Hyqmet Zane: Përjetësohen në bronx Blloshmi dhe Leka
Me rastin e 70 vjetorit te lindjes se Vilson Blloshmit (1948-2018)
Librazhd. Qyteti i Librazhdit do të siglohet në hartën e qyteteve që kanë nxjerrë personalitete të shquar të kulturës, artit dhe arsimit, pa harruar ata të luftës. Ky qytet ishte ndër të paktët që nuk kanë të derdhur në Bronx personalitetet e tyre kombëtare si vepra monumentale përkujtimore. Pas vendosjes së memorialit të Gjorg Golemit, në qendër të qytetit, tashmë ka përfunduar edhe vendosja e dy memorialeve të tjerë në dalje të qytetit, kushtuar dy martirëve të demokracisë, poetëve të pushkatuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi e Genc Leka. Ka qenë një vendim i këshillit bashkiak të 28 Prill 2004, i cili vendosi të miratojë projektidenë për ndërtimin e memoralit të dy poetëve “Martirë të Demokracisë”, të cilët më 8.2. 1993 janë nderuar nga ish- Presidenti Sali Berisha me medaljen “Martirë të Demokracisë”.
Kush ishin dy poetët martirë?
Vilson Blloshmi lindi më 18 mars 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Me vështirësi, duke u regjistruar si nxënës i jashtëm dhe pa lejen e autoriteteve lokale të Librazhdit, arriti të mbarojë shkollën e mesme pedagogjike “L. Gurakuqi” të Elbasanit dhe më pas nuk u lejua të ushtronte profesionin e mësuesit, për të cilin kishte studiuar, një profesion që e kishte ëndërruar aq shumë. Me këmbënguljen e tij të jashtëzakonshme, mësoi disa gjuhë të huaja si frengjisht, italisht, anglisht etj. Pamundësia për të punuar si mësues e detyroi të punonte si punëtor në minierën e Prenjasit, ku gjuhët e huaja që kishte mësuar, nisi tua mësonte inxhinierëve dhe teknikëve të minierës. Ndonëse punontë nën tokë, në punët më të vështira, falë talentit të tij, nisi të merrej edhe me përkthimin e disa librave të huaj, nga shkrimtrët më të njohur të kohës si Hygo, Kamy, Bodler, Sartri, etj. Dhe kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij, ishte vënë në shënjestrën e Sigurimit të Shtetit, të cilët në vitin 1976 e arrestuan nën akuzën “Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Pas kontrollit që iu bë në banesën e tij në fshat, u gjet një bibliotekë e rrallë, për nga përmbajtja dhe sasia e librave. Pjesa më e madhe e tyre u sekuestruan dhe nuk iu kthyen më familjes, ndërsa një pjesë e tyre poeti dhe familja kishin mundur t’u shpëtonin, duke i groposur nën dhe. Mes dorëshkrimesh të shumta, ajo që u përdor edhe si një akuzë e fortë ndaj pushtetit të kohës, ishte vjersha “Saharaja”, ku poeti aludonte për Shqipërinë e kohës, të cilën e krahasonte me Saharanë. Për këtë, së bashku me kushëririn e tij, Genc Leka, që të dy nga një fshat, u pushkatuan më 17 korrik 1977, në malin e Zgarës, aty ku ish kryeministri komunist Mehmet Shehu kishte ngritur parkun e gjuetisë së derrave të egër.
Ndërsa Genc Leka kishte lindur më 25 Mars 1941, po në Bërzeshtë, ku edhe kishte mbaruar shkollën 8-vjecare me nota të shkëlqyera. Pas përfundimit të shkollës së mesme pedagogjike “L. Gurakuqi” në Elbasan, ai punoi si mësues në Zdrajsh të Librazhdit, bashkë me të shoqen. Në këto vite nis edhe krijimtaria e tij letrare, duke i botuar ato në gazetat e kohës si “Zëri i Rinisë”, “Drita” e “Mësuesi”, ku bintë në sy talenti i tij i hollë e lirik. Ndërkohë nisi të merrej edhe me studime gjuhësore e albanologjike, duke krijuar një korrespodencë me studiues të shquar të kësaj fushe, të cilët shprehnin admirim dhe vlerësimin e tyre për një talent të ri që po ngrihej në këtë fushë. Por kjo nuk do zgjaste shumë, pasi në vitin 1965, ai do pushohej nga puna, së bashku me shoqen dhe do të dërgohej për të punuar në kooperativë. Megjithatë talenti i tij nuk mund të ndalej dhe me lirikat e tij të spikatura si “Oxhaku”, “Ciganet”, “Nxënësve të mi”, etj nga të cilat ai ra në sy të Sigurimit të Shtetit. Krijimtaria e tyre hyri kështu në dosjet e këtij sigurimi, duke hartuar dosjen “absurd”, për të cilën u arrestua dhe u dënua me pushkatim, së bashku me shokun dhe kushëriun e tij, Vilson Blloshmi.
Tashmë, pothuajse pas tre dekadsh, ata përjetësohen në Bronx, vepër e punuar nga skulptori Sadik Spahija dhe vështrimi i tyre duket se është hedhur nga vendlindja e tyre, Bërzeshta dhe nga mali i Zgarës. Duhet pohuar se Bërzeshta është një nga ato fshatra që i kanë dhënë kombit shqiptar njerëz të shquar dhe personalitete në fushën e arsimit. I tillë ishte edhe gjyshi i Vilsonit, Hajdar Blloshmi, themelues i Normales, miku më i ngushtë i Luigj Gurakuqit, Aleksandër Xhuvanit, Ahmet Gashit, e të tjerëvë atdhetarë që luftuan me pushkë e me pendë për arsimin tonë kombëtar. Ndëshkimin që u dha diktatura pasardhësve të Blloshmëve, ishte një ndëshkim edhe për personalitete si Hajdar Blloshmi që s’kishte asnjë lidhje me komunizmin dhe që foto e tij sistemi komunist e hoqi nga bashkësia e personaliteteve që i dhanë emër arsimit në Elbasan dhe në të gjitha trojet shqiptare përmes Normales së famshme, bijë të së cilës ishin edhe martirët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.
Republika, 30 qershor 2006