Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria dhe kostumi shqiptar i Joseph Roth

Luan Rama

“Xhamia është si një kazermë, pasi aty ruajnë ushtarë. Të gjitha hotelet janë plot, meqë ngado kanë ardhur gazetarë, diplomatë e deputetë, oficerë nga Anglia e Italia, me rastin e mbledhjes së Parlamentit. Tirana është një minierë subjektesh sensacionale: rrugët janë me kalldrëm, komplikacionet politike janë të shumta dhe vendi i ngjan një “molle sherri”… Joseph Roth, Frankurter Zeitung.

Joseph Roth është një shkrimtar austriak që vdiq në mërgim në Paris. Dikur kisha lexuar se gjatë viteve ‘30, si gazetar i ri, ai kishte qenë në Shqipëri. Por rastësia e solli ta gjej atë në varrezat e Thiais, në periferi të Parisit, jo larg të varrit të mbretit Zog I. Në fakt, kishte qenë Zogu, ai që e kishte pritur së pari në Shqipëri të dërguarin e posaçëm të gazetës gjermane Frankfurter Zeitung. Kjo kishte ndodhur në zyrën e tij presidenciale në mes të Tiranës, në një ditë plot diell. Një vit më vonë, presidenti shqiptar nga Burgajeti do ta shpallte veten mbret.

Dhe ja, tashmë, pas kaq e kaq dekadash, që të dy këta bashkëbisedues të dikurshëm, ishin pikëtakuar në varrezat e Thiais, ku në varrin e njërit ishte shkruar Joseph Roth, poet austriak, (1894 -1939), dhe në tjetrin Zogu I, “Mbret i shqiptarëve”, (1895 – 1961). Duket si një paradoks. Që të dy pothuaj në të njëjtën moshë, të përzënë, të mërguar, të kërcënuar me vdekje: mbretit i ishte ndaluar kthimi në Shqipëri nga qeveria totalitare e Enver Hoxhës e pas luftës, ndërsa tjetri, hebre nga origjina dhe filozofia, nxënës i dikurshëm i Bertold Brecht, duhej të endej nëpër Europë. Si shkrimtari më anti-hitlerian i Evropës, në vitet 1933-1939, për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt, ai u detyrua të gjejë strehë në Paris, ku më së fundi kishte vdekur larg vendlindjes së tij, Vjenës. Por sidoqoftë, presidenti-mbret i shqiptarëve e kishte kritikuar rëndë gazetarin Roth për shpotitë e tij ndaj prijësit të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Kritikët e letërsisë thonë se vepra e tij gazetareske është po aq e fuqishme sa dhe letërsia e tij dhe kryeveprat romaneske. Por dihet se gazetarët e mirë bëhen shkrimtarë të mirë. E kundërta nuk ndodh. A nuk kishte ndodhur kështu me shkrimtarë si Hemingway apo George Orwell, gazetarë të sprovuar dhe korrespondentë të luftës apo shumë të tjerë?! Në fakt, romanet e tij, Roth i shkroi pas vitit 1927, pra pasi e kishte vizituar tokën e shqiptarëve. Më 1932 u botua kryevepra e tij Marshi i Radetzy-it. ”Detyra e shkrimtarit, – shkruan ai në përmbledhjen Një orë para fundit të botës, – është lufta e pamëshirshme kundër Gjermanisë naziste, pasi ajo është vatra e së keqes së kohës sonë, një filiale e ferrit dhe vendi i Anti-Krishtit!… Solidariteti evropian nuk është i mundur me Gjermaninë dhe Rajhun e III. Me të, Evropa nuk ka më kuptim… Duhet të pohojmë se arma jonë e vetme është fjala. Ajo është një armë e fuqishme, e rrezikshme, madje magjike. Por përballë topave të uzinës “Krupp”, të avionëve te Goering, të Kampeve të Përqëndrimit, të Policisë së Fshehtë, ne nuk jemi veçse «shkrimtarë të mjerë…”

Në periudhën e fundit të jetës së tij, ai botoi romane të tjerë po aq interesante dhe të përkthyer në shumë gjuhë të botës si Legjenda e Shën Pijetarit, Kripti i Kapuçinëve, Masat e rreme, etj., dhe pas luftës, shumë kritikë letrarë e biografë evropianë, do t’i riktheheshin veprës së tij si një nga shkrimtarët e rëndësishëm të letërsisë gjermanike të shekullit XX.

Në tokën e shqiptarëve

Gazetari Joseph Roth kishte udhëtuar në shumë vende si korrespondent i gazetave gjermane. Ai kishte rrahur Turqinë, Ballkanin, vendin e madh të Sovjetëve, vendet e veriut të Europës, etj. Rasti e solli që në vitin 1927 të merrte udhën drejt një vendi që shumë pak flitej në atë kohë: Shqipërisë, vendit ku do të qëndronte disa javë dhe do të botonte në gazetën e tij shtatë artikuj rradhazi si Mbërritja në Shqipëri, Artikull mbi Shqipërinë, Te presidenti Ahmet Zog, Jugosllavia dhe Shqipëria – probleme të brëndshme, Tirana, kryeqytet i Shqipërisë, Populli shqiptar dhe Ushtria shqiptare.

Kur mbërriti në portin e Durrësit, ai kujton në shënimet e tij se bashkë me të, në orën 7 të mëngjesit, veçse një njeri zbarkoi nga anija në portin e vogël shqiptar: “Një tregëtar që në vendin e mjekrave do të shesë ca brisqe “Gillette”. Përballë tyre, në një kolibe druri “me një oxhak idilik nga ku ngrihet një tym i drejtë, si vija e hequr nga një vizore” dhe ku “një njeri i veshur me një uniformë të zezë, i vetmi që përfaqëson policinë shqiptare, dredh një cigare. Ai e njeh alfabetin, por nuk është stërvitur me të shkruar, çka u humbet kohën udhëtarëve, duke lexuar pasaportat e tyre…”

Kur zbarkoi në Tiranë, përshtypja e parë e tij ishte imazhi në të djathtë të xhamisë, në oborrin e një kafeneje primitive, ku në mes të diellit, klientët piqnin një qëngj në hell dhe atij iu duk sikur qeleshet e bardha diskutonin mes tyre. “Xhamia është si një kazermë, pasi aty ruajnë ushtarë. Të gjitha hotelet janë plot, pasi ngado kanë ardhur gazetarë, diplomatë e deputetë, oficerë nga Anglia e Italia, meqë është mbledhur Parlamenti. Tirana është një minierë subjektesh sensacionale: rrugët janë me kalldrëm, komplikacionet politike janë të shumta dhe vendi i ngjan një “molle sherri”…

Dhe më pas, në artikullin e tij të parë për Tiranën, ai vazhdonte: «Ja tek shfaqet me një pamje madhështore, kryegjenerali i ushtrisë shqiptare Xhemal Aranitasi, hipur mbi një kalë të bardhë e të fismë. Llustraxhinjtë e vegjël të këpucëve largohen gjatë kalimit të tij, të cilin e ndjek një shtallar. Ai sapo ka kaluar trupat e tij në revistë. Por qëndrimi i tij është i trishtë: nuk ka shtet pa gjeneral dhe nuk ka gjeneral pa një kalë të bardhë. Qëndismat e arta në supet e tij shpërndajnë rrezëllime, ndërkohë që me një dorë të ngathët, ai përshëndet njerëzit që njeh dhe që janë ulur rrugës në tavolinat e tyre të zakonshme.»

Por më së fundi, pas një peripecie të gjatë për të futur kokën në këtë kryeqytet, për të cilin ai thotë se “tiranasit duan trëndafilat dhe muzikën”, ai mundi të marrë frymë lirisht: “Ja ku u gjet një njeri me emrin Nikollë, për të më dhënë me qera një dhomë. Të katër këmbët e shtratit janë rrethuar nga ca njolla të mëdha vajguri për të larguar tartabiqet. Xhami i dritës është thyer poshtë dhe është mbuluar nga një cohë kundër mushkonjave…” Në artikullin Tirana, kryeqytet ai shkruan se “për ushtrinë shqiptare janë rekrutuar instrumentistë dhe bori që gjallërojne marshin e ushtarëve dhe lajmërojnë fundin e ditës së shërbimit të tyre…

Presidenti, nga ana e tij ka një orkestër personale, dirigjenti i së cilës është nga Trieste dhe në sy mban një monokël. Muzikantët e instrumenteve muzikore janë nga Korça, një qytet në jug-lindje të vendit ku njerëzit kanë qef të të këndojnë, si në Çekosllovaki, e cila kur ishte mbretëria e Bohemisë e furnizonte ushtrinë perandorake me dirigjentë të mrekullueshëm… Shumica e tyre kanë qënë në Amerikë. Atje kanë vënë dhe dhëmbë të florinjta dhe kanë blerë instrumenta me korde. Këndojnë këngën e bananeve për të treguar dukshëm se ata kanë parë botë me sy. Ndoshta dhe për të treguar nostalgjinë për Amerikën që kanë lënë, ngaqë vuanin për Tiranën. Zemra e tyre vozit mbi oqean, por tregtia është në Tiranë: krehrat, pasqyrat, letrat. Nuk u mbetet gjë tjetër veç të luajnë mandolinë.

Ata qëndrojnë ulur për orë të tëra para dyqaneve të tyre. Gjithçka është tepër e qetë. Veç talenteve muzikore, Tirana është një qytet i qetë. Kur rastësisht nuk luhen instrumentet frymore, dëgjohen gjelat të këndojnë, çekiçët e farkëtarëve në Pazar dhe thirrjet e rregullta që ngjiten drejt minareve. Dielli nxeh pluhurin e rrugëve. Ai pjek si saç dhe gjithçka dekompozohet, pra çdo qelizë, duke u zhdukur lart në qiell, pa arritur që rruga të fshihet apo të lahet…”

Roth është një qëmtues i hollë dhe e sheh jetën e një populli gjer në detajet më të holla por që janë shumë shprehëse. Pasi përshkruan parlamentin shqiptar ai ndalet në punonjësit shqiptarë të një banke shqiptaro-italiane, ku letra e kursit të monedhës shqiptare “është kapur me gjilpëra siç kapin fluturat”… “Patroni i hotelit i mban monedhat në një këllëf lëkure të revolverit që mban. Në barin e tij janë grumbulluar dallëndyshet e para të qytetërimit: “grieshübler”, (një liker italian), “whisky”, “vermouth”, “fernet-branca”…

Disa ditë pas mbërritjes së tij në Tiranë, gazetari i Frankfurter Zeitung u njoftua se do ta priste vetë presidenti. “Të shtunën në orën 5 pasdite, shkoj te presidenti i Shqipërisë. Një ndihmës i tij më pret në paradhomë. Eshtë një komandant batalioni, i dobët, i dashur dhe i gatshëm të flasë për kohën, peizazhin shqiptar, rrezikun e malarjes. Pra një ndihmës i vërtetë.

Në zyrën e presidentit gjëndet një burrë i moshuar. Eshtë ministri i Punëve të Jashtme. Eshtë inteligjent dhe i shëndoshë. Ai bën në të njëjtën kohë përkthyesin dhe protokollin. Presidenti ka një uniformë gjenerali… Reveranca. Fundosem në një kolltuk. Presidenti thotë në shqip se është i lumtur të përshëndesë një gazetë të madhe gjermane në Shqipëri. Pastaj ai fillon të flasë në gjermanisht, (ai ka shërbyer në ushtrinë austriake)… Ai nuk uron gjë tjetër veç që gazetat të shkruajnë të vërtetën… “

Bashkëbisedimi i tyre ishte i shkurtër. “Reveranca, reveranca”… siç shkruante ai. Joseph Roth nuk i bëri asnjë pyetje. Ishte thjesht një vizitë kortezie. Në fakt, atij i interesonte realiteti. Ishin vetë njerëzit dhe faktet që flisnin. “Thuhet se ai është diktator pa skrupuj, – shkruante në shënimet e tij Roth, – por a është e mundur të mos ekzistojë këtu gjë tjetër veç një dikator pa skrupuj, në këtë Shqipëri ku çdo shef çete apo bande është një diktator më vete… Veç të tjerash, ai ka patur ndihmën e jugosllavëve, të cilët e kanë ndihmuar financiarisht: me ndihmën e bandave të krijuara në Jugosllavi, ai e “fitoi” Shqipërinë, çka i lejoi pastaj të firmosë menjëherë paktin e famshëm me Italinë.”

Një polici e mirë është më mirë se tradita e mikpritjes…

Gazetari Joseph Roth ishte nga ata gazetarë që nuk mjaftoheshin të dëgjonin bashkëbisedues vetëm nëpër kafene dhe hollet e hoteleve. Ai kërkoi të shohë vendet ku jetonin njerëzit, në fshatra e qytete; shkoi në Elbasan, në Krujë e gjetkë, ku përshtypje të veçantë i bënë kullat e ngujimit, të cilat nuk ishin vetëm në veriun shqiptar. «Ja disa shtëpi pa dritare, plotësisht të mbrojtura, me gurë në formë kubi, të shurdhta dhe të verbëta, me një pamje të shëmtuar, misterioze e tragjike, të rënda për nga fati i tyre dhe që mbajnë në vetvete një mallkim enigmatik. Sipër, çdonjëra prej shtëpive është ndërtuar në atë mënyrë për t’i dhënë strehë, azil, një vrasësi të lodhur, një njeriu të përndjekur, t’i japë strehë gjithë një klani. Pra aty endet ajo që quhet magjia e vendeve të shqetësuara – një magji nga e cila dua të qëndroj larg. Këtë kasolle të mjerë nuk mund të vish ta vizitosh pa autorizimin e të zotit. Por nëse e kërkon këtë leje, mikpritja është e përzemërt dhe e pa kushtëzuar.

Eshtë një zakon i mirë mikpritje që na çon në provat fisnike të njerëzimit. Por në të vërtetë ajo është e motivuar nga konsiderata egoiste e këtyre njerëzve që preferojnë më mirë hakmarrjen, sesa institucionet e Drejtësisë: duhet gjëndur diku një strehë kur përndiqemi, pasi të gjithëve u ndodh të përndiqen në një moment apo një tjetër të jetës së tyre. Nëse e analizojmë këtë fenomen në mënyrë kritike dhe ta arsyetojmë gjer në fund, do arrijmë të bindemi se një polici e mirë është më mirë se tradita e mikpritjes.

A mund të më ndjejnë për këtë shqiptarët dhe kombet e tjera, që nuk kanë dhe aq dhunti duke vlerësuar këtë konservatorizëm jo produktiv?…»
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Joseph Roth kishte fatin të takonte një personazh të jashtëzakonshëm, të denjë për një roman apo film, por që kjo mund të ndodhte vetëm në Shqipëri, një histori, që afërsisht e ngjashme do të ndodhte dhe në fund të mijëvjeçarit të dytë, kur një emigrant nga Belgjika, pas ndryshimeve politike në Shqipëri, dëgjoi «kushtrimin e të parëve» dhe shkoi të merrte gjakun në veriun shqiptar, sipas zakonit të gjakmarrjes.

Ja çfarë shkruan Roth në reportazhin e tij: «Vendi është aq i qetë sa e ke të vështirë të besosh se këtu je në rrezik nga zakonet e vrasjes. Megjithatë, unë e njoha një njeri që një ditë deshi të hakmerrej për një mikun e tij dhe gabimisht kishte vrarë një të pafajshëm. Ja pra, ai i mjerë s’pati fat, kjo është e gjitha. Pasi ky i pafajshëm që s’kishte fat, kishte shtatë vëllezër dhe që të gjithë ata ishin vënë në kërkim të vrasësit. Vrasësi u kishte dërguar disa ndërmjetës, por atë mund ta vrisnin para se të bëhej marrëveshja. Që prej tri muajsh, në çdo moment, ai pret vdekjen.

Ai ka punuar në Paris, si puntor në një uzinë municionesh dhe kishte ardhur në Shqipëri, veç për të bërë këtë hakmarrje. Edhe pse atë e ndjekin për ta vrarë, ai vetë është në kërkim të vrasësit të mikut të tij…»
Për gazetarin Roth, jeta përbën një lloj afresku që ai mundohet ta përshkruajë në mënyrën e tij, letrare, me humor, me fjalë që thumbojnë apo detaje që flasin shumë, për çka një kineast i sotëm do të ishte i lumtur t’i qëmtonte në shkrimet e tij për të dhënë një atmosferë tepër besnike dhe origjinale të kohës, njerëzve që kanë jetuar dhe botës së tyre, e cila është tretur në mugëtirën e kohrave. Duke vazhduar përshkrimin e Tiranës, ai ka shtuar: «Tregojnë se çdo mëngjes, Këshilli Bashkiak dërgon një djalosh me një pompë uji që të ruajë higjenën e qytetit.

Por askush nuk e ka parë me sy. Motorri që duhet të furnizojë energjinë për ndriçim, është tepër i dobët për 60 llampat. Ato ndizen gjatë natës. Por duken si thëngjij karboni. Të varura nëpër kordone ngjajnë si vargje të shndritshme. Për të hapur rrugë të drejta, janë prekur apo prishur shtëpi, që Tirana të bëhet një qytet modern dhe rezidencial. Gjysma e shtëpive janë me bark të hapur dhe të errta. Në dhomat ku s’ka njerëz, kalimtarët bëjnë nevojat në mënyrë ekzotike, pa i hequr pistoletat dhe pushkët e tyre. Në asnjë moment nuk mund të jesh i sigurt dhe i mbrojtur nga gjakmarrja…”

Në fund të atij shkrimi për Shqipërinë të datës 15 qershor, duke iu referuar gjakmarrjes, Roth shkruante: «Shqipëria është pikërisht në gjysmë të udhës, midis gjakmarrjes dhe Shoqatës së Kombeve». Tetëdhjetë vjet më vonë, në botën e qytetëruar, gjakmarrja ende bën kërdinë po në këtë Shqipëri, në këtë cep të Ballkanit perëndimor, në këtë skaj të vrullit për tu integruar por që që vuan ende nga plagët e rënda të maleve. Kullat e ngujimit janë kthyer në një referencë të Shqipërisë aktuale, ku shteti nuk arrin ta ndalë «mekanizmin e gjakut». Vallë a mund t’i bashkohemi Evropës moderne me peshën e kodeve të gjakmarrjes që rëndojnë ende?

Fundi i shkrimtarit

Veprat e Joseph Roth u bënë të njohura gjithashtu dhe nga artikujt e tij të viteve të fundit, atëherë kur Roth ngrinte zërin kundër Evropës së frikësuar që po e linte Hitlerin të bënte ç’të donte dhe të vazhdonte marshin e tij të luftës e të vdekjes. Si një anti-nazist i përbetuar, shkrimet e tij u botuan në rrethet e emigrantëve të përndjekur dhe ata që e dënonin ashpër politikën ekspansioniste të Gjermanisë naziste.

Në vitet 1936-1939, Joseph Roth banonte në «Hotel Tournon», në rrugën me të njëjtin emër në cep të kopshteve të «Jardins de Luxembourg»-ut në zemër të Parisit, dy hapa larg Senatit francez. Miku i afërt i tij, shkrimtari Stefan Zweig e ndihmonte me para sa herë ai ngelej pa një dysh. Në atë periudhë, Roth nuk shkruante më, as në letër dhe as në makinë shkrimi, por ai vetëm diktonte.

Çdo mëngjes, një sekretare e tij vinte në kafenenë poshtë hotelit. Ata uleshin në tavolinën e tij të përhershme që shikonte nga rruga dhe si gjithnjë, ai i thoshte: «Atëherë ku e kemi lënë?… Ajo i lexonte paragrafin e fundit dhe ai fillonte t’i diktonte vazhdimin… Kështu u shkruan romanet e fundit të tij.
Roth ishte një gjeni i fjalës dhe në kafenenë e tij mblidheshin emigrantë të shumë austriakë e gjermanë, që ishin kundër Hitlerit. Një ditë shkova në atë kafene dhe u ula pikërisht në tavolinën e tij. Pronarja e dikurshme e lokalit ka vdekur. Ajo quhej Germaine Alzard. Roth e kishte qef pijen, madje përhumbej në të. Shpesh i thoshte asaj se “një fletë e shkruar është sa një gotë «Penod».

Para se të vdiste ajo i kishte lënë disa kujtime një gazetari që e kishte pyetur rreth shkrimtarit. Madje ajo i kishte treguar sesi njëherë, një mbrëmje të vonët, kur ai ishte i dehur, i kishte kërkuar akoma dhe një gotë, ajo ia kishte refuzuar dhe i kishte thënë se do ta mbyllte lokalin dhe se duhej shkuar për të fjetur. Patronia e re kishte shkuar ta mbyllte kafenenë nga brënda dhe pastaj ishte ngjitur nga dalja e pasme, e ndjekur nga klienti i fundit dhe i përhershëm i saj.

Por ja që Roth, nën avujt e alkoolit, i kishte zgjatur duart drejt vitheve të saj. Një e shtyrë dhe një goditje në bark e kishte shëmbur shkrimtarin nëpër shkallë. “Të nesërmen, – kujtonte ajo, – e kisha harruar fare këtë histori dhe e pashë Roth-in, por ai veçse kaloi para kafenesë dhe shkoi drejt Saint-Germain-dès-Près. Pas një ore, dikush më solli një tufë me lule me një kartë të shkrojtur nga Roth, i cili më kërkonte ndjesë për incidentin e një mbrëmje më parë”. Jo rrallë, Roth i shkruante poezi patrones së tij…

Kur Joseph Roth vdiq, disa nga miqtë e tij thanë se ai bëri mirë që vdiq në atë kohë, edhe pse ishte veçse 45 vjeçar, pasi lumturisht, ai nuk e përjetoi tmerrin e Luftës së Dytë Botërore, ferrin që ai kishte parathënë me zë të lartë para gjithë botës. Më 24 maj të vitit 1939, atje në kafene «Tournon», ai mori vesh lajmin e vetvrasjes së mikut të tij të afërt Ernest Toller në New York, çka e tronditi aq shumë, sa e çuan në spital nga ku s’do të dilte më. Tri ditë më vonë ai vdiq… Ai nuk e pa përndjekjen e hebrenjve nëpër Evropë dhe në Francë; nuk i pa as trenat e vdekjes… ndoshta dhe ai mund të kishte qënë një udhëtar i pafat i trenave naziste që shkonin drejt kampeve të Auschvitz, Dachau, Mathausen…

Ai vdiq si një poet i dëshpëruar për fatet e botës. Ai ishte i bindur në atë që kishte shkruar që në vitin 1935 se «Në fillim Gjermania do të festojë fitoret e saj, por në fund ajo do të vdesë urie dhe do të njohë thyerrjen e plotë. Mos kini asnjë iluzion. Do të jetë koha e ferrit…» Kush e ka parë Gjermaninë e fill pas luftës që ishte kthyer në një gërmadhë të vërtetë nga bombat e aleatëve, e ka parë vërtetë atë ferr që po jetonte populli gjerman.

Artikujt e tij për Shqipërinë kanë një lloj lirizmi, por dhe një ironi të thekshme. Që atëherë kanë kaluar shumë dekada. «Qortimet shqiptare» të Joseph Roth, nuk i dëgjoi askush nga liderët politikë. Për dekada me rradhë, ky vend vazhdonte të vegjetonte në një plogështi të skajshme mejhanesh, në një autarki të pashëmbëllt dhe frikë obsesionale ndaj të huajit, pa folur për gjakmarrjen, që një shtet i sotëm demokratik, nga një anë mburret në mënyrë folklorike para botës (MISS-et janë një uverturë koncertale), dhe nga ana tjetër nuk sheh sesi gëlon gjakmarrja dhe sesi në peizazhin njerëzor shqiptar bulëzojnë ferexhetë, ai «kortezh funebër» për të cilin shkruante Roth.

Please follow and like us: