Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Troja pas kalit (3)

Pjesa e tretë dhe e fundit

Priami

Priam, apo Prijsjam, i Parë, nuk ngjan fare me atë të gjuhës Luviane, e cila ishte gjuha e folur në atë copë tokë të quajtur Dardani, do të thotë, “trim i rallë” dhe as i afrohet asaj së greqishtes së lashtë Priamai, që ka kuptimin “me ble”, me qenë se e motra Hesiona (Eshtjona) ia bleu Herkulit, kur pushtoi për herë të parë trojet e Trojës, kur e shpëtoi nga përbindëshi i Poseidonit, sepse i ati, Laomedoni, zot i Dardaneleve, s’i dha të bijën për grua, siç i kish premtuar. Në atë kohë Priami, ende i vogël dhe kokëulur, quhej Podarkes (Pordhalec). Ç’rëndësi ka se ç’origjinë kish mbreti! Ish ilir nga Dardania e vjetër, pranë Thebës, apo Trojan në Dardaninë e re. Mbretërit, kudo, janë njësoj.

Homeri, i gënjyer po aq i madh sa dhe gënjyes, e tregon plak, të pafuqi, zemërdhembshur, trim dhe fisnik, në vajtimin dhe lutjen për ta varrosur me nderime Hektorin. Por, të më falë, Apolloni dhe Afrëdita, Zeusi i madh pelazg, por dhe unë si vëllezërit e mi, nuk i hamë këto dokra. E vërteta është ndryshe. (Cila e vërtetë?) Paskish qenë i egër, i pacipë, i poshtër, i mefshtë, se Laokontin e shuajti me rrënjë, të bijën e shiti, vrau me dorën e vet, pesë nga bijtë e tij, shkatërroi këdo që e kanosi dhe fare pak. Gënjeu ku dhe sa mundi! Ndërtoi një mur të lartë të pakapërcyeshëm dhe një pallat-tempull, me shtatore, për ta gëzuar sa ish gjallë. Adhuronte vetëm një, Hektorin dhe përbuzte e tallte me cinizëm këdo tjetër, sa një nga bijtë e tij, që ish kaq i shëndoshë sa s’kish kalë që ta mbante, e shpalli me cinizëm Mjeshtër të Kalit.

Dhe të ziun Hektor, e deshi, jo për tjetër, por se i kujtonte veten. E varrosi me lavde se i duhej dhe i vdekur. Nuk iu dhimbsen as fëmijë të tjerë, që ia therën përpara syve, as Troja që digjej në çirrme, por veshi parzmoren e artë dhe u fsheh në Tempullin e Zeusit, ku dihej, do të qe sakrilegj ta preknin.

E vrau i biri i Akilit, pa dyshim Iliro-shqiptar, duke e tërhequr zvarrë jashtë derës së tempullit, se Priami, pabesisht e qëlloi me hushte në tempull. Epshor deri në dhimbje. Hekubën e kish grua dhe zonjë Makbeth. Mbarsi Andromakën, bijën e Thebës, e dashura e Kalipson, bashkëshorten e Hektorit. Eh, Laokonti e dinte, oborri dhe bijtë e mbetur po ashtu. E urrenin dhe e përbuznin, e dinin se ish ai, që pabesisht ua shiti Trojën grekërve, e jo Kali Trokë barkbosh, të shpëtonte veten.

E megjithatë, faj, s’kishi veç Priami mbret.

Përjashtimi

Troja, nuk ish aspak e veçantë. Plot shtete-kombe të tjerë, të mëdhej e të vjetër ranë një pas një. Disa me mbretër të fortë si Sparta, e disa me demokraci të çoroditura si Athina. Popuj nga më të ndryshëm, përjetuan sa njerën, tjetrën dhe ende, në një pështjellje, diku në kohë, herë humbasin e herë shfaqen. As Gjermania pas Mbretërimit të Tretë, nuk ishte përjashtim, kush e mendonte, se do kryheshin gjithë ato shfarosje nga ai popull kaq i qytetëruar, në qendër të kontinentit europian.

Arsyeja: Një popullsi me një klasë të mesme, shumicë, të dobët, përballë një shteti të plotfuqishëm, që bindjen ktheu në traditë, nacionalizmin në mënyrë të menduari, çoi në një sundim total të shtetit-mbret mbi çdo njeri, pavarësisht se çfarë petkash a ngjyrë kish. Makinës shtypëse, askush s’i bënte ballë.

Sigurisht, dhe pse të fuqishëm Laokontët nuk mjaftonin. Një shumicë, po! Sipas Karl Jaspers, kjo arrihej “me një transformim nëpërmjet vetë-edukimit, reflektim mbi fajin e vetes, duke forcuar e përforcuar kështu përgjegjësinë e individit”! Është pikërisht kjo, më e vështira, e vetmja mënyrë për të shëruar një popull. Sigurisht, një komb i përparuar e arrin këtë, me disiplinë dhe vullnet, në një kohë shumë të shkurtër brezash, siç ka të tjerë që zvarriten dhe s’e arrinë kurrë. Ndërrimi i xhaketës kaki apo asaj prej doku, si partitë me emra pikante, nuk mjafton, si heqja e monumenteve, përrallave, parrullave, librave shkollore, festave e çdo gjë tjetër të asaj propagande, si dhe burgosja e kriminelëve.

Të gjitha këto duhet të bëhen për të rritur përgjegjësinë individuale në pjesëmarrjen aktive në qeverisjen e vetes dhe të tjerëve, sipas Ligjit Themeltar. Demokracia vdes çdo herë, kur edhe një pjestar i shoqërisë e mohon dhe flak këtë përgjegjësi. Jemi të gjithë fajtorë. Në të kundërt ndodh Katovica dhe shteti shtyp dhe nuk lë askënd të marrë fryme. Pallati i ëndërrave do vazhdojë të bluajë ëndërra.

Demokracia, ka dinamikën e saj, jeton në atë lëvizje, ndryshe kthehet në dogmë. Shembulli gjerman tregon pikërisht këtë evoluim të pa ndalë, nga çrrënjosja e nacionalizmit të sëmurë (për të cilin do flasim përsëri), në krijimin e demokracisë në bazë të ligjit, në një demokraci morale, ku parimi bazë janë të drejtat e njeriut dhe individit, në një demokraci të integruar europiane. Ajo, nuk erdhi vetiu nga përtej oqeanit. U arrit në shkolla, universitete, në qendrat e kulturës amerikane, në debate publike dhe diskutimet në çdo qelizë të shoqërisë, si dhe nën presionin dhe kundërshtimin e Minotaurit-shtet. Shkëmbime mendimesh, marrëdhëniesh njerëzore, protesta dhe kundërshtime paqësore, grupime në sheshe kundër çdo shkelje të së drejtës qytetare, skalitën atë çfarë u ngrit nga gërmadhat e diktaturës më të egër që ka parë historia. Kushdo tjetër duhet ta kishte më të lehtë. Ata që s’e bëjnë nuk meritojnë dhe nuk do të shijojnë frutet e saj.

Ne

Vitet 70-të, mbërritën në Shqipëri si një valë e tërthortë, tretësore nga televizioni italian, e vetmja dritare e asaj kohe, dhe nëpërmjet përmbledhjeve të shtypit perëndimor që përgatiteshin si antipropagandë imperialiste, kur në të vërtetë ish një lëvizje që përfshiu thuajse gjithë planetin, (në Korenë e Veriut, s’ndodhi asgjë), ku shtresa më aktive ishte rinia dhe sidomos ajo universitare. Ajo rini, s’ish vetëm kundër luftrave dhe çarmatimit bërthamor apo për drejtësi shoqërore kundër segregimit racor apo gjinisë, në Gjermani, ishte një lëvizje për mendimin e lirë dhe kundër censurës dhe sundimit të plotëfuqishëm të rektoratit. Lindi, diku në një zonë a qytet, por tërhoqi pas vetes shoqërinë e asaj kohe, dhe i dha fund mendësisë së nacionalismit të shtetit të vjeter, dhe asaj të atij brezi të mësuar tashmë me gjendjen e pandryshuar prej afro tridhjetë vjetësh. Ishte kjo lëvizje që zbrapsi superfuqitë, i bëri të përkulen nën zërin e saj dhe vazhdojnë ta dëgjojnë.

Në Trojen e dytë pas kalit, tek pjesa Ata, në gjithë këtë histori ngritje, fare pak ose aspak, në atë literaturë që lëçita, përmenden kryeministra apo kryetarë partish. Këta s’ishin tjetër, veç kanoçe zhurmëdha lidhur tek makina e martesës, thërrisnin për atë që ndodhi. Emra të tillë si Karl Jaspers (filozof), Raymond Daniell (gazetar), Julius Ebbinghous (psikolog), Gunter Grass (shkrimtar), Heinrich Boll (shkrimtar), Rolf Hochhut (dramaturg), Peter Weis (dramaturg), Theodor Eschenburg (gazetar) dhe Eugen Kogon (sociolog dhe historian) themeluesit e shkencës së demokracisë, si lëndë në universitet, si dhe shumë e shumë të tjerë, që u kthyhen nga emigracioni për të ndërtuar, gurë pas guri Gjermaninë e Re, janë skalitur, pa medalje, në ndërgjegjen e popullit. Rrëzimi i murit të Berlinit, nuk pengoi, por përkundrazi nxiti krijimin e një klase të vërtetë politike, që mëshironte brenda saj më të mirën e të gjithë atyre që morën pjesë në krijimin e Kombit Paskombit. Ndër një sërë, shquhet Angela Merkel, që u rrit dhe u edukua në një regjim shtypës të tipit sovjetik, GDR. Vendi nuk mund të bëhej pa njerëz të tillë, me po ata mendësi, me po ato parti, dhe aq më pak pa pjesëmarrjen e pjesës më vitale të shoqërisë, asaj pjese apo të tërë që nuk duhet kurresesi të heshtte.

I panjohuri

Këto ditë më ra në dorë një libër i shkrua kohë më parë, për një kohë kur dhe dashuria më e pastërt, jo siç e kërkonte regjimi, quhej herezi. Autorin e kam njohur shkarazi në rininë time, një djalë fjalëpak dhe i përkushtuar, që vdiq i heshtur, me një buzëqeshjen të hidhur, në një dhomë, andej nga Tirana e Re. Libri titullohet ‘Ne’, i autorit, Besart Varfi dhe flet për jetën e një heroi të paemër, që mundi të luftojë për vete dhe për atë që dashuroi, në mënyrën më njerëzore dhe më të heshtur. Vuajti si shumë ushtarë të panjohur, që s’morën nga lufta asgjë, veç plagëve të tyre. Disa si rrëkeza shrapneli, disa si faje për atë që s’bënë, që heshtën kur duhet të thërrisnin, që u përkulën kur duhej të ngriheshin, kur ecën vetëm, duar lidhur pas shpine, kur duhet të lidheshin grusht. Janë ata që vetë pranojnë vetëfajin, janë ata që rrëzuan bustet brenda vetes, janë ata që as varret dhe as kohë e shkuar, s’i mori e s’i mbajti dot, ata që vërtet bënë historinë, pa i përmendur kurrë askush. Ushtarët e panjohur, që njohën dhe flijuan veten, pa zë.

Prolog

Troja e shtatë ish tjetër. Në vend të gurëve ciklopike deri në re, dikur të pamposhtur dhe krenarë, qëndronin disa mure të rinj, prej balte, që formonin një rreth shtëpish të mbuluara me kashtë. Diku aty, ku dikur ngrihej pallati mbretëror me simbolet dardane, kish mbetur një rrëpirë plot pluhur e disa kaçube të thara plot gjemba. Rrugët dikur të drejta e të veshura me gurë të latuar me kujdes, ishin rrjepur aty këtu nga pellgje të tharrë, rrëke që gjarpëronin diku në një rreze, përgjate murit, dhe humbisnin, si gjurmë lotësh, në hulli përrenjsh shiu…

Atje përtej, shtrihej Ylljoni. Në faqe të Idës, në liqenin e kthjellet kristal, si ai i Lurës albane, qiellin shtrëngoi në dorë, sa uji i akullt ndjeu ta përvëloië. Për një çast mbylli sytë. Bjeshkën thithi thellë. Trojën pa, të vezullonte brenda tij. Trojën, pa makthin vrastar. Trojën e Re!

Please follow and like us: