Albspirit

Media/News/Publishing

Letrat sekrete: Historitë e ushtarakëve shqiptarë dhe grave ruse

Ata vinin nga lufta. Shumica dërrmuese ishin vërtet me origjinë “gjysmë opinge”; edhe ndonjë që vinte nga familje më në gjendje, e kishte tretur pasurinë. Ndërkohë që kush “kishte parë botë me sy” numërohej me gishtat e dorës, ishte mëse e kuptueshme që metamorfoza në të mirë dhe në të keq, e ushtarakëve shqiptarë që diktatura komuniste i dërgoi të studionin në shkollat e famshme të Bashkimit Sovjetik, të binte shumë në sy.

 Ky grup i madh njerëzish që i dha tonin luftës në terrenin shqiptar, do të bënte të njëjtën gjë edhe për atë pjesë të Luftës së Ftohtë që i ra për hise Shqipërisë. U kthyen për të komanduar ushtrinë e vendit të tyre, shijuan lavdinë dhe mundimet, pakënaqësitë dhe gradat, e shumë prej tyre në fund edhe e pësuan. Arsyeja tashmë dihet: Miku i madh ishte shndërruar në armikun e madh. Por dramat në të tilla raste marrin përmasa të shumëfishuara, aq më tepër kur kalojnë nga plani profesional në atë njerëzor e personal.

Sepse për ta, ndarja e Enverit nga Hrushovi, prishja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe shumicën e vendeve të kampit socialist, nënkuptonte automatikisht ndarjen e grave të tyre ruse. Thika e ironisë shkon edhe më thellë: Ndokush, para se të vendoste të lidhte jetën me romancën e vet ruse, ishte divorcuar nga bashkëshortja e mëparshme shqiptare.

Nevoja urgjente e qeverisë së re të dalë nga lufta për kuadro të mirëfilltë ushtarakë, ashtu si dhe për profesionistë civilë të fushave të ndryshme, e kishte gjetur zgjidhjen: Arsimimin në shkollat e “demokracive popullore” të Lindjes, e kryesisht në Bashkimin Sovjetik. Padyshim se përzgjedhja e elementëve ishte skrupuloze, ndërsa kriteret kokë e këmbë politike. Komandantë të shquar të luftës, më pas drejtues kryesorë të shtetit, duke filluar që nga Mehmet Shehu, studiuan në“Harvardin” sovjetik të shkollave ushtarake, akademia “Voroshillov”, ku përgatiteshin oficerë madhorë të Shtabit të Përgjithshëm.

Menjëherë më pas vinte akademia “Frunze”, që prodhonte drejtues brigadash e divizionesh të këmbësorisë; akademia “Zhukovsko” për aviacionin; akademia “Xherxhinski” e artilerisë; akademia “Stalin” e tankeve etj. Me përjashtim të atyre të “Voroshillovit” dhe “Frunzes”, pjesa dërrmuese e studentëve shqiptarë duhej ta fillonin studimin nga shkolla bazë ushtarake, “Uçilishçe”, e ndarë sipas degëve dhe ku starti i parë ishte mësimi i gjuhës. Paskëtaj vinte Kursi i Oficerëve dhe më pas Akademia, si faza më e lartë. Por e gjithë kjo, siç rezulton nga disa dokumente të Arkivit Qëndror të Ushtrisë, përkthehej në rreptësinë shembullore të shkollës sovjetike të kombinuar hidhët me acarin famëkeq të dimrit rus, diçka e panjohur qoftë edhe për partizanët e djeshëm të maleve të Shqipërisë.

Ja çfarë thotë një raport i atasheut jetëgjatë ushtarak të Shqipërisë në Moskë, Sadik Bocaj botuar nga Dita:

“Veçanërisht ajo që i ka goditur më shumë ka qenë edhe disiplina e fortë, disiplinë kjo që e godiste për vdekje partizanllëkun. Tanët nuk ishin mësuar me disiplinë të atillë ndaj dhe u dukej e tmerrshme, e aq më tepër që ishte dimër këta s’ishin mësuar me një të ftohtë të tillë Rusie. Këta s’ishin mësuar me u ba gati për dy minuta e me dalë në rresht…me ba paraqitjen karshi eprorëve në rregull; këta s’ishin mësuar me ba roje, me fshi e me la dyshemenë e nevojtoret”.

Shumë raporte të Sadik Bocajt dhe të ndihmësit të tij Vasil Skorovoti (ky i fundit dërgonte raporte të veçanta edhe mbi punën e shefit të vet, si pjesë e misionit të tij special), flasin për Bashkimin Sovjetik ideal për të cilin studentët shqiptarë kishin dëgjuar aq shumë, përballë BS-së së zymtë të realitetit, për çmimet e larta e varfërinë e pasluftës, për hajdutët e xhepave që të vidhnin para syve e për ushqimin e keq të mensave ushtarake. Por nëse për shumëçka ish partizanët do të zhgënjeheshin nga nëna e madhe Rusi, ky zhgënjim do të kompensohej nga një element i vetëm: Vajzat ruse.

Letër e vitit 1957

Drejtoria e Kuadrit në ministrinë tonë të Mbrojtjes i dërgon mesazh atasheut ushtarak në Moskë:“Bashkë me këtë shkresë ju dërgojmë letrën e shoqes Shpresa Lufo, me anën e së cilës ankohet për bashkëshortin e saj, kursant Riza Lufo, i cili studion në shkollën e Marinës Leningrad, mbasi nuk ka marrë letra qysh prej nji vjeti, dhe se në fund e ka njoftuar për divorc. Çështja e tij të shikohet seriozisht dhe me kthimin e letrës të na njoftohet përfundimi”.

Kontakti i shqiptarëve me vajzat ruse ka shkaktuar edhe të tjera drama të këtij lloji, duke bërë që autoritetet shqiptare të përballeshin me një problem të panjohur më parë. Martesa me shtetas të huaj nuk ishte parashikuar, ndërsa më vonë iu gjet një procedurë e ndërlikuar. Reagimet e para, gjithsesi ishin të rrepta, siç kumton kjo letër e vitit 1951 nënshkruar nga Haxhi Lleshi, drejtori i Personelit në ministrinë e Mbrojtjes Popullore:

“Kapter Idajet Kokaj, që është për studime ushtarake në Bashkimin Sovjetik, i ka drejtuar një lutje kësaj drejtorie për të ndërhyrë pranë organeve kompetente sovjetike, për të lejuar që të martohet me një vajzë sovjetike. Të lajmërohet i naltëpërmenduri se detyra e parë e tij është kryejë me përpikmëni detyrat që i janë ngarkuar nga Partija, Komandanti Suprem dhe Populli duke dalë me rezultate të mira në mësime dhe të përfitojë sa më tepër nga eksperienca e çmushme sovjetike. Sa i përket martesës së tij dhe shokëve të tjerë, komanda i ka parasysh kërkesat e tyre…”

Ishin vitet e mjaltit Tiranë-Moskë. Dhe kërkesat për nuset nga vendi i largët, nisën të rrjedhin lumë nga viti në vit. Vajzat ruse paraqiteshin në ambasadën shqiptare në Moskë me kërkesat e tyre, ndërsa oficerët shqiptarë drejtonin lutje në Tiranë. Dokumentet që duheshin plotësuar, përbëheshin nga:

-Lutje e të interesuarit bashkë me një biografi të tij;

-biografia e hollësishme e vajzës së huaj dhe adresa e saktë e saj;

-certifikatë shëndeti dhe certifikatë nënshtetësie;

-certifikatë gjyqësore dhe mirësjelljeje (çka nënkuptonte qëndrimin e saj politik).

Nëse dosja miratohej, njoftohej ministria e Jashtme shqiptare që kontaktonte me homologen e saj sovjetike. Por interesant është fakti që të paktën deri në vitin 1951, as qeveria e Moskës nuk ishte e gatshme të lejonte martesën me shtetas të huaj, përfshi dhe shqiptarë.

Vajzat ruse paraqiteshin grupe-grupe pranë legatës sonë dhe paraqisnin kërkesat:Valentina Kovaliova për Nako Papavangjelin, Ana Derera për Thanas Gjiknurin, Lidia Perestjuk për Zenel Minarollin, Ludmilla Sitnik për Vaskë Kostën, Galina Vinokurova për Raqi Sellon, Tatjana Llomejko për Areteo Konomin, Irena Onokjenko për Peço Polenën, Sjagadjat Aitova për Vasil Gjikondin, Ludmilla Denisovoj për Vasil Priftin…dhe listat janë të gjata.

Sigurisht, shumica e kërkesave, pas një fluksi të tillë, filluan të miratohen dhe nisën të realizohen martesat.Nadja me Rako Germenin, Beba me Arqile Papadhimitrin, Gojogana me Gligor Konomin, Galina me Shaban Reçin, Veronika me Mujo Sokolin, Valentina me Qamil Podën, Nona me Stavri Qeleshin, Lida me Skënder Godon, Aleksandra me Shaqir Kapexhiun…

Studentët shqiptarë në Simferopol, Rjazan, Kiev, Harkov, Saratov, Leningrad, Moskë etj, kishin gjetur jo thjesht ngushëllimin, por gëzimin e tyre të jetës. Dhe jo vetëm ata që u martuan, por shumë të tjerë e gjenin rrezen e dritës për të dalë nga zymtësia e jetës së rreptë ushtarake, pikërisht në marrëdhëniet e tyre jashtë shkollës,me femrat ruse.

Përshkrime të bollshme të kësaj epike ka dhënë Kadare në veprat e tij, ashtu siç dihet tashmë martesa e parë dhe e hidhur e Dritëroit të madh me gruan e vet ruse, më të cilën pati dhe një fëmijë, Arjanin. Por ana e nëndheshme e kësaj medaljeje, ishin raportet e fshehta që komandantët e grupeve të studentëve përgatisnin për sjelljet e shokëve të tyre, ku përveç ecurisë në mësime dhe “jetës së partisë”, rradhiteshin të gjithë “shkarjet”, pra angazhimi sipas tyre i tepruar me femrat.

Ja një raport i hershëm i vitit 1946, i Sadik Bocajt:

“Nga elementet më të padisiplinuar janë Kapiten Stavri Qeleshi dhe Toger Xhemal Shehu, të cilët qysh gjatë udhëtimit për në BS, në Rumani ndahen nga shokët duke mbetur pas vajzash…”.

Ai u kërkon në një tjetër letër, secilit prej përgjegjësve të grupeve të dërgojnë një raport të hollësishëm çdo muaj, “edhe më shpesh po e patë të nevojshme”. Më tej, gjithmonë do të ketë ndonjë denoncim për shkelje të leje-daljes, për ofendim të eprorëve, e deri për vjedhje rublash mes njëri-tjetrit. Sigurisht, argëtimi kërkon para.

Por me afrimin e viteve ‘60-të, situata do të ndryshonte kryekëput. Përfaqësuesi i Shqipërisë pranë Traktatit të Varshavës, Dilaver Poçi, i shkruan ministrit Beqir Balluku në 23 tetor 1961, mbi ankesat e shumta për thyerje disipline që gjenerali sovjetik Gusiev i kishte rreshtuar në drejtim të studentëve shqiptarë, sidomos atyre që studionin në Krasnodar dhe Rjazan. Ftohja mes dy vendeve tashmë ishte fakt i kryer dhe në diskutim ishte ndërprerja e studimeve dhe kthimi në atdhe.

Shumë domethënëse është letra “tepër sekret” e gjeneral Halim Ramohitos ( i dëbuar shumë shpejt nga Bashkimi Sovjetik si non grata), dërguar Tiranës:

“Më 1 janar 1961, në 38 akademitë e shkollat ushtarake të BS, kemi gjithsejt 876 ushtarakë, nga këta 594 kursantë dhe 282 oficera. Të ministrisë së Mbrojtjes janë 759, të Ministrisë së Punëve të Brendshme 117”.

Dhe Ramohito flet për qëndrimin e drejtë politik të shqiptarëve, ndërkohë që në fjalorin politik dypalësh dëgjoheshin rëndom termat “revizionist”, “tradhëtar” dhe “kokëfortët shqiptarë”.

Por ajo çka e meriton vërtet logon “sekrete” vijon më poshtë:

“Kemi rreth 10 ushtarakë që kërkojnë me insistim të martohen këtu. Megjithë shpjegimet tona, këta shokë nuk binden. Numri i tyre mund të jetë dhe më i madh… Nga eksperienca që kemi, të gjithë rastet e këqija që kemi këtu me ushtarakët e kanë bazën në marrëdhëniet me vajzat… Çështja e martesave po merr edhe karakter politik. Kemi kohët e fundit dy raste. Kursant Luan Çakërrin, siç e dini, e kthyem në Shqipëri pa dhënë provimet shtetërore sepse kishte pëshpëritur që ‘nuk kthehem në Shqipëri pa gruan’. Këtij gjoja i dhamë leje për në Shqipëri, për të rregulluar çështjen e martesës dhe mbeti aty. Edhe kapterin e Marinës Idrizi donim ta kthenim se në Baku u lidh me një vajzë dhe i la mësimet fare. Ai erdhi këtu në Moskë dhe fshehurazi na iku nga hoteli për në Leningrad. Atje e kapëm dhe e shoqëruam për në Moskë e prej andej për në Shqipëri…”.

Dikur shiheshin me zili, por më pas erdhën ditët që martesat ruse të ishin mallkimi i oficerëve shqiptarë. Disa u ndanë, disa e mbrojtën shoqen e jetës. Siç është rasti i vlonjatit Hamdi Arapi që nuk u nda nga Raja:“Rrobaqepëse ishte në BS, rrobaqepëse është në Vlorë. Ç’të keqe ju ka bërë?”,do t’u thërriste ai në fytyrë autoriteteve shqiptare. Pas vitit 1992, ai shkoi në vendlindjes e të shoqes në Borisoglepsk, ku ndodhet edhe shkolla e famshme e aviacionit “Çkallov”.

Por shumë gra, me dhe pa fëmijë, u kthyen në atdheun e tyre, ndërsa shumica e oficerëve të brezit sovjetik do ta pësonin njëri pas tjetrit, sepse tashmë shkollimi në BS shihej si “njollë në biografi”. Nga ushtarakët më të lartë deri tek kapterët, do të niste pastrimi i radhëve të ushtrisë dhe kinezërimi i saj.

Please follow and like us: