Greqizimi i Korçës e Gjirokastrës, dëmi 300 milionë franga ari
Admirina Peçi
Gjatë pushtimit të Korçës e Gjirokastrës nga Greqia 1912-1916 mbi 300 fshatra shqiptare u dogjën e u vranë mbi 450 burra, gra e fëmijë, ndërsa dëmet materiale në pasuritë private të këtyre banorëve kapnin shifrën e mbi 300 milion franga ari.
Të dhënat kanë dalë nga një dokument i viti 1941, hartuar nga komisioni i Përshpagimeve, autorë të promemorjes dhe projektit të Shqipërisë etnike, përbërë nga Fejzi Alizoti, Dhimitër Berati, Xhemil Dino e Tahir Shtylla dhe i kryesuar nga Mustafa Kruja, atëherë senator i Mbretërisë e Kryetar i Institutit të Studimeve shqiptare. Ndërsa analizon me hollësi të gjithë lëvizjet e shtetit fqinj për të future brenda territorit të tij edhe prefekturat e Gjirokastrës e Korçës, ky dokument pasohet nga një tjetër syresh, mbi dëmet e shkaktuara në periudhën e normalitetit të pasurive të shqiptarëve që ndodheshin në Greqi. Larguar në kohë, ky studim shumplanësh i realizuar nga komisioni i përmendur më sipër, i lënë në harresë në arkiva, merr sot një vlerë të veçantë dhe ngjall kureshtje këto kohë, kur diskutimet dhe platformat për Shqipëri etnike diskutohen hapur deri në rangun e kryeministrit të vendit.
DOKUMENTI
DËME TË SHKAKTUARA PASURIVE PRIVATE GJATË PUSHTIMIT TË KORÇËS E GJIROKASTRËS 1912 – 1916
Që kur Greqia filloi politikën e saj të hapjes së tepruar ballkanike, Shqipëria Jugore u vu në shënjestër energjikisht nga propaganda progreke, me të gjitha mjetet që ajo zotëronte. Cilat ishin këta mjete e si u përdorën do të shihet më gjërë në një tjetër kapitull. Qëllimi i këtij veprimi të pabesë ishte shkombëtarizimi i pjesës ortodokse të popullsisë shqiptare. Duke u shtirur se ky qëllim ishte arritur, Grekët me kohë kishin marrë zakonin t’i quanin shqiptarët ortodoksë si grekë të greqizuar ose të greqizueshëm edhe për një tjetër arsye të rreme, pra përkatësisë së tyre Kishës greko – lindore dhe Patriarkanës së Kostandinopojës. Të njëjtin mendim Grekët kishin patur edhe për Bullgarët e Maqedonisë para ndarjes së kishës bullgare nga Patriarkana. Por ngjarjet e fundit u përpoqën t’i zhgënjejnë.
Mbas luftës ballkanike të 1912-ës, Greqia, e pangopur me bashkëngjitjen e pjesës më të madhe të vilajetit të Janinës, deshi të kishte me çdo kusht edhe qarqet prefekturore të Korçës e Gjirokastrës. Arsyeja kryesore që nxirrte Qeveria Greke ishte ajo që lidhej me gjëndjen etnike të këtyre dy qarqeve. “Në 200.000 banorë janë 120.000 grekë” shpallte ajo duke mohuar paturpësisht qënien e Shqiptarëve ortodoksë. Për pjesën tjetër të numurit të shqiptarëve myslimanë, rreth 80.000, Qeveria e Athinës e hiqte bezdinë duke pohuar thjesht se bëhej fjalë për Turq që flisnin gjuhën shqipe. Sa foshnjarake këto thënie!. Megjithatë u gjendën shumë, edhe ndërmjet diplomatëve, që i morën seriozisht.Sa i përket elementit ortodoks të dy qarqeve, Greqia ndoshta mund të konceptonte idenë e tërheqjes së simpative të këtyre elementëve pak nga pak duke arritur me kohë në përnjisimin e tyre, në sajë të çekanit të vazhdueshëm të propagandës fetare e shkollore. Por një shpresë e tillë, në drejtim të popullsisë myslimane, do të kishte qënë tepër absurde. Një tjetër vështirësi ishte përfaqësuar nga fakti që, në krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës, shumë fshatra kanë popullsi të përziera, ndërsa ato të banuara krejtësisht nga të krishterë e nga myslimanë ndërsjellohen njëri me tjetrin. Me qëllim që t’a ndryshonte këtë gjëndje etnike mjaft të ngatërruar, Greqia zgjodhi, pa shumë dredha, mjetin më çnjerëzor por që, simbas pikëpamjes së saj, ishte më i efektshëm e më i shpejtë: përzënien ose shkatërrimin e elementit shqiptar kundërshtar.Sendërtimi i këtij projekti filloi sapo u paraqit rasti. Kështu, në dhjetor 1912, gjatë pushtimit të parë të krahinës së Korçës nga ana e trupave greke nën komandën e gjeneralit Damianos, përveç grabitjeve e masakrave me të cilat nuk do të merremi në këtë parashtrim, janë djegur e shkatërruar me paramendim katërmbëdhjetë fshatra myslimanësh shqiptarë. Në muajin maj 1914, Qeveria Greke organizoi një ushtri bashibozukësh, të përbërë nga ushtarë grekë të maskuar e bandash kreteze. Kjo ushtri vepruese nën komandën e kolonelit Jorgo Contas – Vargas, në bashkëpunim me mjaft oficerë të tjerë të ushtrisë greke, emrat e të cilëve janë të njohur, kanë djegur gati të gjitha fshatrat myslimane të qarkut të Korçës. Po sjellim ndonjë shembull :
1 – Nëntogeri Stratos, me bandën e tij, ka vrarë 450 vetë, burra, gra e fëmijë në fshatin Panarit. Më 10 korrik 1914 banda e tij u ka vënë zjarrin 27 fshatrave. E njëjta bandë, gjatë muajit shtator 1914, ka shkatërruar lokalitetin e Çorovodës e afërsitë e tij dhe gjithë rrethinat e Tomorricës të përbëra nga 45 fshatra.
2 – Bandat e Pandacopulosit, kryetar bandash kretez, Viktoratos e Drelles, të dy nëntogerë të ushtrisë së rregulltë greke, më 20 gusht 1914 kanë djegur e grabitur 15 fshatra të rrethit të Oparit.
3 – Koloneli Vardas, pasi mblodhi të gjitha bandat më 20 shtator 1944, ka djegur dhe shkatërruar 45 fshatra të krahinës së Gorës.
4 – Kapiteni Taipuras me bandat e tij, në muajin prill 1914, i ka vënë zjarrin 32 fshatrave të krahinës së Kolonjës.
Kjo listë e trishtuar mund të zgjatet ende shumë. Të gjitha hollësitë e këtyre shkatërrimeve janë të njohura. Kjo vepër e turpëshme mund të përmblidhet në pikat e mëposhtëme :
a) Pothuaj se 300 fshatra të shkatërruara e të grabitura. Ndërmjet tyre, më shumë se 200, u dogjën krejtësisht ose pjesërisht. 151 fshatra të shkatërruara numurohen vetëm në krahinën e Korçës. Dëmi i përgjithshëm u vlerësua në 200 milion fr.ar.b) U vodh pothuaj gjithë bagëtia që përbënte pasurinë e këtyre krahinave. Vetëm në fshatrat e Pojanit e të Zvezdës, banda kreteze Papadhakis ka vjedhur 2500 krerë bagëti.
c) Magazina e banesa u plaçkitën në shumë lokalitete. Koloneli Vardas, në bashkëpunim me të tjerë oficerë, plaçkitën në Korçë 35 magazina e 1000 banesa. Pjesa e plaçkës së tij u vlerësua në 500.000 fr. ar.
d) Qytete e lokalitete të rëndësishme u dënuan me gjoba. Kështu, më 1914, qyteti i Korçës u detyrua të paguajë një gjobë prej 250.000 fr. ari. Qeveria Greke, më 1916, ka marrë prej të mërguarve, si garanci për shërbimin ushtarak, më shumë se 200.000 fr.ari.
Nëse kësaj liste do t’i shtojmë të gjitha shkatërrimet e kryera në të tjera treva të Shqipërisë Jugore, dëmet e shkaktuara pasurive private arrijnë në më shumë se treqind milionë fr.ari.
III
DËME TË SHKAKTUARA NË PERIUDHËN E NORMALITETIT PASURIVE TË SHQIPTARËVE NË GREQI
Qeveritë ish Jugosllave e Greke kanë qënë gjithmonë besnike të programit të paramenduar të shfarosjes së elementëve vëndas, veçanërisht atyre shqiptarë, për të tjetërsuar natyrën etnike të krahinave që kanë përvehtësuar në vazhdim të luftërave kundër Turqisë e në sajë të traktateve të poshtra.
Të dyja, veçanërisht ajo Greke, kanë bërë që me famëkeqet administrata të vendosura në krahinat e gjëra të pushtuara, sasia e popullsisë shqiptare të pakësohej shumë. Për të folur vetëm për Epirin, grupi etnik shqiptar arrin sot në një të katërtën e atij të vitit 1912, data e bashkëngjitjes Greqisë. Gjatë 29 vjetëve të sundimit grek, popullsitë shqiptare nuk u pranuan asnjëherë të merrnin pjesë në jetën politike, shoqërore apo ekonomike të vendit. Është veçori e Greqisë, që atje të mos gjëndet asnjë oficer, asnjë xhandar, asnjë profesionist me origjinë shqiptare, madje as edhe një tregtar i asaj origjine nuk ka mundur t’a zhvillojë paqësisht veprimtarinë e vet.Duhet të vemë në dukje që këtu bëhet fjalë për shqiptarët “myslimanë” sepse grekët i konsideronin arbitrarisht ipso fakto shqiptarët e besimit ortodoks si të racës së tyre. Elementi shqiptar u godit pa mëshirë në tri rrethana të veçanta.
1 – Në çastin e pushtimit, me masakra, shkatërrime etj.
2 – Në çastin e shkëmbimeve të popullsive turke e greke.
3 – Në çastin e zbatimit të të ashtuquajturit ligj për reformën agrare.
I pakënaqur nga mjerimet që i kishte shkaktuar popullsisë vëndase në çastin e pushtimit, kur erdhi ora e zbatimit të marrëveshjeve mes grekëve e turqve për shkëmbimin e popullsisë (1922), Qeveria Greke bëri që një numur i madh familjesh shqiptare, me gjithë protestat e tyre më të ashpra, të imbarkohen me dhunë nga Preveza për në Turqi, e cila, nga ana e saj, kthente mbrapa ato më të njohurat si shqiptare.
Popullsitë e pakta të shpëtuara, të përbëra kryesisht nga pronarë të vegjël e të mëdhenj tokash, mbetën të ekspozuar mizorive greke pa asnjë lloj mbrojtjeje, sepse Athina nuk pranonte asnjë lloj ndërhyrjeje të Qeverisë Shqiptare në dobi të pakicave të mbetura në Greqi, të shpallura të mbrojtura e të siguruara nga marrëveshjet ndërkombëtare. Për të mundur të ruanin të gjallë karakterin etnik shqiptar t’atyre trevave, qoftë edhe vetëm me praninë e tyre, shumë shqiptarë duruan sa mundën me vetmohim e shpirt flijimi mjerimet më të dhimbëshme, por në një farë çasti u shtrënguan të braktisin vatrat e tyre të lashta. Pakë dhjetra mijra që mbetën nuk patën as të drejtën më të vogël, as edhe një shkollë ku të mësohej gjuha e nënës.Sa i përket së ashtuquajturës reformë agrare, nuk i shmangej kujdesit të Qeverisë Greke problemi i pronarëve të mëdhenj e të vegjël, që më shumë ishin të lidhur me tokën e tyre. Që nga çasti i parë i pushtimit ushtarak, për t’i grabitur më lehtë në çastin e duhur, Qeveria e Athinës shpalli një ligj që ndalonte çdo marrëveshje për shitblerje të tokave të zotëruara nga shqiptarët në territoret e bashkangjitura Greqisë. Një vendim i tillë i padrejtë u mbajt deri në çastin e konfiskimit praktik e të vërtetë të pronësive shqiptare.Në kohën e sundimit turk, shqiptarët kanë mundur të krijojnë, në sajë të shpirtit të tyre veprues, punës dhe aftësive, prona të mëdha tokash në disa krahina të perandorisë otomane e, veçanërisht, në vetë Shqipërinë e në territoret e afërme. Mbas luftërave ballkanike, kur disa krahina i u bashkangjitën Greqisë e Serbisë, Qeveritë përkatëse u zotuan solemnisht se do të respektonin të drejtën e pronësisë të gjithë nënshtetasve ish otomanë dhe të mos merrnin asnjë vendim shpronësimi, për arsye të dobisë publike, pa një shpërblim të përshtatëshëm paraprak të vlerës së vërtetë të pasurisë së shpronësueshme. Këta zotime u muarën solemnisht në përfundim të traktateve të Bukureshtit e të Athinës dhe u ripohuan, në mënyrën më të saktë, në traktatin e Lozanës. Në mënyrë të veçantë, në Lozanë u sanksionua parimi që pronat e shpronësuara do të paguheshin nga qeveria greke në valutë ari, përfshirë dhe interesat, deri në derdhjen e plotë të shumave përkatëse të të ardhurave të pasurive për të cilat bëhet fjalë.Në të vërtetë, sapo u vendos zotërimi i tyre mbi territoret e bashkëngjitura, grekët kanë shkelur pa skrupull të gjitha zotimet e marra, nuk kanë shpallur normat zbatuese të marrëveshjeve ndërkombëtare, madje kanë shfuqizuar dispozitat në fuqi që, në një farë mënyre, mund të favorizonin elementin shqiptar. Shqiptarët, që zotëronin pasuri të paluajtëshme në territoret e bashkëngjitura Greqisë, u përndoqën pa mëshirë e në vazhdimësi. Mohimi i të drejtave të tyre, pengesat proçedurale, vështirësitë e përherëshme nga ana e autoriteteve administrative, mosplotësimi i nxitur i detyrimeve të qiraxhinjve ndaj pronarëve të ligjshëm, kërcënimet me vdekje, në shumë raste të zbatuara, shtrënguan shumë pronarë të heqin dorë nga interesat e të drejtat e tyre. Të tjerët, nëse nuk hoqën dorë krejtësisht, harxhuan kaqë shumë për avokatë, udhëtime, gjyqe, saqë shumat që më së fundi u përfituan ishin krejtësisht të papërshtatëshme.Për shkak të këtyre dhunimeve të të drejtave të panumurta të tyre nga autoritetet greke, shumë familje të kamura u katandisën në mjerim të vërtetë. Të lodhur nga sorollatjet e në vazhdim të kërkesave të të interesuarve që dergjeshin në kushte të mjerueshme, Qeveria e Tiranës propozoi një likuidim të përgjithshëm, shumë më të ulët nga vlera reale e pasurive të shpronësuara, po propozimi nuk pati asnjë rrjedhojë. Qeveria Shqiptare thirri në ndihmë parimet e së drejtës ndërkombëtare, sipas të cilëve një shtet mund të sillet si të dojë me qytetarët e tij, por jo ashtu me elementët e kombësive të tjera të cilët, nëse shpronësohen, duhet të dëmshpërblehen për aq sa u takon.
Qeveria Shqiptare ka kërkuar zbatimin e dispozitave të Traktatit Greko – Turk të 1913-ës, që mbron të drejtat e shtetasve të huaj; ka paditur qëndrimin e ndryshëm të Greqisë karshi të huajve të tjerë, anglezë, francezë, turq etj. që janë dëmshpërblyer me barazi ; së fundi ka bërë thirrje për dobinë e marrëdhënieve të mira mes dy shteteve. Qeveria e Athinës nuk ka marrë parasysh asnjë argument.Traktativa të llojeve të ndryshme kanë vazhduar për gjashtëmbëdhjetë vite pa as rezultatin më të vogël. Tri herë janë dërguar në Athinë delegacione të posaçme për të shqyrtuar çështjen me Qeverinë Greke janë paraqitur shumë përkujtesa që pasqyrojnë pikpamjen shqiptare, janë shkëmbyer mendime e kërkesa diplomatike pa arritur në asnjë përfundim.Më 1928 Qeveria Shqiptare, që kishte arritur në kufijtë e durimit e të shpresës për të patur ndonjë kënaqësi, i u drejtua Lidhjes së Kombeve duke i parashtruar mosmarrëveshjen simbas gjykimit të saj, por instituti i Gjenevës, si gjithmonë e me të njëjtën politikë, nuk vendosi asgjë. Qeveria Greke, sigurisht, nuk i quante pa bazë kërkesat shqiptare nëse më 1927, kur të dërguarit shqiptarë i dhanë të kuptojnë Z. Mihalacopulos se donin t’i a parashtronin mosmarrëveshjen Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Ministri grek i Punëve të Jashtëme nuk mori pjesë në këtë proçedurë.Një tjetër provë e njohjes së të drejtave të shqiptarëve qe dhënë kur vetë Mihalacopulos i propozoi Dërgatës Shqiptare në Gjenevë, për të dëmshpërblyer drejtësisht vetëm ndonjë pronar shqiptar të parapëlqyer nga Qeveria e Tiranës dhe të dërguarve të saj por, siç dukej, në dëm të të interesuarve të tjerë. Është i dukshëm kahu i moralitetit të një propozimi të tillë. Të dërguarit shqiptarë, edhe se ishin t’interesuar si viktima ata vetë të shpronësimeve greke, me një zemërim të thellë e kthyen mbrapsht propozimin e pabesë grek. Të tjera propozime të tilla nuk munguan të vinin nga Athina në Tiranë. Qeveria Greke propozonte së fundi të zgjidhte çështjen e pronarëve shqiptarë si shpërblim të një zgjidhjeje të Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare në përputhje me dëshirat e Athinës. Me fjalë të tjera, Athina shfrytëzonte mosplotësimin e saj për të kushtëzuar qeverinë shqiptare në fushën politike. Të kalojmë tani tek dëmi i shkaktuar nga Greqia pasurive private.Qeveria e Tiranës nuk ka të dhëna që të përfshijnë tërësinë e këtyre dëmeve mbasi, siç është parë, Qeveria greke i mohonte asaj shqiptare interesimin për bashkëkombasit që përbënin t’ashtuquajturat pakica të Greqisë. Duke llogaritur vetëm pronësitë e nënshtetasve shqiptarë, për të cilat ishin dokumentat në Tiranë, shtrirja e pasurive bujqësore të shpronësuara, më saktë të shtetëzuara nga Qeveria Greke, ngjitet në dyqindegjashtëdhjetë mijë hektarë, përfshirë fusha, livadhe, pyje, vreshta, kopshte. Pasuritë e paluajtëshme përbëhen nga shumë shtëpi, ndërtesa, fabrika, hotele, mullinj, dyqane, shtëpi bujqësore. Këto të fundit janë shkatërruar e disa djegur në kohë paqe.Në këto shifra nuk janë përfshirë pasuritë e shpronësuara pakicës shqiptare në Greqi mbasi këto, siç është thënë, i shpëtonin mbikqyrjes së Tiranës. Ato shprehin, në çfardo mënyre, një problem të ditës të rëndësisë më të madhe për Qeverinë Shqiptare, që synon të mbrojë bashkatdhetarët e saj të cilët, për tridhjetë vjet janë goditur çnjerëzisht, sepse kishin mbetur të braktisur dhe prè e padrejtësive greke, pa kontroll e mbrojtje të rastit. Shuma e këtyre pasurive është mjaft e madhe, duke i a shtuar asaj të pasurive të nënshtetasve, shifra dyfishohet.
Metodat e grabitjes, të kryera nga Qeveria e Athinës, mund të klasifikohen në katër kryesore:
1 – Plaçkitje, dëmtime, shkatërrime, zjarrvënie, përvehtësime falas të pasurive të paluajtëshme shqiptare drejtpërdrejtë nga pushtetet publike, me nxitjen e elementëve grekë, edhe shumë më mbrapa mbas pushtimit ushtarak, pra në një normalitet të plotë.
2 – Përvehtësime të paligjëshme, të përkrahura e të mbrojtura nga autoritetet greke, në dëm të pronarëve të ligjshëm shqiptarë dhe nën kërcënimin vdekjeprurëse kundrejt atyre që guxonin t’i drejtoheshin gjykatave.
3 – Shtetëzime të pasurive shqiptare nga ana e shtetit, duke nxjerrë si shkak se ato ishin prona të turqve, nën emrin e të cilëve shkëmbeheshin arbitrarisht shqiptarët, sepse qeveria greke nuk pranonte qënien e shqiptarëve përtej një zone të ngushtë të Shqipërisë Jugore, në afërsitë e menjëherëshme të kufirit politik. Qeveria e Athinës e shtyu, në disa raste, arbitraritetin deri në atë pikë, sa të kundërshtonte kombësinë shqiptare të personaliteteve politike si të një ish kryeministri të Shqipërisë në detyrë dhe, për ironi më të madhe, një ish ministri të jashtëm që gjëndej i akredituar n’Athinë si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë e që Qeveria Greke ngulte këmbë, nga pikpamja e pronësisë, t’a quante turk, duke i mohuar të drejtat mbi pasuritë e paluajtëshme në Greqi, të cilat Qeveria Greke i kishte shtetëzuar.
4 – Shpronësime për vendosjen e të shpërngulurve nga Anadolli e për zbatimin e një të ashtuquajturi ligji të reformës agrare, tashmë të zbatuar me kritere kolonizimi e qëllime shoqërore.N’asnjë prej rasteve të mësipërme nuk u mbajt parasysh detyrimi për të shpërblyer me një kompensim të përshtatëshëm, për vlerën e vërtetë të pasurive të rrëmbyera. Janë vërtetuar raste, në të cilat qeveria qëndrore urdhëronte në dukje zbatimin e drejtë të dispozitave e, njëkohësisht, dërgonte kundërurdhëra të fshehta, që të mos mbaheshin parasysh aspak urdhërat e para. Qëllimi, është mirë t’a përsërisim, ishte të lodhte e të shterronte durimin e shqiptarëve deri sa të shtyheshin të linin vëndin. Atyre, në fakt, nuk i njihej as e drejta të mbanin ato pak toka që, simbas t’ashtuquajturit ligj agrar, duhet t’u mbeteshin atyre si kopështe, oborre e pjesë të vogla të kultivueshme. Sa i përket gjëndjes së sotme, përcaktuese të së drejtës së dëmshpërblimit, shqiptarët e goditur mund të ndahen në kategoritë e mëposhtëme : a) Të dëmtuar nga plaçkitje, dëmtime, shkatërrime, zjarrvënie të pasurive të paluajtëshme ose si pasojë e përvehtësimeve, të shkaktuara nga veprime të drejtpërdrejta ose nga lejimi i fajshëm apo pasiviteti i pushteteve publike, t’aftë për të nxitur elementët grekë fanatikë të hidheshin kundër shqiptarëve të pambrojtur.
b) Njerëz ndaj të cilëve u zbatuan masa shtetëzimi nën hamëndjen arbitrare të përkatësisë kombësisë turke (të shkëmbyeshme).
c) Njerëz të pashpërblyer për pamjaftueshmëri, simbas gjykimit grek, të titujve të pronësisë në lidhje me të drejtat trashëgimore o të lloji tjetër, ose që nuk janë paraqitur për t’u dëmshpërblyer e për të cilët nuk u shpall kurrë nga gjykata kompetente asnjë vendim.
d) Njerëz që kanë patur dëmshpërblim të pjesëshëm apo të plotë, por në bazë të çmimeve të shpronësimit që nuk përfaqësojnë, në të gjitha rastet, as të njëzetën pjesë të vlerës së vërtetë. Një vlerësim i tillë i poshtër i është bërë vetëm pasurive që i përkisnin shqiptarëve, në dëm vetëm të kësaj kategorie të pakicës kombëtare. Katër kategoritë e mësipërme të të dëmtuarvet kërkojnë një zhdëmtim të drejtë, nëpërmjet një dëmshpërblimi të përshtatëshëm nga ana e Qeverisë Greke, pra :
I – Shpërblimet për dëmet e shkaktuara me vetëdijë pasurive të tyre të paluajtëshme me plaçkitje, dëmtime, shkatërrime, zjarre, përvehtësime të pashpërblyera të kryera në çdo kohë, në periudhë normaliteti, mbas ndërprerjes së veprimeve ushtarake, që nga koha e pushtimit dhe bashkëngjitjes (1912) ;
II – Rishikim e dëmshpërblim i drejtë pasues, i dispozitave e ligjeve të shpronësimit të pronave të rrëmbyera për arsye, gjoja, të dobisë publike;
III – Kthim i plotë, nga ana e Qeverisë Greke, i t’ardhurave përkatëse të gjithë periudhës që pasuritë e paluajtëshme janë rrëmbyer pa shpërblim të drejtë, ose fare pa të
IV – Kthim ose dëmshpërblim i përshtatëshëm i atyre pasurive të paluajtëshme shqiptare, të vendosura në territoret që i mbetën Greqisë, por që kanë qenë e vazhdojnë të jenë të shpronësuara për arsye dobije publike.
Është thënë më sipër se vlera e pasurive bujqësore që qenë objekt i shpronësimit në dëm të vetëm nënshtetasve shqiptarë në Greqi, arrinte në rreth 260.000 ha.(dyqindegjashtëdhjetë mijë). Nëse do t’u shhtohen tokat e pakicave shqiptare në Greqi, që hyjnë në kategorinë e të shpronësuarve dhe që vetëm një matje dhe vlerësim i kujdesëshëm mund të na thotë me saktësi, duhet përfunduar a priori që në tërësi, tokat shqiptare të shpronësuara nga Qeveria Greke, arrijnë në më shumë se 600.000 ha, të ardhurat e të cilave, për periudhën e shpronësimit, përfaqësojnë një vlerë prej rreth 200 milion franga ar, pa përfshirë vlerën e pasurive të shkatërruara.Vlerësimi i mësipërm i dyqind milionë frangave ari mund të merret si bazë nisjeje e do të jetë i ndryshueshëm, në shtim apo pakësim, simbas përfundimit të një vlerësimi t’ardhshëm, të saktë e të dokumentuar. Kjo shumë përbën një borxh të saktë të Qeverisë Greke kundrejt privatëve shqiptarë, që presin një ndreqje të shpejtë e të drejtë të dëmeve të pësuara prej tyre për fajin dhe politikën e qëllimëshme të saj. Në asnjë rast zhdëmtimi nuk mund të ngatërrohet apo të shkëmbehet me lëshime territoriale që hyjnë në orbitën e kërkesave kombëtare të Shtetit Shqiptar mbi tokat që historikisht i përkasin. Populli shqiptar, që ka vuajtur aq shumë nga regjimet e shkuara, pret tashmë me besim të qetë që të bjerë edhe për të ora e drejtësisë.