Macron: Europa është fati ynë
Bashkimi Europian duhet të shpëtojë rendin multilateral, që po vihet në pikëpyetje nga SHBA, kërkon presidenti francez, Macron në intervistë me Deutsche Wellen dhe ARD. Ishte intervista e parë me një televizion gjerman.
Nga Bernd Riegert
Zyra e shtypit në pallatin Elysee ishte kujdesur që për presidentin francez të qëndronte gati një kolltuk i rehatshëm për intervistën. Por Emmanuel Macron gjatë 20 minutave të intervistës me Deutsche Wellen dhe ARD qëndroi ulur në cep të kolltukut duke shtrënguar grushtin, duke gjestikuluar me të dy krahët për të bindur dy intervistuesit, Max Hofmann e Deutsche Welles dhe Caren Miosgan nga ARD për qëndrimet e tij.
Dinamik, energjik, i kthjellët, por edhe i duruar me vonesat teknike u tregua 40 vjeçari Macron. Ai është krenar që Franca ka ndryshuar shumë këtë vit. Tani ai kërkon të bëjë për vete edhe europianë të tjerë. Ky është mesazhi i tij në intervistën e parë televizive me një televizion gjerman.
Trump bën gabim
Fillimisht në intervistë bëhet fjalë për temën kryesore aktuale në politikën e jashtme. “Shpreh keqardhjen për vendimin e presidentit amerikan”, tha Emmanuel Macron pas heqjes dorë të SHBA-së nga marrëveshja atomike me Iranin. “Besoj se ky është gabim, prandaj ne europianët duhet të qëndrojmë të bashkuar në kuadër të marrëveshjes”.
Para intervistës me DW dhe ARD, presidenti Macron kishte telefonuar me presidentin iranian, Hasan Rohani dhe e kishte siguruar që BE do të qëndrojë tek kjo marrëveshje. Ai pranoi në intervistë se përpjekjet e tij tek Donald Trump hasën në veshë të shurdhët. “Propozimi im për Trumpin ishte që të mos këputen të gjitha fijet, e të hidhet dhe e mira përtokë.” Vetëm sepse dikush e hedh poshtë marrëveshjen, kjo nuk do të thotë që të dështojë e gjithë marrëveshja. “Ne duhet ta plotësojmë atë dhe ta zgjerojmë përtej vitit 2025. Kemi nevojë për një kuadër të zgjeruar.” Macron premtoi se do të punojë për këtë me europianët.
“Europa duhet të shpëtojë rendin multilateral”
Emmanuel Macron kërkon që marrëdhëniet me SHBA të mos perceptohen vetëm si krizë. Kemi shumë interesa të përbashkëta në temën e sigurisë dhe luftimit të terrorizmit. “Ka tensione, por edhe një lidhje të fortë”. Lidhur me grindjen për doganat, Macron kërkon nga Europa të mos sillet si partnere e vogël. “Në këtë temë Europa duhet të kërkojë respektin që i takon. Ne jemi një fuqi e madhe ekonomike. SHBA janë aleat dhe partner, por edhe ne kemi rregulla. E duhet të tregojmë kujdes që këto rregulla të respektohen.”
Trump vendos në fund të majit, nëse BE do të përjashtohet përfundimisht nga doganat ndëshkuese për çelikun dhe aluminin. BE ka kërcënuar me kundërmasa. Macron thotë: “Mendoj se jemi sot në një moment historik për Europën. Europa ka detyrën që të shpëtojë rendin multilateral që kemi ngritur në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe që sot është i kërcënuar.” I kërcënuar nga vetë aleati, SHBA.
Merkel nuk më ka zhgënjyer
Duke qeshur dhe me gjest refuzues, reagon luftëtari për Europën, Macron ndaj pyetjes, nëse ai është i zhgënjyer nga Angela Merkel, sepse po zgjat kaq shumë që Gjermania t’u përgjigjet propozimeve reformuese të Macron për BE. “Jo aspak. Nuk jam i zhgënjyer”, tha Macron. “Tani Gjermania do ta formulojë përgjigjen ndaj propozimeve tona dhe pres shumë. Shpresoj që kancelarja dhe qeveria e saj të jenë në lartësinë e detyrës dhe të punojmë së bashku për një Europë më të fortë, një Europë sovrane dhe të bashkuar.”
Euro ka nevojë për transferta
Macron nuk e kupton kritikën për propozimet e tij të zgjeruara për BE. Ai nuk këmbëngul që të ketë një ministër Financash, por detyra duhet të kryhet. “Se si quhet institucioni nuk ka rëndësi. Qëllimi është kryesori.” Macron thotë qartë, se eurozona nuk do të rezistojë dot gjatë, nëse nuk kryhen transferta mbështetëse nga vendet më të pasura tek më të varfrat. “Duhet të dalim nga tabutë dhe egoizmat”, thotë Macron. Mbështetja në formë transfertash është një tabu gjermane që duhet të bjerë. “Edhe Franca e ka një tabu. Ndryshimin e Marrëveshjes së BE. Edhe kjo duhet të bjerë. Ne duhet ta ndryshojmë marrëveshjen.”
Shumë presidentë francezë nuk guxonin ta preknin këtë temë, nga frika sepse kjo kërkonte votën me referendum. “Nuk kam pretendimin, se gjithçka kam propozuar duhet të pranohet. Jam i bindur se është detyrimi im që të bëjmë propozime të tilla dhe të diskutojmë. Statusquoja në Europë është e keqe për të gjithë.” Macron është optimist, se me Merkelin do të bëjë propozime të përbashkëta në qershor.
“Nuk jam superhero”
Një vit pas zgjedhjes së tij si president, Franca ka ndryshuar shumë. Por krahasimet me Jupiterin apo Julius Cezarin nuk i pëlqenë Macron. “Nuk e kam parë veten kurrë si hero.” Macron është i vetëdijshëm, se puna që ka përpara është e madhe. Megjithë krizat ai kërkon të mbetet optimist pr Europën.
Të enjten (10.05) Emmanuel Macron nderohet me Çmimin Karl të Qytetit të Aachenit. Në deklaratën e jurisë thuhet se ai nderohet si “shpresëdhënës i Europës”. Në intervistë me Deutsche Wellen dhe ARD, Macron lë të kuptohet se ky çmim e nderon. “Shumë vetë besonin se është e pamundur të zgjidhesh në Francë me synime ambicioze europiane. Por doli se funksiono./DW/