Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk ka ambasadorë idealë

Ruben Avxhiu

PD duhet të përqendrohet më mirë në përpunimin e mesazheve dhe taktikave e saj – asnjë betejë politike nuk është fjala e fundit

 

Prirja e politikanëve shqiptarë, sidomos kur janë në opozitë, por nganjëherë edhe në qeveri për t’i trajtuar ambasadat si një problem në marrëdhëniet me vendet që përfaqësojnë është njëkohësisht e mirë dhe e keqe.
Është e mirë sepse në raste kur ambasada bën një deklaratë që nuk u pëlqen militantëve partiakë, ata shfryjnë dufin e tyre emocional, që në Shqipëri është shpesh i skajshëm, kundër një ambasadori apo ambasade dhe jo kundër një vendi të rëndësishëm mik apo të një institucioni aq të rëndësishëm sa Bashkimi Europian.
Kjo krijon një hapësirë mbrojtëse pa dëmtuar marrëdhënie që do t’i vlejnë shumë nesër pikërisht partisë së militantëve të çoroditur.
Nga ana tjetër, kjo është negative sepse është një mbyllje sysh përpara realitetit. Ndonëse ambasadat kanë hapësirë manovrimi, ato në thelb respektojnë dhe përfaqësojnë atë që vendi apo institucioni i tyre pret nga Shqipëria.
Më shumë se 25 vjet pas rënies së komunizmit, politikanët shqiptarë ende e kanë vështirë të gjejnë mënyrën e duhur për të komunikuar me diplomatët e huaj. Një faktor dëmtues mund të jetë se politikanët aty i trajtojnë shumicën masive të diplomatëve shqiptarë si njerëz pa peshë, opinion dhe vendimi i të cilëve mund të përmbyset pa asnjë problem.
Jam kurreshtar për shëmbull, se mesa diplomatë profesionistë (jo nga ata të emëruarit politikisht e me nepotizëm) u këshillua kryetari i PD-së, Lulzim Basha apo kryeministri Edi Rama, për mënyrën sesi do t’ua arsyetonin ambasadorëve perëndimorë qendrimet e tyre për reformën në drejtësi.
Një transkript i botuar në “Panorama”, për një debat në kryesinë e PD-së, kishte një moment interesant, kur Eduard Selami ndërhyn me shumë kujdes, për të pyetur nëse përplasja e hapur me ambasadoren e BE-së është rruga më e mirë për partinë.
Ndërhyrja e tij u shpërfill, duke nisur nga vetë kryetari Basha dhe pastaj nga ish-kryetari Sali Berisha, që shpalosën argumentet se pse PD ka të drejtë dhe sesi politika e jashtme e BE-së po keqinformohet nga një ambasadore në terren.
Politikanët shqiptarë harrojnë shpesh se të kesh të drejtë dhe të fitosh janë dy punë të ndryshme. Edhe nëse e beson se PD ka të drejtë në pozitat e saj dhe që ambasadorja është e njëanshme, këto nuk janë arsye për ta sulmuar hapur ambasadoren. Një hap i tillë duhet të paraprihet nga diskutimi i rezultateve që mund të sjellë sulmi, nga çfarë fitohet dhe humbet me të. Të pasurit të drejtë nuk duhet ta mbyllë diskutimin, duhet ta inkurajojë.
Nuk e di se kush ka qenë arsyeja e ndërhyrjes së Selamit. Mbase ishte thjesht instikti i njeriut të kujdesshëm. Po besoj se minimalisht, Basha e Berisha duhej të ishin ndalur pak më gjatë, për të diskutuar dy-tre minuta të mirat dhe të këqiat që vijnë kur zhvendosesh nga çështja dhe sulmon legjitimitetin e një ambasadori.
Leksioni se PD ka të drejtë nuk mjafton. Debati duhet të jetë si ta bëjmë që të fitojë e drejta dhe bashkë me të edhe PD. Nëse qeveria fut në fuqi reformën sipas versionin që dëshiron, nëse imazhi i PD-së dëmtohet në sytë e votuesit dhe partnerët ndërkombëtarë, a ka rëndësi nëse ka në thelb të drejtë? Mbase po. Mbase ia vlen humbja e mundësisë për të pasur më shumë rol në drejtësi, apo simpatia e diplomatëve, madhe edhe vetë rikthimi në pushtet, nëse kjo siguron që parimet të mos shkelen kurrë.
As mua e askujt tjetër nuk i takon t’i tregojë PD-së dhe opozitës shqiptare se çfarë duhet të mbajë si më të shtrenjtë dhe për çfarë duhet të synojë. Por, në diskutimin e zbardhur dhe që çuditërisht përfundoi në “Panorama”, ku mund ta lexonim të gjithë, nuk ke si të mos vësh re, mungesën e diskutimit, qoftë edhe për hir të debatit dhe kurreshtisë intelektuale e strategjike, se çfarë rrugësh të tjera mund të përdoren. Çfarë pasojash negative mund të vijnë nga goditja e një ambasadoreje? A do të trembet ajo nga shkarkimi dhe do të bëhet më e paanshme? A do të armiqësohet dhe nëse nuk e ka bërë deri tani, do të fillojë vërtet ta baltosë PD-në në raportet e saj? A do të reagojë BE duke e hequr për të sjellë dikë më të besueshëm nga të gjitha palët? Apo BE do të fillojë ta shohë PD-në si një forcë me potencial anti-BE e anti-demokratik si shikon disa nga partitë që janë në pushtet në Hungari, Poloni etj?
Ndoshta debate të tilla janë bërë në mbledhje ku trankripti nuk është dërguar për botim. Por nga ajo pak çfarë lexova nuk dallova dot ndonjë shenjë se këto janë tema të rrahura më parë. Më shumë më duket, një refuzim për t’u marrë me banalitetin e taktikave politike, pavarësisht se ai është shtegu nga shkohet tek fitorja.
Ky shkrim, ashtu si shumë të tjerë që shkruaj për politikën shqiptare, nuk synon të diskutojë se cila palë e politikës ka vizionin më të mirë, por më shumë interesohet për mënyrën që veprojnë ato për të siguruar fitoren e versionit të tyre apo për të siguruar një kompromis të pranueshëm për qendrimet e tyre.
Pavarësisht nëse ka një vizion më të mirë apo jo për reformën në drejtësi, realiteti është që pas takimit të dështuar Rama-Basha, ambasada amerikane ka mbajtur anën e qeverisë dhe nisur nga kritikat për ambasadoren e BE-së, të njëtën gjë duket se ka bërë edhe ajo.
Pra përfundimi është se qeveria ka fituar 2-0 në betejën për të bindur ambasadorët.
Pse mbajnë ambasadorët anën e qeverisë në këtë moment. Arsyetimi i ambasadës amerikane është se opozita po tregohet joelastike. PD kanë fajësuar njëanshmërinë e të paktën një prej ambasadave.
Ka vëzhgues që shohin te këto debate më shumë një përpjekje nga partitë për të përfituar politikisht sesa për reformë. Sipas këtij këndvështrimi, PS në pushtet kërkon sa më shpejt reformën për të larguar sa më shumë gjykatës që i sheh si të afërt me PD-në, pavarësisht se flet në emër të reformës dhe i qan hallin ligjit. PD nga ana tjetër druhet pikërisht se do të humbasë gjykatës me të cilët drejtuesit e saj kanë besim dhe ndikim, ndërsa do të ndodhë vendosja e gjykatësve që do të ndikohen më shumë nga e majta. “Kapja” e famshme për ka hyrë në fjalorin politik të ditës. Në zemër të problemit mund të jetë mosbesimi i partive kryesore të njëra-tjetra. Sigurisht, diplomatët duhet të kujdesen këtu për të reflektuar nëse po bëhet një shndërrim thelbësor apo po zëvendësojnë një ndikim politik me një tjetër.
Një tjetër rrugë arsyetimi mund të jetë që PD është më e interesuar për ruajtjen e një imazhi të saj si shpëtuese e popullit nga kriminelët dhe hajdutët në qeveri, sesa për ligjërimin e reformës. Nga një kërkim jo shumë shkencor në rrjetet shoqërore, në internet, duket se socialistët kanë qarkulluar më shumë një foto të takimit Basha-Rama ku pjesëmarrësit janë duke qeshur, ndërsa opozitarët kanë preferuar një foto ku të gjithë janë seriozë, në mos të ngrysur. Rastësi apo perceptim i qendrimit politik që duhet mbajtur? A do të votonin më shumë shqiptarët për PD-në nëse bën kompromis për hir të reformës, apo nëse nuk tundet nga qendrimet e saj. Në fund të fundit, pse duhet PD të dorëzohet në një fushë ku koalicioni PS-LSI është sipas saj më i dobët se kurrë. Sidomos pas skandaleve të fundit, me deputetë e kryetarë bashkie.
Në një plan më praktik, reforma është vonuar 25 vjet. Nëse vonohet edhe një vit më shumë ndoshta ajo do të aprovohet kur PD të jetë rikthyer në pushtet dhe do të ketë rolin kryesor në zëvendësimet. Po a do të pranonin ambasadorët lojën e vonimit të reformës? Dhe kush siguron që PD do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme? Modeli i dy dekadave të fundit u jep nga 8 vjet partive kryesore në pushtet.
Edhe ambasadorët vetë mund të jenë nisur gjithashtu nga arsye praktike. Ata ndoshta kanë arritur në përfundimin se të pajtosh dy partitë kryesore është mision i pamundshëm. Në vend të kësaj, mund të kenë vendosur thjesht që ta aprovojnë dhe aktivizojnë reformën, në versionin e menduar dhe pastaj ta aktivizojnë. Korrigjimet e nevojshme që dëshiron PD mund të bëhen më vonë, ose PD do të detyrohet ta pranojë në fund ashtu siç është.
Nëse kjo është arsyeja atëhere vendimi i tyre për të përqafuar qeverinë mund të jetë thjesht rezultat i një llogarie aritmetike. Është më lehtë të formosh një masë votuese në Kuvend, duke u nisur nga numrat e shumicës dhe duke grisur e joshur deputetë individualë nga opozita, sesa duke u nisur nga numrat e opozitës e duke tërhequr gati gjysmat e deputetëve nga shumica.
Nisur nga arsye praktike apo parimore, vendimi i ambasadorëve është normale dhe e pritshme që do të trajtohet nga qeveria si një legjitimim i politikës së saj të drejtë lidhur me reformën dhe si vërtetim i ankesave të saj për opozitën.
Ndërsa për PD-në mundësitë e reagimit janë disa. Dhe ndërsa i takon vetëm asaj të vendosë se çfarë do të zgjedhë, sulmi ndaj ambasadorëve do të ishte një lloj dorëzimi. Edhe nëse nuk ka kthim në vendimin për reformën e drejtësisë, PD duhet të mendojë për betejat e ardhshme politike. Reforma në drejtësi nuk mbaron me një votim në Kuvend. Ajo aty fillon.

Please follow and like us: