Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Komunikime të ngrira kulturore

 

 

 

Hapja kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës në fillim të viteve ’70, vështrimi, sado i kontrolluar mbi atë çfarë ishte letërsia që shkruhej në Kosovë dhe në tërësi jeta e saj kulturore e më gjerë, u shoqërua me një ndrojtje dhe me një etje për të njohur diçka të mbajtur fshehur. Nuk kishte ndonjë informim zyrtar mbi gjeografinë, mbi historinë e re të Kosovës, mbi ekonominë dhe organizimin shoqëror të saj, as ndonjë panoramë mbi zhvillimet krijuese e kulturore, mbi emrat, atmosferën dhe institucionet e saj. Diçka rridhte nga vajtje-ardhjet e dijetarëve tanë atje, por, kjo e shtonte edhe më kërshërinë se ishte aq pak dhe flitej në rrethe shumë të ngushta. Befasia e hapjes ishte e dyfishtë. U vu re se kishte vlera krijuese me të cilat mund të ballafaqoheshe për cilësinë e shënuar letrare dhe, më e papritura, në Kosovë njohja me zhvillimet letrare botërore më të fundit, njohja me zhvillimet nga letërsia e kultura bashkëkohore, ishin të tilla sa për ne deri më 1990-ën do të mbeteshin fare të paarritshme. Pastaj erdhën dhe njohjet me ata të paktë këngëtarë dhe njerëz kulture. Po takoheshin dy shoqëri krejt të tjera: një Shqipëri e kolektivizuar gjer te pulat, një shoqëri e shtetëzuar në palcë, ku që nga këpucari e rrobaqepësi deri te udhëheqësi më i lartë, nga shkrimtari e artisti më me emër dhe gjer te fshatari më i humbur, që të gjithë ishin nëpunës shteti, punëtorë shteti, skllevër të shtetit. Nuk kishte asgjë private, madje, as jetë private. Njeriu që vinte nga Kosova kishte një veshje tjetër, një siguri tjetër, me gjëra dhe me pasuri private, dikush vinte në Shqipëri dhe me makinë, shqiptari i Kosovës mund të shëtiste edhe nëpër botë. Në Tiranë dhe shkencëtarë e artistë të tillë si E.Çabej a Çesk Zadeja, zvarriteshin rrugëve me këmbë. Një biçikletë quhej luks. Ndaj kësaj situate nga njerëz të caktuar si nëpër dhëmbë pëshpëritej: hëm, atje populli e njerëzit vuajnë për bukë, po këta intelektualët i mban mirë ai… dikushi. Kjo, sigurisht, nuk thuhej kurrë zyrtarisht, por nga shefat tanë të zyrave edhe me një lëvizje dore a koke lihej të kuptohej fare qartë: “Ata janë vëllezërit tanë…, por kujdes”. Prapë tek njerëzit, malli dhe etja për njohje të kësaj pjese të vetes, të shqitur prej trupit, – siç e quanim ne Kosovën – dominonin dhe njerëzve ua lëviznin trutë prej vendit. Kosova më tepër se një realitet i gjallë për Shqipërinë ishte një realitet historik e propagandistik. Rrjedhat e informimit ishin prerë në kërcu, që me Rilindjen dhe figurat e saj, shumë-shumë mund të flitej deri për Azem e Shote Galicën. Më tej errësirë e plotë.

Në letërsinë e ardhur nga Kosova, që më shumë qarkullonte nën dorë, të habiste luksi i botimeve, konceptimi i librit, një poetikë e modernitetit, mbizotërimi i simbolikës, dendësia figurative, konçiziteti, deri një prirje nga errësimi – procedime këto për ne të anatemuara. Dhe një frymë e protestës, kur tek ne dominonte fryma afirmuese. Një ankth dhe pritshmëri e pasigurtë, kur tek ne mbizotëronte optimizmi dhe siguria propagandistike. Arti tek ne, si armë në Luftën e Ftohtë, e kishte të qartë zgjidhjen me revolucion të të gjitha problemeve. Por tek Podrimja, bota ishte e sëmurë dhe vinin Hamletët me mantila të bardhë, me mantila të zinj. Te Dedaj, magjypi vdiste nga dashuria për magjypen, kur ne mund të vdisnim veç për të mbrojtur pronën socialiste, kufirin ose revolucionin botëror. Ishte luks të vdisje për dashuri. Shqipëtaria ishte “torzo”, “fener i hedhur në një det”. Për ne probleme të tilla nuk ekzistonin; po t’i shqiptoje, haje kokën. Rozafa si mit te Podrimja kërkonte flijim të pandërprerë; një pritshmëri për flijime të këtij lloji tek ne kishin marrë fund, gjërat ishin realizuar, rrumbullakosur. Shembujt e mësipërm janë nga librat Torzo. E di një fjalë prej guri dhe Baladë… Në nivel të personazhit që sillte kjo letërsi, aq sa mund ta ketë poezia një të tillë, kur tek ne mbizotëronin minatorë, heronj hidrocentralesh, burokratët e ironizuar, traktoristë shpatullgjerë, Fuat Çelat, Shkurte Vatat, në poezinë e A.Shkrelit mund të vëreje bareshën, gruan që i çon bujkut bukën në arë (Korriku, E di një fjalë prej guri), vashat e baladave të blerta, magjypi, ai që pjek pogaçen te Dedaj, Njeriu me samar e të tjerë portrete te F,Gunga. Zanatçiu dhe tema e njeriut të vogël tek ne ideologjikisht ishin të huaja. Zanatçinjtë tradicionalë tek ne u zhdukën. Këtij ballafaqimi letrar do t’i gjendej ilaçi, duke botuar atë që zyrtarisht u quajt “letërsi kosovare”, përmbledhjet e zgjedhura ku autorët krasiteshin nga veçantitë, dhe u mbetej vetëm atdhetarizmi e disi fryma e protestës. Dhe, kjo me aq kujdes e frikë sa përmbledhja e parë e Podrimies do të shkonte në karton, se ishin lejuar vjersha të ndaluara. Dhe nuk do të mungonte, shpejt do të gjendej dhe fryma përçmuese ndaj kësaj poezie. Kjo prapë jo zyrtarisht, por në formën e pëshpërimës: poezia e Kosovës… dekadente… ooo, shumë moderne, tamam si moda e Parisit zbatuar atje në fshat të katundit. Ajo çfarë botohej në gazetën “Fjala“, në revistën “Jeta e re“, si ese të Eliotit, drama si Në pritje të Godosë, fragmente nga Procesi, nga Pavioni i kancerozëve, në Shqipëri do të botohen pas ’90. Vepra të tilla si poezitë e Lorkës, të Preverit etj., kopjoheshin me dorë. Sipas një dëshmie publike të Visar Zhitit, poezitë e kopjuara me dorë të Lorkës nga botimi i Prishtinës shkojnë dhe në burg. “Neveria“ e “Duart e ndyta“ të Sartrit, romane të Dostojevskit, të Kamysë, të Selimoviçit lexoheshin për tërë natën e qarkullonin dorë më dorë. Esetë daktilografoheshin. Kjo letërsi, këto përkthime, ndikuan tek ai brezi i shkrimtarëve të rinj, që u ndëshkuan nga plenumi i katërt, më 1974. Disa prej tyre nuk e ngritën më kokën. Tronditja e këtij takimi të fillim viteve ’70 ishte si ajo e fëmijës, që për herë të parë vë syrin në plasë të derës e mbetet shtangur nga që paska dhe një botë tjetër. Të dy palët, të dy anët e kufirit, ishin të një gjuhe, të një kulturë në rrënjët e tyre, por praktikat dhe përditshmëritë kulturore e jetësore të momentit ishin larg, shumë larg. Në nivelin e leximit të njohjes e të analizës së veprave të autorëve nga Kosova, edhe profesorati i lartë shqiptar në Tiranë ka shumë mosnjohje. Lëre pastaj që duhet shkuar patjetër në studimet monografike për shkrimtarë me karrierë të gjatë e të rëndësishme letrare.

 

Pse komunikimet tona kulturore mbeten të ngrira ende dhe sot?

 

Për kundër shpresës që na përfshiu të gjithëve me ndërrimet politike, ne mbetemi ende larg. Në Shqipëri, historikisht, për problemet themelore, deri në projektimin dhe modelin e shtetit, të flamurit e të alfabetit të tij, rol kryesor kanë luajtur elitat. Mendoj se, pavarësisht nga politikat e kufinjtë e tanishëm, prapë rol, por kësaj here të mbrapshtë, prapë kanë elitat. Elitat që erdhën nga e djeshmja, fillimisht u ndodhën në pikën zero të autoritetit, pastaj erdhën duke u mëkëmbur, por vazhdojnë të jenë nën kthetrat e politizimeve. Ne ende jemi shoqëri të politizuara. E gjithë situata jonë kulturore e pesëdhjetë vjetëshit që shkoi, prodhoi shkrimtarin, shkencëtarin, akademikun partiak, shtetëror. Pas ’90-ës, këta shkrimtarë, intelektualë, profesorë dhe akademikë i ndau më dysh në partitë kryesore politike dhe prapë ndër ne mbeti po ajo mendësi, po ai aparat konceptual në gjykimet mbi shoqërinë, mbi letërsinë, mbi kulturën e gjërat në tërësi. Katastrofa e kritikës letrare në Shqipëri, që ishte veç kritike shtetërore dhe që ra bashkë me shtetin që e krijoi, është shumë domethënëse. Në Shqipëri u krijua intelektuali krijues, që nuk rron dot pa shtetin, e një i tillë prapë rend ta fusë kokën nën sqetullat e shtetit. Nuk u krijuan organizata alternative të shkrimtarëve, as institute alternative, as qëndrime alternative ndaj së kaluarës. Prapë dominon në të dy palët, në shkrimtarët e intelektualët pranë PS e PD – si në dy llokma të së njëjtës copë – mendësia partiake. Prapë intelektualët krijues të sotëm pranë partive janë ashtu si dje: nëpunës partiakë, me besnikëri të heshtur ndaj partisë dhe shefit të saj. Kjo lloj elite e zogut të kafazit pret nga baba shtet dhe nga nëna parti, prêt nxitjen dhe yshtjen e shtetit, prêt urdhrin nga lart për t’u vënë në lëvizje. Në Shqipëri nuk ka polemika shkencore a letrare në shtyp, veç në tavolina. Institucionet tona janë të politizuara dhe me ndërrimin politik, ndërrohen ekipet dhe praktikat. Libri i Sabri Hamitit “Letërsia moderne“, nga ekipi demokrat i Ministrisë së Arsimit në Shqipëri miratohet si tekst për shkollat e mesme, por me ndërrimin politik socialist më 1997 anulohet vendimi i mëparshëm. Edhe në universitete e akademi nuk ka lëvizje mendore. Kryesuesit e Akademisë në Tiranë, thënë me keqardhje, ngjajnë me ca njerëz që janë vënë në karrige për të pleqëruar me një rrogë të mirë. Universiteti i Tiranës nuk ka pavarësinë e nevojshme nga shteti, që të ftojë një profesor të Prishtinës a të Kozencës të mbajë kursin e tij të ligjëratave në Tiranë. Kemi disa universitete, ku ligjërohet shqip dhe ato nuk mund të komunikojnë midis tyre. Ndër ne, në Tiranë, ligjëratat e vjetra si kostumet e kthyera sëprapi mbahen sërish. Janë rivlerësuar, por pa i shpëtuar politizimit dhe retorikës, disa nga figurat e anatemuara nga e shkuara totalitariste. Mund të thuhet, së paku, nuk është bërë as sa shtëpia botuese “Dukagjini“, e cila me botimin komplet të veprës së tyre, ka bërë më shumë se sa një shtet i tërë. Ende në Tiranë nuk kemi kurse leksionesh të reja të botuara për letësinë shqipe. Siç thotë Muhiq, në gjithë Lindjen janë kthyer njerëzit e së djeshmes, bashkë me mendësitë e tyre. Pa ide, pa koncepte të reja, pa drejtime e shkolla të diferencuara të mendimit. Shoqëria shqiptare e viteve tridhjetë kishte, mund të thuash, tri shkolla mendimi: tradicionalët, neoshqiptarët dhe filokomunistët. Në Tiranë nuk mbahen dot takime të shkrimtarëve, por mbahen në Korçë, në Tetovë, në Shkup, në Mitroviocë, në Elbasan, në Gjakovë. Qendrat, por, sidomos e në veçanti Tirana, mbetet ende e ngrirë. Panairet e librit diçka kanë sjellë në komunikimet, sidoqë panairet janë vende për takime personale e shitje librash, jo më shumë. Të rinjtë me një mendësi e letërsi alternative, kanë mbetur anash dhe, do të thoshim, pa një përkrahje politike mund të mbeten ende në subkulturë. Ne nuk e rrokim dot gjithë krijimtarinë kulturore që prodhohet sot në hapësirën mbarëshqiptare. Ende nuk mund t’i kemi e nuk mund t’i përjetojmë bashkë ngjarjet me rëndësi kulturore. Në telefon miqtë e mi më pyesin: çfarë ka ndonjë gjë të re andej. Si në një pasqyrë të thërrmuar copërash me biseda e takime personale, ne mundohemi të mbushin pamjen e së tërës. Ne mbetemi një shoqëri postdiktatoriale, e copëzuar, pa konvergim, në kërkim të komunikimit dhe të lirisë sonë. Ne jemi të vonuar. Në 15 vjet, dikur mbreti Zog hodhi themelet e një shteti dhe të një shkolle moderne për kohën. Tek ne 15 vjet kanë kaluar si një ditë: gati pa ndonjë ndryshim. Komunikimet kulturore janë nën hijen e së kaluarës: të ngrira, me ngjyrën dhe me nxitjen e politikës, për qëllime të politikës. Nuk ngrihen në nivelin e etnisë, të personaliteteve të çliruara, të instistucioneve me prestigj pa kambajkat e drunjta të politikës. Në kohërat moderne, artistët janë quajtur pararojë e shoqërisë. Por gjithmonë ata artistë që kanë qenë kokë më vete dhe që kanë ndjekur instinktin e tyre. Në mjediset tona me shkrimtarë, me intelektualë me mendësi etatiste, që duan ombrella politike, nuk duhet të presim më shumë në komunikimet tona kulturore. A do të zgjohen?

 

17 prill 2005

 

Please follow and like us: