Ismail Kadare: Përgjigje Bedri Blloshmit, vëllait të poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmi
Zoti Blloshmi,
Letra e hapur që më keni dërguar nëpërmjet gazetave “Albania” dhe “Sot” është një ndër më të rëndësishmet që janë shkruar e botuar vitet e fundit në Shqipëri. Bashkë me dramën që ka goditur familjen e fisin tuaj, dramë që pati si akt të fundit pushkatimin e dy poetëve martirë, vëllait tuaj Vilson Blloshmi dhe kushëririt tuaj Genc Leka, letra e juaj ngre disa nga çështjet themelore të moralitetit jo vetëm të kulturës e letërsisë shqiptare, po të krejt epokës.
Vite më parë, nëpërmjet historianit Uran Butka, jam njohur me dosjen e dhimbshme të dy poetëve martirë, Blloshmi dhe Leka. Që nga ajo kohë, siç mund të jeni në dijeni, shumë herë, e në mënyrë të përsëritur, në libra, shkrime e intervista, përpara publikut shqiptar e ndërkombëtar, kam folur për këtë tragjedi. E bashkë me të kam ngritur çështjen e arkivave sekrete, duke kërkuar hapjen e tyre pa asnjë kusht.
Për fat të keq, zëri im e disa miqve të mi, ka mbetur pothuajse i vetmuar, sidomos kur ka qenë fjala për letërsinë dhe artin. Një miratim i disa shkrimtarëve dhe artistëve, ka qenë i pamjaftueshëm për të ndryshuar gjendjen. Asnjë aksion nuk është mdërmarrë për këtë, asnjë organizëm shtetëror ose shoqëror, asnjë komitet, OJQ ose nismë tjetër civile nuk ka mbështetur me vepra këtë kërkesë. Dhe jo vetëm kaq. Sa herë që është ngritur kjo çështje, një kor shurdhues është ngritur aty për aty për të penguar zbulimin e së vërtetës. Thënë shkurt, një mur solidariteti me xhelatët kundër viktimave, me fajtorët kundër të pafajshmëve.
Strategjia e kësaj sjelljeje cinike është e qartë: të mbulohet me çdo kusht e vërteta e krimit komunist në kulturë. Të zëvendësohet ajo e vërtetë me mashtrime e trillime rozë, me dëshmi të rreme dhe ç’është më e keqja, me mllef dhe terror psiqik kundër viktimave. Dhe kështu ka ndodhur ajo që thoni ju, që fajtorët, emrat e të cilëve janë ende të fshehur nëpër dosjet sekrete, të pushtojnë dalngadalë shtypin dhe ekranet tona. Dhe kështu ndodh që të ashtuquajturat kujtime nexhmijehoxhiste të bëhen zotëruese në një pjesë të mediave tona. Ky është një nga turpet më të mëdha të kohës sonë.
Mbulimi i së vërtetës ka edhe ajo teknikat e saj, të njohura qyshkur. Përveç falsifikimeve klasike të bëra nga vetë xhelatët ose servilët e tyre të sotëm, ka të tjera mënyra më të tërthorta, pra edhe më tinzare, për shfytyrimin e historisë.
Zëvendësimi i së vërtetës me një surrogat të saj, është një nga më të shpeshtat. Krijohen ngjarje, heroizma e disidenca të paqëna, të cilat mënjanojnë vetvetiu dramat e vërteta. Kur dikush për shembull, përpiqet të na mbushë mendjen se, i paska dërguar një letër Enver Hoxhës, ku i shkruan fare haptas se ti, Enver Hoxha, bashkë me shokët e tu jeni vrasës dhe së shpejti do t’i hani kokat njëri- tjetrit, kur dikush pra na e servir këtë përrallë, në vështrim të parë, ajo mund të duket si një nga ato mburrjet e rëndomta ballkanase me të cilat është mbushur jeta jonë. Por në një vështrim më të thellë del se kjo mburrje nuk është aq e padëmshme sa ç’duket.
Përkundrazi, është thellësisht çoroditëse, sepse sipas kësaj përralle, Enver Hoxha nuk del aspak një diktator, por një liberal i madh. Sepse gjer më sot nuk ka ndodhur kurrë që një diktator, e sidomos një diktator komunist, të marrë një letër të till, dhe të jetë aq mëshirëmadh ndaj shkruesit, sa pas një ndëshkimi të përkohshëm, t’i japë përsëri të drejtën e botimit! Ne të gjithë e dimë, e më shumë se ne jeni ju që e dini se sa e pavërtetë është kjo. Nuk është puna këtu për pranimin ose jo të një mburrjeje. Këtu është fjala për një përmbysje të krejt historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri.
Nëqoftëse pranohet se ka qenë e mundur t’i thoshje diktatorit vrasës, dhe pas kësaj merrje prapë të drejtën për të botuar libra, kjo do të thotë të pranosh se në këtë vend nuk ka patur diktaturë. Sipas kësaj logjike, pushkatimi i Genc Lekës dhe i vëllait tuaj Vilson Blloshmit, për ca vjersha njerëzore ku përshkruhet rënia e gjetheve dhe zjarri në vatër, tingëllon krejtësisht i pabesueshëm.
Me kalimin e viteve, nëqoftëse në Shqipëri do të vazhdonte sundimi i trillimeve nexhmijehoxhiste, ky pushkatim mizor do të quhej përrallë, ngaqë surrogati, ai që tiranin e nxjerr aq të mëshirshëm, do ta kishte zëvendësuar ndërkaq të vërtetën. Një tjetër mënyrë e falsifikimit të historisë është banalizimi, përgjithësimi i së keqes. Në emër të mitit të bashkëfajësisë gjithçka futet në një thes. Ashtu si në ferrin pagan që është krejt i ndryshëm nga ai dantesk, në jetën tonë krijohet një mjegullinë brenda së cilës nuk dallohet vlera nga antivlera, kallëzuesi nga viktima, spiuni nga i spiunuari. Mëkatarëve tanë u vjen shumë për shtat ky lloj ferri pagan. Për të ardhur te letërsia shqipe e gjysmës së dytë të shekullit ajo do të gjykohet ndryshe. Ajo do të gjykohet në bazë të dy parimeve themelore.
E para, parimi i vlerave. E dyta, ai i moralitetit. Lidhur me vlerat, dihet se vetëm një pjesë e saj do t’i qëndrojë kohës. Lidhur me moralitetin, përveç asaj pjese të letërsisë që e ka njollosur veten duke nxitur urrejtjen klasore , shtypjen, hymnizimin e Ministrisë së Brendshme e të tjera si këto, e vërteta kryesore mbetet e ndryrë në arkivat e fshehta. Aty ndahen dy armatat: fajtorja nga e pafajshmja, viktimat nga spiunët. Kjo është ndarja themelore, e pazëvendësueshme nga asnjë surrogat. E pamëshirshme në vërtetësinë e saj, e painterpretueshme sipas ëndjes. Është ajo që ju me të drejtë, në letrën tuaj, kërkoni të zbulohet.
Ky zbulim nuk është i gëzueshëm. Por në kushtet e historisë së sotme shqiptare, në kushtet e mjegullës çorientuese, ai është i nevojshëm. Një operacion kirurgjikal, për të ndaluar infektimin e pjesës së shëndoshë të ndërgjegjes shqiptare. Kjo ndërhyrje nuk do të jetë e lehtë. Do të ngrihet prapë muri mbrojtës i solidaritetit të së keqes. Do të bëjë zhurmë kori i saj. Kur drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë shpall se do të botojë një libër me dokumente të fshehta, që lidhen me përgjimin, në vend që ky lajm të zgjojë kurreshti, nxit nervozizëm. Gjithfarë dokrash thuhen me këtë rast. Ç’na duhet të hapim telashe të tilla? Kujt i hyjnë në punë ato? Brezi i ri i sotëm as që do t’ia dijë për kësi historish, etj. etj.
Vërtet besojnë këta avokatë të të keqes se brezi i ri shqiptar mund të ketë kujtesën e një foke? Brezi i ri, ai që e di ç’ka ndodhur në kohën e Hitlerit, të Xhingis hanit, apo të Neronit, nuk mund të jetë shpërfillës ndaj dramës së popullit të vet. Eshtë krejtësisht normale që ai të dijë ç’ka ndodhur këtu, madje ç’ka ndodhur gjithkund. Ende sot, pas 2000 vjetësh, nuk reshtin përpjekjet për të gjetur denoncimin e fshehtë që çoi në internim poetin romak Ovidin. Mirëpo tek ne zotëron tjetër logjikë. Më lejoni t’ua përsëris se dy shkrimtarë deputetë, njeri i majtë e tjetri i djathtë, u ngritën të parët kundër projektit të shefit të arkivave. Kjo tregonte, veç të tjerash, që për disa politikanë të majtë ose të djathtë , ka një pikë të errët ku ata takohen.
Zoti Blloshmi,
Siç mund ta shihni nga kjo letër, unë prej vitesh kam qenë dhe vazhdoj të jem në një mendje me ju. E kuptoj gjithë dhimbjen tuaj, gjithë dëshpërimin dhe revoltën tuaj.
Në perandorinë komuniste, që nga Kuba në Mongoli, e nga Arktiku në Shqipëri, janë bërë krime monstruoze të cilat kanë rënduar gjithë ndërgjegjen e shekullit XX. E megjithatë besoj se në krejt historinë e njerëzimit, që nga koha e Neronit e këndej, është vështirë të gjendet një shembull tjetër, që dy poetë të jenë pushkatuar për disa vjersha të pafajshme për gjethet dhe për vjeshtën.
Pushkatimi i Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, ka shënuar një rekord të ri në hierarkinë e zezë të së keqes në këtë planet. Këtë rekord të turpit e ka arritur, për fat të keq, Shqipëria komuniste.
Përfitoj nga kjo përgjigje për t’iu drejtuar publikisht Presidentit të Republikës, që të ndërhyjë me tagrin e tij të lartë, për të vendosur ngritjen e një përmendoreje të dy poetëve martirë, ata që u rrëzuan nga arma, për shkakun e vetëm se shkruan poezi të njerëzishme në një kohë çnjerëzore. Lidhur me kërkesën tuaj për zbulimin e dokumentacionit të fshehtë, ashtu si dhe më parë vazhdoj ta mbështes pa asnjë rezervë. Me këtë rast i drejtohem prapë Presidentit për t’i kërkuar përpilimin e një legjislacioni për transparencën lidhur me arkivat e pahapura, atje ku është ndryrë një peshë e errët, pa zbulimin e së cilës, ndërgjegja e këtij vendi nuk mund të jetë e qetë.
Shënim: Në maj 2004, Bedri Blloshmi, vëllai dhe kushuriri i poetëve të pushkatuar Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, i ka dërguar dy letra të hapura shkrimtarit Ismail Kadare. Në këto letra të titulluara “Përse nuk hapen dosjet e shkrimtarëve” dhe “Prijini pastrimit të botës së letrave”, autori i tyre kërkon ndihmesën e shkrimtarit për hapjen e dokumentacionit të fshehtë, ku është dëshmuar ndjekja sistematike, përgjimi dhe spiunimi i shkrimtarëve shqiptarë gjatë diktaturës komuniste.