Ramize Gjebrea, nga qyteti i largët me hije aristokratike
Gjirokastra qyteti magjik, në prehër të malit të Gjërë, trualli më i hershëm i fisit të madh Gjebrea dhe lagjia Dunavat, si kësulë krye qytetit, vendbanim i Gjebreajve sa s’mbahet mend, përtej erës së Gjolekës. Gjebreajt me rrënjë aty në shekuj, ama të fismë, gjurmëlënës e emërmirë në zhurmërinë e histories, këtej e matanë kufijve. Mesazhet për Gjebreajt, gatuar prej shpirti e gdhendur në pllaka guri me shkronja shqip dhe bëmat e tyre ruhen në memorie të gjirokastritëve e beratasve e tejçohen brezave. Osman Gjebrea i parë me fjalën e urtë mbjell kudo farë dashurie e mirësie, këshillon të shkulej prej shpirtit bari i keq i urrejtjes e armiqësisë, qetëson shpirtin e vuajtësve, bekon me fjalën e urtë të Zotit.
Në murin e çezmës së vjetër të xhamisë së Dunavatit, në pllakë guri shkruhet me alfabet shqip të Stambollit:
Baba Islam i nderuar
Osman Gjebrea i shquar
Zemërbardhë shpirtndritur
Dy mirëbërës të uruar
Na prunë ujt e blirit
Ushqim si qumështi i gjirit
Paçin nder në këtë jetë
Dhe ndjesë në të vërtetë.
(Baftjar Dobi. Gjirokastra jonë. Tiranë 2001:84)
Osman Gjebrea s’e hoqi veshjen kombëtare. Ulur nën rrap të lagjes ngaherë dëgjohej nga pleq e të rinj, teksa rrëfen histori me luftra kundër pushtuesve në shekuj. Nipa të Osman Gjebresë mbollë kudo farë shqiptarie: Abdyli, gazetar zemërzjarr, Tefiku komandant, Safeti armëtar, Haxhiu flamurtar, Rustemi luftëtar. Osmani me Dalipin e Shaqirin bënë emër në kryengritjen e Gjolekës kundër Reformave të Tanzimatit; pushtuesi turk u zhuriti shtëpi e katandi e Gjebreajt i përndoqi kudo, por shqiptaria s’u shua kurrë e ndizej më shumë. Selimi, nipi i Osmanit, helmohej për atdhetarizëm në dhê të huaj e fillimvitet ‘900 gjebreajt të përndjekur vendosen në Berat. Por edhe aty s’ rreshtën së luftuari kundër pushtuesit e beratasit u lanë lavdi në këngë.
Kush luftoi për Beranë
Osman Gjebrea me famë
Karadakut i mori xhanë
Që na cënoi vatanë.
Tefiku, Rustemi e Safeti i gjenden Atdheut kur i kërkoi, në çastin historik, ditën e Flamurit në Vlorë. Më 28 nëntor 1912 Baki Gjebrea ngriti në Berat Flamurin e Pavarësisë në besë të fjalës së dhënë Ismail Qemalit. Dhe më 12 të prillit 1915 Gjykata e Beratit vendosi:
“Vendim: I famshmi ngatrrestar Abdyl Baki Gjirokastra [Gjebrea]… ka tradhëtuar ushtrinë në kohën e luftës ballkanike e duke ushqyer dhe i shërbyer mendimit të Ismail Qemal Vlorës… Gjyqi sheh të domosdoshme zhdukje të trupit të tij nga faqe e dheut dhe vendosi dënimin me vdekje…”. “Abdyl [Gjebrea] Bakiu me hap të rregullt burrëror dhe gjakftohtësi të madhe shkon drejt vendit të ekzekutimi e pasi dëgjoi vendimin e pushkatimit protestoi dhe demaskoi trupin gjykues”. (Gazeta Demokratia nr. 456, 1935: 6 prill. Këtu e më pas dokumentet jepen në origjinalin e tyre: të paredaktuara). Lapidari ngrihej [1935] në Berat në nderim të dëshmorëve e kënga u përcillet brezave:
Prit Baki, prit Ismail Klosi…
mitrolozët po kërcasin
dëshmorët me trimëri
rroftë Shqipëria thërrisnin
rroftë Flamuri kuq e zi…
Në 100 vjetori i Osman Gjebresë, Elmaz Boce, firmëtar i dokumentit të Pavarësisë, Gjebreajt i linte në vargje:
Ç’është ky që shkon bahçesë
Osman’ i Dule Gjebresë
Ç’është ky që po shkon avllisë
Eshtë bir i Behanisë.
Trim-bujar e gojë-ëmbël
Miletit i jepte ymër
Dunavatit i dha jetë
Mirëbërës i vërtetë.
Ka luftuar për Shqipëri
Për flamurë kuq-e zi
Për Selimnë se çu lodh
Që mbeti në Anadoll.
Evlat si dha i madhi Zot
Po nipër i dha plot:
Ka Bakinë zemër-zjarr
Dhe Tefiknë kumandar
Ka Rustemin luftëtar
Ka Safetin armëtar
Ka Haxhinë në kurbet
Që Flamurë pruri vjet.
Për lirinë kudo vanë
Që të shpëtojnë vatanë
Armiqtë me plumb u ranë
Në Prizrenë e në Beranë
Gjirokastër e Kosovë,
Në Berat e në Gjakovë
Në Prevezë e Kaçanik,
Në Shkup e në Selanik
Vunë jetën në rrezik.
Në Dibër e në Manastir
Mbrojtën shkronjat xhevahir
U përpoqën në Stamboll
Në Janinë e gjer në Vlorë
Për mëmëdhe të bekuar
Për Flamur të dëshëruar
Me Ismail-Benë lartuar
Dyfeqet mbajnë në duar.
Të gjithë për Shqipëri
Me kokë e pasuri
Ç’përpiqi për mëmëdhe
Sa rrofshi kështu punofshi
Aferim more Gjebrea
Brez pas brezi u nderofshi
Lirinë e trashëgofshi.
(Shkruar më 1913, ruajtuar nga Familja Gjebrea).
Vargje përplot panegjerike të merituar. Gjebreajt: Abdyli, Safeti, Tefiku, Rustemi dekoruar “Për veprimtari patriotike për ndihmesën e dhënë në luftë për çlirim kombëtar e mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare”. (Dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, nr. 6660 dt.17.11.1982).
Ramizeja – mbesë e Abdylit, Safetit, Tefikut, vajza e Rustemit ecën krenare në gjurmë të Gjebreajve të shquar. Një refleksion i gjetur ndjerë …
Ismail Kadare në librin “Mosmarrëveshja mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” shkruan “Ajo vjen nga qyteti i largët me hije aristokratike i Gjirokastrës, nga shtëpia e madhe e Gjebrenjve, me dritare të mëdha, me qiellzana të gdhendura e doke të fisme. Ashtu si zonjusha tjetër e brishtë Musine Kokalari, nga shtëpia e Kokalarëve, që do të ketë një fat të ngjashëm. Këto janë zonjusha të kohës, asaj që mund të quhet “belle époque”, version ballkanas, me shumë sqimë, me trille natyrisht, me gjuhë të huaj (Ramona, përveç italishtes, që ishte në modë, dinte anglisht dhe frëngjisht e Musineja gjithashtu). E kështu me radhë, me Dante Aligierin, të mësuar gati përmendsh, me Nietzsche-n dhe Schopenhauer-in, me maniera të sjelluri fine dhe, mbi të gjitha, me pamje të bukur, tepër të bukur. Të gjitha këto mund të kthehen, ashtu siç u kthyen, kundër tyre”.
Parathënie e librit “Ramize Gjebrea, një jetë për tjetër kohë” të Vasfi Barutit.