Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Dritë-hijet në jetën e shkrimtarëve

 

 

 

Shkrimi i fundit i prof. Rexhep Qoses “Koha e falsifikimeve” në esencë ngrinte problemin e jetës së fshehtë të shkrimtarit. Them në esencë, se për atë që ka ditare, ka libra që botohen me ndërrime të datave – janë shkruar tani, por hidhen shumë mbrapa në kohë, për qëllime të tjera – për këto profesori dhe ata me një kulturë të mirë filologjike e dinë se kanë ndodhur dhe do të ndodhin, por dinë edhe atë se, me kohë, të vërtetat janë zbuluar.
Jeta publike e shkrimtarit

Shkrimtari ka një jetë publike që qëndron te vepra e tij e botuar dhe që gjendet në bibliotekat e në duart e njerëzve që i kanë blerë e ruajtur në shtëpitë e tyre këto vepra. E modifikon a po jo këtë vepër sa është gjallë shkrimtari, kjo, në fund të fundit, është punë e tij. Ashtu siç është punë e studiuesëve të letërsisë që të gjykojnë për të gjithë variantet e punës së tij, pavarësisht nga shkrimtari. Kjo do të thotë se vepra e botuar apo e ribotuar bën jetën e vet te lexuesi e më gjerë.

Sot në Shqipëri, shumë shkrimtarë në botimet e pas ’90-tës nuk i kanë përfshirë më në librat e tyre përmbledhës poemat dhe vjershat që ishin për diktaturën a diktatorin, për luftën e klasave a për revolucionin. Ashtu si ka dhe shkrimtarë si Ismail Kadare që veprat e tij në prozë “Dimrin…” dhe “Koncertin…” nuk i ka fshehur, i ka ribotuar prapë këtu e në botë pa asnjë ndryshim.

Letërsia dokumentare

Ajo çfarë boton një shkrimtar tej krijimtarisë së tij, dokumente, letra, kujtime, ditare, të gjitha këto, përgjithësisht, janë në të mirë e jo në të keqe të tij e të letërsisë. Ato i nënshtrohen gjykimit kritik e mund të vlejnë, po mund dhe të mos ngrenë asgjë në kandar, nuk i shtojnë gjë personalitetit të krijuesit. Dihet se me çfarë gjykimi kritik e me çfarë rezerve i marrin historianët ato. Veç në një libër aq të pasur me kujtime si “Retë dhe gurët” i Petro Markos nuk mund të mos ndalesh.

A bëhen këto kujtime, ditare etj., se personalitetet a shkrimtarët duan lavdi? Po, edhe për këtë. Ata kanë të drejtë të synojnë çfarë të duan, edhe lavdinë le ta kërkojnë. Pse të mos ta duan? Është punë tjetër se si gjykohet sot a nesër një shkrimtar, ç’lavdi të përkohshme rrëzon koha dhe, ndonjëherë, ç’të tjera që nuk ta pret mendja, lartëson ajo. Ne i dimë se kush janë ata shkrimtarë në Tiranë që me një shaka të ligë të thonë “vdiqëm për një çikë burg, aman na jepni pak burg a internim”, që ulërijnë në tavolina se nuk heqin asgjë nga vepra e tyre, por që nuk i botojnë më poemat e tyre gjëmuese për revolucionin e, në vend të tyre, të nesërmen të japin një libër me kujtime, a një libër për një të afërmin a gjakun e tyre, të cilin e kishin mohuar. Mirë, le t’i bëjnë, se edhe kështu zbulojnë atë pjesë të personalitetit, që s’ua dinim. Ne i shohim se si ish-kryepropaganduesit e zyrave më të larta të diktaturës botojnë intervista e kujtime dhe e vënë veten në rolin e mbrojtësit e të dashamirit të letërsisë e të artit. Në këto që thamë, përgjithësisht, unë jam gati në një mendje me profesorin. Vetëm se duhet vënë gishti në plagë, të thuhet kush fallsifikon.
Jeta e fshehtë e shkrimtarit

Të vijmë te ajo që me të vërtetë quhet jeta e fshehtë e shkrimtarit. Në Perëndim kjo pjesë e panjohur e jetës ka të bëjë me lidhjet e fshehta dashurore, me jetën seksuale, a me shfaqje të tjera të turpshme, por dhe me sëmundje të rënda fizike që shkrimtari ka arritur t’i mbajë të mbuluara nga opinioni. Qoftë për sensacion, qoftë për atë që, duke u nisur nga jeta e shkrimtarit, shpjegojmë më mirë veprën e tij, kjo jetesë e fshehtë gjurmohet dhe disi del në shesh. Në jetën e shkrimtarëve Lindorë, pjesa e fshehtë ka të bëjë me dosjet shtetërore a policore që nxjerrin lidhjet panjohura të këtyre shkrimtarëve me diktaturën. Në këto dosje ka dokumente që flasin për përndjekjen e shtetit ndaj shkrimtarëve, por ka dhe dokumente që shkrimtarët kanë përndjekur shkrimtarët. Këto ditë një prozator (A) më fliste për një mikun e tij prozator (B) që në fund të viteve ’80, sipas procesverbalit të mbledhjes së partisë në Lidhje, kishte kërkuar arrestimin e tij. Ky “mik”, prozatori (B) ka pasur dhe ka një jetë të pasur politike që nga 90-ta e deri më sot.

Ndërsa ai prozatori (A) që duhej arrestuar, ka mbetur pa punë.
Të qeverisur nga hijet

Profesori pranon që komunizmi edhe shënjtorëve u ngjiste njolla dhe se veten e tij për kohën e komunizmit e do ashtu siç ka qenë: me dritë dhe me hije. Kjo e nderon profesorin, por këtu tek ne pas fjalës “hije” mund të fshihen, jo njolla bloze, por njolla gjaku. Këtu tek ne ata me “hije” janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe hijet vazhdojnë të na qeverisin. Me fallsifikimin e jetshkrimeve haptas dhe me mbrojtjen e mbajtjen të vulosur të pjesës së tyre të fshehur, ata forcojnë pozitat në shoqëri dhe nxisin shkatërrimin e mëtejshëm shpirtëror të shoqërisë. Shkatërrimi shpirtëror dhe amoraliteti të duket se janë bërë ligj shoqëror këtu tek ne. Politika jonë e mbështetur mbi këtë shtrat hijesh e ka pasur të lehtë që të mbijetojë e të jetë gjithmonë e më e ndotur, gjithmonë e më e pashpresë. Një shoqëri e tillë si kjo jona, qoftë dhe me dhimbje, duhet të bëjë një operacion për pastrimin e shëndetin e saj. E këtu vjen ajo që tek ne të gjithë po i shmangen: hapja e dosjeve. Kjo është më e mirë se botimi i kujtimeve a i veprave të fallsifikuara.
Si t’i shmangim falsifikimet?

Këto dosje duhet të hapen e të botohen se ka njërëz që, dhe pa qenë shënjtorë, nuk janë përfshirë në atë lojën me hijet. Të hapen se në atë zonën e mbajtur mënjanë, të kyçur, është një histori shumë më e errët e shumë më kriminale se sa hijet. Ky lëmsh errësire dhe krimi duhet të shpështillet. Duhet të shpëtojmë prej tij e prej fallsifikimit të tij. Dhe kjo jo vetëm për ata njerëz që asnjëherë nuk i kanë kallëzuar shokët, miqtë dhe asnjeri tjetër në polici, në parti, a kudoqoftë, por për të gjithë ne. Për ata që të keqen dhe errësirën gjithmonë duhet t’i demaskojmë e t’i dënojmë.

Këtu tek ne ka një pjesë të moshuarish që kanë qenë larg nga hijet, po ka dhe një rini 25- e-30-vjeçarësh që nuk kanë pse të qeverisen më nga hijet. Sipas Oruellit, qëllimi i një diktature, edhe kur rrëzohet, është që të mbetet në fuqi, me brezin e dytë dhe të tretë të atyre që u rrëzuan. Kjo në Shqipëri ka ndodhur. Ndaj këtu, për të denoncuar të keqen në themel, duhet zëri i njerëzve me peshë në opinion.

Por profesori, duke iu përmbajtur planit moral, duke mbetur në një ton ankimtar për sa po ndodh dhe duke u shlyer për vete përpara të tjerëve, në atë që do të mbetet ashtu siç ka qenë, nuk jep një përgjigje a zgjidhje të vlefshme edhe për të tjerët e për gjendjen në tërësi. Për më tepër lë të kuptohet se dosjet mund të fallsifikohen. Për ç’lloj dokumentesh të fallsifikuara është fjala? Kur tek ne ilegalisht janë botuar dokumente, asnjë i fajësuar nuk i ka mohuar ato. Kur doli dosja për Kadarenë, asnjë nuk doli të mohojë vërtetësinë e dokumentit. Kur arkivat hapen, kur një dosje hapet, çdo studiues mund ta verifikojë vërtetësinë e dokumentit, por dhe falsifikimin kur nuk ishin të hapura. Vetëm këtë profesori të mos e kish thënë. Kjo shton edhe më tej turbullirën mbi këtë çështje kaq gjatë e gjatë të diskutuar.

Mars 2005

Please follow and like us: