Albspirit

Media/News/Publishing

Zija Çela: Ditëlindja e Dritanit, përkthyesit me flatra

Dritan Çela lindi me 11 janar 1970 dhe mbylli sytë më 4 mars 2006, në moshën 36 vjeçare. Kjo foto është autoportret. Përveç letërsisë, ai ishte i dhënë pas fotografimit, filmimit dhe muzikës.
Kaq shumë u shkrua për Përkthyesin me Flatra, siç nisi të mbiquhej Dritani, sa libri im “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, u pasua me vëllimin “Përgjigje për dashurinë”, tashmë homazh nga shkrimtarë, poetë, përkthyes, publicistë, gazetarë e miq të Tanit. Madje edhe sot e kësaj dite vazhdon të shkruhet.
Për familjarët e lexuesit e tij sot nuk shkojnë fjalët “festojnë”. Por as të mos e përjashtojmë ndjesinë e gëzimit. Ne gëzojmë për sa kohë e patëm dhe për gjithë sa na la. Prandaj e filloj përkujtimin me këtë tregim të vockël të Dino Buzzati-t, që Tani e shqipëroi ende student. Le të shpresojmë se, ndoshta vetiu, na lëviz cepi i gojës për një buzëqeshje. Është ironia e hollë ndaj paradokseve të jetës.

SHTEPIA IDEALE

Po të isha shumë i pasur, do të ndërtoja një shtëpi kështu: një paradhomë shumë të vogël, një korridor të ngushtë, një dhomë ndenjeje të mjerueshme, një dhomë gjumi të shkretë, mobilje të varfra e të zhveshura, ca tablo, qilima asnjë, perde hiç fare, llamba të zbehta e të bezdisshme, atmosferë e përgjithshme parehatie. Përsa i përket banjës, ama, banjën do ta bëja të paktën dyzet metra katrorë, dhe aty mermerë, majolika, çezma të shndritshme e shumë të fuqishme në vermeil, llambadarë ngadhënjyes, pasqyra pa mbarim e të lëmuara, tapetë të butë prej sfungjeri me ngjyra delikate, sërë e sërë parfumesh të rralla e tepër të shtrenjta, letra higjienike të buta si një psherëtimë, shishka e spërkatës të çdo lloji, gramafonë stereofonikë me disqe madhështore, me një fjalë, luks i shfrenuar, hapësirë e tepërt, ëndje për t’u vërtitur lart e poshtë lakuriq, mbase edhe me vrap. Përse arkitektët e ditur nuk ndërtojnë shtëpi të tilla? Është lehtë të durohet mjerimi, kur mund të dhjesësh si zotëri.

LIBRA TËR PËRKTHYER

Dino Buzzati – Gruaja me flatra
Dino Buzzati – Shkretëtira e tartarëve
Dino Buzzati – Një dashuri
Carmine Abate – Shtegtimi i unazës
Susanna Tamaro – Thuaji zemrës Po
Luciano De Crescenzo – Dyshimi
Italo Calvino – Komikat kozmike
Luigi Pirandello – Një, asnjë dhe njëqindmijë
Alessandro Baricco – Mëndafsh
V. Sciascia – Libellangellus, përralla e lirisë
Virgjil Muçi – Fiabe albanesi (Nga shqipja në italisht)
Si dhe ese e proza të shkurtra nga A. Moravia, D. Maraini, U. Eco, G. Parise, etj.

IN MEMORIAM

Agron Tufa: Gjithë veprimtarinë e tij, Dritani e projektoi larg përditshmërisë sonë banale, larg telasheve e meskiniteteve vulgare që na takon të ndeshemi përditë. Për të kuptuar mbresën që lënë te lexuesi përkthimet e Tanit, duhet të mbajmë fort parasysh një të vërtetë të madhe – personalitetin e përkthyesit. Dritan Çela ishte organikisht njeri i kulturës, i rritur me ajrin e letërsisë. Ishte njeri i shtëpisë në këtë fushë, i familjarizuar me botën e shpirtit dhe intelektit. Ishte bir i civilizimit. Duke patur një gatim të tillë, ai ishte ndër të rrallët që dinte të përkthente poezinë (të trishtë a të pikëlluar) të shpirtit njerëzor. Unë besoj se lexuesi i rafinuar ka ditur me kohë ta veçojë këtë cilësi në përkthimet e tij dhe t’u referohet, të këshillojë të tjerët që të mos humbasin në tymnajën e dendur të shqip-rrënimeve tona. (Gazetat TEMA dhe METROPOL, 5 mars 2006)

Arian Leka: Dritan Çela është përkthyesi që i kishte dhënë vetes lirinë të punonte me muzë, të përzgjidhte e të sillte në shqip vetëm ata autorë që kishin të njëjtin grup gjaku me të, t’i binte violinës për qejf të vet, të dëfrente pa bujë me këtë krijesë, bohemian në mënyrën se si luante dhe hynte në lidhje me jetën, si kënaqej me ato që e rrethonin, si pasionohej pas muzikës, fotografisë, me ethen që si duket i përndjek gjithë jetëshkurtrit që bëjnë dritë: ose të gjitha, ose asgjë! E di, ai vetë kishte zgjedhur rrugë tjetër, fat tjetër, u ikte “dhuratave”, nuk kërkonte vëmendje, sepse kishte lindur me shenjën për t’u bërë dhurata të tjerëve dhe ashtu shkoi, duke mos na pasur asnjë borxh, por duke e lënë pengun tek të gjithë ata që shfletuan librat e tij, ndoshta pa dashur të dimë më shumë… për njeriun që përkthen dhe e di kaq bukur shqipen. (SHEKULLI, 5 mars 2006)

Roland Sejko: Mik i mirë, përkthyes i shkëlqyer. Ndoshta përkthyesi më i mirë aktiv shqiptar nga italishtja në shqip. E di, kur dikush vdes, lëvdatat nuk kursehen, por ky epitaf për Dritan Çelën nuk është lëvdim, as vajtim, është kërkimi i asaj që la pas, përtej kujtimeve. Në librat që ai pat zgjedhur të përkthente. Në ditën e vdekjes së tij, çuditërisht, gjej sensin e jetës dhe të rrugëtimit të ëmbël drejt vdekjes. (SHEKULLI, 5 mars 2006)
Përkthimi përrallor i shkon si epitet versionit italisht të përrallave shqiptare të Virgjil Muçit. Se, me gjithë lojën e fjalëve, ka një mjeshtëri të veçantë në shqipërimin e këtyre përrallave: kush i përkthen, nuk duhet thjesht të gjejë variantet “Qe e mos na qe, na ishte njëherë, një herë e një kohë…”. I duhet, në radhë të parë, të jetë rritur me atë truall. Kollaj duket puna, pasi të gjithë i njohim ato përralla. Por pakkush, në mos askush, mund të ishte përkthyesi më i përshtatshëm se Dritan Çela, i cili pati sjellë më parë në shqip nga italishtja autorët e së ashtuquajturës “letërsi magjike” italiane. Është për t’u veçuar fakti që, përveç Dritan Çelës, asnjë shqiptar nuk është ngarkuar ndonjëherë nga botuesit italianë për të sjellë në italisht vepra të letërsisë shqiptare, që shpesh kanë kaluar nëpër gjuhë të tjera për të ardhur në Itali apo janë përkthyer nga italianë që kanë studiuar gjuhën shqipe. Rreth trembëdhjetë vjet pas botimit të “Fiabe e leggende albanesi” të Mitrush Kutelit, vjen libri “Fiabe albanesi” me njëzet e katër përralla të moçme shqiptare, në përkthimin e shkëlqyer të Dritan Çelës. (SHQIPTARI I ITALISË, dhjetor 2005, Romë)

Rudolf Marku: Kur Dritan Çela zgjodhi nga biblioteka kaotike e letërsisë botërore “Shkretëtirën”, me këtë tregon se ka një prirje moderne drejt shkrimtarëve që mund t’i quash pa frikë bashkëkohësit tanë, drejt veprave që e kishin prej kohësh vendin bosh në bibliotekat tona… Përkthimi është bërë me një përgjegjësi të madhe, me mjeshtëri dhe me një dashuri për vetë veprën. Dritan Çela dëshmon kështu se është jo vetëm përkthyesi i vetëm i Buzzati-t, por dhe se është njohësi më i mirë i këtij shkrimtari, në atë shkallë sa duket qartë se përkthyesi nuk është ndrojtur ta marrë përkrahu Buzzati-n dhe t’ua paraqesë pa asnjë kompleks inferioriteti të tjerëve. (DRITA, 24 mars 1996).

Visar Zhiti: Përkthyesi i talentuar me gen shkrimtari, Dritan Çela (edhe nëse mund të gjendet në ndonjë rast tjetër fjalë ndryshe), ka përkthyer më të vështirën: frymën e veprës si një poezi të trishtë, e dalë nga thellësitë dhe, si e tillë, disi misterioze e me një lodhje krenare. (Mehr Licht, 1997, nr. 3)

Leka Ndoja: Kryeveprës “Një dashuri” të Dino Buzzati-t i përgjigjet si kryevepër përkthimi i Dritan Çelës. Shkolla shqiptare e përkthimit, nëpërmjet mjeshtërve të saj të nderuar, ka sjellë jo vetëm vlera të paharrueshme, por edhe pasues të denjë. I tillë është Dritan Çela, që tashmë bën pjesë në elitën e përkthyesve tanë… Ky është rezultat i kompletimit fatlum të përkthyesit, një kompletim që jep mundësi ta sublimojë në art një vepër të atillë, e cila me siguri nuk do t’i shpëtonte masakrës së radhës nga amatorët e papërgjegjshëm të përkthimit. (ALBANIA, 16 maj 2002)

Virgjil Muçi: Duke vlerësuar faktin se kemi të bëjmë me një nga tekstet letrare më të sofistikuara të krijuara ndonjëherë (unë vetë e kam të vështirë të sjell ndër mend një vepër të ngjashme me “Komikat kozmike”), e gjej me vend zgjedhjen e botuesit LETRAT, që e shoqëron botimin e librit me një intervistë të Calvino-s, ku vetë autori rreket të shpjegojë mekanizmin e ndërlikuar të veprës së tij. I mirënjohur me shqipërimet e veta, me Komikat Dritan Çela na jep një dëshmi të pjekurisë së vet letrare, jo vetëm si përkthyes, por edhe si njohës e çmues i letërsisë italiane dhe mjeshtrave të saj, ndër të cilët Calvino është padyshim më i madhi i shekullit që sapo lamë pas.” (Revista KLAN, dhjetor 2002)

Preç Zogaj: “Kryeveprat” i japin rastin lexuesit shqiptar të lexojë tekste që kanë shijen e letërsisë së madhe dhe njëkohësisht të njihet me momentet më pikante të jetës së Dino Buzzat-it. Por ky botim, të mos harrojmë, na kujton edhe njëherë se çfarë kanë humbur letrat shqipe me vdekjen e parakohshme të përkthyesit Dritan Çela. Si të kishte jetuar me idenë e përkohësisë apo të fundit të shpejtë, ndihet në përkthimet e Dritanit një përmbledhje e pazakonshme e dijeve dhe energjive të tij të brendshme për të dhënë më të mirën, për të kapur kulmin e mundshëm e të ëndërruar. Pastaj të bëhet ç’të bëhet. Jam i bindur se ia ka dalë me dy romanet e Buzzat-it. Në këtë kuptim, përkthyesi Dritan Çela u realizua para se të mbyllte sytë. (MAPO, 24 dhjetor 2010)

Aleksandër Çipa: Ne notonim shpesh së bashku dhe prej distancës në thellësi të gjirit të Spilesë, kishim mundësi të flisnim më shumë për bregdetin, Himarën dhe thellësinë e saj, polifoninë dhe poezinë fine orale të zonës. Një ditë, ndërsa kishim ikur thellë detit, te gjiri i quajtur Sfajio, dhe po sodisnim ujin që përkëdhelte llërët tona, Dritani më thotë: “Calvino dhe Pirandello më kujtohen më shpesh kur vij në Himarë. Ndonëse tani lexoj Buzzati-n. Është dobësia ime… E çuditshme, ne mjedisi familjar na është imponuar në mënyrë të natyrshme. Gjatë kohës që jemi bashkë, ti flet më tepër për poezinë dhe këngën himariote, ndërsa unë çmendem për prozën. O Zot, sa i madh është Buzzati.” (GAZETA SHQIPTARE, 12 mars 2006)

Virion Graçi: Ka raste kur njeriu e ndien veten fajtor për gjithçka, edhe që është gjallë, edhe që ka paksur humor e gjallëri rinore. Kështu më ndodhi një mbasdite vonë. Në një rrugë të Tiranës përballem me shkrimtarin Zija Çela dhe zonjën e tij. Po ecnin krahas njëri-tjetrit. Humbja e djalit, përkthyesit Dritan Çela, i kishte bërë edhe më të pandashëm, edhe më të heshtur. U takuam. Zijai më përqafoi. Nuk e di. U ndjeva fajtor. Bashkëmoshatar me djalin e tij dhe shokë. Kurse tani… Më vonë, duke lexuar e rilexuar Buzzati-n, tregimet që ai i shqipëroi dhe kryeveprën “Shkretëtira e tartarëve”, kuptova më mirë jo vetëm Dritan Çelën, por edhe brezin tonë. Si Xhovani Drogo, në prag të viteve nëntëdhjetë e pamë veten në fortesën Bastiani në pritje të armikut, në pritje të sakrifikimit, në pritje të një ideali njerëzor që do t’i jepte paksa hije e kuptim ekzistencës sonë. Por nuk ndodhi ashtu siç prisnim ne, ndodhi si në romanin e Buzzati-t, asgjë për t’u mbajtur mend. Pas kësaj, gjithmonë e më shpesh i jap të drejtë Tanit, shpërfilljes së tij, qëndrimit larg betejave me kartona të animuar, larg prometeizmit të shtirur dhe mondanitetit qesharak. Ashtu, i zmbrapsur pas mjeshtrave të tij të penës, Dritani zgjodhi fjalën e tyre për të shprehur unin dhe sfidën e tij. Dhe e solli bukur atë. (SHEKULLI, 17 maj 2006)

Granit Zela: Në rastin e Dritan Çelës harresa e humbet pushtetin e saj të pashpirt, ngase anija që mbart frytin e punës së këtij përkthyesi me flatra, i cili përçiku diellin e një jete (ajme, gjysmëjete!) kushtuar letërsisë, është përjetësuar me Fjalën. (Drita, 8 mars 2008)

Bardhyl Londo: Në librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, Zija Çela ka ditur të krijojë një Tan – personazh të papërsëritshëm, ashtu siç diti të krijojë një Tan – bir jo vetëm atlet të jetës, por edhe kampion të artit të madh e të vështirë të të qenit Njeri. Libri mbetet një rrëfim tronditës për jetën e vdekjen dhe sidomos për marrëdhëniet njerëzore. Binomi atë – bir në këtë libër është një nga mrekullitë njerëzore që mund të ketë jeta mbi tokë, dhe një nga marrëdhëniet më prekëse që mund të ketë letërsia e arti. Por jo vetëm kaq. Marrëdhëniet Zija – personazh dhe atë – bir i tejkalojnë këto caqe e vijnë në libër si marrëdhënie të njeriut me njeriun, të dashurisë, respektit e mirëkuptimit të ndërsjelltë. Pikërisht ky binom, që në fakt përbën vetëm një qenie njerëzore por me dy trupa, vjen në letërsi ashtu siç kanë qenë në jetë: shembull i dashurisë dhe mirëkuptimit mbarënjerëzor. Libri, ashtu si jeta e vdekja e Dritanit, ka me të vërtetë një frymë jashtëtokësore, që të kujton skenat madhështore të tragjedive të antikitetit. Në të marrin pjesë njerëz të gjallë e të vdekur, njerëz të njohur e të panjohur, njerëz të zakonshëm e personalitete politike, poetë e kryeministra, shkrimtarë e ministra. Në të merr pjesë toka, por edhe qielli, zymtësia e spitaleve, por edhe sendet e përditshme të jetës, që na kujtojnë se njeriu është njeri dhe pikërisht për këtë ai ka diçka prej perëndie.
Ishim mësuar të kishim një Tan djalosh të talentuar dhe njeri të papërsëritshëm, tashti kemi edhe një Tan personazh po aq të bukur e njerëzor. Dhe ndërsa perënditë u treguan të pamëshirshme, duke na e marrë Tanin njeri për të zbukuruar veten, ato janë krejt të pafuqishme për të na e marrë Tanin personazh, personazh të një vepre sa unikale, aq dhe universale. (Shekulli, 9 mars 2007)

Zija Çela: Dritani nuk u mor me amanete, nuk tha as më kujtoni, as mos më harroni, la vetëm të nënkuptohej: Për sa kohë që ju nuk mund të jeni me mua, do të jem unë me ju. Dhe ka shumë gjasa për dyvendësinë e Shpirtit… Por a ka gjasa për mua në betejën e pabarabartë, përleshjen shkallmuese me kohën? Është lufta e senseve të kundërta. Dritani do të mbetet i ri, ashtu përgjithmonë, ndërsa mua më duhet të plakem duke mbetur i ri, në mënyrë që ditën kur të bëhemi prapë bashkë, unë të jem i denjë për Miqësinë e djalit.
E këtu mjaft, po mbyllen këto shënime. Sa ishte gjallë, s’e patëm zakon t’i flisnim gjindjes për Dritanin. Mund të thotë ndokush se tash është vonë. Por ç’të bëjmë pra, në këtë mënyrë na habiti jeta, gjithë jeta na shkoi duke u dashur. Në fillim ne deshëm ta jetonim dashurinë, pas vdekjes u kujtuam se hidhet edhe në letër. (“Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”)

Please follow and like us: