Arben MANAJ: Mashtrimi i kryeministrit me Tepelenën
Po e them që në fillim të herës, që kjo qeveri ka bërë aq sa ka mundur për Tepelenën dhe qyteti ka ndryshuar. Këtë nuk mund ta mohoj edhe për parimet e mij të gazetarisë.
Edhe ‘by-pass’-i për të cilin nuk di shumë hollësira, si shumica, përveç se do të kushtojë nja 18 milionë euro, është një investim serioz edhe pse kam frike se do e “bypass”, ose anashkaloj, qytetin, si pikë tërheqëse turistike. Qofsha i gabuar, por më kujton Rogozhinën.
Në fund të fundit, ka shumë qytete e qyteza të tilla anembanë botës që për hir të makro-zhvillimit, do duhet të jenë viktima të tij, deri diku. Këtë e kuptoj ndoshta më shumë se shumë të tjerë.
Por kur dëgjova Kryeministrin Rama të fliste dhe t’u bënte thirrje banorëve të fshatrave të Tepelenës që të ngrinin ferma dhe agrobiznese, m’u duk tallje, sesa dashamirësi!
Tallje, sepse është absurde të kërkosh që një fshatar po them në Zhapokikë apo në Damës, të hapë një fermë dhe restorant me produkte vendase dhe të ketë biznes që i ecën, siç po i ecën asaj gocës nga Ballabani i Përmetit me burrin francez, ku drekoi Rama me shpurën e tij.
Kur të gjitha gocat e Tepelenës të kenë nga një burrë nga ndonjë vend i pasur i BE-së, edhe mundet.
Fshatarët e Tepelenës dhe të çdo vendi, nuk mund t’i kthejnë të gjithë shtëpitë nëpër bujtina turistike se është e pamundur, qoftë edhe si çmenduri.
Ata kanë nevojë të prodhojnë kur e dinë se kanë rrugë dhe linja që të sjellin produktet në një pikë, ku të kalojnë pastaj në pikat e shumicës që të mos “merohen”, siç u shpreh kryeministri.
Tepelena ka ndoshta arsye më shumë se shumë qytete të tjera të Shqipërisë dhe jugut të saj, të jetë një pikë tërheqëse turistike për të huajt në radhë të parë dhe vetë shqiptarët anekënd kombit.
Ajo ka bir të saj, një emër të madh të historisë, sado kontravers, si Ali Pashë Tepelena, që përveç mizorisë në sundimin e tij, nuk mund t’i mohohet diplomacia e madhe që ka bërë me qendrat më të mëdha vendimarrëse politike dhe diplomatike të kohës, që nga Porta e Lartë që i hëngri kokën, e deri në Paris, Londër e Shën Pjetërburg.
Nuk ka Shqipëria, pas Skënderbeut, një sundimtar që ka pasur një mbulim mediatik dhe publicistik sesa ai, në botën e asaj kohe.
Të leciturit e dinë për çfarë po flas. Ai ka lindur në Tepelenë dhe e meriton një muze të paktën siç ja kanë bërë grekët në Janinë.
Kur kam qenë i vogël dhe jetoja në aty qytet, tek agjencia e udhëtarëve, jo larg monumentit të Ali Pashës së shtrirë në divan, gjendej një muze me hark, një arkitekturë e pazakontë për qytetet shqiptare të asaj kohe, që kishte aq sa kishte, objekte nga jeta dhe vepra e Ali Pashës.
E sot?! Asgjë. Humbëtirë!
E përse do duhet të vijë një i huaj, anglez, siç do sjellë unë pas disa ditësh atje, apo suedez, në Tepelenë, kur nuk ka asgjë për një figurë të tillë, për turpin tonë të përbashkët.
A nuk është emri i tij një arsye më shumë që të huajt të shkojnë dhe të mësojnë për Shqipërinë e kohës së Ali Pashës.
Ka tepelenas që kanë studiuar në themel jetën dhe famën e Pashait, disa sot janë drejtorë Muzesh, të tjerët historianë dhe studiues kalibri, por këtë punë nuk mund ta bëj dot “Tërmeti’ sado “publicitar”, që megjithë respektin si i zgjedhur nga populli, as modelin e flokëve nuk e ka të përditësuar, por ngjan pa kostumin e kryebashkiakut, si një kryengritës i 97-ës, po t’i vesh një kallash në dorë.
Le të ngjitet maleve, siç i sugjeroi kryeministri mikut të tij në Tepelenë, por jo për atë kulturë, që po flas unë, se nuk e bën dot, por për ndonjë kulturë tjetër që kultivohet atyre anëve.
Tepelena, ka nxjerrë njerëz të shquar dhe super talentuar në çdo fushë; në media, në art, kulturë, në muzikë, në letërsi, në sport, në politikë, në diplomaci, e shumë fusha të tjera, dhe nuk dua t’i përmend se i njeh gjithë Shqipëria, dhe po t’i përmend disa kam frikë se nuk do jem i ndershëm me të tjerët, që nuk do me kujtohen.
Në Tepelene, përveç Ali Pashës, mund të shkojë një i huaj edhe për familjen Dragoti, fshat po në Tepelenë, në buzë të rrugës kombëtare, lehtëesisht i vizitueshëm, nëse ka një muze për këta kollosë të artit botërorë, me origjine nga ky fshat i Tepelenës, por që fatkeqësisht nuk ka.
Në Tepelenë mund të qëndrojnë udhëtarët edhe siç kanë qëndruar dhe pushuar dikur, qoftë edhe për një darkë a një paçe mëngjesi, a darkë qoftë, edhe në Ujë të Ftohtë, që në kohën e Enverit ka qenë e mirëmbajtur dhe ishte kënaqësi të qëndroje, edhe pse Shqipëria e atëhershme, nuk kishte këtë fluks, për shkak të vetë-izolimit.
E sot ajo pikë është ku thërret qameti. Kjo është Tepelena dhe nuk pretendoj të jetë vendlindja e Shekspirit apo ndonjë figure të madhe të artit botëror.
Dhe krahasimisht me shumë qytete të tjera, Tepelena, ka me çfarë të mburret dhe të vizitohet, por siç është sot, është një qytet që kalon me makinë për një minutë dhe s’ke ku të vrasësh veten.
Kishte të drejtë dhe nuk gënjeu kryeministri kur foli për 64 objekte hotelerie të reklamuara në Gjirokastër në “Booking.com”, se aq janë dhe e kam verifikuar, por në Tepelenë dhe ai nuk e përmendi, kur foli me tepelenasit, gjë që do duhet ta bënte se po fliste me tepelenasit për Gjirokastrën, në Tepelenë ka vetëm një të quajtur “Guesthouse Lord Byron”, 1.1 km nga Tepelena. Dhe kaq.
Emrin e ka e bukur ky objekt dhe i lumtë atij që i ka vënë emrin, por me Lordin Bajron,Tepelenën e lidhin shumë gjëra, për të cilat një i huaj dhe shqiptar, nuk ka çfarë sheh shumë, përveçse një pllakë që shkruan pak a shumë;” Këtu ka qenë Lordi anglez, Bajron”.
Unë jam nga Tepelena dhe kam jetuar në fëmijërinë time në atë qytet që më formoi karakterin si njeri. Por kur dëgjoj nga Londra sesi tallet kryeministri me konceptimin për zhvillimin e qytetit dhe shndërrimin e tij në pikë turistike, sidomos me ‘by-pass’-in, nga “më vjen mall për Tepelenë” të mikut tim të familjes, Ylli Baka, më “vjen për të vjellë” nga tallja dhe mosserioziteti i “yllit” Rama.