo fare pak, shqetësohen për pjesën teknike. Gjykoj se kjo marrëveshje, peshën më të madhe do ta kenë njohuritë profesionale, teknike e legjislative dhe aspak politike. Fakti që politika vendosi ta shtroi çështjen në tryezë, mendoj se ajo e beri detyrën e saj. Politika e dy shteteve, do të presi “dakortësinë” e specialistëve, dhe pastaj do të kryhet akti formal i nënshkrimit prej tyre. Pra, jemi thirrur për të qenë pjesë e zgjidhjes dhe duhet ta zgjidhim në kushtet e barazisë me partneret grekë (Kujtojmë 1913-tën, ne nuk u pyetëm). Kjo mbi të gjitha kërkon profesionalizëm (nuk po flas dhe të vë në diskutim ndershmërinë dhe besnikërinë ndaj Kombit), kërkon qetësi, kërkon mbështetje të të gjithë faktorit mbarë-kombëtar, politik, social dhe akademiko-shkencor. Kur them mbështetje shkencore, gjykoj se i gjithë aseti kombëtar në këtë fushë, duhet të ndihmojnë dhe të punojnë në interes të grupit negociator. Pra, specialistët e këtij grupi, duhet të jenë tepër të përgatitur dhe të dinë të thithin informacionin shtesë nga sektorë të tjerë që mundet të kontribuojnë. Por çfarë po ndodh? Problemi i marrëveshjes është një problem kombëtar dhe gjykoj se edhe përgjegjësia është e tillë. Por shtrohet pyetja: Kush po merret sot me shtrimin e detajeve, zgjidhjen e të panjohurave (që të mos ua lemë zgjidhjeve individuale), cili institucion, qëndër shkencore apo strategjike, etj. Kush po mirret me shtrimin e alternativave dhe variantet në tavolinë dhe rrugët e zgjidhjes së tyre. Kush janë oponencat brënda nesh, me kë po debatohet (në kuptimin e mirë për t’u përgatitur), për të arritur dhe shkuar në negocime si të barabartë. Në ushtri ka një shprehje: “Në luftë duhet të futesh i mësuar dhe i përgatitur, ndryshe…pasojat e pritëshme do të jenë fatale”. Fqinjët tanë kanë akademi që përpunojnë ide, doktrina të qëndrimeve strategjike, variante zgjidhjeje, programe, etj. Këto ide, shtrohen si platformë në tavolinën e liderëve, për t’u përdorur nëse politika e shtron si alternative zgjidhjeje. Kujtojmë deklaratën e fundit të presidentit të Serbisë, i cili u shpreh, se “në prill do të paraqesë një zgjidhje të problemit midis Serbisë dhe Kosovës”. Por pse në Prill…? Sepse problemi është shtruar dhe është futur në “furrën akademike” dhe po përpunohet, në të gjitha variantet (planet) e negocimit. Kjo është përvoja botërore e negocimeve. Nuk e kuptoj zellin e politikës sonë, që negociatorët duan ti rreshtojnë në të majtë dhe të djathtë (dhe kush nuk quhet i tyre, etiketohet me epitete nga më të frikëshmet, si në kohën e diktaturës. Këtu i dëmtuari është specialist i mirëfilltë. Ai përfolet dhe ndikon në karrierë apo në shoqëri, sepse bëhet “mish me erë”! Nuk ja vlen të ndalem në këtë fenomen, pasi e vuajta në kurriz, jam larguar nga detyra për këtë qëllim, megjithëse në test u rendita i pari). Negociatorët janë dhe duhet të jenë specialistë të shkëlqyer dhe jashtë urdhërave të politikës. Nenet e ligjeve nuk janë të ngjyrosura! Ndryshe do të kemi negociata me ngjyrë, të cilat nuk do të jenë në interes të Kombit. Ndaj i bëj thirrje politikës shqipëtare, larg duart nga specialistët, ato duhet të përmbushin detyrën përballë Kombit, sipas betimit të bërë për këtë qëllim. Të paktën, njëherë kjo politikë duhet të jetë me qasje kombëtare (sepse situata në Shqipëri, pas 27 vjetësh, nuk e radhit politikën shqiptare tek të suksesëshmit, përkundrazi). Të diskutohet kaq ditë për Artur Meçollarin (sqaroj se është një ushtarak i shkëlqyer ) apo edhe ndonjë tjetër, është mjaft e vogël, përballë problemit të madh të shtruar për zgjidhje, të cilën fqinjët na e kanë lënë mbi tavolinë. Institucionet e Sigurisë duhet të zbatojnë statusin e tyre të saksionuar me ligj. Kur ato të flasin, të tjerët duhet të heshtin. Ndryshe nuk jemi shtet.

Ato kanë çertifikuar dhe duhet të çertifikojnë, duhet të japin besimin ligjor, personave që duhen për negocim. Këto punë nuk zgjidhen me opinione, qoftë edhe me rreshtat e këtij shkrimi. Ne duhet ti japim besim institucioneve dhe jo individëve. Ka deputetë që nuk e njohin foltoren e Parlamentit, por flasin tek dera e tij pa përgjegjësi dhe pas 5 orësh ridalin dhe mohojnë vetëveten. Këto janë deputetë të zgjedhur nga kryetarët (me votim monetar tek kryetarët) dhe jo nga populli. Pa personalitetin, autoritetin dhe përgatitjen më minimale për t’u ulur në atë sallë të nderuar. Mendoj se janë nga ato deputetë që kanë vjedhur dhe paguar për mandatin, kanë fallsifikuar diplomat dhe fytyrën e tyre të bërë pis nga vjedhjet! Ju lutem “mjaft”. Betejën politike bëjeni në Parlament dhe jo tek grupi negociator! Politika dhe Parlamenti të mirret me ligjet dhe të nxjerrin para përgjegjësisë ministrat apo drejtues të rrangjeve të larta, që kanë hedhur në rrugë kuadro të kualifikuar në Perëndim. Ato sot kanë fituar të drejtat e tyre të mohuara padrejtësisht, në gjykata. Shumë nga këto palo-ministra, bëjnë të persekutuarin në foltoren e parlamentit, ndërkohë që dëmin ekonomik e paguan shoqëria në miliona euro. Ka shumë analistë që bëjnë “specialistin”, duke u lëshuar sa në një ekran në tjetrin. Mendoj se gabojnë kur mendojnë se duke gjykuar se kanë njohuritë e duhura dhe duke folur në ekranet publike, pa dashje bëjnë gabime të mëdha! I siguroj që njohjet e tyre janë empirike, si çdo njeri që kërkon të diskutojë në fushën e përgjegjësisë së tjetrit. Por që një problem të zgjidhet drejtë, duhet të shtrohet drejtë! Shtrimi i drejtë i problemit është gjysma e punës, për të arritur përfundimin e dëshiruar. Pra, ne duhet të nxjerrim mësime nga pësimet e vazhdueshme. Ne duhet të hulumtojmë ku i kemi personat e duhur që mundet të kënë njohuritë e duhura dhe jo vetëm dëshirën dhe patriotizmin. Për patriotizëm, gjykoj se nuk është e e nevojshme përballë kuadrove që kanë shërbyer në emër të Flamurit tonë në operacione ndërkombëtare. Por, fatkeqësisht, shumë nga ato i kemi kontestuar, i kemi nxjerrë në rrugë apo i kemi etiketuar me lloj-lloj epitetesh. Ne do përballemi në një tavolinë shahu me fqinjin tonë jugor. Secili do të kërkojë të paraqitet sa më denjësisht.

Ky grup duhet të na përfaqësojë që çdo shqiptar të ndjehet krenar për atë që do të vendoset. Por, që të jetë i tillë, sado të zgjuar ti kemi negociatorët, ato kanë nevojë për mbështetje. Për mendimin tim, është e pamundur që brenda një kohe të shkurtër dhe me tensione të jenë profesionalë, nëse ne nuk i mbështesim. Arturi, Kristaqi apo mjaft djem e vajza të tjera që kanë studiuar në Perëndim, janë të diplomuar dhe të përgatitur pikërisht në këtë fushë, por…jo duke u shantazhuar nga politika. Ka ardhur koha që borxhin ndaj vëndit për kualifikimet e shumta anë e mbanë botës, duhet ti kthejmë në dobi Kombëtare. Analistët duhet të ndalojnë dhënien e formulave, të njëfarë diversion mendimi, pasi ky problem ka tjetër pedagogji diskutimi dhe zgjidhjeje. Ky problem nuk ka shans të zgjidhet me “urra”, por do të zgjidhet me profesionalizëm, me mençuri dhe gjak të ftohtë. Detyra e të gjithëve që diskutojnë është; ti japin plotfuqishmëri jo vetëm ligjore, sepse atë e jep Kryetari i shtetit, por plotfuqishmëri shoqërore. Identifikimi i problemit dhe kë kemi përballë. Natyrisht që fqinjët tanë kanë më shumë eksperienca në këtë drejtim. Ne duhet të vëmë në zbatim mësimin që kemi marrrë në perëndim për mënyrën e zgjidhjes së problemeve të strategjisë kombëtare. (Asnjë udhëheqës perëndimor nuk prononcohet për probleme të tilla, pa u përpunuar më parë nga institucionet speciale të sigurisë). Ekipi në negocime duhet të futet me variante të përpunuara, të zbërthyera, të parallogaritura, me situata të parapërgatitura dhe se si do negociohet për mbylljen e tyre. Çfarë do të sugjeroja unë për t’u negociuar në një situatë e tillë: Vendimmarrja (VM); në kushtet e sotme, duhet të jetë tepër e studiuar. Ajo nuk duron ujëra në hapat e saja. Kjo do të sigurojë fitimin e kohës, fitimin e fondeve dhe resurseve të tjera. Ne duhet të ndryshojmë, por duhet të “kapim” momentin e ndryshimit. Vendimmarrja e suksesshme realizohet në kohën e duhur. Ne duhet të kërkojmë si dhe kur, ku dhe për çfarë të ndryshojmë?! Mbi këtë bazë, Çfarë të vendosim. Siç thonë Gordon R. Sullivan dhe Michael V. Harpër në librin tyre: ”Ne zbuluam që ne nuk duhet vetëm të ndryshojmë, (por) ne duhet të ndryshojmë rrugën e ndryshimit tonë”. Kjo është detyrë e ne studiuesve. Ndryshe do të vazhdojmë të notojmë në monotoni dhe në një rreth ciklik të mbyllur. Civilët dhe biznesi kërkojnë të mësojnë nga Vendim-Marrja Ushtarake! Por përse? Sepse ato kanë lidership dhe VM, që mundet ti aplikojnë dhe ti përshtatin. Të dyja, biznesi dhe Ushtria kanë si qëllim fitimin. Mbi këtë metodologji, unë dua që të jap një sugjerim se si duhet menaxhuar kjo situatë: Grupi negociator, sado i aftë që të jetë, duhet mbështetur në çdo moment me ekipe të specialistëve me “mjekër të bardhë” të çdo instituti apo dikasteri. Natyrisht, që drejtuesi i një institucioni apo departamenti, për kushte që njihen, nuk janë më të mirët dhe nuk janë më profesionistët, kjo për 1000 arësye. (Çështje preferencash në përzgjedhje, çështje shëndetësore, çështje prirjesh organizative, etj). Por edhe nëse kemi persona mjaft të përgatitur në këtë fushë në drejtimin e dikasterit, nuk ka kohë të mendojnë, të analizojnë me imtësi, gjatë negocimeve, etj. Përvoja e betejave dhe e drejtimit të suksesshëm të një operacioni, realizohet me dy ekipe (në terminologjinë ushtarake quhen vendkomanda).Vendkomandë (VKP/VKK) e përparuar dhe kryesore. Në vendkomandën e përparuar (VKP), vendosen njerëzit më të zgjuar dhe më të rëndësishëm që kanë akses direkt në vendimmarrje. Për të llogaritur në detaje një operacion, është vëndkomanda kryesore. këtë metodë suksesi duhet ta zbatojmë në jetën (biznesin) civil. Këtë po e shoqëroj me një shembull konkret: Në vitet 2007-2009, gjatë negociatave me Brukselin për pranimin e Shqipërisë në NATO, e kemi zbatuar këtë metodë. Ekipi që shkonte në Bruksel, pavarsisht përgatitjeve të shumta, pyetjet që kërkonin kohë dhe resurse për t’u analizuar dhe përgatitur, niseshin me radiogram të Tiranës, ku ne kishim ngritur një grup tjeter të gjerë dhe merrej me detajet e përllogaritjeve dhe formulimin e përgjigjeve. Grupi i Brukselit kishte autoritetin e sqarimit të kërkesave nga ana e aleatëve, atje. Ekipi ndërministror i Tiranës merrte pyetjet, i sqaronte dhe i vlerësonte, duke debatuar me aktorë të shumtë të të gjitha dikastereve dhe pas kësaj ridërgoheshin përgjigjet e përpunuara në Bruksel. Kjo bëri që ekipi atje të ishte më komod, të diskutonte më qetësisht e profesionalisht. Gjatë debateve, ekipi ndalej dhe përqëndrohej në detaje që bënin diferencën dhe jo me probleme rutinë që kërkonin kohë dhe dije të shumëfishta. Asnjëherë ekipi ynë në Bruksel nuk u vendos në trysni dhe përballë të papriturave. Për problemet e përpunimit të imët, mirrej ekipi i Tiranës, pra në mënyrë figurative, “Vendkomanda Kryesore”. kjo është disiplina e zgjidhjes së një problemi madhor. Nisur nga kjo përvojë suksesi, do të sugjeroja që krahas ekipit kryesor negociator, pranë çdo institucioni të ngrihen ekipe të vogla me specialistët më me zë dhe shkencëtarët e çdo fushe (qofshin këto të punësuar apo të thirren nga pensioni ose kudo ku ndodhen). Ne kemi kuadro të përgatitur në cdo fushë, specialistë në akademitë dhe në shkollat më prestigjioze të perëndimit. Sot ka ardhur koha të kthejmë “borxhin’ që i kemi Atdheut. Ky ekip duhet të shtrojë dhe tu japi zgjidhje problemeve më të mprehta të cdo fushe, duke furnizuar ekipin bazë me variantet e mirë llogaritura dhe me qëndrime qartësisht të zbërthyera dhe me referenca të plota juridike (kombëtare dhe ndërkombëtare). Shqipëria është një vënd i vogël. Ne nuk e kemi privilegjin që të lëmë jashtë analizës dhe tërheqjes së mendimit të specialistëve dhe njohës shumë të mirë të së drejtës ndërkombëtare të detit. Nuk jam dakort që jashtë këtij grupi të lihen specialistë të cilët edhe pse mundet të kenë qenë në grupin e parë, ato duhet të përfshihen në ekipin e ri apo nën grupet që duhet të ngrihen pranë institucioneve, pasi kjo (grupet dhe n/grupet) janë njëlloj “Kombëtarje”, të cilët duhet të na nderojnë në vendosjen e kufijve detarë. Ne duhet të “bashkëbisedojmë” e studiojmë marrëveshjet më të vështira të globit, me qëllim që të bëjmë një zgjidhje të mënçur dhe pa humbje për vendin tonë. Askush nuk kërkon të fitojë, por ne duhet të marrim atë që na takon me të drejtën e zotit dhe të ligjit Ndërkombëtar! Ne duam të fitojmë të drejtën. Gjykoj se deri më tani jemi marrë me probleme sipërfaqësore dhe empirike. Jemi marrë me tymnajën dhe jo me problemin.

Do të sugjeroja që mjaft politikanë, ti japin fund lojës politike dhe të lenë specialistët të kryejnë detyrën. Liderët e të gjitha partive duhet të ulen dhe të shtrojnë se si duhet mbështetur problemi dhe jo të mendojnë se cfarë do të përfitojnë politikisht nga këto negociata. Zakonisht, “kur zihen deshte në urë, thotë populli, të dy bien në lumë”. Që të mos ndodhi kjo me Shqipërinë, duhet të gjejmë qetësinë mes vetes dhe pastaj të futemi në negociata. Deputetët tanë duhet të kuptojnë se cili duhet të jetë “petku” që duhet të veshi një deputet. Duhet t’u jepet fund penetrimit të “pelivanëve” në politikën shqipëtare, nëse nuk duam të përfundojmë në marramëndje rrotulluese dhe të rrëzohemi. Kjo marrëveshje është nga më të rëndësishmet për Kombin tonë dhe nuk pranon që në të, të zhytin duart e fëlliqta dhe të njollosin me paditurine e tyre, të paditurit dhe me diploma falco! Lëreni inteligjencën dhe specialistët të vendosin drejtësinë, që do ti rezistojë shekujve! Kjo vijë kufitarë (marrëveshje) do ti rezistojë shekujve. Ai vendim nuk duhet të jetë shkak i konflikteve midis dy vendeve për brezat e ardhshëm. Ne duhet të lexojmë mirë përmes rreshtave të marrëveshjes, kush mundet të jenë pasojat dhe efektet e së nesërmes.

Please follow and like us: