Albspirit

Media/News/Publishing

‘Takimi i autorit me personazhet e tij’

Sotir ATHANASI

           CIKLI:

                -1 –

  “TAKIMI I AUTORIT ME PERSONAZHET E TIJ”

(BASHKIM ME DHIMBJE)

       {PARAMNEZI}

Ata ishin mbledhur si me porosi dhe tregonin raste të harresës. Në mes tyre ndodhej edhe një kolegu im i shkrimeve.

Kuptohet: shembujt që sillnin, ishin vazhdimisht për të tjerët. Larg vetes.

Vetëm njërit iu desh të pranojë se: gruaja merakoset për harresën time shqetësuese. Kjo nuancë sinqeriteti, nuk duhej lënë të kalonte pa shikuar ç’ngjyrim kishte: shkrimtari e kapi:

– Pa më thuaj një nga rastet e kësaj prirjeje të rrezikshme?  – qe pyetja e tij ku fshihej cilësia e mjekut, ndonëse ishte vetëm autori që donte të dinte për fatin e personazheve të tij, tashmë të moshuar. Sepse, për arsye ideoartistike u ndodh në atë shoqëri të atypëratyshme. E cila, rastisi në hollin e një hoteli turistik në plazhin e Durrësit. Rrethanë e artë për të dëgjuar edhe unë përzgjedhje origjinale.

– Po ja: kisha shkuar në market për të marrë qumësht. Lashë makinën poshtë në parking dhe kur dola me dy shishet e tij dhe diç tjetër, u nisa për në shtëpi.

– Po makinën ku e le?

– Këtë pyetje më bëri edhe ime shoqe e cila më ndiqte në çdo hap.

– Atëhere e kujtove se: nuk kishe shkuar me këmbë, por me makinë në supermarket. Kështu?

Ai pohoi me krye. Por nuk ndjehej aspak, të themi si harraq.

Shkrimtari njohu Dashin në tregimin “Rekuem për një kryengritës”.

Dashi harron se si e ka nisur, në vitet pesëdhjetë, me një Renault që: të ecte, kërkonte në karroceri, me patjetër dikë i cili, duhet të thërriste:

– HAPUNI SE S’KA FRENA!

– Po, por tani edhe në supermarket ai shkon me makinë, – ironizoi dikush që shkaktoi të qeshura.

Kurse për mua, me aq sa dija, kjo ishte shënja fillestare e një patologjie ALZHEIMER, për Dashin. Por nuk fola.

– Epo, s’mund të kemi kujtesën e… këtij elefanti, de? – tha dikush se përfitoi nga pamja kaq e bukur e atij kurioziteti në ekranin e madh të ndezur që tregonte hapin e rëndë të kafshës së stërmadhe tek kthehej atë mbas dite pranë këpucarit. Hijeshinë e asaj ç’ka do të shihnim më vonë.

Ustai i ia kishte çpuar hundën me biz që në mëngjes këtij gjitari trupëmadh e barngrënës, por hakmarrës dhe ndëshkues paqësor.

Ai i zbrazi gjithatë ujë me feçkën e tij për t’a bërë qull mjeshtrin e këpucëve dhe për të mos u kujtuar t’a çponte më me biz.

– Jo, – ndërhyri shkrimtari pas ciklonit të të qeshurave.

Elefantët gëzojnë trashëgimi gjenetike prej gjeneratash dhe veç kësaj, ata kanë edhe varrezat e tyre. Është e çuditshme, por tek këta parandjehet fundi. Madje, ndihmojnë njëri tjetrin kur vjen koha e ora e mbrame për t’u larguar nga kjo botë, – gjeti rastin autori të shpërfaq gjithsesi, edhe shkakun pse qenë mbëledhur nga ishin e nga s’ishin personazhet e tij që: kishin lënë tutje emigracionin dhe qenë kthyer në Atdhe për të ngrysur pjesën e mbrame të viteve krejtësisht të panjohura. Se (ndërsa unë, i kisha kaluar të 65-at) sa duhet të ishin ata, që të paktën, një dekadë rëndonte mbi moshën time?

Dikush që rrinte disi i vetmuar, tejet shpërfillës në gjithçka, sapo hyri një grua rreth të pesëdjjetave, u ngrijt më këmbë dhe e përqafoi:

– Motër e dashur, kur erdhe nga Italia se u bë gjatë që s’jemi parë?

(Ky ishte moshatari dhe shoku i fëmijërisë së kolegut tim shkrimtar).

Tjetrën, por edhe të pranishmit, nuk i befasonte aspak hutimi i tij e kjo ngatresë që me siguri, ishte përsëritur edhe më shumë se dy a tri herë më parë atë mëngjes dhe që për këdo, do të ndodhte sa herë që, ajo grua do t’i rishfaqej. Po kush ishte ajo?

Për të gjithë të pranishmit një femër fatale, ajo qe.

Po, për MOISIUN për të cilin flasim? Ishte vajza e ungjit të tij që, në rininë e vet të vonët e kishte trajtuar si vajzën e tij dhe që tani, për ‘të, ishte bërë si gjyshe. Prandaj ngjanin si të qenë vërsnikë të kthyer nga Australia.Por dallimi qe se ajo i kishte ndënjur besnike të dashurit të saj i cili vajti në emigracion dhe humbi pa nam e nishan derisa erdhi dikush, vitin e shkuar dhe solli lajmin e gjëmës.

S’ishte më VAJZA E VALËVE, siç edhe kemi dëgjuar për legjendën himarjote. Por tashmë të gjithë e thërrisnin: PLAKA E DALLGËVE.

– I dashuri i saj, i kishte hypur vaporit si gjithë të tjerët

DITËN E EKSODIT BIBLIK, siç u quajt dhe nuk qe bërë i gjallë. Por, si të mos mjaftonte vetëm kjo, kishin marrë udhën e gjatë për te Zoti, të gjithë njerëzit e trungut të saj familjar dhe ajo, kishte mbetur si qyqe.Prandaj u gëzua kur më në fund, u kthye KOISIU nga emigracioni, por edhe ky QYQARI, ( siç mendonte me dhimbje) e vetmja degë e cungut të mbetur familjar, erdhi e tharrë.

E ç’të molloisësh me ‘të kur i ka ikur truri e s’ban mënd?

S’ka trishtim më të madhe se: kur mbetesh (me dhimbje, por kjo fjalë vjen) trutharë ke mbetur edhe shpirt-tharë.

Familjarët e tij por edhe shokët e afërt moshatarë këto kujtonin.

Kurse Moisiut që i dukeshin të huaj edhe pjestarët e kërcellit familjar të cilit në shumicën e rasteve mundoheshin t’i sillnin ndërmend çaste vërtet të paharrueshme nga çapkënëritë, por edhe dinakërit e tinëzitë e moshës mistrece, por, ç’e do? I qenë fshirë nga kujtesa. Edhe kur dikush nga vëllezërit i mbetur gjallë (gjithashtu i plakur) i tha se:

– A të kujtohet kur i vidhnim nënës qumështin pluhur që neve na pëlqente aq shumë dhe që ajo e fshihte në fund të sundukut që ne të mos ia mirrnim?

Moisiu e dëgjonte me ftohtësi e mospërfillës edhe kur ai i tregoi se: gati na kapi nëna dhe ti u detyrove ta futish në gojë të gjithë grushtin e pluhurit, të cilin do t’a ndanim sëbashku ? Doemos, ishte shumë për një gojë, prandaj; ty të dolën sytë si kokërllokë e t’u zu fryma. Unë kujtova se do të vdisje nga bllokimi i frymëmarrjes dhe nisa të bërtas e të ulërij.? Por nëna erdhi menjëherë dhe të futi dorën në gojë për të ta zbrazur pluhurin që të shpërtheu menjëherë bashkë me zërin e frymëmarrjen e çliruar.

Shkurt, nëna e dinte se ç’bënim ne, por e hiqte veten sikur nuk e kuptonte. Eh! Nënëzeza! Iku nga kjo botë pa na parë të ngopur as me…qumësht.

Moisiu edhe këtë nuk e kujtonte dhe ngrinte supet.

Shkrimtari, vazhdoi:

Për mua që i kisha vënë vetes për detyrë të gjeja nyjen e atij ngërçi-harrese, për të cilën personazhi im MOISI, me të cilin ndaja një sekret të madh, vuante pasojat e një sëmundje të pazakontë kujtese dhe kisha një bindje të verbërt se: Rubikoni*’) i kësaj përpjekje për t’a kaluar, quhesh fëmijëri e largët, ose më saktë do të qe: mbase: adoleshencë? Dakort, po në cilin aspekt? Mos ndofta në atë të gurit të çmuar? Se, që është i tillë e di. Por që duhet të ketë shumë faqe dhe të jetë poliedrik, siç thuhet, nuk e përfytyroja dot. Nga që: mund të ngjante, në mos me naivitetin, me paturpsinë ajo pa tjetër diç të përbashkët, duhet të kish. Kot, ashtu pa asnjë shkak, fshehur ajo s’kishte pse qëndronte? Por mund të ishte edhe arrogancë, kotësi a trill? Në cilën faqe ndodhej bllokimi? Cila arterie kërkonte BAY-BAS?

Dhe, ndërsa arsyetonte  kështu për shokun tij MOISI, shkrimtari, u fut në holl me të thirrura Plaka e Dallgëve:

– Jo, jo, jo, o Zot i madh mos e ler të afrohet atë njeri se është i vdekur!

Të gjithë sa ishim aty kthyem kryet dhe pamë një burrë matanë të pesëdhjetave, ai ngjante me një tabllo të varur shtrëbër. Se në atë pozicion qëndronte. Tepër serioz u çapit vetëm dy hapa si për të rregulluar drejtpeshimin. Kish ndrojen e njeriut të kthyer për të njohurit e tij pas më shumë se njëzetë e ca vite nga Kanadaja. Ai iu drejtua asaj:

– Qetësoju , qetësoju JONIANË! Jam ADRIANI i gjallë dhe jo KOSTANDINI i vdekur… Ashtu si edhe ti e dashur nuk je DHOQINA e legjendës. Megjithëse jeta jonë ia ka shkuar çdo gojëdhëne dhe është stamposur në fytyrën tënde aq të bukur, të njomë e rinore dikur, sa edhe mbi pëllëmbët dhe shpatullat e mia nga lodhja, puna e stërmundimi këto më shumë se dy dekada.

Ndjehej tek ai hutimi ku gjithçka mbi atë portret fliste për të kundërtat ku: ndryshe e kishte menduar çastin e parë të takimit dhe tjetër soj i doli.

Prandaj mori frymë thellë si të donte të shtrydhte trurin që të nxirrte ato fjalë të tharra nga vitet.

– A të kujtohen vargjet që t’i thashë kur më përcolle, JONIANE?

Ajo e pa në dritën e syve për t’i shprehur:

– Më kujtohen, thua?!

Ai tundi kryet me gjestin karakteristik të nënkuptuar e të njohur vetëm midis tyre.

Ajo nisi të recitonte fjalët në vargje që i dashuri i saj, ADRIANI, i kishte thënë përpara se të largohej. Bënte përpjekje të jashtëzakonshme për të mposhtur dënesat e ngashërimin që po i zinte frymën. Por edhe me dëshirën që të na paraqiste në një farë mënyre ne të tjerëve, aftësinë e të dashurit të saj, se, dukej sheshit krenaria për ato vargje të cituara ditën e largimit dhe që duhej me patjetër t’i thoshte tani, në çastin e sapo mbërrijtur të tij. Dhe nisi vargjet:

Pritmë e dashur se do të vij,

pritmë ti gjithënjë,

Edhe kur ballad’ e vjetër,

S’do besohet më.

Tha këto dhe u nis drejt tij me një hap që nënkuptonte vazhdimsinë e katër vargjeve të krijuara prej saj, tashmë ndër vite:

Kur pashë detin që po nxihej,

Sytë mbi dallgë i çova,

Te zgalemi që po ngrihej,

Tënden besë kërkova!

Sapo mbaroi, mbërrijti në gjoksin e të dashurit të saj ADRIANI.

Dhe kjo s’qe tanimë Plaka e Dallgëve, por mbase plaka Joniane. Dhe…Statuja e Qëndresës ajo qe.

Ndaj shpërtheu në dënesa. Kishte mbërrijtur më në fund, Dielli i saj. Edhe pse në perëndim.

Ai i përkëdhelte flokët dhe i fshinte lotët me dorën që kishte resitur sytë e tij. Fatura e bashkimit shoqëruar me dhimbjen, kishte një kosto tejet të lartë.

Ne si të rebeluar nga gjasa, s’ngopeshim me duartrokitje

Dhe kishim të drejtë: na dukej se u puqen në një… DY DETE:

Jo në kufijtë e tyre natyral, por aty, në plazhin e Durrësit, aty ku dhe u ndanë dy shpirtëra që duheshin dhe që: një diktaturë e egër i detyroi të largoheshin, si yjet me vite drite larg. Dhe pamë dy trupa të shtrëngoheshin: ADRIATIKU dhe JONIANE,

Por, kur nisën të largohen, ne vërejtën me dhimbje se ADRIATIKU mezi e ngrinte njërën këmbë. Dukej sheshit se nën pantallon mungonte këmba e vërtetë.

AJO QE PREj DRURI, PRANDAJ DHE NUK PËRTHYEJ.

Please follow and like us: