Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Buharaja, qytetar e humanist

 

 

“… Zoti e krijoi gruan, që vullneti dhe fuqia e burrit nga njëra anë dhe bukuria dhe besnikëria e gruas nga ana tjetër, të puthin buzët e njëra tjetrës për të dalë shkëndija të dashurisë së sinqertë të jetës”.

Vehxhi Buaharaja

 

 

Një tipar i spikatur i Vexhi Buharasë, që dallohet qartë në shkrimet që la pas, është humanizmi. Në të vetmen prozë poetike që arritëm të gjenim nën okelion “Përmes valëve të jetës” dhe me titull “Mos u mjero”, Buharaja shfaq një ndjeshmëri të pazakontë ndaj disa dukurive të ulta të jetës shqiptare. Ai merr në mbrojtje krijesën më delikate në shoqërinë e egër dhe brutale shqiptare, femrën. Proza poetike në fjalë është një pikturë me ngjyra të errta  në telajon e jetës familjare shqiptare.

Ja disa prej mjeteve të përdorura: dora e mshehur; shfaqje gënjeshtare; dhëmbjet e tua; vuajtjet e botës; psherëtimat e nxehta; vajzë pa nënë; nën thundrat e një babai tëmbëlplasur; qepallat e errësirës; i vuri krahët dheut; dëshirat që vërtiten si yj; mohoi mallëngjimet, mohoi shpresat, lirinë;  një copë duvak të kuq; burgu i babait; shpirtit tënd vogëlush; helmin e jetës sate; paske pirë qumështin e zi; etj.

Djaloshi njëzetvjeçar e ka parë këtë anë të errët të jetës shqiptare me dëshpërim. Ai vjen në përfundimin se nuk është një rast i vetmuar trajtimi çnjerëzor i femrës edhe në familjen e të atit edhe në atë të burrit. Ja si shprehet me zemër të plasur Buharaja i ri: “Dole nga një burg për të hyrë në një tjetër edhe më të sterrosur…”. “Duket se paske pirë qumështin e zi qysh në mituri”. Kjo fjali është një varg poetik dhe ky varg poetik vlen sa një poezi: “Duket se paske pirë qumështin e zi qysh në mituri”. Kjo prozë poetike dëshmon talentin e padyshimtë të Buharasë.

Më tej Buharaja shkruan: “Me të vërtetë je e mpirë, moj zonjë e dashur, por s’je vetëm ti… e mjerë është edhe çdo grua tjetër që është dënuar të udhëtojë në rrugën e jetës me një shok të çartur e të hardallosur, ashtu si qe edhe burri yt…Zoti e krijoi gruan, që vullneti dhe fuqia e burrit nga njëra anë dhe bukuria dhe besnikëria e gruas nga ana tjetër, të puthin buzët e njëra tjetrës për të dalë shkëndija të dashurisë së sinqertë të jetës. Mirpo disa herë burri është ai që hedh në një egërsi gruan duke abuzuar kështu fuqinë që ia fali natyra për të mbrojtur shokun e tij të pafuqishëm, gruan…”.

Krahas ndjeshmërisë njerëzore të Buharasë në këtë fragment vëmë re se ai gruan e bukur, delikate, të brishtë e të dashur e quan si krijesë të Zotit, kur shkruan: “Zoti e krijoi gruan …”, ndërsa burrin e çartur, të hardallosur, “…që hedh në egërsi gruan”, Buhraja e quan krijesë të natyrës, jo të Zotit. Ja si shprehet ai më lart: “… duke abuzuar kështu fuqinë që ia fali natyra”.

Këtu shfaqet panteisti, i cili sheh te e bukura, delikatja, e brishta, dashuria, dorën e Zotit, madje vetë Zotin, ndërsa te fuqia e verbër, egërsia, sjellja brutale forcën e verbër të natyrës.

Proza poetike përfundon me disa apostrofa. Ja njëra prej tyre:

“Ngrije pak kokën përpjetë që të shohësh penjëzat e bardhë që shkëlqejnë pas rrethit të errësirës që të ka mbështjellur dhe që do të thurin vellon e atyre që vuajnë në këtë jetë, martirëve… ashtu si je dhe ti…”.

Në tekstet e Buharasë gjen ide interesante që tregojnë një formim harmonik të tij, nga ana intelektuale dhe shpirtërore. Krahas humanizmit të thellë, ndjenjës së fortë të lirisë, Buharaja në shkrimet e tij shfaqet si qytetar dhe atdhetar i vetdijshëm. Në shkrimin “Islam Vrioni ndërroi jetë”, nënshkruar me pseudonimin “Lalëzari” dhe botuar te revista “Kultura Islame” në vitin 1941, Buharaja shkruan: “…Kur pata fatin ta vizitojë Islam Benë në një pasdreke verore, si thashë më lart, u gjeta përballë një dijetari të urtë, shpirtmadh, modest, i ndërgjegjshëm, me personalitet të shquar, i sinqertë e me vetija të tjera shëmbullore. Për tri orë që ndenja, m’u qetësuan veshët nga poteret e fjalët se sa shkon misri e sa gruri, se kush është më i mirë dhe kush është më i keq. Njëmëndi ndodhesha përpara vështrimit të një mentari e, nëqoftëse nuk gabohem, të një filozofi, që, duke na shfaqur gëzimin e tij për vizitën që i bëmë, me buzëqeshjen e tij ziliqare, zuri menjëherë nga filozofia e Sokratit, e Platonit, e Ibn Rushidit (Avereos), e Farubiut, e Kantit… Foli mbi letrarët persianë: mbi Khajamin, mbi Saadinë, Firdeusinë, Meulananë, Shirazinë…U habita sidomos kur pashë se nga goja e tij dolën fjalë të mira për letrarët e vendit tonë. Më foli me radhë mbi Nezimin, Sulejman Naibin, Omer Nadinë (që të tre këta janë poetë beratas). Më foli edhe mbi De Radën, mbi Naimin, Fishtën, Ali Asllanin dhe mbi Lasgushin. Brenda kësaj kohe të shkurtër gjeta patriotin e vyer, teologun e mbaruar, letrarin e urtë dhe historianin kritik…”.

Nga fragmenti i mësipërm i Buharasë së ri, vetëm 21 vjeç, vijmë në përfundime të tilla: Buharaja që në një moshë fare të re qe në një valë me njerëz të ditur, vizionarë dhe patriotë që ishin në moshën e gjyshit të tij. Formimi i Buharasë nuk ka qënë i njëanshëm, vetëm në një drejtim kulture, nga Lindja. Ai njeh, siç thotë edhe vet, “titanët e Lindjes dhe të Perëndimit”. Kjo duket qartë edhe në bisedën që ai bën me Islam Vrionin. Që në këtë moshë djaloshi Buharaja qe divorcuar me mjedisin e zbrazët, ku flitet për çmimin e misrit dhe grurit, dhe merren në gojë të tjerët, apo pihet dhe këndohet gjithë jetën, siç ndodh në disa mjedise në Berat sot e gjithë ditën. Buharaja, njeri i sjellshëm dhe i respektueshëm, i vetmuar dhe i veçuar në një qytet që përtypte të shkuarën e tij kulturore, e ka vuajtur mungesën e mjedisit ku do të ndihej mirë. Ky njeri, me mendim dhe me shpirt të lartë fliste më shumë me fëmijët dhe u kushtonte vëmëndje më shumë atyre se të rriturve, siç e kujton Muzina Buharaja, e bija.

 

 

 

 

Please follow and like us: