Yzedin Hima: Kur e bukura e shndërron korbin në pëllumb
Ese
Shënime për poezinë e Martin Camajt “Një ditë e ka dhe korbi”.
…Kur te e vona pllumbat kthyen në banesa,
e ndieu vehten korbi pllumb në shpirt.
Poezia e Martin Camajt “Një ditë e ka dhe korbi” është një tekst poetik simbolist. Ndryshe nga tekstet simboliste, ku përpjekja për gjetjen e mesazhit kuptimor kalon në një aventurë estetike me rreziqe të ndryshme, ku duhet të eksplorosh figura e kuptime në rrëpira gjuhe e hone pa dritë, aty ku rriten lule të egra me aromë mahnitëse dhe ekzotike, që rrallëkush i gjen dhe i provon, ky tekst dekodifikohet disi më lehtë për shkak të simboleve si korbi dhe pëllumbi, të cilët janë mjaft të njohur e të ndriçuar në ligjërimin poetik të traditës folklorike arbërore. Korbi, zog i përzishëm, si simbol i vdekjes dhe zisë, ku forma dhe substanca bëhen një, në të folmen e përditshme përdoret si simbol i trishtimit dhe fatkeqësisë: Korba unë për ty! – është piskama e nënës për birin e humbur. Ndërsa pëllumbi është zog që simbolizon paqen, harmoninë, qetësinë, shpresën, lajmin e mirë.
Poezia “Një ditë e ka dhe korbi” nis si në rrëfimet e vjetra:/Erdhi një korb te dheu i butë nën shkrepa/ Në habitatin e pëllumbave, korbi vëren si ai “s’dinte me ndjekun vallet e pllumbave”, nuk dinte të mbante “ritmin e flatrave ndër valle”. Në respekt të të ndryshmëve, korbi nuk e përzit vallen, nuk nxjerr zë, me kujdesin se krrokama e tij do ta bënte pis ajrin, do ta ngjyente me zi.
Befasia e këtij teksti vjen nga kontrasti, përballja e dy sistemeve të ndryshme të vlerave: ai i pëllumbtë mes gazullimit të përgjithshëm dhe ai i korbtë me lëmshin e zi të trishtimit, që shthuret dhe përhapet ngadalë në fusha e pjerrina me krra-krra-krra.
Në këtë përballje Jetë – paqe – shpresë – lajm i mirë (pëllumbi) – në njërën anë dhe Vdekje – trishtim – zi, krrokamë (korbi) në anën tjetër, butësisht triumfon jeta. Korbi ngrin, hesht, i vetdijshëm për atë çka përfaqëson, mahnitet dhe hutohet, gjithmonë me kujdesin për të mos u shfaqur dhe për të mos prishur bukurinë e habitatit të të tjerëve. Poezia mbaron me vargjet: Kur te e vona pllumbat kthyen në banesa,/ e ndieu vehten korbi pllumb në shpirt./
Çfarë ndodhi?!
Ndodhi metamorfoza, që nuk përfshiu pamjen, zërin, por shpirtin e korbit. E zeza, e përzishmja, ka ndryshuar së brendshmi. Ka triumfuar e mira, jo në pamje, jo në formë, por në substancë. Metamorfozat ndodhin në rastet kur ndodhin trauma të forta shpirtërore. Cila qe ajo forcë që e detyroi korbin të ndihej pëllumb në shpirt?! Arti? E bukura? Paqja? Shpresa? Lajmi i mirë?
Ndoshta të gjitha. Krejt si në një shfaqje teatri, ku pëllumbat janë artistët që lujanë në skenë, ndërsa korbi është spektatori i vëmendshëm dhe i ndjeshëm. Loja në skenë e pëllumbave, krahas kënaqësisë hedonistike, nxiti te korbi efektin që shkakton çdo lloj arti, katarsisin, pastrimin shpirtëror.
Teksti ka nëntë vargje gjithsej. Martin Camaj është mjeshtër i poezisë eliptike, ku me pak fjalë end një pëlhurë poetike, sa të bukur aq edhe hermetike. Në këtë tekst shohim vetëm efektet, jo veprimin. Mungon narrativja, e cila rrjedh poshtë vargjeve të kursyer dhe, me një vrull e energji në vetdijen e lexuesit, ku ndërtohet tërësisht kuptimi dhe zbulohet nyjëtimi artistik, që sjell kënaqësi estetike. Lexuesi mbetet i mahnitur nga efekti, që shkakton e bukura, e cila e bën korbin të ndihet pëllumb në shpirt. E bukura është energji pozitive, që mund të transmentohet nga një burim te objektet përreth dhe të ndryshojë pikërisht substancën e këtij objekti, në këtë rast, shpirtin e korbit. Jo vetëm ta ndryshojë, ta pasurojë, por edhe ta shndërrojë nga të korbtë në shpirt pëllumbi.
Dikush tha se e bukura është “materiali” më i qendrueshëm. Sidomos e bukura e shpirtit. Dhe në një farë mënyre ka të drejtë sepse një fytyrë e bukur plaket dhe e humb bukurinë, ndërsa një shpirt i bukur nuk ndryshket dhe nuk plaket kurrë, ndaj dhe Martin Camaj vëren se ndryshimi, metamorfoza ndodhi pikërisht te shpirti i korbit, kur ai u ndje në shpirt pëllumb.
Berat, 12 maj 2018