Albspirit

Media/News/Publishing

Sotir ATHANASI: Kryqi i Anës, Via Dei, profesori tragjik petroninas, unë dhe të tjerë

 
PJESA E PARË
 
Semafori u hap.
Një qen endacak na preu rrugën në vijat e bardha, u hodh tutje në trotuar i pa trazuar dhe ne, menduam se kishim ardhur në një botë, tejet humane ku, kryet e vendit e zotronte rregulli e sidomos, harmonia. U ulëm në një nga stolat e lulishtes. Sheshi qe i madh e plot me ndenjëse të gjata druri të cilat, ishin të zëna nga qytetarët si të qe mbrëmje dhe jo orët e para të ditës, karakteristikë kjo e një qyteti të madh, menduam ne.
Qëndronim të heshtur: unë, nëna dhe babai. Familjes sonë i mungonte motra, pesë vjet më e vogël e cila kishte nisur shkollën si dëgjuese.
Rinim secili në botën e vet. Mendjet tona kishin të përbashkët trazimin. Se kishim ardhur në një vënd të huaj dhe si i thonë fjalës: “s’ishin, as në Tokë e as në Qiell”. Sa i përket gjuhës, babai diçka dinte nga vitet e fëmijërisë, që ia kishte mësuar nëna e tij. Ne të tjerët, nga pasiguria, mund të themi se bëlbëzonim e nuk flisnim.
Në krye të sheshit, aty ku niste rrethimi me ligustra dëgjohej mjaullima e një maceje. Kjo në fillim tërhoqi vëmendjen time. Më pas edhe të prindërve të mi. Në vijim, të gjithëve që ishim në atë shesh, na dridhëruan zemrën ato ciatje vajtimtare. Një motor erdhi e u ndal përkitas ku dëgjoheshin ato piskama maceje. Ishin dy vetë me kokore. Ai që zbriti i pari hoqi kasketën dhe na u shfaq pamja e një vajze me flokë disi të shpupurishur. Tjetri e ndihmoi shoqen të nxirrte nga nën’ndenjësja një shishe qumështi me biberon. Vajza u përkul dhe hodhi mbi pëllëmbën e dorës, disa pika tëmbli. Atëhere kuptuam se aty ndodhej një mace lehonë me disa të porsalindurit e saj, apo kotele, siç tha mamaja ime me një zë, sa mikluese, aq edhe të dhimbshëm. Nuk e di sa të tilla qenë, por proçesi i të ushqyerit, zgjati goxha dhe mua më bafasonte durimi i çiftit për këtë shërbim. Madje jo vetëm mua, sepse kjo përkujdesje na preku të gjithëve. Bindja se kishim ardhur kështu, në një botë tjetër: të begatë dhe humane, na u shtua të gjithëve. Këtë e tregonte edhe biseda midis njëri-tjetrit, vetëm me vështrim. Çifti me motor u largua dhe një zonjë plakë, si e harruar nga koha e si e braktisur nga fati, teksa po ndahej nga një tjetër zonjë bashkëmoshatare që mua m’u duk se ishte shqiptare, diç i tha (në italisht) me një zë trishtues. Im atë, që mund të na përkthente diçka, nga që fjalët u dëgjuan shkoqur,  nuk e kishte mëndjen, se në të gjithë hapësirën, u përhapën tinguj e një valsi. Kaq u desh që prindërit e mi, t’i mbështojelli pelerina e mallit.
 – Është “Kryqi i Anës”- tha nëna. – Isha vetëm dymbëdhjetë vjeç kur e kam parë filmin dhe s’do t’a harroj gjithë jetën.
– Kure unë, isha më i vogël nga djali ynë sot, – foli babai dhe  psherëtiu dhimshëm. Unë, vura re një pikë loti tinëzar në cepin e syrit të tij.
– Sapo kisha marrë maturën, – vazhdoi spjegimin . Ishin vitet ’59, ’60 dhe kjo muzikë, më kujton një histori tronditëse të shoqërisë ruse rreth dy a tre shekuj më parë. Një vals dehës dhe thuajse, i njëjtë me të familjes Shtraus.  Veçse, ajo melodi (kolona zanore e atij filmi), i shkonte çuditërisht përshtat asaj gjëndje shpirtërore që na kishte pushtuar të treve. Mbaj mend se ditën e Vitit të Ri, niseshim nga Tirana për në qytezën e vogël pranë detit, ku dhe ishte familja e gjyshes sime nga nëna. Qëllimi? Dëshirë për të parë Koncertet e Vjenës, të cilat edhe lejoheshin të ndiqeshin në Tiranë. Por aty, në provincë, qe e sigurtë shfaqja, nga që nuk funksiononte zhurmuesit, për arsye strategjike. Dhe të mendoni miqt e mi, se atë rrugë, (rreth dyzetë kilometra), e bënim e gjithë familja hypur mbi një biçikletë! Eh! Kjo është histori më vete. Kushedi se kur e ka rradhën të thuhet, nëse do të shkruhet…!
Por le të vazhdojmë tregimin tonë.
Ai që luante në fis’harmonikë qe rus. Virtuoz. Kjo vërehej, jo vetëm në lëvizjen e magjishme të gishtërinjve, por edhe në tingullin mahnitës që sillte hapja dhe mbyllja e harmonikës. Mjafton t’u them se në të gjitha stolat ku afrohej rusi, i hidhnin të holla. Edhe prindërit e mi të njëjtën bënë, edhe pse paratë i kishim me pikatore. Rusi buzëqeshte, falenderonte dhe instiktivisht iu afrua stolit ku, pesë metra më tutje, ishte e ulur ‘Zonja e harruar nga koha’. Dhe, befas, tingujt e instrumentit, u ndalën. U prenë si me thikë. Dëgjohej vetëm zëri disi i trashë, tejet i ndryshëm e melodioz i asaj Dive të moshuar. E më pas, edhe zëri tjetër, ai i rust, si të donte të zbuste vrullin e zëmërcoptimit nga thërrmimi.  Qe një duet i njëmendtë, miqt e mi. Në dy gjuhë të ndryshme. Përgjithësohej kësisoj drama e tekstit. Gjithçka fliste për Universalizëm.
Atë çast, sheshi sikur u pushtua nga një rrymë mendësie e një ndërgje-gjësim thuajse gjithë kozmik i ndezur që s’dihet se si u shkrep, ashtu siç, nuk mund të themi se si e ku do të shuhej… Pas kësaj, fisarmonicisti, nisi të luajë refrenin: aq këndshëm, aq bukur, aq dehës; si e zbritur nga qiejt.
Ai e rinisi strofën e fundit. Jo sepse gaboi. As sepse e morri rrjedha. Por se zëri i përhapur i ‘Divës së këngës greke’,  arriti, ashtu si një metal në nxehje, të kthehet në dritë. Po, miqt e mi. Zëri i saj, u shndërrua në instrument. E këtë rusi vazhdimisht, jo vetëm e harmonizonte me vështirësi në taste, por edhe me zërin e tij, ndonëse plot pasion me instrumentin DIVË. Qe buzuk, klarinë, apo violinë? Askush nuk mund të themi se ishte në gjëndje t’a përcaktonte. Por gjithsecili nga ne që e dëgjonim, qemë të bindur, se ai zë e ajo harmoni, nuk kishte asnjë gjasë të përsëritej më. Se vërtet qenë të shprehura në nota ata tinguj. Por këto përthitheshin nga ajo si rruaza, të cilat, përpara se të dilnin nga goja e saj, kalonin nga thellësitë e shpirtit për t’u shndërruar në Rruzare. Të tilla, me një tjetër valence, ato i drejtoheshin galaksisë si një lutje për më tepër humanizëm. E mbase edhe si një bekim me “Kryqin e Anës”.
Më në fund kënga mbaroi dhe njerëzit duartrokitën si në një mbrëmje gala. Qesja e varur te cepi i fisarmonikës, u mbush me dhrahmi. Hapat e mëtejshme të rusit e shpunë sërish te Diva e moshuar. Ai i puthi duart e rreshkura, ndërsa ssaj i qenë njomur ata faqe po aq eshkë sa edhe duart, në mos më tepër. Ne i shtuam duartrokitjet. Rusi tejet i këndellur.
Diva e RINGJALLUR, u mat të ngrihej në këmbë. Rusi nuk e la. Rrahjet tona të shuplakave, u shtuan. Ai e uli DIVËN me kujdesin e një vazoje të diamandtë dhe i zbrazi po me të njëjtin delikatesë, qesen me dhrahmi të fituara në atë…KONCERT.
Ne u ngrijtëm në këmbë me rrahje shuplakash që shkonin për DIVËN E KËNGËS GREKE, por edhe për VIRTUOZIN rus dhe humanizmin e tij. Ai, tanimë luante tjetër melodi: kishte marrë KAZAÇONË, për të zbutur sadopak, rritjen në shpirtin tonë të atij sythi melodramatik nga kolona zanore e KRYQIT të ANËS….
Midis nesh u fol një copë herë të gjatë për këtë dhe, halli për të cilin, edhe kishim ardhur, u harrua. Nëna, hapi çantën dhe nxorri që andej: bukë, domate dhe një copë djathi kaçkavall, që e kishim sjellë nga Tirana. I vendosi këto në një pecetë dhe na i ndau të treve. Nuk kishim përcjellë ende kafshatën e parë, kur na u afrua një tridhjetëvjeçar biond. Ai ngrijti pantallona për të zbuluar pjesën e kërcirit dhe ne pamë këmbën e majtë të djegur deri në gju. Bjondi fliste anglisht dhe kërkonte lëmoshë.
Unë, me aq sa kisha mësuar në shkollë e kuptova dhe e pyeta se nga ishte. Doli se qe polak. Dhe, ndërsa ai po shpërvilte edhe këmbën tjetër e cila, në mos qe gjithashtu po aq e djegur, e përcëlluar ajo ish. Polaku na tregoi se kjo i kishte ngjarë te motorët e anijes dhe se s’kishte shumë ditë që kishte dalë nga spitali. Veç kësaj, ai tha se e kishin nxjerrë të pa shëruar nga që ishte pasiguriacion. Shkurt, kishte punuar “NË TË ZEZË”.
Kuptohet, të gjithëve na preku kjo skenë. Kafshata që kishim në gojë u përzie me dhimbjen dhe lotët na zunë grykën. Veç së tjerash, pamë njëri -tjetrin në sy dhe si një fshikullimë na përshkoi pyetja: ç’e papritur të jetë rezervuar për ne? A do të jemi në gjëndje të përballojmë vështirësitë? Cilat do të jenë ato?
Nëna, si gratë, që prakticizmin e kanë dhunti, menjëherë u nda dhe preu një copë bukë dhe gjysmën e rrotës së djathit kaçkavall, të cilat ia mbështolli në një pecetë. Babai me një ton tejet të dhimbshëm i tha në greqisht polakut:
– Ku na gjete ne, mor djalë. Po s’kemi mbushur ende javën që kemi ardhur nga Tirana, mor bir. Se shitëm gjithçka kishim grumbulluar nga puna e një jete të tërë për këtë udhëtim me tre a katër boçe plaçkë, të cilat, vetëm na pengojnë për të lëvizur e ngulur gjetiu që…, e marrtë djalli e marrtë këtë kohë e këtë emigrim!
Polaku nuk e kuptonte mirë greqishten dhe unë nisa t’ia shpjegoja fjalët e tim eti. Por s’qe e domosdoshme ta shpija deri në fund përkthimin, se ai, me të dëgjuar fjalën Tiranë, pyeti plot shqetësim:
– Shqiptar jeni?
– Po.
– Durrësi? Kam qënë atje. O Zot! Deti, vaporët dhe njerëzit e hypur deri te direkt e mbi kullën e kapitenit…
Polaku, me një anglishte edhe më të çalë se timen, spjegonte, se ç’kishte parë në televizionin e Varshavës atë që kishte ndodhur pesë vjetë të shkuara në vëndin tonë dhe që do të hynte patjetër në histori si EKSODI BIBLIK I VITEVE ’90-të. Dhe që, shumëkush do ta quante të tillë nga që i shëmbëllente atij të hebrenjve dy mijë vjet më parë.
– Më falni, – tha polaku, – një mijë herë, më falni! – dhe me një zë të dridhur e prapsoi bukën, që tashmë, nëna ime ia kishte lënë në dorë.
– Jo zonjë, jo. Mbajeni! Ju do të keni më shumë nevojë. Unë do të rropatem edhe për ndonjë javë, sa të mbëledh të hollat e avionit dhe do të shkoj në Varshavë. Aty kam familjen. Kurse ju…– dhe ai këmbënguli që me patjetër ta kthente bukën. Veç kësaj, tha: -Më falni, por ju kërkoj leje të përpiqem për të lypur lëmoshë për Ju. Por dijeni, nuk keni përzgjedhur vëndin e duhur. Ky truall s’është i përshtatshëm për Farisej, por për Plebej.
Babai, sigurisht që nuk pranoi dhe tha diçka për “solidaritetin proletar”, të cilin polaku e mori për Solidarnostin e Gganskut. Prandaj, tundi kryet si me dhimbje dhe u largua.
Nëna mbështolli sendet e ushqimit dhe i futi në çantë. Ajo vuri re me zemërim se, nga tetë kokra domate që blemë në pazarin te Omonia, pesë prej tyre, shitësi i kishte futur të shtypura. Atëhere nëna i dha të drejtë polakut, ndërsa im atë spjegonte se ç’ishin Farisejte dhe Plebejte. Neve na iku kështu, jo vetëm oreksi, por edhe dëshira për të këmbyer me njëri-tjetrin. Takimin me polakun e morëm si një paralajmërim tronditës. Zemra na u bë hon.
– Kemi marrë pamjen e të mëshiruarit, – tha babai, por nëna nuk dha përgjigje. Unë isha ende i hutuar. Motori i shpirtit tim qe në “afolje”.
– Nga dhimbshuria s’ke se si të mbrohesh, – nisi sërish të flasë im atë. Ndryshe është fyerja, së cilës i kundërvihesh…
Ky qe çasti kur mbërriti njeriu që prisnim, i cili fare pa asnjë etiketë hyrëse, iu drejtua babait tim:
– Sapo u ndava me afendikonë dhe afendikeshën se i gjeta të dy. Ata, tani ju njohin dhe njëri prej tyre, do të vijë vetë të bisedojë.
Tha kështu dhe kaloi pëllëmbën e dorës mbi flokët e pahitur. Në gishta kishte dy unaza me gurë dhe dora ngjasonte me dorezën e boksit. Ai vetë i shëmbëllente shimpazesë. Mosha? Mbase një dekadë më i madh se im atë i cili sapo kishte shkelur të pesëdhjetat. Unë bëja çudi se si mund të kenë qënë vërsnike e shokë klase këta të dy, siç na kishte thënë që më parë im atë. Se, nuk qe ana e jashtme që e bënte në rastin më të mirë të ngjashëm me një detar. As mustaqet e thinjura dhe mjekra, jo vetëm e pa rruar e disi si e zgjatur. Por qenë edhe rrudhat në të dy faqet, të cilat i jepnin asaj fytyre, pamjen e hartave të Magelanit. Po t’u shtoje këtyre edhe të dy sytë e zezë të ngulur në zgavra si zgrafella të errëta dhe sidomos ato dritëzime si dy tryela në zhbirim, atëhere vërtet do të mund të bindeshim se kishim të bënim me një pirat të njëmendtë.
Babai sikur u hutua se, tjetri e nisi fjalinë në greqisht dhe e përfundoi në shqip.
– Domethënë, në qoftëse të kuptova drejt, ai tani na njeh dhe do të vijë të na takojë. Kështu?
– Po, – tha shqiptari ynë dhe shtoi: – Patentën Ndërkombëtare, besoj se djali e ka, ë? Edhe pasaportën me vizë, patjetër, ë?
Unë i nxorra menjëherë nga xhepi dhe ia tregova papritur që ai të përfundonte fjalinë.
Ai i mori në dorë dhe i hodhi një vështrim kinse rrëmbimthi. Por në të vërtetë e shfletoi faqe më faqe ashtu siç edhe bënë oficerët në të dy anët e kufirit. Gjithsesi ky, ndryshe nga njerëzit e ligjit, seç kishte në ato lëvizjet e duarve që i jepte pamjen e xhambazëve të kuajve në çastin kur i hapin gojën një thundrakëve për të parë moshën nga dhëmbët. Shkurt, ai dinte mirë çfarë kërkonte. Kur u sigurua, m’a ktheu:
– Në timon shpresoj të jesh i zoti, djalosh.
– Nuk besoj se e doni për gara, – ndërhyri nëna me një ton dukshëm të papërmbajtur dhe duke iu përgjigjur dyshimit me të njëjtën monedhë e madje, flakë për flakë.
– Edhe gara, mund të bëhen zonjë! Ky është tipari i kapitalizmit, – u kundërvu me një lloj qesëndisje dhe hukati duart krejt në mënyrë të panevojshme, ashtu siç bëjnë njerëzit veprime të pakontrolluara kur zihen ngushtë dhe duan të fshehin gjurmët e hutimit. Por në të vërtetë, fërkimi që u bënte duarve më tepër e nënvizonte se sa e fshihte atë që diç pikoi nga vetëm një fjalë. Mua m’u kujtua slogani i socializmit ku thuhej se “Në kapitalizmit, njeriu për njeriun është ujk”.
– Pra, tipi që ka nevojë për shofer, është i zoti i atij dyqani, ku shkruhet si në shqip: VIA DEI – spjegoi ai dhe ndërpreu fantazinë time në drejtim të zhbirimi se edhe ky tip robi, që hiqej se po na bënte nder, diku e kishte fitimin. Pra, në mos qoftë UJK, ÇAKALL, duhet të jetë. “Se, nuk më duket fill i përshtatshëm për thurrje, – do të thoshte gjyshja tiranase e shokut tim. “Ai s’është as për ind e as për majë”, do t’a mbyllte ajo dyshimin.
Gjithsesi, ky “ndërmjetës” na bëri të përqëndrojmë vështrimet tona te tabela e atij lokali. Bashkatdhetari ynë, një i arratisur nga vendi dy dekada më parë që, s’di se si rastësisht qe takuar me tim atë, u nda nga ne, pa na përshëndetur. Thjesht me një lëvizje dore. Ndryshe nga zakoni yni i shtrëngimit të pëllëmbës së dorës burrërisht. Madje, në ndonjë rast edhe me tundje të krahut. Në kokën e tij kare, tjetri diç kishte qethur nga Atdheu ynë. Veç kësaj, diç tjetër i qe ngjizur nga ky vënd, krejtësisht I huaj, gjë që mua, s’më binte erë të mirë. Ai qe tjetërbërë. Kjo më trembte dhe vinte te unë si kërcënim për të ardhmen time.
– Ç’të jetë ky dyqan? – tha im atë si të fliste me vete.
– “VIA DEI” ç’do të thotë? – pyeti nëna.
– “VIA DEI” është shprehje latine, – sqaroi babai. Grekëve u pëlqen e huaja kur është fjala për qëllime tregtare. Kam parë një shitore rrobash moderne, diku në rrugën ERMU, nën tabelën LUÇIFERI. Emërtim ky i huazuar nga Dante Aligeri. Kurse kjo lulishte, hyrja e së cilës, nis me atë lokal dhe përfundon me kishën, është mjaft e natyrshme dhe tepër e gjetur të emërtohet: “VIA DEI”, që do të thotë: “RRUGA E ZOTIT”.
“VIA DEI” poshtë, në katin e parë të një godine banimi, me ca ballkone tepër të bollshme binte menjëherë në sy.  Një grua, me një trup kaba por të dobët si një pelë katana, hapi portën e ballkoni dhe fare pa kujdes, i hodhi ushqim dy kanarinave. Kafazi i zogjve nuk ishte vendosur në mur, siç edhe jemi mësuar t’i shohim rëndom, në llozhat e pallateve. Jo. Ai qe mbështetur mbi një makinë larëse të prishur. Nga porta e hapur, u orvat të largohej një pëllumb i trembur dhe mezi ia doli. Nga përplasja e këmbëve të gruas rrangallë, u rrëzua një vezë në pllaka dhe u thye. Kishte gabuar pëllumbesha që kishte pjellur aty. Se ishte mëkat që, në një vënd të tillë, krejtësisht të pasigurt të shpresonte për të lindur pasardhësit e saj. Gruaja, as që e morri mundimin t’a pastronte vëndin, por zbriti poshtë dhe mua që më mbeti vështrimi te ky ç’rregullim, pashë se ajo u fut në dyqanin “VIA DEI”. Dhe për habinë e të gjithëve, kjo grua krejt ndryshe e parë nga afër, erdhi dhe foli me tim atë. Ishte pra afendikesha e atij dyqani. Ajo ra dakord me tim atë që unë të filloja punë të nesërmen. Pas orës dy mbasdite. Fjala qe për tre ditë: të premten, të shtunën dhe të djelën. Paga: po eci puna mbarrë, dhjetë mijë dhrahmi. Dakord?
Im atë pranoi menjëherë pa ditur se ç’do të thoshte “puna mbarë”, dhe sigurisht, pa pyetur se ç’pagë do të më paguanin në të kundërtën.
Sidoqoftë, le të shpresonim se punët do të shkonin mbrodh dhe unë, do të fitoja dhjetë mijë dhrahmi, pagë kjo e barabartë, për atë kohë, e puntorëve në ndërtim. Vegimi i së nesërmes, bëri që të vë pak buzën në gaz nga kënaqësia. Ajo grua si shëmbëllesë e dordolecit, megjithatë, ishte aq e zgjuar, sa edhe vanitoze, që t’a merrte këtë grimasë si një gjest të njëmendtë mirënjojeje e falenderimi që, s’mund të lexohej ndryshe, veç si i tillë, megjithatë.

ATË NATË BËRA NJË GJUMË TË TRAZUAR

 

Pjesa e dytë

Atë natë bëra një gjumë të trazuare me ëndrra të pakuptimta. Vetëm nga mëngjesi gjërat nisën të kthjellohen e mbase të ndërlikohen edhe më. Se u ndodha në studion e shokut tim piktor.
– Ti bën shtatore nudo? – e pyeta unë befas dhe i pataksur nga ajo që më shihnin sytë.
– Po, – tha ai, – ç’ka këtu për t’u çuditur? Aq më pak të ngrish e bëhesh statujë, siç ke marrë ti pamjen. Madje, dukesh i tronditur sikur po sheh trupin e Evës…Pastaj, pse paske ardhur deri këtu me të mbathura?
Unë u befasova dhe u skuqa kur pashë veten dhe u binda që kjo ishte plotësisht e vërtetë. Më kot u rreka për të përimtuar trupëzimin e punimit, kur ai tha:
– Ti e di se unë në shkollë përherë kam shfaqur dhunti e dëshira femërore.
– Është e vërtetë.
– Prandaj edhe shoqërohesha me vajza.
– Edhe kjo është po ashtu: e vërtetë.
– Unë më vonë, shumë më vonë, në Akademi, do të kuptoja se kisha atë që quhet “energji pozitive”. Mendimi im, s’i linte hapsirë për kundërshtim nga ana e shokëve të grupit.
Unë nuk e kisha fare mëndjen. Ai vazhdoi:

– Po Kasemin, ç’e shtynte të grindej me të gjithë e për çdo gjë? A nuk vërehej tek ai, një lloj paudhësie djallëzore, që fillon me sherr e përfundon me grushte? Dhe a nuk mund të quhet kjo “energji negative”?
– Më mirë të mos flasim për ‘të. Ai, tashmë është nisur në atë udhëtimin e gjatë për te Zoti.
– Ku s’ka për të mbërritur kurrë. Në ferr mbase po. Në skëterrë se për atje ia preu biletën një hundëlesh. Gjeti atë që kërkoi: katranin.
E vërteta ishte se Kasemi gjithmonë u binte më qafë binjakëve. I tillë qe edhe Borani me vëllanë e tij, Arjanin. Për këtë arsye shoku im, Borani, fliste me mllef kundër tij. Por, ajo që më tronditi ishte fakti se sapo ai përmendi fjalën FERR, menjëherë m’u shfaq tabela e dyqanit: VIA DEI.
Hapa sytë me një dridhërimë skandaloze. Ç’të ishte kjo vallë?
Aty nga ora dymbëdhjetë e gjysëm, tek po shkumoheshin me derën e banjës hapur, ndjeva ardhjen e tim eti nga jashtë. Qe i ngrysur në fytyrë se i kishte dështuar edhe një tjetër mundësi punësimi. Në këto raste, vetullat i vareshin mbi sy dhe zymtësia e tregonte edhe më të plakur. Veç kësaj, flokët i qenë zbardhur plotësisht, karakteristikë kjo për shumicën e moshatarëve të tij tiranas. Gjë që, e tregonte më fisnik, por edhe më të moshuar e aspak të përshtatshëm për tregun e egër të punës në kapitalizëm. Mbase do të qe më mirë t’i lyente flokët, ashtu siç bëjnë gratë. Por edhe siç kishin vepruar shumë vërsnike të tij, bashkatdhetarë. Tok me ‘ta, edhe njëri nga xhaxhallarët e mi që, vetëm pas kësaj, gjeti një vend pune. Por, tim eti, nuk mund t’i flisje vetëm për dy gjëra: lyerjen e flokëve dhe heqjen e gravatës. Nëna i kujtonte shpesh shprehjen e Hygoit: “Institucionet në shembje, fillojnë e zbukurohen”. Bëje dhe ti, – e nxiste ajo. Por ai, e gjente shtegun e daljes nga ky “rrethim”, madje po me ato mjete: – Ai thoshte: – dakort me restaurimet, por po ky Hygo ka thënë: “Ndërron guacka, ndërron molusku”. Se këtu bëhet fjalë për Institucionin e Mendësisë. Ti kërkon që unë të tjetërsohem?
Atë kohë, gabimisht, mua më dukej se s’kishte të drejtë babai. Për këtë do të bindesha një dekadë më vonë. Thjesht se, një djalë i dajës tim oficer në repartet e kimisë, vuante nga zemra dhe se ajo i qe dëmtuar aq shumë nga kimikatet me të cilat edhe punonte, sa i këshilluan transplantin, të cilën po të mos e bënte, jetën e kishte, në mos me javë, me disa muaj. Por ai kishte tre fëmijë, dy nga të cilat vajza dhe këto qenë meraku i tij. Ky ishte shkaku i vetëm që fundin e priti me stoicizëm. Ai kishte frikë nga TJETËRSIMI. Zemra e huaj mund të rrihte ndryshe për vajzat e tij të bukura, SI ATO.
Këto, unë do t’i mësoja një dekadë më vonë…

Babai hyri në shtëpi tejet i dëshpëruar me një heshtje që nxinte. Tërhoqi një karike nga nëntrapeza dhe u shëmb mbi ‘të si të donte të zbrazte barrën e mërrisë që po ia ulte përherë e më shumë supet. Se jetonim te ungji im i cili kishte shkuar për dhjetë ditë në plazh. Ata do të ktheheshin dhe duhet t’ua lironim shtëpinë, e cila s’kishte më shumë se dy dhoma e një guzhinë. Kësisoj, ne mund të mblidheshim vëllazërisht, secila familje nga një dhomë. Veçse, që të ndodhte kjo, duhej jo vetëm të ishte dakort xhaxhai; madje familjarisht me xhaxheshën dhe tre fëmijët thuajse vërsnik të mi, por edhe i zoti i shtëpisë. Dhe ne, s’ishim të sigurt as për njërën palë e as për tjetrën: domethënë, të zotërve të shtëpisë. Se mund të ndodhte të binte dakort burri, por s’qe e këtij mendimi e shoqja e tij. Që, siç po dëgjonim, mund të kërkonte nga im ungj, rritjen e qerasë, për të cilën, nuk e besoja kurrë se do t’a pranonte si zgjidhje. Nga ana tjetër: im atë nuk i lejonte vetes që familja e tij, të kishte detyrime të kësaj natyre, qoftë edhe nga vëllai i vet. Domethënë im ungj. Kjo nuk duhet të ndodhte kurrësesi. Por edhe që të paguante ai qeranë, do të thoshte të mos dilnin të hollat për shpenzimet e ushqimit. Kjo mëdyshje e ky udhëkryq e kishin rrëzuar shumë tim atë. Ja pse qe urgjente zgjidhja e shtëpisë.
Ktheva kryet se im atë ndezi një cigare, flaka e shkrepjes reflektoi në pasqyrë. Qe një shkëlqim që, vetëm për të tillë s’mund të merrej. Për ogur të mirë, jo se jo. Atë çast u preva dhe si bestyt që jam, kisha bindjen që dita ime e parë e punës, nuk do të shkonte mbrodh.
Mamaja iu afrua tim eti dhe nisi t’i flasë zë’ëmbël:
– Mos u mërzit, mor burrë! Kush e di se ku do të dalë një vënd pune edhe për ty. Të të bëj një kafe?
Ai nxorri një tjetër cigare nga kutia ‘DS’ që kishte lënë mbi trapezë dhe me kapuçin e së parës, ndezi tjetrën. Atëhere kuptova se sa shpejt e piu atë. Paketat i kishim sjellë nga Tirana dhe ai i kishte llogaritur që me ‘to, t’a shtynte deri në janar. Ishim ende në shtator. Dhe ai kishte pirë vetëm për një javë, të gjithë kuotën e muajit pasardhës.
Mamaja e përsëriti pyetjen me një ton më të ëmbël e me një formulim të ri: – Ka mbetur edhe ca kafe e bluar në mulli. Ta vë xhezvenë e të ulem edhe unë pranë, o burrë? Se bashkë do të tiganisemi e do t’ia dalim edhe këtë rradhë. Neve s’na rrëzoi e s’na vuri poshtë diktatura, të na gremisi tani demokracia?
Ai pohoi me krye dhe vuri pak, po fare pak, po ju them, buzën në gaz. E njihja mirë atë grimasë. Ngjasonte me qesëndisje. E mbase edhe e tillë, mund të qe. Por jo për nënën time. Aspak! Se atë e respektonte si të qe e shenjtë. Ateizmi i tij më jep të drejtën ta përcaktoj ndofta edhe kështu. Ai ato çaste tallej kësisoj me problemin. Ku i dihej? LUFTA E KLASAVE e kishte vënë në pozicione të ngjajshme me të tanishmen, disa herë. Dhe e përbashkëta qe se, ajo niste me zbërthimin e kollares. Se isha i vogël dhe kur vëreja këtë veprim tek im atë, e dija që atë natë, ai do t’a gdhinte së toku me time më. Bashkë me ‘ta, edhe unë pas derës së dhomës së gjumit. Përgjoja bisedat e tyre dhe gëlltisja lotët e dhimbjes për sedrën e vrarë të tim eti. Kështu niste zhgradimi civil e qytetar. Dhe kishte filluar atje, ditën për diell, në atë zyrën e errët të kuadrit. Aty ku, përimtësoheshin Biografitë,  siç i quante babai. Në ato “Observatorë gjigandë”. Nuk kishte në ‘to shkencëtarë. Jo. Por ca nëpunësa përbindësha e ciklopë arshivash. Aty ku ia kishin deklaruar shkurt, prerë e në sy se “se partia flet hapët”.
Kjo thënie kishte vërtetësi, ashtu siç qe e mbrujtur me paciptësi dhe pashpirtësi. Se thuhej nga një surrat që rrëzëllente nga kënaqësia e këtij kumti e ngjajshme me çehren e atyre kryetarëve të kooperativave, kur raportonin në zyrat e Partisë, rendimentin e lartë të grurit, ndërsa për vete, hanin bukë misri.
Të gjitha këto cilësime, veçanti e xhevahire për kohën e shkuar të Luftës së Klasave, më kujtoheshin tani, kur im atë, me një lëvizje vendimtare, e flaku tutje kollaren po me atë neveri siç do të bënte po të qenë vendosur në ‘të poshtërsitë e gjithë botës:
– Sot, kur të zbresish për bukë, shko në market, moj grua dhe shih të gjesh bojë të përshtatshme për këto cullufet e mia.
Pra: ai kishte arritur në dy përfundime të skajshme për secilën në vetvete. Braktisjen e gravatës dhe ngjyerjen e flokëve.
Për të parën,  ai nuk qe tërhequr edhe kur e kishin qesëndisur se “nuk kemi nevojë për Arqitektë”. Njeriut që kishte dashur ta përcjellë, në këtë mënyrë, një tip homoseksuali, im atë i qe përgjigjur: keni të drejtë, zotri. Ju mbase kërkoni Gjinekologë. Dhe qe penduar. Duhet të tregohej më i duruar. Ndryshe nuk do të gjente asnjëherë punë. Me pak fjalë: me ardhjen në Greqi, vend me demokraci funksionale, brenda javës, atij i qe thyer një nga kollonat, që diktatura nuk kishte mundur as t’ia lëkundte.
Gjithsesi e parë kësisoj, është dëshpëruese të mendohet. Por njerëzit, nga mungesa e orientimit, kanë pësuar edhe ngjarje më dramatike se sa heqja e një nyje lidhëse në  këmishë. Prandaj, nuk duheshin hedhur armët e as të shuheshin shpresat.
– Si thua? – e pyeti sërish nëna babanë.
Shikimet tona për një sekondë u takuan dhe të dy, tashmë, shihnim në drejtim të tim eti. Për sytë e nënës, isha zënë disa herë me Kasemin. Se ai, kur më shante, do të thoshte: “Atë sybukurën ku t’a kesh”! Dhe unë, edhe pse krenohesh me një të tillë sharje, përsëri kërciste grushti. Herë fitoja dhe herë humbisja. Por tani, te syzeze e sybukura nëna ime, kishte ca rrudha rreth tyre. Për këto, jo vetëm që shpërfilleshin në sharjet e Kasemit, por edhe s’kishe me kë të zihesha me grushte. Cili është ai që nuk e do nënën e tij të jetë përherë e bukur? Ndjeva dhimbje dhe nga kjo më shkëputi zëri nanuritës i saj që i drejtohej tim eti: – Prit, mor burrë, prit një herë!
– Prit baba!, – përsërita dhe unë. Mbase më ecën mbarë puna dhe i marr ato para. Me aq të holla që do të sjell dhe me ekonominë e mamasë, do të shtyjmë sa të bëhet diçka edhe për ty. Pastaj…
Nëna ndërhyri. Diç donte të thoshte, por unë s’e lashë. Dhe për t’ia ngrijtur disi moralin IDHULIT, BABAIT tim,  shtova:
– Ja vuri një herë në përdorim ato simbolet e tua dhe deshifroje një ëndërr që pashë.
– Pa hë, po të dëgjoj, – tha ai, sa shpërfillës, aq edhe mëdyshas për të mos ma prishur, se sa për të dëgjuar se çfarë kisha parë unë në gjumë.
Ia tregova atë dhe prisja me ankth spjegimin. Ai ndenji gjatë pa folur. Kështu ndodhte “kur problemi ishte serioz”. Në këto raste, mendimi i tij, kërkonte një lloj ballafaqimi me njerëzit dhe kohën. Për mua, tek e shih-ja, ashtu si të përgjumur, herë – herë më ngjante si i nemitur.
– Pa ma thuaj edhe një herë, – tha dhe sërish ndezi një cigare.
Unë e ritregova ëndrrën fill e për pe. Kësaj here më me hov, e gëzim që e kisha nxjerrë tim atë nga ajo gjëndje dëshpërimi.
– Sublimim! – thirri. – Sublimim! – përsëriti dhe mundohej të tregohej sa më i qetë, se së brëndëshmi, e ndjeja që kishte shqetësim.
– Që do të thotë?
– Mbulim.
– Të kujt?
– Të sjelljes, të karakterit, të impulseve, shoqërish të papranueshme, por aspak të dëmshme dhe ky është shoku yt piktor. Atij i pëlqen shoqëria me femra dhe ju, me siguri, e keni tallur.
– E gjete, për kokën e mamasë. Dhe…?
– Dhe, ai i vizaton ato nudo. E bën këtë se ua njeh shpirtin dhe i idealizon si subjektet që pikturon. Ai kërkon të harmonizojë bukurinë shpirtërore edhe nëpërmjet linjave të tyre trupore. Këtu, s’ka asgjë të keqe. Ajo qëndron gjetiu. Te Kasemi.
– Po ai ka vdekur?
– Ashtu është. Por shoku yt piktor, të paralajmëron për të bërë kujdes. Mund të ndeshesh me Kasemizma edhe më të këqinj dhe që e lënë ku e ku, për nga ligësia Kasemin. Se veprimet e tyre të papranueshme, ata i mbulojnë me sjellje të mirëpritura për shoqërinë. Hap sytë! Ëndrra të thotë se do të vihet në provë karakteri yt!
– Mos e frikso djalin! – i tha nëna me një ton qortues. – Po shih se do të derdhin kafenë që ke përpara. Atë bëj! Pa ëndrrat, ëndrra janë.
Ajo kishte të drejtë. Unë njëmend u tremba. Se fjalët dhe këshillat e tim eti, i vlerësoja gjithnjë. Edhe për ëndrrat. Se aty ai qe njësh.
– Mos harro! – më tërhoqi ai vëmëndjen! Jemi në Greqi dhe këtu e ka burimin ajo fjala e urtë:

Karavsi i mirë, duket në furtunë!

*    *   *

 

DHE FURTUNA KISHTE FILLUAR

 

Pjesa e tretë

. . . Dhe furtuna kishte filluar.

Po e linim Athinën nga një rrugë dytësore plot gropa e kthesa të rrezikshme për shpejtësinë 120-130 km/orë.

– Grigora! – thërriste pronari im duke lëvizur pëllëmbën skeletike që unë të kuptoja se bëhej fjalë për të rritur shpejtësinë gjë që, ishte edhe hobi im kur zija timonin me dorë. Ecja rrufeshëm, ishte alfa e gjërave që, mesa dukej e kisha dhunti dhe e gjëja veten më të motivuar se në çdo fushë tjetër.

– Grigora, – përsëriste ai fjalën e kthyer në refren tanimë.

Unë mund të ecja edhe më shpejt: vetëtimë, por rruga ishte e mbushur me mjete bujqësore, parakalim, i të cilave me KËRRBAÇ, ishte  rrezik. Se pjesa më e madhe e atyre automjeteve të mekanikës bujqësore, veç Të tjerash, ishin ngarkuar me materiale tejet voluminoze dhe pengonin rrezen e pamjes.

– Gri…, – por ai nuk e mbaroi dot fjalën, se unë e frenova makinën gozhdë, si i thonë.

Kishte dalë si i mbirë nga dheu një traktor në mes të asfaltit dhe, për t’a shmangur përplasjen,  në të dhjetat e sekondit, mendova menjëherë rrëshqitjen dhe prerjen e timonit djathtas.

Dhe…, për fatin tim të mirë, ashtu ngjau.

Rrëshqitja bëri që të ndodheshim aq pranë asaj mase të hekurt, sa milimetrat na ndanin. Gazi që shkela në çastin e duhur, e hodhi përpjetë mjetin dhe e shmangu ëmbël nga ajo sharapjekje e sigurtë.

– Oreo, – tha tjetri pa u merakosur aspak për atë që mund të kishte ndodhur dhe që mua sa s’më kishte dalë zemra nga kraharori.

“Se nuk po kaptonte dashi në strumë e të linte në të  leshtë , por një makinë ku mund të na ngecnin brinjët në hekura”, – kështu do të shprehej instruktori ynë në ushtri i cili kishte origjinë fshati dhe atje i gjente për herë metaforat e krahasimet e tij.

– Oreo, – përsëriti efendikoi im që në shqip do të mësoja se do të thoshte “bukur”. Për herë të parë vështrimet tona u kryqëzuan. Sytë e tij, si dy kandilët të sapo mbushur me vaj, seç donin të thonin. Tregonin gëzim dhe njëherësh, dyshim. Për çfarë? Unë nuk isha ende në gjëndje të gjykojë.

Befas, ngriti dylbitë që i vareshin në gjoks dhe i uli në çast. Lëvizi sërish pëllëmbën e dorës që do të thoshte të ecja me shpejtësi.

Shenjat e rrugës tregonin se po dilnim në autostradë, por me kah të kundëry: në drejtim të Athinës.

Unë e pyeta me noima në duhet t’a bëja këtë dhe ai ma pohoi, gjë që më befasoi.  Sepse më dukej e pakuptimtë ardhja deri këtu dhe kthimi mbrapsht, ndonëse në një rrugë shumë më të mirë. Veç kësaj, korseja jonë, ishte gati e zbrazur.

Tej, katër – pesë kilometra më tutje, duhet të kishte ndodhur karambol.

– Grigora, – përsëriti pronari im, por toni, vështrimi e sidomos lëvizjen e syve, e kishte krejt tjetër. Mbase si të atij që ka fituar bingo se tha diçka që, kur u bind se unë nuk e kisha kuptuar, për t’a shkoqur, tha:

– Dheka hiladhes dhrahmes.

Kjo do të thoshte se puna po ecte mirë dhe unë i kisha bërë hak të dhjetë mijët dhrahmitë. Kjo duhet të më gëzonte dhe unë duhet t’a grahja me qef mjetin.

Kandilët e syve të tij e kishin zmadhuar aq shumë flakën e tyre, sa më dukeshin që kishin ndryshuar kufijtë anatomike.  Ata sy të tmerronin. Nuk e di se ç’atropinë vepronte në ‘to.

– Dheka hiliadhes dhrahmes, – përsëriti.

Në një farë mënyre, me këtë ai më fliste për shpërblimin që unë të gëzohesh si edhe ai. Por e lidhur kjo me grumbullin e sidomos  përplasjen e makinave, mua, jo vetëm që nuk më hynte në sy shpërblimi, por më trishtonte,  pagesa. Më sillte një ndjesi të kundërt. Dhe, sa hap e mbyll sytë,  mbërritëm në vëndin e aksidentit.

Katër a pesë makina ishin palosur duke e goditur nga pas njëra – tjetrën. Dëgjoheshin bori të mbetura shtypur si të donin të mposhtnin klithmat e thirrjet e të aksidentuarve. Skena ishte e ngjajshme me një fushë lufte ku bie një predhë artilerie.

Aty – këtu, veshi mund të të kapte edhe ndonjë piskamë rrëqethëse që nuk merrej vesh se nga cili shpirt dilte dhe kujt zemre për mëshirë, i drejtohej.

Efendikoi im, më bënte thirrje t’i gëzohesh dhjetë mijë dhrahmive!?

Kontrollova rrugën nga pasqyra dhe pashë se po vinte një makinë e cila ishte ende larg. Llogaria kohën që më duhej për t’u hedhur në korsen e kunndërt të lëvizjes. Ndeza sinjalet. Mbi krye, aty prapa, qe mbërthyer një krevat hekuri me një batanije të vjetër ku do të dergjej i aksidentuari. Faqet ansore të automjetit ishin të mbyllura si të qe furgon, ndonëse ishte një veturë “Ford” i zi.

Rrëmbeva një levë nga poshtë sedilja dhe dola jashtë.

Ndërkaq, pronari im, s’i t’a kishim bërë me fjalë, u hodh te ‘BMV’-ja e fundit ku qe në timon e vetme, një vajzë. Ajo shtrëngonte fort dorën e majtë me të djathtën dhe dukej që larg se ishte bërë gjithë gjak në fytyrë e gjoks.

– Ja kush duhet ndihmuar, – mendova dhe më erdhi mirë që pronari im kishte ndalur pikërisht aty. Por çuditërisht, kur mbërrita unë pranë saj, ai qe larguar dhe m’a bëri me shenjë që edhe unë t’a braktisja të aksidentuarën.

Fatkeqja thërriste, qante dhe kërkonte ndihmë me përgjërim, tek tërhiqte krahun si t’a kishte kapur krokodili në atë det makinash të përplasur se…

Fjalën “separakallo” (të lutem) unë e njihja dhe ajo s’rreshtte së përsërituri me atë zërin e saj dridhërues. Nga ana tjetër, s’mund t’a kuptoja shkakun që e shtynte pronarin rim, të braktiste atë vajzë në përgjërimit e saj që mua më fërgëllonte zemrën. Dhe,  të parapëlqente makinën më përpara ngarkuar me arka zarzavate. Aty, i vetëm një burrë plak, nuk jepte asnjë shenjë jete. Mjeti i tij qe shkatërruar tërësiSht nga pas.

Unë, që nga larg e kisha nxjerrë përfundimin. Ai fatziu duhet të kishte dhënë shpirt. Gropat e syve i nxirrnin lëng të bardhë. Diçka e ngjajshme me xhelatinëN, më thoshte se duhet të jetë lëngu qelqor i dritës së syve. Asgjë tjetër në atë fytyrë, nuk tregonte se qe i gjallë. Koka i qe përplasur pas xhamit, pastaj qe mbështetur mbi timon e ishte çarë. Në gjoks, nuk kishte rryp sigurimi.

Të gjitha këto, unë i pashë me përvojën e zjarrfikësit,  por nuk mund t’ia spjegoja bashkëdëshmitarit tim në këtë mënxyrrë.  Aq më pak t’i diktoja se atij njeriu nuk i duhej aspak ndihma jonë. Kurrsesi të këmbëngulja në kotësinë e së kundërtën.  Prandaj, ngrijta dorën drejt vajzës për t’i treguar se ajo ende rronte përderisa thërriste. Për ‘të ia vlente, jo vetëm ndihma, por edhe çdo sakrificë e jona.

Katanaja këmbëngulte si mushka tek e tija dhe më tha se do të më paguante dyfishin e asaj që më kishte premtuar. Kjo do të thoshte se do të merrja njëzetë mijë dhrahmi. Dhe çfarë duhet të bëja? Të braktisja vajzën dhe të shkoja te plaku i pajetë!?!

Unë e ndava mëndjen: U ktheva nxitimthi te vajza.

– Në djall nuk ke vajtur bashkë me njëzetë mijët e tua! – I thashë në shqip atij dhe m’u duk se e kuptoi. Fjalët djall dhe dhjavoles, janë tejet të ngjajshme në të dy gjuhët.

Me levën në dorë, hapa portën e deformuar disi të BMV-së. Vajza si e çliruar më tha :

– Efkaristo!

Lëshoi dorën e majtë dhe unë pashë një goxha prerje në lërë e krahut. Pas vetëm dy sekondave gjaku u hodh si shatërvan deri tek xhamat e kabinës. Asaj i ra të fikët.

Kjo mund t’i ndodhte cilitdo. Madje edhe mua, në qoftë se nuk do të kisha bërë kursin e ndihmës së shpejtë në repartet e stërvitjes speciale. Instruktorët na kishin mësuar: vëzhgimi duhet të jetë i shpejtë, I kujdesshëm dhe vlerësues. Problemet mund të jenë të shumta, por zgjidhja e tyre, ka rradhë.

Arteria ishte prerë, se vetëm në një të tillë rast, gjaku ka vrullin e shatërvanit. Prandaj ajo duhej shtrënguar. Kjo qe e gjitha dhe unë atë bëra. E mbërtheu aq fort mbi të çarë,  sa gishtat e mi duhet të kenë prekur kockën e krahut. Ajo e ndjeu. Përplasi qepallat, por nuk i hapi dot sytë. Nga çasti në çast, mund të humbiste sërish ndjenjat dhe të hynte në “paradhomën e  Zotit”, siç përsëriste instruktori ynë.

Ia lidha fort mbi plagën me një rrip nga këmisha ime, pastaj e godita me pëllëmbë në faqe. Ajo u përmënd disi e trembur. Doja t’i thoshja QETËSOJU,  por nuk e  gjeja dot përkthimin.

M’u kujtua shprehja: IRINI DHE FILIA. Bëhej fjalë për stadiumin me këto fjalë që në shqip do të thoshte: PAQES DHE MIQËSISË. Pra:  paqe=qetësi=Irini. Kështu i thashë:

– I – ri – no – ju!

( Se doja që t’a merrte për QE – TË – SOJU! )

– Oki Irini, Ana, foli ajo me zë të  mekur. Mbase ka menduar se unë ia thashë gabim emrin Irini në vënd të Ana.

– Ego Alban, -iu prezantova sikur kjo të qe ndonjë tablet qetësues. Ajo, gjithsesi, e kuptoi që i tillë ishte thënia e emrit tim dhe buzëqeshi lehtë. Kaq më duhej mua që së brëndshmi të ndjeja gëzimin e atij që po i krijoheshin kushtet për të  bërë detyrën e shpëtimtarit. Pse jo? Përgatitjen e nevojshme e kisha. Kësaj i shtohej edhe vetëdija e sapozgjuar e së aksidentuarën që, së bashku më shpinin në suksesin e plotë.

E mora me kujdesin më të madh përpara duarve dhe e ca drejt mjetit me nxitimin e njeriut në garë me kundërshtarin e tij. Katanaja kishte hedhur plakun e vdekur mbi sup dhe po e bartte atë, gjithashtu. Ngjante me ndonjë vjedhës, a me ndonjë tërtip  tejet të ndërkryer për atë pamje sa tragjike, po aq edhe groteske njëherësh. Se ashtu e kishte kapur: kryengulthi.

Vendosa vajzën në makinë në krahun e pasagjerit dhe vetë zura vënd në timon. Ndeza motorin, ngrijta xhamat dhe menjëherë bllokova dyert. Të gjitha këto veprime i kreva në një kohë rekord. Porosia e instruktorëve ishe: “duhet të largoheni sa më shpejt nga sheshi i luftimeve. Mbrapa të vjen armiku”.

Dhe ashtu ndodhi.

Pronari u orvat më kot me grushte dhe me të bërtitura që të më detyronte hapjen e derës së makinës. Gërvallej pa dobi, me atë zërin si të çjerrë e të zgjatur.

Unë s’i ktheva kryet se s’kisha përfunduar detyrën karshi së aksidentuarën. U kujtova se kisha në kroskodë bukën të lyer me gjalpë dhe më shkoi mëndja se: tampon më të mirë, vështirë se mund të gjeja. Preva një copë kanotiere dhe ndërsa u bëra gati për bandazh, i hapa çantën se mos gjeja diçka sterile.

Përpara më doli pasaporta:

Emri…Ana.

Mbiemri…Dhimopulu.

Datë lindja… Nuk më kujtohet, por llogaria që e bëra me mënd, e nxorri… rreth 22 vjeç

Diku disa pecete sterile që, edhe pse prej letre, më shërbenin për plagën.

Futa dorën në xhepin tim dbe gjeta monedhën metalike shqiptare që e mbaja për shans. Kjo do të loste  rolin e mujshimit mbi arterien e prerë. Prandaj, e mbështolla  metalin brënda fijeve të pecetës sterile, pastaj vendosa bukën. Në fund fashimin.

Të gjitha këto veprime, po më zinin frymën nga ngutja dhe sytë nga djersët më kishin mbuluar ballin.

– Do të vish, apo të të dhjes surratin? – I fola në shqip pronarit.

Ai, siç duket nga noima e kuptoi të sharën  dhe në çastin që futa marshin, nxitoi të hypte në pjesën e pasme: në karroceri. Aty ishte edhe i vdekuri. I lashë në shoqërinë e tyre. Se njëri ishte pa jetë dhe tjetri pa frymë duke sharë me vete nga marazi.

Në anë të rrugës, lexova tabelën: Athinë, 77 km.

Duhet të mbërrija për pesëmbëdhjetë, e shumta, njëzetë minuta. Kisha përvojën e shoferit zjarrfikës. Dhe kjo s’qe pak. Tendosa këmbën mbi gaz dhe ‘Fordi’ fluturoi.

Kur ktheva kryet, vajzës sërish i kishte rënë të fikët. U mata t’a godisje edhe një herë fort. Por, dora më mbeti e ngrirë. Ajo bukuri ngjyrë trëndafili, nuk mund të goditej. Ata sy gjysëm të hapur bajame, nuk duheshin trembur. Prandaj i hodha pak ujë fytyrës. Kaq mjaftoi të përmëndej.  Ngjante kështu me një nimfë të vërtetë dalë aksidentalisht në brigjet e Kretës dhe që sapo ishte shkëputur nga thonjt e piratëve. Në sekondë më doli përpara sysh portreti i shokut të fëminisë, Borani. Ai familjen e gjyshes e kishte në Sinicë. Një behar, së bashku me ‘të shkuam për pushime. Se donim të kapim atë që quhej “Maja e Visokullës”. Kjo ndodhej ndonjë mijë metra mbi shtëpinë e të parëve të nënëzës së tij. Që andej ne shihnim Kosturin (në greqisht: Kastorja). Prisnim me padurim që të binte mbrëmja  dhe të shkonim te “Qafa e Evgjitkës”. Aty, dukeshin dritat e makinave që lëviznin në fshatrat greke dhe, natyrisht, që ëndërronin timonin. S’linim natë pa u joshur me këtë kënaqësi nga  e cila s’ngopeshim kurrë. Se na ishte bërë më keq se riti i besimtarëve dhe ajo e tillë ishte, megjithatë.

Ne e kishim quajtur: “Riti i pamjes së përtejme”.

[ vonë, vite më vonë, kur studioja estetikë, do të mësoja se ka kult “TË PAMJES SË LARGËT”. Shkurt: ne, pak a shumë, i kishim rënë në ‘të me përcaktimin tonë ].

Këto mendime më vinin në kokë, ndërsa kilometrazhi, shënonte 180 km/në orë.  “Fordi” dridhej dhe njëri nga ata që kisha në pjesën e pasme të tij, si për të rrëfyer gjallesës e tij, i binte me grushte xhamit.

Unë, ia shihja kandilët e syve të tij djegës, në pasqyrë dhe më ngjanin si sinjale alarmi. Mendoja: “Shaj t’i, shaj, o edepsës, por ç’t’i bëj atij fatkeqi unë, pa po të mos të t’a kisha bërë ballin gjithë  bërdungulla, vetëm me një frenim, të mos më thërrisnin më në emër.

Rruga ishte thuajse bosh. Krahu i kundërt, përkundrazi, tejet i rënduar. Mjetet me vështirësi mënjanoheshin në panik për të lënë kalimin e autoambulancave dhe atyre të policisë, të cilat më shumë ulërinin se sa nxitonin. Madje, drejtuesit e tyre, s’kishte aspak faj, edhe sikur të tmerroheshin me ecjen time  s k ë t e r r ë .

Ja edhe semafori i parë që tregonte se po i afroheshim qëndër së Athinës. E pashë së largu dhe e ula shpejtësinë deri në frenim.

Ana që deri tani ishte gjysëm e përgjumur, çeli pak sytë dhe diç kërkonte. Unë ia lirova disi plagën. E ndjeu mbërritjen, ashtu siç edhe e kuptoi që ishte në shoqërinë e një shqiptari. Sidoqë të mendonte ajo, unë përjetoja një gëzim tejet të papërshkruar. Provoja brenda gjoksit tim, tashmë të çtensionuar, dashurinë për jetën, dashurinë e njeriut për njeriun. Madje, mbase është për të qeshur, por dëshira që t’ia merrja një kënge, më ngacmonte për herë e më shumë. Dhe, sikur të kisha gjetur melodinë, me siguri që nuk do të nguroja.  Fakti që asgjë nga ato këngë që dija, nuk më kujtoheshin për momentin, do të thoshte se ajo s’ekzistonte, ose ishte, po ndodhej larg dhe lart. Ndofta në Univers, të cilit, sa herë bija ngushtë, e thërrisja në ndihmë.

Kujtova rusin  me fisarmonikë dhe këngëtaren greke. Koncertin e tyre në dy gjuhë të ndryshme. Përfytyroja Boranin në timon dhe…

Semafori u hap dhe unë lëviza përpara.

Kishim arrijtur te sheshi ‘Omonia’. Spitali në qëndër të Athinës , siç dukej, ishte njoftuar për aksidentin se bluzat e bardha prisnin përjashta,  me bartore mbi rrota.

E morën Anën në njërën nga karrocat e gadishmërisë dhe ajo, mblodhi forcat dhe pati shumë kujdes të thoshte:

“Efkaristo poli, albanemu”!

( Faleminderit shumë, shqiptari im!)

Ato fjalë më shumë i ndjeva brënda vetes se sa i kuptova. Njerëzit që ishin aty pranë dhe qenë mjaft, kthyen kryet për të shikuar se kush ishte “Shqiptari i saj”. Kjo qe kundërvënie e hapët për ata që flisnin keq në shtyp e televizion për bashkëkombësit e mi, duke mbjellë një bindje sa shpërfillëse aq edhe përbuzëse, ashtu siç bëhet për delen e zezë. Dhe ja: një greke e aksidentuar, grumbullon forcat për të falenderuar një shqiptar!

Atë çast edhe unë thashë me veten time:

– Edhe unë të falenderoj, Ana!

 

 

Please follow and like us: