Teuta Dhima: Mbi romanin e Enton Bidos ‘Prijësi i palavdishëm’
Prijësi i palavdishëm… që në fillim befasohesh nga kundërvënia: edhe prijës edhe i palavdishëm.
Lexuesi bie në kurthin e pare të kuriozitetit, kuriozitet ky që përndizet edhe më shumë nga kopertina. Një figurë e njohur historike, Ahmet Zogu, mbreti i vetëshpallur i Shqipërisë.
Përzgjedhja e heroit është e guximshme nga ana e autorit, pasi ka vendosur të trajtojë një periudhë historike dhe një figure të saj, që ka lënë vend për diskutime, të nisura nga këndvështrime të ndryshme. Në paraqitjen e mbretit, autori sigurisht që i është përmbajtur fakteve historike, por vende-vende bën ndryshime, ndërthur element artistikë, që të përdoruara me mjeshtëri, e largojnë disi personazhin nga paraqitja biografike e tij.
“Prijësi i palavdishëm” është një roman i llojit të shkurtër. Koha në roman përfshin 10 ditëshin para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Koha nuk është shumë e gjatë, por ngërthen brenda saj disa ngjarje njëherësh, të cilat kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me personazhin kryesor si: dasma, atentati i mbretit, revoltat në vend dhe dënimi i tyre, epjen e tij, ndërkallje e intermexo të ndryshme.
E. Bido, gjithmonë ka dëshmuar origjinalitet në stilin e të shkruarit, por me “Prijësin e palavdishëm” ai vjen tepër original edhe në konceptim. Bido nuk ndjek askënd, përveç muzës së tij. Romani është për t’u lexuar me laps dhe letër për nga intensiteti i mendimit. Kjo cilësi e tij është e njohur edhe në gjini të tjera që ai shkruan.
Romani, ka brenda tij 14 personazhe, ca realë e ca të trilluar, imagjinuar. Ajo që vihet re që në fillim është tipizimi i tyre perms gjuhës. Mjaftoj në disa batuta të shkurtra për të krijuar një imazh të saktë për vendin, situatën dh epersonazhin.
Jo pa qëllim vepra nis me personazhin kryesor të cilit po i bëhet një portret. Në letërsi portreti ka kuptimin e përshkrimit të jashtëm të ndonjë heroi apo figure letrare, të fytyrës së tij, të trupit, të veshjes etj. Kjo dhe vendosja e kunorës së Skanderbegut, janë detaje që mjaftojnë për të kuptuar situatën. Këto detaje hedhin dritë mbi fakte historike që sjell historian K. F: – A. Zogut i pëlqente të zbukuronte biografinë e vet të hershme, i pëlqente kur quhej pasardhës gjenetik i Kastriotëve, madje Kristo Floqi i thuri edhe himnin që mbaronte me vargun ‘nip stërnip i Skënderbeut’.
Autori jo pa qëllim, duke ironizuar e quan prijës dhe jo mbret. R. Qosja në “Popull i ndalun”, Prishtinë, 1990, shprehet: “Skënderbeu nuk ishte bajraktar fisi, por prijës i përgjithshëm popullor, i cili fronin e kishte trashëguar prej familjes mbretërore”. Edhe pse Ahmet Zogu u vetëshpall, ai nuk mund të ishte një mbret. Një prijës i palavdishëm, po.
Autori ynë nuk merr përsipër të thellohet në elemente biografikë. Ai mjaftohet me kujtimin e natës së pare të martesës, vështirësinë për të mësuar valsin (mendoni një mbret që nuk di të vallëzojë vals), apo mbingarkesën e fustaneve të zonjave dhe bizhuterive në këtë martesë për të dhënë mesazhin që: Fisnik lind, nuk bëhesh. Ose, Paralel kamja me mendjen, pasuria me kulturën. Mesazhe tepër të fuqishme për të dëshmuar edhe një herë që A. Zogu ishte mbret i vetëshpallur dhe jo i denjë për të udhëhequr një popull që aq shumë kishte nevojë të dilte nga skamja, varfëria dhe injoranca.
Fjalët e së motrës: “Tek ty burrnia përzihet me pak ndroje”, janë mëse të mjaftueshme për të kuptuar se këtu nuk bëhet fjalë për droje, por për plane të tjera dhe lëvizje strategjike për të cilat mbreti i vetëshpallur shquhej.
Kur merr përsipër të trajtosh apo të kesh si personazh kryesor të rrëfimit të ndonjë figure historike të dimensioneve të mbretit të vetëshpallur shqiptar, sigurisht që do të kthehesh prapa në kohë për të vlerësuar historinë, faktet e saj. Autori kthehet prapa nëpërmjet e fakteve historike dhe vëzhgon, vrojton personazhin e tij duke i pranëvënë figura dhe personazhe të tjerë, të cilët i përdor në funksion të asaj që kërkon të thotë. Përmend këtu shprehjen e kontit: “U martua maloku në një alamet dere mbretërore të trashëguar. Ke parë ti? Doli i zoti, ç’i do llafet”! Apo eufemizmat e Danoç Sahtçisë: “Madhnia reptile…” etj.
Vrojtimet e autorit për këtë figure historike që është edhe personazhi i tij kryesor, dalin në përfundime koncize: Ai ishte si i ndrydhur, I kontraktuar. Në fakt, festat ai nuk i kishte fort për zemër. Nuk ndihej mire në to. Nuk hynte tek tipat që u pëlqente shumë të zbaviteshin…Ishte tip i dhënë pas karrierës, punëve, pushtetit.
Përsa i përket gjuhës në roman, për dike që nuk e kalexuar E. Bidon, mund të duket një risi, por ata që e kanë ndjekur atë në hovet e muzës, ajo është mëse normale. Një gjuhë e pasur, e gjallë plot figura letrare dhe fjalëformime, eufemizma domethënës si: çizmja, këmishëzinjtë, mbreti reptil, mbretëruc apo inversioni i famshëm Jetëburg, për vendin e prejardhjes së mbretit Burgajet. Apo shprehjen figurative ‘marrje nën sqetull’ për ndihmën që merrte Shqipëria prej Italisë.
Gjuha e personazheve është në përshtatje të plotë: mbreti në dialektin e tij, Mujo Ulqinaku dhe e shoqja në të tijin dhe konti në gjuhën e tij italiane. Këto janë gjetje që Bido i përdor qëllimisht për t’i dhënë ngjyrimin e duhur situatës.
Ajo që nuk mund të le pa përmendur është emërtimi i e veçantë i kapitujve: Një portret, Vizita diplomatike, Nënkrye, Augusti i përlotur, Një kapter, Martesa e prijësit bëhet cështje, Dasmë, Dënimi i revoltës Prijësi epet, Ndërkallje etj. Të gjitha këto janë piketa historie, janë ngjarje për të cilat Bido flet në roman dhe faza jete në për të cilat prijësi i palavdishëm ka kaluar. Janë ngjarje që ngërthehen bukur në subjektin e romanit me hovet dhe kontradiktat e duhura. Ajo që do të doja t’i këshilloja autorit, pavarësisht stilit të tij tepër konçiz, ështe thellimi në këto ndarje që i ka bërë romanit të tij. Ato
Në vetvete janë ngjarje të cilat kanë lënë gjurmë në histori, ndaj nuk mund të kalohen kaq shkurt.
Skeleti i rrëfimit të këtij romani ka nevojë të mbushet për mos të rënë pre e një paraqitje vetëm kronologjike të ngjarjeve.
Autori duhet vlerësuar njëkohësisht për ruajtjen intuitive të raporteve të drejta të asaj që i përket kronikës, histories apo fantazisë së autorit. E. Bidos i uroj suksese dhe romanit “Prijës i palavdishëm”, mirëseardhjen. Një togfjalësh, një mbiemri vetëm, brenda tij për të shprehur aq shumë. Një prijës i palavdishëm në plot kuptimin e fjalës, pasi siç shprehet historinai K. Frashëri: “Nga sundimi i Zogut si ministër, kryeministër, kryetar republike dhe si mbret i Shqipërisë, vendi pati shumë pak përfitime, madje mund të thuhet se Shqipëria humbi shansin që nën një udhëheqje më patriotike, më të kulturuar, më të ndershme, më largpamëse, t’i afohej më tepër qytetërimit evropian”.