At Vinçenc PRENUSHI: Poezia popullore e Goethe-s
Gjindet kush thotë për Goethe-n se kje njí realist, por në historinë e letratyrës ka mjaft asish qi ket mâ të madhin poet të Gjermanisë ta mbajn për idealist. Si t’i lakohet njí sý veprave të tija poetike ka me na u dashtë me thanë, se të dy palët kanë arsye. Gjithsecila poezi âsht njí imitacjon i natyrës e në ndryshime të mëndyrës së imitacjonit na gjejmë edhe hullit e artit qysh nga natyralizmi e deri në fantastikë. Natyrën mandej, si e mendon dhe e thotë vetë Goethe, e ndan prej artit njí humnerë e pamasë, të cilën njí gjeni nuk mundet me e shkapercye pa mjete të jashtme. Me të vû dorë artisti në nji send marrë prej natyrës, ai send nuk i perket mâ asaj. Por në ketë studim të vogël nuk kem për qellim me rrmue veprën e poetit, por duem të kqyrim vetëm si e kryen veprën e vet.
Nder vepra të pavdekshme të këtij poeti aq të mirë na vem n’oroe se sa i gjallë âsht nder të paraqituna të sendeve, me të vojtë mendja se puna po ndodhë njatëherë, se po i shef me sy zhvillimet e punve, e gjithçkafen në ma të ploten lidhni në natyrë, me nji të prirun kah e vërteta. Mirë, por na e dim se shi gjithë këto veti janë edhe të poezisë popullore. Me kaq nuk duem me thanë se Goethe ta ketë marrë e nxjerrë artin prej poezis popullore, por tûj kenë se poezija popullore e poezija e Goethe janë të dyja poezi të vërteta, krijojnë të dyja mas ligjve të ndryshme. Në veprën “Kunt und Altertum – Arti dhe lashtësia” (1826) lexohen këto fjalë: “Në vetvedi nuk ka veçse nji poezi të vetme: poezija e thjeshtë, qi nuk âsht mall as i popullit, as i bujarëve, as i mbretit, as i katundarit. Kush e din vedin për njeri të vërtetë, mundet me u ushtrue në tê, kjo i çilë vedit shteg në mes të njí popullit të thjeshtë, sado qi ndoshta krejt i pagdhenun; por kjo ban edhe për popuj të gjytetnuem deri në shkallen mâ të nalten. Herder pat caktue ndryshimin ndermjet poezisë popullore e poezisë mbas artit e tharmi i mësimit të tij, se poezia krijue mbas artit do të kthejë në thjeshtësinë e në natyrët e poezis popullore, ka me qindrue fjalë me vend për të gjitha kohët, as herë që poezija mbas artit t’i jet shmangë udhës së drejtë e të ketë bjerrë karakterin e poezis së vertetë. Poezija popullore e poezija mbas artit nuk janë dy rrymë të ndryshme, pse si thamë, kemi veç njí poezi e poeti qi ka gjall para sysh gjendjen e punëve qi don me paraqitë si dhe zotësin e nevojshme me i paraqitë, ai asht nji poet i vërtetë, në daç të shkruej në mëndyren popullore, a në daç t’ia drejtojë fjalën e vet nji çetës sado të gjytetnueme. Ndryshimin e kemi veç në këta, se poezija popullore i ndjekë ligjët pa u kujtue, merr ûha prej natyrës e jo prej ides, trajton mbas ndiesivet e jo mbas kujtimit e len të zotnojë elementi muzikuer.
Njaj qi pak a shum, njef çka ka shkrue Goethe, ka me dishmue se ky u majtë n’anen e poezis popullore. Goethe, si lirik, nuk ka hartue kurr mbas njí theorije të caktueme, as mbas rregullave të artit, si mund t’ia parashtronte kuptimi e njoftimi i teknikës. Goethe vetë dishmon se nuk ishin pershtypjet e krijueme parandej, qi i nepshin shkas për poezi e se shkrou çka i vinte aty-për-aty si mbas instiktit e gati si n’ânderr. Poezija rrjedhen e kishte prej natyrës e Goethe ishte vetem njí mjet, nëpër të cillin ajo shprehej: Un, thotë Goethe për vedi, në “Poezia dhe e vërteta” – “Dichtung und Wahrheit”, kishem mbrrijt me hetue se talenti poetik në mue do të merrej krejt si natyrë, aq ma tepër mbasi per objekt të dukshëm të poezisë sême më nepej me pasë natyrën. Perdorimi i ksajë dhantie poetike mujtte me marrë shkas apor edhe me kenë caktue prej rasash, por mâ me gzim e mâ i plotë si pa dashtë e mund të tham kundra vullndesës:
“N’ për ara e pyllë tu’udhtue,
Njí kangë tûj vishkullue,
Kshtû bajshem për gjith ditë”.
Se Goethe ndoqi si pa kujtue ligjët ma të naltat e artit, këtë na e dishmon edhe theoritiku e estetiku i madh Schiler, i cilli tuj i shkrue Henrikut Meyer, i thotë: “Mjesa na të tjerët shkojm tuj mbledhë me mund e vehena me shqyrtue gjithaç për me mujtë me qitë gjâ në treg, për te mjafton qi të shkundë lehtë njí lândë e me njí herë i bin të pjekuna frytet e bukura”. E âsht punë qi të përmallon kur ven njeriu oroe se me çfarë bindjeje Schiler-i shtjen në punë nder vepra të veta mjetet që përdorte Goethe, për me diftue se sa fort dinte të çmote artin e madhnueshëm të mikut të vet. Goethe, kujtue për ket punë, i falet nderës, gëzueshëm pse desht t’i parashtronte ândrrat e veta.
Brumi i poezis goethiane, krejt si brumi i poezis popullore, nuk âsht gjâ e xjerrun prej ideve, por prej natyrës e prej së vërtetës. Në kohë kur shkruajti “drandofilles së livadheve” e mâ vonë edhe ndër vjett tjera, kur gjithçkafen e zotnonte ndjesija kombtare, ai merr e shtin në punë brumin populluer si në “Pranverë e parakohëshme”, “Kangë vaji e bariut”, “Kanga e dhuratës”, “Ngushëllim në lotë” ashtu edhe ndër shum kangë e balada tjera. Por edhe për kah trajta Goethe, në lirikën e vet ndjekë njato veti qi ka poezija popullore aq e fuqishme me prekë në zemrën e gjithkuej. E thjeshtë, krejt e pa ojna, pa pathos e fare natyrisht flet poezija popullore e jo mi ndiesi, por të paraqet vedin. Nuk kallxon vetë, por len dramatikisht të flasin vehtjet e ndryshme të vetat. Nëpër njí shëmbëlltyrë nxjerrë prej natyrës, poezija popullore na bân aq për vedi, sa na nuk dimë me ia ndâ mâ sýnin. Kjo nuk i shprehë ndiesit, por shkon tuj i çekë porsa, na len të marrim me mend mâ fort se të ndiejm, tuj i dhanë kështu shkase të forta fantazis e tuj e nxitë të bashkëveprojë me tê. E këtij qellimi poezija popullore i a del mâ së mirit nëpër njí zhvillim mendimesh krye hove-hove, në njí vijim qi s’ka gjithmonë lidhuni logjike, tuj lanë që ndigjuesi vetë t’i plotësojë mungesat që mundet me vû n’oroe. Kjo hijeshi e strukun e plot mshehtësi e poezisë popullore dhe e poezis goethiane shijohet vetëm kur t’a percjellë bashkveprimi i ndigjuesit. Balada “A e njeh ti atdheun” âsht njí ankim gjith mshehtësi, shprehë prej njí vajze, së cillës i çohet peshë në zemër malli për atdhe: nuk diftohet gjâ mi gjendjen e kësaj, por poeti na ven para vetem kto fjalë: “Çka të bane ty o fëmi i shkretë, ç’ka të bane?”. Por a nuk të prekë, a nuk të permallon, a nuk të trandë kjo trajtë? Poeti nëpër pershkrimin e Atdheut të dishruem, çon peshë fantazin tonë; ai prekë në dishir e në mall të vetin për Atdhe e prekë edhe zemren e ndigjuesit, qi e kupton dhe e ndjekë, shtron në aq pak rreshta njí grimë histori, njí shekull plot mallní e lumní, rrenimet e tija, ashtu edhe krijimet e amshume, ato të pashlyeshmet e artit të Italisë. Si mund të paraqitet mâ me thjeshtësi dashnija qi e pa interesueme, ajo qi s’kerkon gjâ për vedi, si në shëmbëlltyrën e vjollcës, qi perkulet e bjen e panjoftun:
“E diqa pra – do të des i mend
N’për tê, n’për tê, nën kambët e saja”.
Sa i ndieshem âsht mandej në Goethe, në lirikën e tij, elementi muzikuer! Kush mundet me i deklamue poezit e tija për pa shijue njëherazi edhe melodit e tyne? E prandej vetë poeti u thotë miqve të artit të vet: “Pa lexue, gjithmonë tuj këndue / E ç’do thanie t’jet për ty. E prej kndej mund të kuptohet edhe pse Goethe pat mâ për zemer njí Zelter, Reichard e Kayser, se njí Bethoven e njí Schubert, pse të parët u unjisuene me ndiesi e mendime të poetit, iu bane krejt të vetat e paraqiten po njat muzikë qi poeti kishte pasë shtí në poezi të veten.
Prej çka rreshtuem në këtë studim të vogël mund të kuptohet lehtas se gjithë vetit e mira të poezisë popullore gjinden edhe në poezinë goethiane e këto dy poezi unjisohen edhe në këta se janë jo vetëm rojtare por edhe krijuese fjalësh, e sa do t’ia dijë gjeniut mâ të madh të vetit kombi german, mund të shifet kjartas prej fjalëve të Viktor Herns: “Edhe po të humbte kombi german deri në mâ të mbramin njeri, ashtu edhe gjithçka kje botue në gjuhën gjerman, po të pshtojshin veprat e Luterit e të Goethe-s, veç prej ktyne kishte me mujtë me u mëkambë prap gjuha në gjithplotsimin e vet”.
(1932)