Konstandini dhe Garentina…Kush i shkul gurët e varrit?
Sadik Bejko
Këngët e botuara nga De Rada më 1866 “Rapsodi të një poeme shqiptare” prej gati një shekull e gjysmë u studiuan nga autoritete të shquara si: De Garzia, Meyer, Dozon, Marchiano, Schamus, Camaj, Shuteriqi, Fico, Desnickaja, Altimari, M. Mandala etj.
Këto këngë mbeten ndër vlerat e patjetërsueshme të trashëgimisë sonë.
Janë me rëndësi se nëpërmjet folklorit kulturat janë përpjekur të ruajnë veçanësitë identitare dhe historike, të mbrojnë shëndetin psiqik të bashkësive përkatëse, të japin përgjigje të planit filozofik për pyetje të karakterit ekzistencial etj.
Këngët folklorike, veç të tjerash, u kanë dhënë përgjigje pyetjeve në dukje mistike, pyetjeve që lidhen me qëndrimin e njeriut ndaj vdekjes, ndaj njerëzve të dashur që na vdesin. Sa duhet të zgjatë zija? A duhet të përpiqemi t’i sjellim, t’i thërrasim të vdekurit prapë në jetë? A duhet shkelur kufiri mes të gjallëve dhe të vdekurve?
Le ta shohim më poshtë në shqyrtimin e dy ‘rapsodive’: ‘Konstandini dhe Garentina’ dhe ‘Cili është mëkati yt’ se ç’përgjigje u jepet këtyre pyetjeve në këngët popullore arbëreshe.
Konstandini dhe Garentina ka si subjekt ngritjen e të vdekurit nga varri, ngritjen e një të vdekuri ngaqë ka mbetur peng i fjalës së dhënë. Motivi është ndër më të njohurit dhe në popuj të tjerë të Ballkanit. Është folur dhe shkruar shumë se kjo baladë sjell motivin e besës, një institucion i kodit të lashtë shqiptar të fjalës së dhënë. Të bëheshe dorëzanë, të jepje besë e vije veten në një nyje tragjike, merrje përsipër rrezikun për vdekje të dikujt tjetër. Besa kështu merrte vlerë përmbi jetën a mirëqenien tënde.
Në këtë baladë besa vjen si një peng që nuk zgjidhet as nga vdekja. Ndërhyrja e vdekjes në jetë, ngritja e përkohshme e të vdekurit për të vënë në vend një premtim, sjell si pasojë shtimin e vdekjeve. Vdesin dhe nëna, dhe e bija, dy të vetmet që kishin mbetur gjallë. Por nga një rezultat i tillë besa, si institucion merr rëndesë, gjallon, merr jetë. Ajo afirmohet pikërisht kur mbajtja e fjalës së dhënë ka si kusht edhe mortin, mbjell mort. Lartësohet në apoteozë, ngrihet mbi jetën dhe përmbi vdekjen e secilit.
Në një kuptim të dytë, siç është thënë dhe shkruar, kjo baladë sjell temën e një dashurie të paplotësuar nga ndërhyrja e vdekjes. I vdekuri, këputur nga krahët e së dashurës, thyen ligjet e natyrës, ngrihet nga varri, rigjen dashurinë e gjallë, e merr mbi shpatullat e vdekjes, e merr mbi kalin e vdekjes.
Në përputhje me mendësinë e mjediseve patriarkale shqiptare të kohëve, dashuria burrë-grua, në këtë baladë është zëvendësuar nga dashuria e vëllait për motrën. Në balada të popujve të tjerë (gjermane ose ruse) dhëndrri i vdekur ngrihet e përqafon nusen e gjallë.
Për hetimin e kuptimësisë së baladave është përdorur si çelës zbërthimi i simbolikës. Në ‘rapsodinë’ Konstandini dhe Garentina lënda e baladës është e mbushur me simbolikë, me ‘logjikë’ të ngjarjeve si në subjektet e ëndrrave të gjumit. Nëse në ëndrra ke udhëtuar me një grua\burrë të vdekur, ke realizuar një dashuri të pamundur, ke shlyer një peng zemre që të mbante lidhur.
Si me shpjegimin mbi motivin e besës, ashtu edhe në atë mbi plotësimin e një dashurie të pamundur… nuk i kemi thënë të gjitha. Një shpjegim i tretë mund të titullohet: ‘Mirësia që vjen prej vdekjes’. Në një situatë të dendësuar nga vdekjet (nëntë djem, nëntë nuse, nëntë nipa) vdekja, si e penduar, do të bëjë një të mirë: nis njërin nga të vdekurit të bashkojë nënën me të bijën, dy gratë, të vetmet që kanë mbetur gjallë.
Rezualati është tragjik, ndodh e kundërta e synimit: vdesin edhe këto të dyja. Misionari nga bota e të vdekurve sjell me vete virusin vdekjeprurës. Këto botë, ajo e të gjallëve dhe ajo e të vdekurve, nuk duhet t’i shkelin kufinjtë ndarës midis tyre.
Edhe me këto shpjegime mbase kësaj balade kurrë nuk do t’ia kemi shterrur kuptimësitë. Ajo mbetet një thesar me peshë të rëndë në kulturën tonë. Ky mister i kuptimësive ende të pazbërthyeshme mbase e prodhon dhe larminë, dhe shumësinë e varianteve të saj në Jug e në Veri, andej e këndej brigjeve.
Në ‘rapsodinë’ më titull ‘Cili është mëkati yt’ prapë shkelet kufiri mes të gjallëve dhe të vdekurve, por në kah të kundërt me baladën e ‘Konstandinit dhe Garentinës’. Patkoi i kalit të djalit çan mermerin e varrit, bie drita në varr, ‘shkund vdekjen’ dhe zgjohet ‘vasha e bardhë’. Me erën e mykut e të dheut vasha do puthjet e të gjallit. Puthen tri herë. Djali është infektuar nga vdekja: retë e qiellit i lënë hije në zemër. Rrëfehet dhe kungohet në kishë. Prifti i thotë: Harroje bir, se edhe zoti do të harrojë.
Edhe në këtë rast, sipas logjikës onirike, kemi përmbushjen e një dashurie të ndërprerë nga vdekja. I gjalli është kaq i dashuruar, sa guxon ta ndjekë edhe në varr të vdekurën. Ta puthë pa fund të dashurën edhe me erën e mykut e të dheut. Nuk është nekrofili, është dashuri. Prifti anashkalon mëkatin dhe i jep të riut të dashuruar një këshillë prej filozofi: harroje të vdekurën, jeto me të gjallët. Shkelja e kufirit vdekje-jetë mund të sjellë vetëm vdekje të tjera.
I gjalli nuk duhet të hipë në kalin e të vdekurit: ‘Kini parë a s’kini parë/shkon një zogë bishtbardhë\i vdekuri me të gjallë.’ Ky është alarmi, klithma, parandalimi i gjëmës: mos, rrini larg. Secili në botën e tij. I vdekuri, po të ringjallet e infekton gjalljen, jetën, vetëm me varre të rinj.
Këtu vijmë te përgjigjia e pyetjes që shtruam në fillim: a duhet shkelur kufiri midis të gjallëve dhe të vdekurve? Ka vallë ndonjë motiv shoqërisht madhor, (atdheu, besa etj), ka ndonjë motiv thellësisht intim (mistik dhe sublim njëherësh), shtysë të tillë që duhet ta hedhë të vdekurin jashtë varrit drejt e në krahët e të gjallit?
Nga shqyrtimi i baladës ‘Konstandini dhe Garentina’ vërejmë që nëna në krye të baladës ankohet ndaj Konstandinit, ndaj birit të vdekur, por dorëzohet e thotë ‘besa jote nën dhe’. Nënkuptohet që vdekja e ka çliruar të birin nga fjala e dhënë, vdekja e njeriut, e vret, e vdes besën. Jo e kundërta, siç thuhet nga krijuesit e miteve, që me gjame besa mbetet mbi vdekjen, besa e ngjall të vdekurin.
Në fund të baladës nëna thotë: ‘Kush të solli, bija ime?’… ‘Konstandini im ka vdekur’, pra, theksohet edhe një herë se nuk pritet besë nga i vdekuri.
Atëherë, kush i shkul gurët e varrit? (Kush e solli Doruntinën?) Është aspirata e vjetër e njeriut, dëshirimi: “Ah të shihemi edhe një herë, të flasim, të takohemi prapë” me të dashurin që e kemi humbur për gjithmonë. Kjo e ngjall të vdekurin. Në art dhe në ëndrrat e gjumit kjo dëshirë e vjetër sa njeriu vazhdon ende t’i thyejë kufinjtë midis vdekjes dhe jetës.
Gjumin dhe artin nuk i komandojmë dot. Në jetë çfarë ndodh? Kulturat e ndryshme kanë përpunuar rite që të vdekurit e të gjallët të mbahen në largësi nga njëri-tjetri. Në Shqipëri, për të nderuar të vdekurin tradicionalisht bëhen të tretat, të shtatat, të dyzetat, gjashtë muajt, viti dhe këtu zija mbyllet. Pastaj ndizet qiri, kujtohet me raste… Të moshuarit kujdesen që edhe zija, edhe të qarët e grave duhet të jenë të kodifikuara dhe nën kontroll.
Nëna e Konstandinit bën gabim, kur kërkon ndihmën e të vdekurit, kthimin e të vdekurit në jetë. Nga kthimi i të vdekurit, ose si në rastin e dytë nga nxjerrja e gjumit e puthja me të vdekurin, pasojat dihen. Harroje, thotë prifti.
Baladat me kohë na e kanë dhënë përgjigjen e pyetjeve për dje dhe për sot.
Vërtet?
Në botën e sotme të globalizmit, në klimën e hedonizmit dhe të konsumizmit , siç thuhet, mbase nuk shtrohen më pyetje për thyerjen e kufinjve vdekje-jetë. Në epokën tonë nuk ke kohë të kthesh kokën pas, lëre të merresh me të vdekurit. Mbase, mbase… por në të dy këngët që shqyrtuam, ‘Konstandini dhe Garentina’ dhe ‘Cili është mëkati yt’, motivi themelor është dashuria.
Vallë dashuria sot ka ndryshuar?
Sa ka ndryshuar?
Njeriu i sotëm pa dashuri është?