Praktika e meditimit dhe sistemi imunitar
Praktika e meditimit në nivele intensive, mund të sjellë një forcim të konsiderueshëm të sistemit tuaj imunitar. Zbulimi vjen pas një analize të mostrave të gjakut para dhe pas meditimit, që gjurmoi aktivitetit gjenetik të më shumë se 100 burrave dhe grave.
Kjo analizë tregoi se meditimi e rriti aktivitetin e qindra gjeneve, që dihet se përfshihen drejtpërdrejt në rregullimin e përgjigjes imunitare. Por studiuesit theksuan se studimi i tyre, përfshinte seanca meditimi maratonë 10-orëshe, të përditshme të kryera për 8 ditë rresht dhe në heshtje të plotë.
Në botën reale, shumica e njerëzve do ta kishin të vështirë t’i përsëritnin këto metoda. Gjithsesi të dhënat e studimit tregojnë se meditimi, mund të luajë rol të rëndësishëm në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme që lidhen me një sistem imunitar të dobësuar, thotë autori kryesor i studimit Vijajendran Shandran, asistent profesor i pediatrisë dhe neuroshkencës në Kolegjin e Mjekësisë të Universitetit të Floridës.
“Por mos harroni se ishin vetëm 8 ditë. Edhe meditimi afatgjatë, qoftë edhe për minuta në ditë, mund të përmirësojë gjithashtu sistemin imunitar”-thotë Shandran. Ai e pranoi se ekipi i tij nuk e testoi skenarin e një meditimi më të shkurtër në kohë. Por ai ka eksperimentuar me veten.
Para fillimit të studimit, ai përfundoi programin e tij 48-ditor që përfshinte afërsisht 20 minuta në ditë meditim në shtëpi. Ky eksperiment e bëri Shandran të ndihej më i qartë dhe më i fokusuar. Kështu ai vendosi të zhytej në një meditim të thellë, për të eksploruar mekanizmin e saktë themelor molekular, përmes së cilës meditimi sjell përfitime për trupin tonë.
Studimi përfshiu 106 burra dhe gra, me moshë mesatare 40 vjeç. Të gjithë ishin regjistruar në një kurs meditimi të kryer në Institutin Isha të Shkencave të Brendshme në Mekninvil të Tenesit. Të gjithë pjesëmarrësve iu morën disa herë mostrat gjaku për analiza.
5-8 javë para nisjes së meditimit; pak para fillimit të meditimit, dhe 3 muaj pas përfundimit të kursit. Kursi 8-ditor u ofroi të gjithë pjesëmarrësve një kuzhinë vegane, dhe që të gjithë ndoqën një orar të rregullt të fjetjes gjumë. Seancat e meditimit zgjasnin nga 10 orë në ditë, dhe kryheshin në heshtje të plotë.
Rezultati:Tre muaj pas përfundimit të kursit, Shandran dhe kolegët e tij gjetën një rritje të aktivitetit që përfshinte 220 gjene të lidhura me imunitetin, përfshirë 68 gjene të përfshira në të ashtuquajturin “sinjalizim të interferonit”.
Autorët e studimit vunë në dukje se një sinjalizim i tillë, mund të jetë jetik për krijimin e një mbrojtje efektive kundër sëmundjeve të ndryshme, përfshirë kancerin, sklerozën e shumëfishtë apo edhe Covid-19, duke pasur parasysh faktin që proteinat e interferonit veprojnë në mënyrë efektive si nxitëse të sistemit imunitar.
Shandran tha se sidomos midis pacientëve të sëmurë rëndë nga Covid-19, aktiviteti i pamjaftueshëm i interferonit, është përmendur si problemi kryesor. Ai shpjegoi se thuajse të gjitha (97 për qind) e “gjeneve reaguese” të interferonit, u zbulua se aktivizoheshin pas nisjes së meditimit.
Por duke u mbështetur tek të dhënat e disponueshme publikisht të aktivitetit të gjeneve nga pacientët me Covid-19, Shandran dhe kolegët e tij raportuan se kjo shifër ishte 76 për qind tek ata me një formë të lehtë të Covid-it, dhe vetëm 31 për qind tek ata me forma më të rënda të kësaj sëmundje.
Një ekspert që nuk ishte i përfshirë në studim, tha se këto gjetjet janë inkurajuese. “Shumë studime të mëparshme, kanë folur mbi ndikimin pozitiv të praktikave medituese mbi shëndetin psikologjik dhe fizik të njerëzve”- thotë Aleks Preshuti, doktor i psikologjisë klinike në Universitetin e Kolorados, SHBA. / MedicalXPress – Bota.al