Arkivat e Shqipërisë dhe Holokausti
Çerçiz Loloçi
Për një kohë të gjatë dokumentet arkivore për fatin e hebrenjve në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë qenë jashtë interesit shkencor të studimeve vendëse e të huaja. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të karakterit anti-izraelit të politikës zyrtare gjatë periudhës totalitare. Veç këtij fakti, për periudhën e mëvonshme, një kufizim i dukshëm që mund të shpjegojë vonesën mbetet kuptimi tradicional i luftës vetëm si antifashizëm.
Disa studime monografike që janë botuar në SHBA nga Dr. Bernd Fischer dhe Dr. Harvey Sarner kanë plotësuar mungesën e studimeve vendëse, por ato janë mbështetur kryesisht kryesisht në burimet perëndimore dhe në kujtime të hebrenjve të mbijetuar. Burimet e arkivave shqiptare nuk janë këshilluar prej tyre.
Përpjekjet e para që janë bërë në dy dekadat e fundme për të prekur diçka në këtë pasuri dokumentare nga studiuesit vendës kanë qenë kryesisht në formën e nismave individuale, disa herë të nxitura prej qëllimesh dashamirëse, por jo me thellësi të mjaftueshme shkencore.
Pesë vjet më parë, gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Holokaustit në Stokholm, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave paraqiti një kumtesë informuese mbi burimet arkivore rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Kështu nisi angazhimi institucional i Arkivave të Shqipërisë për promovimin ndërkombëtar të pasurive dokumentare që ruajnë për fatin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë viteve në vijim nga një grup specialistësh arkivistë u punua për hartimin e një udhërrëfyesi për dokumentet arkivore të Shqipërisë për hebrenjtë. Ky udhërrëfyes tashmë është përfunduar, është përgatitur botimi i tij shqip e italisht dhe shumë shpejt, brenda vitit 2005, do të realizohet botimin e tij, në bashkëpunim me Fondacionin Gramshi dhe Arkivat Shtetërore të Italisë.
Në këtë udhërrëfyes janë përzgjedhur dhe koleksionuar përshkrimet e pjesës më të madhe të dokumenteve për hebrenjtë në arkivat shqiptare, duke filluar nga fundi i shekullit të 17-të e këndej. Udhërrëfyesi, sido që nuk mund të pretendohet të pasqyrojë në tërësi dokumentacionin me këtë temë, do të jetë një lehtësi e çmuar për kërkime për të huajt dhe vendësit.
Në fillim të vitit 2004 Arkivat e Shqipërisë përgatitën dhe zhvilluan, në bashkëpunim me Qendrën Hebraike të Dokumentimit Bashkëkohor të Milanos, me Universitetin e Barit dhe me Ambasadën e Izraelit në Romë, një konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar argumentit të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri.
Viti 2004 ishte gjithashtu viti i përgatitjes së paraprojektit të Ligjit “Për shpalljen e Ditës së Kujtesës” dhe i mbrojtjes së tij në Kuvendin e Shqipërisë. Ky ligj, pas diskutimeve në seancë plenare, u miratua me konsensusin e të gjithë përfaqësuesve politikë. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë bashkëpunuan me një varg institucionesh ndërkombëtare për hartimin e para-projektit të këtij ligji, për promovimin e tij, si dhe për organizimin e veprimtarive të edicionit të parë. Me këtë rast u hap edhe ekspozita “Kjo mund të të ndodhë edhe ty”, që u konceptua si një thirrje për reflektim dhe parandalim të katastrofave që shkaktojnë krimet kolektive.
Arkivat vazhduan të punojnë për të mundësuar dokumentimin e rolit të Shqipërisë për shpëtimin e hebrenjve në periudhën e Luftës së Dytë Botërore edhe gjatë vitit 2005. Një grup kineastësh amerikanë, midis të cilëve znj. Laura Shapiro dhe znj. Myriam Abramovitz, punuan me specialistë shqiptarë të arkivistikës për përgatitjen e një dokumentari me këtë temë. Vizita e Ambasadores së Izraelit në Shqipëri znj. Irit Ben-Abba në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në muajin prill 2005 nxiti vendosjen e kontakteve të bashkëpunimit me institucione të tilla si Muzeu “Yad Vashem”, Akademia e Shkencave dhe Arkivat e Izraelit.
Marrëveshja që u nënshkrua sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë Shaban Sinani dhe Drejtori i Programeve Ndërkombëtare Arkivistike të Muzeut të Memorialit të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqëson një nismë që finalizon përpjekjet shumëvjeçare të arkivave të Shqipërisë për një angazhim strategjik në këtë fushë. Kjo nuk është një marrëveshje pragmatiste, në kuptimin që nuk është në qëllimin e saj fitimi financiar.
Arkivat e Shqipërisë kanë ofruar akses të shkallës maksimale për partnerët amerikanë për dokumentet që kanë të bëjnë me fatin e hebrenjve në Shqipëri dhe më gjerësisht për historinë e rreshtimit antifashist të popullit shqiptar përkrah aleancës së madhe botërore; për problemet dhe specifikën që ka pasur kjo luftë në Shqipëri.
Objekt i marrëveshjes janë rreth 5000 fletë dokumente, që i takojnë periudhës 1933-1945, në të cilat dëshmohet fati i rreth 3000 hebrenjve të ardhur në Shqipëri nga shumë vende europiane në gjendje pushtimi. Marrëveshja përmban angazhime të palëve edhe për shkëmbim riprodhimesh të dokumenteve të fondeve të luftës në një kuptim të gjerë.
Sipas drejtuesve të Arkivave të Shqipërisë, është në nderin e popullit shqiptar, që i fshehu dhe i shmangu nga rreziku nazist hebrenjtë e ardhur në Shqipëri nga thuajse të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, dhe nuk dorëzoi asnjë prej tyre. Por është detyra e institucioneve të kujtesës t’u japin mundësi studiuesve, brenda e jashtë vendit, për të shpjeguar shkencërisht dhe duke bashkuar argumente kombëtare e ndërkombëtare pse dhe si ndodhi kjo.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shprehu besimin e saj se bashkëpunimi me Muzeun e Memorialit të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një institucion i specializuar dhe me admirim ndërkombëtar, do t’i shërbejë promovimit të dokumenteve arkivore për hebrenjtë në Shqipëri, duke shërbyer si një medium i rëndësishëm për studiuesit e huaj.
Bashkëpunimi midis dy institucioneve mbështetet në filozofinë se institucionet e kujtesës duhet t’i shërbejnë ndriçimit të historisë së lidhjeve të përbashkëta shqiptaro-hebraike, veçanërisht atyre të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Por kështu do të shlyhet dhe një detyrim njerëzor, duke ofruar burimet vendëse për të rindërtuar historinë individuale të çdonjërit që u rrezikua në vitet e tmerrit nazist. Historia e kombeve dhe e bashkësive bëhet nga historia e individëve pjesëtarë të tyre.
Bashkëpunimi me Muzeun e Memorialit të Holokaustit të ShBA do të jetë në dobi të njohjes së një “Shqipërie tjetër” në botë, të një Shqipërie që, si rrallëkush tjetër, problemin e hebrenjve e deklaroi politikisht, në rrugë diplomatike dhe në korrespondencën e saj zyrtare një “çështje të brendshme” të saj.
Arkivat e Shqipërisë janë një dritare e vogël për të parë një cilësi të lartë njerëzore, për të kuptuar se holokausti nuk ka qenë një gjë e pashmangshme, për të kuptuar se rezistenca antifashiste mund të ishte njëherësh edhe një rezistencë kundër holokaustit dhe e pandarë prej saj. Nga kjo dritare shihet se një popull i vogël bëri një sfidë që bënë sikur nuk e panë seli e qendra të larta të botës së madhe, përpara syve e dyerve të të cilave u masakruan mijëra hebrenj. Sot është e lehtë të ëmbëlsosh historinë dhe t’i kthesh episodet në qëndrim të përgjithshëm politik, por dikur nuk ka ndodhur kështu.
Katastrofa e njohur me emrin “Shoah”, zbatim i doktrinës naziste të demoracës dhe të “zhdukjes përfundimtare”, është një plagë e pambyllur e Luftës së Dytë Botërore, është një kujtim rrënqethës për të gjithë ata që e jetuan dhe e përballuan. Por ky është një tmerr që duhet njohur, për të mos u përsëritur më.
HEBRENJTË, SHQIPTARËT DHE ARKIVAT
Ndryshe nga sa mendohet, lidhjet historike-kulturore midis shqiptarëve dhe hebrenjve ekzistojnë qysh prej antikitetit. Gjurmët e këtyre lidhjeve janë ruajtur në arkeologji, në etnologji, në besim e rite, në histori e kronika, dhe mbi të gjitha në arkiva. Ky është mendimi që u shpreh në bisedime dhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis arkivave të Shqipërisë dhe Museut Memorial të Holokaustit të SHBA. Sipas drejtorit të përgjithshëm të arkivave Shaban Sinani katër janë ardhjet më të mëdha të hebrenjve në hapësirën shqiptare dhe të katra lidhen me periudhat më rë njohura të rrezikimit të shpeshtë kolektiv të hebrenjve:
– Në shekujt e parë të erës së re, kur hebrenjtë depërtoheshin si skllevër në ish-perandorinë romake (hebrenjtë romaniotë);
– Në periudhën e inkuizicionizmit perëndimor, sidomos të atij spanjoll, në fund të mesjetës (hebrenjtë safardikë);
– Në periudhën e përndjekjes masive prej ish-perandorisë osmane pas dështimit të kryengritjes së udhëhequr prej “mystical Messiah“ Sabetha Zevi;
– Në periudhën e shpalljes së doktrinës naziste të demoraza-s (“final solution“).
Fakti që populli shqiptar u është gjendur në krah hebrenjve në kohëra shumë të rrezikshme është në nderin e tij, por njëherësh dëshmon një lidhje të fortë kulturore dhe shpirtërore. Në asnjë fazë të historisë së popullit shqiptar, madje në atë më të afërt, pavarësisht se cili ka qenë qëndrimi politik zyrtar i autoriteteve shtetërore, nuk ka dëshmohen psikoza antisemite.
Është për t’u shënuar fakti që dëshmohet në dokumente se në vitet 1960 autoritetet komuniste të Tiranës, megjithëse nuk mbanin asnjë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, lejuan lënien e shtetësisë shqiptare për afro 200 hebrenj që kërkuan të shkojnë vullnetarë në mbrojtje të vendit të tyre (periudha e njohur e luftës 5-ditore).
Është e ditur botërisht se Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore gjetën shpëtim jo vetëm hebrenjtë e vet, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.
Para luftës Shqipëria kishte vetëm 200 hebrenj që e kishin deklaruar etnicitetin e tyre. Në fund të luftës Shqipëria kishte 2500-3000 hebrenj të ardhur nga Dalmacia, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia.
Asnjë hebre nuk iu dorëzua autoriteteve pushtuese nga populli shqiptar dhe nga organizatat politike të asaj kohe. Populli shqiptar dhe autoritetet e tij i fshehën hebrenjtë në familjet vendëse, i veshën me kostume tradicionale shqiptare.
Nazistët i kërkuan Tiranës të dorëzonte urgjentisht arin bankar dhe listat e hebrenjve. Është e ditur se nazistët e morën jo vetëm arin bankar, por edhe rezervën në kartëmonedhë të parasë së vendit. Kurse listat e hebrenjve nuk i morën kurrë, sepse shqiptarët, me një konsensus të përgjithshëm dhe të padeklaruar, pavarësisht nga bindjet dhe rreshtimi politik i tyre, e quajtën çështjen hebraike “çështje të brendshme“ të tyre.
Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm i pushtuar prej nazifashistëve që nuk miratoi asnjë ligj antihebraik gjatë luftës.
Hebrenjtë erdhën në Shqipëri nga vendet e Ballkanit në formë grupimi kolektiv dhe në formë individuale.
Tri grupimet më të mëdha të hebrenjve të ardhur nga ky rajon për të gjetur shpëtim këtu janë:
– 192 hebrenj të Kotorrit (1942, Mali i Zi);
– 350 hebrenj të Dalmacisë (Splitit, 1942);
– 500 hebrenj të Serbisë, përqendruar në Kosovë (1942).
Ardhja e hebrenjve në Shqipëri u përgatit qysh gjatë viteve të para të shpalljes së doktrinës naziste “final solution”. Një rol të dorës së parë luajti ish-ambasadori i ShBA në Tiranë dhe një prej miqve më të sinqertë të Shqipërisë Herman Bernstein, i cili ishte edhe vetë hebre. Vitet 1930 në gjithë Perëndimin njihen si “golden age” e hebrenjve në Shqipëri. Është pikërisht kjo koha kur shtypi pronazist botonte vazhdimisht artikuj ku flitej me alarm për “kolonizimin izraelit të Shqipërisë” dhe për “shndërrimin e Shqipërisë në një Palestinë të dytë”.
Por po ashtu kjo është koha kur Komisariati i Lartë i Refugjatëve pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë dhe organizatat ndërkombëtare që u krijuan për të parandaluar katastrofën globale ndaj hebrenjve Shoah zhvilluan bisedime me autoritetet shqiptare për të krijuar mundësi të zhvendosjes masive të hebrenjve të vendeve të Europës Qendrore, që e kishin më afër rrezikun e likuidimit. Intelektualët shqiptarë bënë maksimumin për të shpëtuar kolegët e vet hebrenj, sidomos albanologun e mirënjohur Norbert Jokl, i cili u dëbua nga Universiteti i Vjenës dhe u ekzekutua në Minsk vetëm pse ishte hebre.
Nuk është e rastit që në Shqipëri erdhën dhe gjetën strehë emra të njohur të botës hebraike, intelektualë të shquar, si prof. Stanislav Zuber, dr. Weitzman, dr. Ovrinofski, dr. Josef Levi (Pepe Levi), dr. Leo Thur dhe shumë të tjerë, sepse pikërisht intelektualët hebrenj ishin të parët që viheshin në shenjën e nazistëve.
Për të gjitha këto dhe për shumë çështje të tjera është shkruar fare pak dhe kur është shkruar gjërat janë trajtuar në mënyrë të sipërfaqshme. Prandaj nuk ka qenë e mundur që të njihet kjo faqe e ndritur e historisë së popullit shqiptar. Një popull që nuk ka marrë pjesë në holokaustin e përbindshëm nazist ka dhënë një provë se nuk ka cilësinë për të ushtruar krime kolektive.
Janë rreth 5000 fletë dokumente të cilat dëshmojnë ekzistencën si komunitet të hebrenjve në Shqipëri prej së paku tre shekujsh; rolin e tyre për orientimin e lidhjeve ekonomike të Shqipërisë drejt Perëndimit qysh nga mesjeta, shkëmbimin e vlerave kulturore dhe fetare me vendësit, deri tek shpëtimi historik i tyre në vitet e epidemisë nazifashiste. Prandaj nuk është aspak e rastit që pikërisht arkivave iu besua hartimi i projektit të Ligjit “Për shpalljen e Ditës së Kujtesës“, që u miratua vjet nga Kuvendi i Shqipërisë, duke e bashkuar këtë vend me një tjetër standard ligjor euro-atlantik.
Marrëveshja që u nënshkrua, pohon z. Sinani, krijon të gjitha kushtet që kjo pjesë e historisë së përbashkët shqiptaro-hebraike të zërë vendin e merituar në një mjedis ndërkombëtar, në një institucion të specializuar, siç është “Memorial Museum of Holocaust“ i Nju Jork-ut.
Kjo marrëveshje do të bëjë që roli i Shqipërisë në mbrojtje të hebrenjve të mos jetë thjesht një gojëdhënë dhe as një faqe e bardhë, pa burime dhe dëshmi. Institucionet që nënshkruan marrëveshjen do të mundësojnë që burimet për lidhjet shqiptaro-hebraike, për vendin e Shqipërisë në aleancën botërore antifashiste dhe rolin e saj, për vetë historinë e rezistencës vendëse dhe të bashkëpunimit me aleatët perëndimorë, të promovohen në shkallë të gjerë dhe të disponohen lirisht, siç është në kulturën e shoqërive të hapura demokratike.
4. 08. 2005