Albspirit

Media/News/Publishing

Diplomati zbulon paktin për ndarjen e kufijve detarë me Shqipërinë: Greqia firmosi në 1925

Diplomati i karrierës Shaban Murati, “Mjeshtër i Madh” në diplomaci, bën një analizë të marrëdhënieve shqiptaro-greke, veçanërisht të marrëveshjes së detit të vitit 2008 dhe të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010. Sipas tij, Gjykata jonë Kushtetuese ka rrëzuar objektin e marrëveshjes, pasi nuk ka pasur asnjë çështje për detin mes dy vendeve.

Të dy vendet, sipas ambasador Muratit, kanë njohur dhe kanë respektuar kufijtë detarë të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 17 dhjetor 1913 dhe Protokolli i Firences së 27 janarit 1925 dhe të vulosur përfundimisht nga “Akti Final i Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë” më 30 korrik 1926 nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris dhe e nënshkruar dhe e pranuar nga qeveria e Greqisë. Këto çështje diplomati i njohur i trajton në librin e ri të tij të dalë pak kohë më parë, “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?” 

SHABAN MURATI

NJË UDHËKRYQ ARTIFICIAL DIPLOMATIK

Diplomacia dhe qeveria shqiptare e kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit, jo vetëm ndërmorën një akt të pashembullt të pazareve në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, por krijuan edhe një vatër të re tensioni dhe përplasjeje në marrëdhëniet midis dy shteteve, që janë të dyja anëtare të NATO-s.

Shaban Murati
Shaban Murati

Çdo qeveri shqiptare që do të vinte pas ikjes së qeverisë që nënshkroi marrëveshjen e anuluar të detit, do të ndodhej mes dy zjarresh: nga një anë presionet e shumëllojta të Greqisë për të ringjallur marrëveshjen e anuluar të detit dhe nga ana tjetër, tensionet e reja si rezultat i mospranimit të marrëveshjes nga qeveritë pasardhëse. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me vendimin e saj të datës 15.4.2010 të anulimit të marrëveshjes së nënshkruar më 27 prill 2009 nga ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, dhe nga ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, në prani të dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Kosta Karamanlis, ka shkruar një epokë modeli juridik dhe përgjegjshmërie të rrallë juridike, historike, kombëtare, politike, diplomatike etj.

Emrat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që meritojnë një vlerësim historik, siç pasqyrohet në aktin e vendimit nr.15, datë 15.4.2010, janë: Vladimir Kristo, kryetar, dhe anëtarë: Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Petrit Plloçi, Vitore Tusha, Sokol Berberi, Sokol Sadushi, Admir Thanza dhe Xhezair Zaganjori, i cili ka qenë edhe relator i çështjes.

Vlera madhore e aktit të saj qëndron, së pari sepse ajo iu kundërvu politikës zyrtare dhe presionit zyrtar të miratimit të një marrëveshjeje të dëmshme antikushtetuese.

Së dyti, dhe që është më e rëndësishmja, është fakti se Gjykata Kushtetuese, bashkë me marrëveshjen, ka anuluar dhe ka hedhur poshtë objektin e marrëveshjes. Çdo qeveri dhe çdo diplomaci shqiptare pas vitit 2013, pra pas largimit të qeverisë së “detit”, duhet të kishte parasysh se çështja e detit në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë duhet trajtuar në dritën, frymën dhe kornizat juridike të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Kjo do të thotë se çështja e kufijve detarë në marrëdhëniet midis dy shteteve nuk ekziston.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj nuk ka lënë asnjë ekuivok dhe ka konfirmuar në nivelin më të lartë juridik se kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë ekzistuar që me Protokollin e Firences dhe as ekipet negociuese shqiptare dhe greke dhe as marrëveshja e anuluar e detit nuk kishte asnjë të drejtë ta bënte objekt të saj këtë realitet historik ekzistues.

Kopertina e librit të ambasadorit Murati
Kopertina e librit të ambasadorit Murati

Gjykata Kushtetuese, bashkë me marrëveshjen, ka rrë- zuar edhe objektin e saj dhe konkretisht, ka rrëzuar çdo pretendim grek apo të lobit grek në Shqipëri për ekzistencën e nevojës së ratifikimit të kufijve shtetërorë detarë. E përmbledhur në një fjali, çështja e detit është një çështje e paqenë. Kufijtë janë vendosur me Traktatin dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare, që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 17 dhjetor 1913 e deri te Protokolli i Firences së 27 janarit 1925 dhe vulosur përfundimisht nga “Akti Final i Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë” më 30 korrik 1926 nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris dhe e nënshkruar dhe e pranuar nga qeveria e Greqisë.

Gjatë veprimtarisë sime në MPJ të Shqipërisë deri në vitin 2015, kam parashtruar idetë dhe rekomandimet e mia se trekëndëshi strategjik, që ka përcaktuar qeveria në programin e saj të politikës së jashtme në vitin 2013, nuk pritet të funksionojë në mënyrë të njëtrajtshme në të tre këndet. Nuk pritet që Greqia t’i japë të njëjtën rëndësi, që Tirana i ka përcaktuar asaj në politikën rajonale të Shqipërisë. Kjo duket vjen nga fakti se pranimi i partneritetit strategjik me Shqipërinë do të thotë pranim i një barazie dhe rëndësie reciproke në marrëdhëniet dypalëshe, gjë që qarqet drejtuese greke duket e kanë të vështirë ta pranojnë.

Athina e konsideron partneritetin strategjik si nevojë të Shqipërisë dhe jo si nevojë reciproke. Kjo do të thotë që bëhet e këshillueshme që edhe qeveritarët e Shqipërisë të mos e përmendin vend e pa vend Greqinë si partneritet strategjik, në qoftë se linja e acarimit të problemeve me Shqipërinë rritet nga ana e tyre dhe në qoftë se qeveritarët grekë nuk e zënë me gojë partneritetin strategjik, siç veprojnë zakonisht. Mendimi im ka qenë që në çështjen e detit nuk ka arsye dhe as interes që Shqipëria të jetë nismëtare e rihapjes së bisedimeve.

Nëse Greqia i kërkon ato bisedime, Athina duhet ta bëjë hapin e parë diplomatik nëpërmjet një note zyrtare, në të cilën do të duhet të parashtrojë pse kërkon rihapjen e bisedimeve. Kjo pikënisje ndikon në tërë procesin e mëtejshëm diplomatik të negocimit. Në kohën e baticës së presionit diplomatik grek mbi Shqipërinë, pas ndryshimit të qeverive në Shqipëri në shtator 2013 dhe në Greqi në janar 2015, disa zyrtarë të mesëm dhe të lartë në Tiranë nisën të hedhin në qarkullim tezën e një rinegocimi të marrëveshjes së vdekur të detit me Greqinë.

bushati kotzias korce

Ajo që e bën më shqetësuese këtë dukuri është fakti që disa hallka në administratën shtetërore, të cilat në “përshkrimin e vendit të punës” kanë detyrën e dhënies së rekomandimeve për marrëdhëniet me vendet e tjera, gjithashtu janë përpjekur t’i veshin mantel zyrtar tezës së mësipërme. Çfarë do të thotë të rinegociosh marrëveshjen e vdekur të detit, të hedhur poshtë si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin e saj historik të 15 prillit 2010? Rinegocimi i marrëveshjes së vdekur të detit do të thotë të përpiqesh të ringjallësh, në një formë apo tjetër, të njëjtën marrëveshje të zhvleftësuar dhe efektet e saj të dëmshme.

Do të thotë të bësh objekt tratativash të reja diplomatike të njëjtën marrëveshje, që ligjëronte humbjen e 350 kilometrave katrorë hapë- sirë detare territoriale shqiptare dhe dhënien e saj Greqisë. Do të thotë të bësh përsëri tratativa diplomatike me të njëjtin objekt të paligjshëm, që kishte qysh në titull marrëveshja e vitit 2009. Do të thotë të pranosh dhe të ribësh pazare me të huajt për kufijtë shtetërorë të Shqipërisë. Do të thotë të hedhësh në tratativa ato 140 koordinata të marrëveshjes së vdekur, që goditnin integritetin territorial në ujërat e brendshme dhe në detin territorial të Shqipërisë.

Do të thotë, në fund të fundit, të ripranosh dhe të ringjallësh marrëveshjen e vjetër të pavlefshme, me kënaqësinë infantile, që përpiqen të përhapin sirenat e lobit grek në Shqipëri, se tani Greqia mund të tregohet gjeneroze dhe të na rikthejë disa kilometra katrorë nga hapësira e madhe që i dhuroi asaj qeveria e vitit 2009. Shfaqja e tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit nuk është e rastësishme. Në radhë të parë duhet thënë se ajo është një tezë greke, pjesë e strategjisë së diplomacisë së Athinës për t’i imponuar Shqipërisë cedimin e ujërave territoriale shqiptare.

Plani diplomatik grek për këtë temë përbëhet nga dy faza. Faza e parë është ajo e imponimit nëpërmjet presionit diplomatik dhe fizik grek të zbatimit të marrëveshjes së vdekur, pa marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Në këtë fazë përfshihen edhe përpjekjet arrogante për të zbatuar në mënyrë të njëanshme arbitrare marrëveshjen e vdekur dhe për të dërguar misione eksplorimi për hidrokarbure në detin Jon në blloqet detare që i përkasin Shqipërisë.

Harta e vitit 2009 e ndarjes së kufirit detar me Greqinë
Harta e vitit 2009 e ndarjes së kufirit detar me Greqinë

Në funksion të këtij presioni grek janë edhe idiotët e dobishëm të Greqisë në Tiranë, sipas të cilëve, për hir të “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” të Shqipërisë me Greqinë, ia vlen të sakrifikohen territoret dhe integriteti territorial i vendit. Faza e dytë është ajo e rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit, të cilën Greqia dhe klakerët e saj në Tiranë duan ta shesin si lëshim dhe të pranojë të ulet në bisedime të reja diplomatike, për të diskutuar të njëjtën marrëveshje dëmtuese, të njëjtin objekt të paligjshëm marrëveshjeje, të njëjtat koordinata gllabëruese të marrëveshjes së vjetër etj..

Lobimi i tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit ka në Shqipëri grupin e vet të interesit. Në këtë grup përfshihet së pari lobimi politik nga qeveria e mëparshme e vitit 2009, e cila është aktori dhe fajtori i nënshkrimit të marrëveshjes së vjetër të aneksimit të detit shqiptar. Duke zhurmuar për rinegocimin e marrëveshjes, politikanët dhe ish-ministrat e lidhur me atë akt antikushtetues, tentojnë t’i bëjnë retushin dhe apologjinë një krimi shtetëror.

Me një gur ata tentojnë të vrasin dy zogj; edhe realizojnë angazhimet dhe detyrimet, që kanë marrë në skenë dhe në prapaskenë ndaj Athinës, kur firmosën marrëveshjen e detit, dhe nga ana tjetër, synojnë “të bëjnë pis” dhe të përziejnë në skenën e krimit kombëtar qeverinë e Partisë Socialiste të pas vitit 2013, e cila në fondin e saj ka regjistruar një kredit historik me padinë në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes së detit, të firmosur nga qeveria e vitit 2009.

Një grup tjetër interesi janë hijet e ekipit diplomatik dhe ushtarak, që u angazhua në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e cedimit të integritetit territorial të Shqipërisë në bisedimet me palën greke në vitet 2008-2009. Të lënë në paqe nga shteti, nga qeveria dhe nga prokuroria, hienat e detit shqiptar janë rizgjuar dhe për fat të keq, siç ndodh në shtetet që ende nuk janë bërë shtete, ata janë në poste kyçe të diplomacisë dhe të administratës shtetërore.

Një rinegocim i marrëveshjes së vdekur do të hiqte nga supet e tyre çdo lloj apo formë akuze për aktin e rëndë të papërgjegjësisë profesionale, juridike dhe morale, që ata realizuan kundër interesave të vendit të tyre në vitin 2009. Grupi i tretë i interesit për rinegocimin e marrëveshjes janë njësitet e lobit grek në politikën shqiptare, në të dy krahët, tek e majta dhe tek e djathta, të cilët janë të lidhur nga interesa financiare dhe jofinanciare me institucionet e ndryshme greke dhe përpiqen të realizojnë një detyrë të vjetër të bërjes fakt të kryer të rrudhjes territoriale të Shqipërisë dhe të ekspansionit territorial të Greqisë.

Ajo që bie në sy është fakti se të tre grupet e mësipërme janë në sinkron në objektivin për të krijuar një lloj alarmi publik dhe politik brenda në Shqipëri për “kataklizmën” që mund të ndodhë nëse zemërohen drejtuesit e shtetit fqinj. Sipas lobistëve grekë në Tiranë, për të shmangur “kataklizmën”, Shqipëria duhet të japë edhe detin, edhe Vjosën, edhe tokën, edhe nëntokën, edhe qiellin, me përjashtim të pronave private të pjesëtarëve të tri grupeve të mësipërme. Por çdo përpjekje për rinegocimin e marrëveshjes së detit ka bllokadën e pakapërcyeshme juridike dhe kushtetuese, të vulosur nga vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese e ka zhvleftësuar dhe e ka bërë nul atë marrëveshje, kështu që asnjë institucion zyrtar i Shqipërisë, tani dhe në të ardhmen, nuk mundet të bëjë objekt bisedimesh atë marrëveshje të vdekur. Çdo përpjekje për të rinegociuar marrëveshjen e detit përbën një faj penal. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shpallur në verdiktin e saj si antikushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes dhe në radhë të parë objektin e saj. Asnjë institucion zyrtar në Shqipëri, tani dhe në të ardhmen, nuk mund të guxojë të ulet në tavolinën e bisedimeve me të njëjtin objekt të marrëveshjes së vjetër të zhvleftësuar, e cila kërkonte të legalizonte ratifikimin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë, të caktuar dhe të sanksionuar në dokumente dhe akte formalo-juridike ndërkombëtare.

Asnjë institucion dhe qeveri shqiptare, asnjë zyrtar shqiptar, tani dhe në të ardhmen, nuk mund të guxojë të ndërmarrë ndonjë hap për tratativa me të huajt për kufijtë shtetërorë të ujërave të brendshëm dhe të detit territorial të Shqipërisë. Duke zbërthyer karakterin antiligjor të marrëveshjes së detit, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj historik të 15 prillit 2010 thekson: “Marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujërat e Brendshme dhe Detin Territorial. Mbi këto ujëra, në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujërave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial. Ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar”….

….Shqipëria nuk ka asnjë arsye as të ngutet e as të krijojë alarme false. Shteti mbron interesat dhe integritetin e tij dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi në 27 maj 2015 se “Ne nuk kemi ndër mend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë”. Intriga e rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit synon pikërisht negocimin e interesit kombëtar. Shqipëria mund të hapë bisedime me Greqinë vetëm për objektin fillestar, për të cilin Athina zyrtare ka kërkuar bisedime në vitin 2007. Greqia ka kërkuar zyrtarisht bisedime vetëm për shelfin kontinental. Qeveria e asaj kohe i është përgjigjur kërkesës greke me vendimin për të filluar bisedimet për shelfin kontinental.

Nëse qeveria dhe diplomacia shqiptare e vitit 2009, për arsye që i dinë vetëm ata, bënë devijimin e madh dhe hynë në rrugën e rrezikshme të cedimit të sovranitetit dhe të integritetit territorial, kjo nuk është faturë që paguhet nga interesi kombëtar dhe nga pavarësia e Shqipërisë. Bisedimet për shelfin mund të jenë objekt dhe këtë start, sipas interpretimit dhe praktikës diplomatike, duhet ta kërkojë përsëri pala greke. Recetat e tjera, po të përdorim një metaforë të stërkonsumuar, që e kanë qejf fshatarët e politikës shqiptare, “shpien ujë në mullirin e Greqisë”.

Please follow and like us: