Si i justifikoi gjykatësi 480 mijë dollarë shtëpi në Kanada dhe 100 mijë eurot dhuratë?
Vendimi i parë i Komisionit të Vetingut për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, do të merret të premten më 23 mars në orën 11:00. Në seancën dëgjimore, ku vetë gjyqtari nuk mori pjesë, trupa e vettingut pretendoi se subjekti nuk e justifikonte pasurinë e deklaruar dhe kishte bërë deklarim të rremë për shuma të mëdha parash ndërsa avokati i gjyqtarit, Ardian Visha, tha se këto para gjyqtari i ka përfituar si dhuratë nga e motra.
U desh 19 muaj që pas miratimit në Kuvend të ligjit të vetingut, për të parë seancën e parë dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Përballë të parit subjekt që do të përballej me këtë proces, që shorti caktoi gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, qëndronin 3 anëtarë të trupës gjykuese me në krye Genta Bungon dhe relatoren e çështjes Etleva Çiftja.
Në seancën e zhvilluar pa kamerat e pranishme për çështje privatësie, relatorja Etleva Çiftja nuk kishte asnjë vërejtje për anën profesionale dhe të figurës së gjyqtarit Fatos Lulo, i cili nuk u paraqit personalisht por përmes avokatit të tij, Ardian Visha.
Dhurata 480 mije $
Përsa i përket pasurisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pretendon se gjyqtari nuk justifikon pasurinë e tij dhe ka bërë deklarim të rremë.
“Zoti Lulo nuk justifikon pronësinë e apartamentit në rrugën e Durrësit të cilën e ka depozituar me kontratë dhurimi, zyrën në rrugën Ismail Qemali, 100 mijë dollarë të cilat i ka deklaruar si të dhuruara, si dhe 480 mijë dollarë blerje apartamenti dhe nisje biznesi në Kanada” ka thënë anëtarja e trupës gjykuese të KPK, Etleva Çiftja.
Për avokatin, Ardian Visha, nuk bëhet fjalë për fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë por vetëm për pamundësi marrje të dhënash nga Drejtoria e Tatimeve, pasi kjo Drejtori nuk i disponon.
Sipas zyrës, edhe 100 mijë dollarët gjyqtarit ia ka dhuruar e motra e tij, ndërsa apartamentin dhe biznesin në Kanada me shumën prej 480 mijë dollarë, gjyqtari e kishte në plan por nuk e realizoi.
“Nga puna si avokat dëshmohet se Fatos Lulo ka mjaftueshëm të dhëna për të justifikuar apartamentin ku jeton. Nga biznesi që disponon e motra, Drita Lulo vetëm taksat e paguara në shtet janë më shumë se dhurimi që i ka bërë vëllait të saj Fatos Lulo. Gjyqtari ka prenotuar shtëpinë dhe biznesin në Kanada, dhe këto para ia mori të motrës, por nuk e realizoi këtë plan dhe paratë i ktheu mbrapsht. Të vetmet pasuri të shtuara të Fatos Lulos në këtë periudhë janë zyra dhe 100 mijë dollarë që ia ka dhuruar e motra” tha për gazetarët avokati Ardian Visha.
Argumentat e tij, avokati Visha i shtroi dhe në përfundim të seancës përpara mediave.
“Për periudhën e viteve ’90, kur ishte avokat, është e padrejtë të gjykosh të ardhurat kur zyra e Tatimeve nuk ka të dhënat. Për këtë ILDKP nuk mundet dot të pretendojë se nuk ka burim të ardhurash. Pasuritë e paluajtshme të Lulos janë shtëpia ku banon dhe një zyrë. Është tërësisht një ide biznesi e parealizuar pasuria 480 mijë dollarë në Kanada. ILDKP e kontrollon prej 15 vitesh Lulon dhe nuk gjen asgjë. Ka përpjekje për të ç’varrosur kufoma, për të bërë një gjë të pabërë. Kjo është e palogjikshme për mua. Ka mungesë provash. Paraqita një sërë provash të reja, akte të reja që u pranuan nga trupa gjykuese, që provojnë të ardhurat e motrës së Lulos. Drita Lulo ushtron disa aktivitete, ka përfituar për shkak të marrëdhënies me një firmë” tha Ardian Visha.
Pas paraqitjes së këtyre të dhënave, trupa gjykuese vendosi të pranojë deklarimin e pasurisë së të motrës për t’i shqyrtuar dhe vendosi që vendimin për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo ta japë të premten, më 23 mars, ora 11:00.
Lulo është një nga 63 subjektet që iu nënshtruan të parët procesit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Nga ky proces u tërhoqën pak javë me parë ish- anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeri dhe ish -prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, për të cilët Komisioni vendosi t’ua ndërpresë vettingun.
Seancat dëgjimore pritet të zhvillohen në ditët në vijim edhe me të tjerë persona drejtues të lartë të gjyqësorit, për të cilët Komisioni ka konstatuar shkelje kryesisht në lidhje me deklarimin e pasurive të tyre.