Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Udhëtimi drejt Rrëshenit

 

Image result for dervish bejko

Ka kaluar më shumë se një vit kur një person i panjohur më flet që nga larg: Ndalu pak o Blloshëm. Takimi ishte i rastësishëm këtu në Tiranë. Sapo u takuam mu drejtua:

– A ka mundësi t’iu them dy fjalë? Kam kohë që të kërkoj.

– Po, patjetër, – i them, – më thoni, po ju dëgjoj, a mund të ulemi diku, pimë një kafe dhe bisedojmë?

– Jo, jo. Nuk kam kohë po nxitoj, shyqyr që të pashë.

– Atëherë më thoni atë që keni për të më thënë.

– Unë ju kam parë dhe ju kam ndjekur kur keni qenë në panele televizive. Kam krijuar bindjen se ju thoni të vërtetën dhe vetëm të vërtetën pa ju dridhur qerpiku. Kjo më ka bërë që t’ju takoj për t’iu thënë diçka. E di se ata të pushkatuarit e Qafë – Barit, Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën, jeni ju dhe vetëm ju që u interesuat për gjetjen e eshtrave dhe varrimin e tyre me të gjitha nderimet. E di që po përpiqeni edhe për ata të katër të revoltës së Spaçit (më falni se emrat nuk i mbaj mend), unë kam një informacion nga një person i cili ka qenë në momentin e ekzekutimit. Do t’ju jap emrin dhe sesi do të bisedoni ju me atë është puna juaj! Vetëm unë dua një gjë prej jush, po jua them se jeni besnik dhe nuk do më zini me gojë asnjëherë dhe me askënd. Në të kundërt mua më hap probleme.

– Po, – i them, – rri i qetë, se sa të kem frymën, për këto që më the do mbeten të varrosura. Ai fliste e unë e shikoja i tronditur për cfarë dëgjoja.

Kaq dhe u ndamë. Vendosa për të shkuar në Rrëshen bashkë me z. Agim Bejko (vëllanë e Dervish Bejkos, njërin nga katër të pushkatuarit më 24 maj 1973).

– Z. Agim, – i them, – do të shkojmë të takojmë një person në Rrëshen, i cili ka asistuar në momentin e ekzekutimit, por nga ju kërkoj vetëm një gjë;

– Po, Bedri, urdhëro ma thuaj, do të udhëtojmë nesër për në Rrëshen.

-Juve nuk keni për ta hapur gojën fare, vetëm do dëgjoni. E di se e keni të vështirë, por duhet të duroni. Çfarë do na thotë, mbase na çon tek vendi e na tregon se ku janë groposur, kaq duam ne prej tij;

-Po Bedri, ashtu do bëj, do kafshoj gjuhën e do hesht. Kam një informacion për Dervishin dhe të tjerët. Mbase kemi fat dhe i gjejmë ku janë groposur.

Nga ora 09 e mëngjesit mbërritëm në Rrëshen. U ulëm në një lokal, mbasi i telefonova personit se ku jam, filluam të rrufisnim kafenë bashkë me z. Agim Bejko, pa e parë në sy njëri – tjetrin e pa folur. Vetëm thithnim cigaret pa pushim tymi i të cilave përzihej me kafenë në filxhan. Pas pak tek tavolina jonë afrohet një burrë i shëndetshëm tamam për moshën që kishte. Në kokë mbante një kapele republike, natyrisht i thinjur, me një xhaketë kostumi të kombinuar me një jelek mbi të cilin shtriheshin cepat e jakës së hekurosur. Fytyra e tij e mbuluar me një lëkurë të ndritshme në të kuqërremtë, me sy të ndritshëm të cilët të jepnin të kuptoje se dinte shumë dhe ishte i vëmendshëm sesi do të reagoje për ato që do dëgjoje. M’u drejtua me gishtin tregues të dorës, me një zë kurajoz, pak urdhërues, gjithmonë më shikonte drejt e në sy sesi do të reagoja mbasi unë e dija se kush ishte:

– Bedri Blloshmi?

– Po, – i them. Nga më njeh?

– Në televizor, kam lexuar dhe shkrimet e tua.

U ngrita në këmbë, i shtriva dorën.

– Si jeni? Mirë se keni ardhë!

– Mirë se ju gjeta zotëri! Më keni kërkuar dhe unë erdha, por para se të më thoni si e keni hallin dua të di se kush jua dha emrin tim.

-Zotëri, – i them, – në qoftë se do ju tregoj emrin e personit se kush më ka orientuar për tek ju, unë kam për të treguar dhe emrin tuaj për ato që do më thoni. As ju s’keni për ta marrë vesh se kush më drejtoi këtu e as të tjerët kurrë nuk do e mësojnë se ne jemi takuar e se çfarë kemi biseduar, sa të jem gjallë.

– Bravo të qoftë or mik se qënke me të vërtetë burrë, më dhe një përgjigje prej fisniku dhe intelektuali. Tani të futemi drejt e në temë, po ju dëgjoj sh. Blloshmi.

– Në vitin 1973, saktësisht 21 – 23 maj, në Spaç shpërtheu revolta nga të burgosurit politikë;

– Po, e di shumë mirë. Ditën e tretë të revoltës ndërhyri sigurimi, ushtria, çetat vullnetare dhe e shuan revoltën me dhunë e gjak;

– Po, ashtu është, – më ndërpriste personi tjetër.

– Filluan arrestimet dhe grupi i parë ishte caktuar prej dymbëdhjetë të dënuarish ku nga këta, katër janë dënuar me vdekje (pushkatim) nga një “gjykim” rrufe në zyrat e komandës së burgut të Spaçit. Sipas dokumentave që unë disponoj, të Gjykatës së Lartë që dhanë dënimin fatal, po ashtu dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor, i cili refuzon faljen e jetës së këtyre të dënuarve, të gjitha këto veprime janë kryer brenda datës 24 maj 1973, po ashtu dhe ekzekutimi është kryer brenda kësaj date. Për ta mbyllur dhe për t’jua bërë të ditur qëllimin tim përse kërkova t’ju takoj është; nuk dua të di asnjë gjë tjetër veç vend – groposjes së tyre. Unë kaq kisha, tani po ju dëgjoj.

– Unë të kuptova or Blloshëm dhe për çfarë të di do ta shpjegoj, për atë Zot që na ka jaratis. Sapo ata janë dënuar, ashtu siç thatë juve, i kanë sjellë në birucat e Degës së Punëve të Brendshme këtu në Rrëshen, ditën. I kanë futur nëpër biruca veç e veç e në çdo birucë futën nga një polic me të dënuarit. Mua më çuan tek njëri (emrin nuk ja mësova), i cili ishte fare i ri. Ai rrinte ulur se ishte i lidhur kokë e këmbë e nuk fliste fare. Ndërkohë i sollën për të ngrënë, nuk donte të hante. “Ha”, – i thashë. “Mos rri pa ngrënë se nuk i dihet çfarë vendimi do vijë nga Tirana, mund të falesh, por ha bukë”. Ai në çast ngriti kokën më shikoi drejt e në sy, mesa duket fjalët e mia i dhanë zemër, e mblodhi veten. “A do hash bukë?”, – i përsërita. “Po”, – më tha. Mbasi e zgjidha, i dhashë bukë dhe hëngri, por shumë pak dhe ashtu i tronditur më tha: “Nuk dua më” dhe unë nuk këmbëngula më. Unë e dija të vërtetën, por i thashë që të hante diçka mbasi më erdhi keq shumë të them të vërtetën, mbasi ai dukej vetëm një copë mish që kullonte vetëm gjak. E kishin torturuar shumë. Thashë me vete: “Po ky pse duhet lidhur, ky nuk lëviz nga vendi fare”. Kërkoi ujë.

Më tha: “Më është tharë gryka, po deshe më jep pak ujë”. Sapo bëra gati për t’i dhënë ujë, u hap dera e birucës, u futën edhe tre apo katër policë të tjerë e ngritën si të qe një bebe dhe dolëm të gjithë jashtë në oborrin e degës.

I gjithë oborri ishte plot me oficerë e policë, të cilët kishin rrethuar një gaz (makinë e vogël) të mbuluar. Kur u afruam, tre tëtjerët i kishin hedhur në karroceri, rrinin shtrirë, e hodhëm dhe të katërtin sipër si të qe një thes me çimento përmbi ata të tjerët.

Unë e shikoja drejt e në sy, në çast e ndërpreva:

– A e dini vendin, e mbani mend? Apo ishte errësirë e nuk të kujtohet?

– Po si nuk e mbaj mend, ja andej, – duke shtrirë dorën.

– A ka mundësi të vemi ta shikojmë, përrua është patjetër? Është shumë larg apo jo?

– Jo jo, është afër, shkohet dhe në këmbë.

– Po, si jo, do shkojmë, të kam dhënë fjalën që për çfarë të di do t’i tregoj. Jam burrë unë dhe e di me cilin po flas.

– Aty i groposët, ku u vranë?

– Jo, jo, more burrë do ta tregoj me hollësi.

– Edhe një pyetje, të lutem, – i them.

– S’ka problem, pyet sa të duash.

– Çfarë thanë në fjalën e fundit nëse të kujtohet? U tronditën?

– Po, po, e mbaj mend shumë mirë, si sot. Hiç fare ishin trima.

Mbasi i zbritëm nga Gazi e kaluam një përrua të vogël pa shkurre, i rreshtuam të katër.

– Edhe një pyetje, të lutem!

– Po ore, pyet sa të duash.

– Kapuç u kishit vënë në kokë apo u lidhët sytë?

– Çfarë flet or ti, as kapuç, as sytë nuk ua lidhëm.

– Natë ishte, sa qe ora?

– Jo mor jo, ditën për diell, ora ka qenë 14 – 15 e ditës.

– Ju lutem se s’ma thatë, çfarë thanë fjalën e fundit?

– Po, mbasi i rreshtuam prokurori theu heshtjen. Cila është fjala e fundit të dënuar? Ata folën njëzëri: “Të rrojë Shqipëria pa armiq”. Në çast kërciti kallashi, ata ranë përtokë të katër.

– Me shpinë u vranë?

– Jo jo, nuk pranuan të kthejnë kurrizin.

– Aty u groposën ore ti?

– Më duket se nuk mbake mend fare se ç’po llafos unë, megjithëse nga pyetjet që më bën ti qënke bukur i zgjuar se nuk bën pyetje në hava. A ke dëshirë ta shohim vendin e ekzekutimit?

– Po or ti, hajde ikim. Për këtë punë kemi ardhur. Ashtu të trullosur siç qemë, si unë dhe z. Agim, u nisëm mbas tragjedi – rrëfyesit. Bashkëbiseduesi drejtonte shoferin se nga të shkonte. Kaluam urën e Fanit, morëm rrugën e Kaçinarit, u futëm majtas në një pyll të ri, papritur treguesi i ngjarjes i thotë shoferit:

“Ja, këtu ndale makinën”. Zbritëm nga makina me sy të mbërthyer nga “udhërrëfyesi”, i cili theu heshtjen:

– Ja, e sheh? Atje matanë.

Dhe shtriu dorën përpara, ndërkohë mori një gur dhe e hodhi matanë përroit. Përballë nesh.

– Ja, aty i rreshtuan, në atë sheshin e vogël, e sheh apo të shkojmë atje? Çudi për rreth sipër drurët janë rritur.

– Jo, jo, -i thashë, -e shoh, tani kanë mbirë shkurre se ka vite kjo ngjarje; U bënë goxha vjet.

– Po, po, – më tha.

– Mirë more zotëri, po si e keni kaluar përruan, këtu nuk kalon makina!

– Kjo rruga që sheh ti ka qenë më e ulët, kalonte makina rehat – rehat deri atje. I zbritëm me të shpejtë dhe i rrjeshtuam.

– A kishte shumë policë këtu në atë moment?

– Ja, e gjithë kjo pllaja ishte rrethuar, të gjithë të armatosur me kallash në dorë qëndronin; E gjithë dega e Brendshme.

– Po mbasi i vratë, çfarë bëtë me kufomat, ku i groposët?

– Dëgjo, sapo ata të katër u shtrinë në tokë, akoma pa ju ndalur gjaku dhe rënkimet, i hodhëm në makinë, i mbështollëm me mushama dhe makina iku e s’u duk më. Po nga vajti nuk e di, mbaj mend se makina kishte targën e Tiranës. Kaq di unë.

– Mos i kanë groposur në pyllin e Gëzhiqit, si mendon ti?

– Çfarë nuk bën vaki, dhe mundet, por mesa di unë dhe fjalët që qarkullonin në atë kohë ata janë dërguar në Tiranë, në spital për të studiuar studentët e mjekësisë. Kështu flisnin njerëzit.

– Pra, ju thoni se nuk janë në pyllin e Gëzhiqit?

– Jo more burrë, se po të ishin groposur aty ku thua ti do ishte marrë vesh, se edhe pse nuk na besonin çdo gjë këta të mëdhenjtë neve, disa më të besuar i kanë, kështu që do ishte marrë vesh se policët tanë do i mbulonin me dhẻ. Nuk e di a më besove, por unë të thashë ato që di dhe kam parë për sa isha prezent. Çdokush që tthotë ndryshe për këtë ngjarje, të gënjen.

– A mban mend ndonjë polic që shoqëroi makinën?

– Po po, ja di dhe shtëpinë.

Në çast z. Agim nuk e mbajti më veten, më bëri shenjë mua që t’i prezantohej dhe unë i bëra shenjë me kokë (po, vazhdo tani).

  • Unë jam i vëllai i Dervish Bejkos, – i thotë, – të dëgjova deri tani, kam dëgjuar dhe variante të tjera, por shpjegimet tuaja më bindën.

Zef Deda (prokurori) më ka thënë se janë pushkatuar tek ura e Fanit, të tjerë më thonë mbrapa kinemasë; E plot fjalë të tjera. Të tjerë thonë në kërrabë në Tiranë janë groposur.

  • Dëgjo, unë nuk të gënjej, ata janë pushkatuar këtu ku ju tregova.

Të tjerët vetëm sa ju gënjejnë. Për mua ata janë çuar në Tiranë.

Gjithsesi juve do të bëni kërkimet tuaja por edhe unë do të interesohem.

Mbasi e dërguam në shtëpi me makinë u nisëm edhe ne për tu larguar me shikimin nga pylli i gëziqit ku ishte bërë ekzekutimi.

Ashtu mendueshëm e pa biseduar me njëri tjetrin u larguam duke lënë nga pas zhurmën e lumit Fan që dallgëzonte i shkumëzuar e ecte me shpejtësi nën rrezet e diellit që po perëndonte, duke skuqur majat e maleve të rrjepura e të zhveshura nga bimësia e egër.

 

 

E shtunë, 19 tetor 2013.

Marrë nga libri “Revolta e Spaçit” e autorit Bedri Blloshmi

Please follow and like us: