Bota e letrave qan vdekjen e Philip Roth
“Të hidhëruar dhe të mallëngjyer…” Kështu shprehet bota letrare për lajmin e vdekjes së Philip Rothit në të gjitha rrjetet sociale ku shkrimtarë, kritikë dhe lexues shprehën ngushëllimet dhe e kujtuan autorin 85 vjeçar amerikan.
Autorja Joyce Carol Oates, që ishte e lidhur me Rothin, ndau me publikun një intervistë që bëri bashkë me autorin në vitin 1974. “Ishim shumë të rinj atëherë, por Philip kishte një sasi të konsiderueshme punësh. Unë e kuptova që ishim shpirtra binjakë kur pashë që në murin e dhomës së shkrimit mbante Franc Kafkën, një foto identike me atë që mbaja unë. U prehtë në paqe!”
Autor tjetër që shprehu keqardhje në gazetën britanike “The Guardian” ishte Jonathan Safran Foer, i cili sinjalizoi se ndikimi i Roth është i krahasueshëm me autorë amerikanë të përmasave të Herman Melville dhe Emily Dickinson.
“Nëse do të kem nipër shpresoj që t’i lexojnë dhe që jetët e tyre të formësohen nga fjalët e tij ashtu siç ndodhi me timen. Ai ishte heroi im!”
Shkrimtarja dhe mikja personale e Rothit, Anne Margaret Daniel u shpreh për ndikimin e tij dhe se asnjë autor amerikan nuk kishte njohje më të pasur mbi historinë e vendit. Autorja sugjeroi se vepra e Rothit duhet të jetë pjesë e studimit të historisë amerikane të shek XX.
Një tjetër përfaqësues i letërsisë ishte edhe Gary Shteyngart: “Nuk do të ketë asnjë si ai”.
Gazeta La Reppublica e përshkruan autorin si një shkrimtar me shpirt hebre që rrëfeu Amerikën. Autori spanjoll Juan Cruz tha se amerikani ishte shkrimtari që pushoi së shkruari kur i deshi qefi – raporton bota.al
The New York Times e përshkruan veprën e Rothit si imponuese dhe thotë se vepra e tij eksploron si askush tjetër epshin, judaizmin dhe Amerikën. The Washington Post rrëfen mbi ndikimin që provokoi një nga romanet e tij më të njohur “Ankimi i Portnoit”, i cili skandalizoi dhe ndryshoi për gjithmonë letërsinë amerikane.
Gazetarja e francezes Le Monde, Josyane Sauvigneau, e cila ishte mike e afërt me autorin dhe që e kishte intervistuar shumë herë përgjatë karrierës së tij u shpreh: “Thonë se Philip Roth ka vdekur. Me siguri është gënjeshtër. Duhet të ketë çuar në varr ndonjë nga dublantët e tij”.
“Nathan Zuckerman dhe David Kepesh janë të gjallë përgjithmonë në romanet e tij dhe aventura e bukur në Newark (New Jersey) filloi në 19 mars 1933 dhe përfundoi këtë të martë në 22 maj, në Nju Jork,” – publikoi prestigjiozja e letërsisë kritike Livres franceze.