E vërteta historike si rrëfim epik
Lazër Stani
Libri “Stërgjyshërit tanë në Epikën Historike, shek.XIX” i Gëzim Ziles
Rose W. Lane (Rous U. Llein) në librin e saj të njohur “Majat e Shalës” (Peaks of Shala) tregon e mahnitur për një malësor të shkuar në moshë, që i flet me krenari për historinë e lashtë të shqiptarëve. Aleksandri i Madh, Aristoteli dhe shumë figura të shquara të lashtësisë epike, sipas tij, nuk ishin grekë por ilirë, pra paraardhës të shqiptarëve, shqiptarë, siç njihemi ne sot. Rose Lane, duke e dëgjuar e mahnitur rrëfimin e tij, e ndërpret: “Po këto histori i kanë shkruar grekët. Janë histori greke. Ju nuk i keni të shkruara.” “Ne nuk shkruajmë se mbajmë mend, ia ktheu malësori i moshuar. Grekët shkruajnë se nuk mbajnë mend”.
Këtë rrëfim krejt të veçantë të shkrimtares amerikane, po e sillja në mendje, ndërsa lexoja librin e Gëzim Ziles, “Stërgjyshërit tanë në epikën historike, Shek. XIX”, një libër që sjell një informacion të jashtëzakonshëm për ngjarje dhe personazhe të historisë, atë të ringjalljes së shpirtit shqiptar, pas shekujve të errësirës dhe shkretimit otoman, e që njihet ndryshe si “Rilindje kombëtare”. Historia jonë e lashtë e deri në mesjetën e vonë, nëse përjashtojmë epokën e Gjergj Kastriotit, është e varfër në dokumente, e për këtë, e vështirë për t’u plotësuar si shkencë dhe kjo bën që rrënjët tona të lashta të na duken si të zhytyra në mjegull, dhe nganjëherë jemi detyruar të mbështetemi në argumente jo bindës, të paktën për historianët profesionistë.
Dhe jo vetëm mungesa e dokumenteve, por edhe padija e keqpërdorimi i informacionit historik, diktati i ideologjive politike, fetare etj, kanë bërë që historia e Shqipërisë të ngjajë me një galeri pikturash të falsifikuara, ku kopja origjinale është tjetërsuar aq shumë, sa edhe me imagjinatën më të fuqishme e ke të vështirë ta përfytyrosh. Në veçanti e paqartë, e mjegullt dhe e shtrembëruar, është historia e vonë e dy tre shekujve të fundit, kur duhej të ndodhte pikërisht e kundërta, të ishte më e qartë dhe më e dokumentuar shkencërisht.
Dy elementë thelbësorë të identitetit shqiptar iu bëjnë ballë kohërave të errëta: gjuha, të cilën e flasim, e që padyshim vjen si një nga gjuhët më të lashta që kanë pëshpëritur njerëzit mbi dhè dhe eposi i kënduar në këtë gjuhë, i vlerësuar me çmimin europian “Europa Nostra” dhe i propozuar për t’u regjistruar si pasuri e trashëgimisë jomateriale e mbrojtur nga UNESCO.
Në kontekstin e trashëgimisë gjuhësore, albanologu austriak Norbert Jokl mendonte se “sido që të jetë mbetjet e trashëgimisë gjuhësore të gjuhëve të lashta ballkanike, ilirëve dhe thrakëve, janë të lidhura ngushtë me gjuhën shqipe”. Dhe gjuha është dëshmia më e fortë e vazhdimësisë, nyja lidhëse e epokave historike nga pellazgo-ilirët e deri te shqiptarët. Gjuha më shumë se gjithçka tjetër, mbush atë zbrazëti që krijon faktografia historike. Informacioni i koduar në gjuhë ngjan me informacionin gjenetik, siguron vijimësinë dhe trashëgiminë. Nëse ne ia dalim të dëshifrojmë atë, atëherë mund të mësojmë shumë për të shkuarën tonë.
I njëjtë është edhe informacioni i ruajtur në epikën historike, që nga Eposi i Lashtë i Kreshnikëve, e deri në epikën e vonshme në shekujt e tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë.
Gëzim Zilja pas një pune këmbëngulëse, ka përzgjedhur dhe sjellë për lexuesin më shumë se dy mijë vargje të kësaj epike historike që i përket shekullit të XIX-të, vargje që lidhen me personazhe historikë të Rilindjes Kombëtare, kapedanë trima e të papërkulur, që të kujtojnë kapedanët grekë të Kretës të përshkruar me aq mjeshtëri, nga Nikos Kaxanxaqis (Nikos Kazantzakis). Janë prijës popullorë, kapedanë sypatrembur, që i kundërvihen pushtimit Osman, reformave dhe ligjeve të perandorisë si dhe sundimtarëve vendas, shëmbëlltyra të sulltanëve, po aq gjakatarë e mizorë, demonë të së keqes që ka mbizotëruar në hapësirën shqiptare gjatë gjithë shekujve të sundimit Osman. Këta kapedanë siç mbahen mend në vargjet epike, që me profesionalizëm i ka sjellë në librin e tij Gëzim Zilja, nuk luftojnë “as për mua as për ty, por për gjithë Shqipëri”. Janë kapedanë trima si Zenel Gjoleka, Çaush Prifti, Tafil Buzi, Marko Boçari, Rrapo Hekali, Bilbilejtë, Kaçakët e Çamërisë, Hamzë Kazazi, Oso Kuka, dhe dhjetra të tjerë që janë përjetësuar në këngë, por edhe ngjarje dramatike, shkatërrime e masakra ndaj vendbanimeve shqiptare për çka, siç del nga libri i Ziles, rekordin e zi e mban Ali Pasha. Duke lexuar librin e Gëzim Ziles, ne arrijmë në përfundime të tjera nga ato që ka nxjerrë historiografia shqiptare. Në vargjet epike Pashai i Janinës përshkruhet si mishërim i pushtuesit, si një pasha barbar turk, pavarësisht origjinës së tij shqiptare. Nëpëmjet vargjeve të përzgjedhura nga epika historike, Zilja, në librin e tij, na krijon portretin e një pashai mizor, barbar e të pashpirt, autor i masakrave të përgjakshme të Hormovës, Kardhiqit, Sulit, të Nivicës, Bubarit, Shën Vasisë e Belushit, shfarosës të ngulimeve shqiptare që i kishin mbijetuar pushtimit të gjatë Osman. Në këngët epike të atyre trevave, siç shkruan Zilja në librin e tij, “Ali Pasha konsiderohet turk (turqëri) dhe rezistenca ndaj tij si luftë kundër pushtimit turk”. Për ta dëshmuar këtë Gëzim Zilja ka sjellë në libër vargjet epike:
Manastir o Shën Triadhë
Si nuk u tunde këtë radhë
Po më le bënë hatanë?
Në gjithë ata kapetanë
Që me të pabesë i vranë
Se nuk qasnë turqistanë”.
Ndërsa heroin e qëndresës së hormovitëve kundër Ali Pashës, Mitro Çaush Priftin, epika historike e përjetëson me vargjet:
Çaush, biri i Marisë,
Kapetan i Shqipërisë,
Dhe Kasap i turqërisë.
Pra Pashai mizor i Janinës, pavarësisht qëndrimit të historianëve të ndryshëm, nuk ka asgjë shqiptare, përkundrazi është shkatërrues dhe pengues i krijimit të etnitetit shqiptar, i ringjalljes së vetëdijes shqiptare. Këtë përfundim, që nxirret nga vargjet popullore, e përforcon edhe informacioni që jep Enciklopedia Britanike, ku shruhet se “Në kohën e Aliut, Janina ishte qendra më e rëndësishme e kulturës greke, sepse Aliu punësoi grekë dhe themeloi shkolla greke”.
Ali Pasha, në informacionin që sjell epika historike, nuk është asgjë tjetër veçse një strateg, ekzekutues i strategjisë së zhdukjes së etnitetit shqiptar të hartuar nga Sulltan Mehmeti (Mehmet Pushtuesi siç njihet në histori), pas dështimit të tij për të pushtuar Krujën: zhdukje fizike të këtyre “të pafeve” rebelë, zhdukje të gjuhës që flisnin Arbënit.
Të kundërt me portretin historik të Ali Pashës vijnë në libër portretet e kapedanëve popullorë, prijës të rebelimeve, që nuk i nënshtrohen sundimit Osman, por si burra të nderit, luftojnë me “turqëri e turqistan”, siç është rasti i Zenel Gjolekës, prijësit të shquar nga Kuçi i Vlorës, i cili u përfshi në lëvizjen kombëtare, pasi Tafil Buzi shprehu keqardhjen se si nuk u gjend një lab të merrte hakun e Beut të Vlorës, të vrarë tradhtisht nga valiu i Janinës. Është fjala për vrasjen e Ismail Bej Vlorës, gjyshit të Ismail Qemalit. Zenel Gjoleka, atë kohë djalë i ri, me nismën e tij hyn në çadrën e kaftanazit (zyrtar i lartë turk), e vret atë dhe i çon fjalë Tafil Buzit:
Dërgoi Gjonlekë Spanoi
Tafil Buzit të mi thoi:
Kaftanazin e martoi
Të shtata ia numëroi!
Autori, duke iu referuar epikës historike, shkruan se Tafil Buzi është ndër të paktët prijësa të kryengritësve kundër reformave të Tanzimatit që shpalli botërisht se Shqipëria duhej të çlirohej nga zgjedha turke dhe të qeverisej nga shqiptarët. Një ndër aktet e para të kryengritësve është vrasja e sundimtarit turk, Veli Agai, që epika popullore e ka fiksuar me vargjet:
“Tafili me kapedanë
Me Zenel Gjolekën labnë,
Ndë Grebene u ngren’ e vanë,
Të vrasin Veli Aganë.
Veli Aga Grebeneja,
T’u ngjinë nga penxhereja
Plot me gjak tu mbush shilteja”.
Udhëheqës i mbi njëzet betejave Zenel Goleka do ta shfaqte gjeninë e tij ushtarake veçanërisht gjatë kryengritjes së viteve 1847-1848 kundër Tanzimatit. Në vargjet e epikës popullore, të cituara nga Zilja në librin e tij, thuhet:
“Erriu shokë erriu
Gjolekë mandileziu
Ikni o turq se u përpiu”.
Pra në të gjitha këngët epike, që autori i ka përzgjedhur dhe interpretuar me kujdes nuk i këndohet bashkëjetesës së servirur nga historianët, por qëndresës deri në vetëflijim. Ata që kanë bashkëjetuar me osmanët nuk janë pjesë e Historisë së Shqipërisë, por pjesë e historisë së pushtuesit. Historinë e Shqipërisë e bënë ata që qëndruan, nënat, që folën, mësuan fëmijët, e qanë shqip dhe djemtë e burrat që ngjeshën armët e qëndruan edhe pse beteja dukej e pashpresë, pra e bënë ata “ditëzinj, që nuk luftuan as për mua as për ty, po për gjithë Shqipëri”, siç shprehet Epika Popullore. Këtë të vërtetë të madhe sjell para lexuesit libri i Gëzim Ziles, “Stërgjyshërit tanë në Epikën Historike, Shek. XIX”. Dhe pikërisht për këtë, ky libër nuk mjafton të lexohet. Ky libër duhet të mësohet.