Albspirit

Media/News/Publishing

Isaiah BERLIN: Boris Pasternak

Ese e vitit 1958, e shkëputur nga libri “Mendësia sovjetike”
Boris Leonidoviç Pasternak është shkrimtari më i madh rus i ditëve tona. Askush, madje as kritikët e tij më të ashpër politik apo personal, nuk kanë guxuar ta mohojnë se ai është një poet lirik gjenial, vargjet e të cilit kanë arritur pavdekësinë që në gjallje të autorit. Vendimi i brezave që do të vijnë për pozitën e veçantë të tij në letërsinë ruse nuk ka gjasa të ndryshojë. Botimi jashtë shtetit i romanit “Doktor Zhivago” i solli atij një famë botërore, të cilën asnjë shkrimtar rus që nga koha e Gorkit nuk e kishte gëzuar. Ashtu si Gorki (me të cilin ai ka pakogjë të përbashkët) Pasternaku e pranoi revolucionin. Ndryshe nga Gorki dhe shkrimtrarë të tjerë të talentuar të revolucionit – Alekseji Tolstoi, Erenburg, Bunin, Kuprin – ai nuk u bë kurrë një ikës, por qëndroi në vendin e tij dhe bashkëvuajti me popullin rus deri në fund.
Pasternaku nuk e ndërpreu kurrë të shkruarin. Kur filloi përndjekja e madhe e letërsisë dhe artit në vitet 1940, veprat e tij pothuajse u ndaluan dhe Pasternaku u lejua të botonte fare pak. Megjithatë thjesht prania e një njeriu me gjenialitet të mrekullueshëm dhe të padiskutueshëm vazhdoi të kishte një ndikim moral mes rusëve të kultivuar dhe mes atyre që i njihnin arritjet e tij letrare vetëm nga thashethemet dhe e shikonin shkrimtarin si një shenjt shekullar dhe martir, që i qëndroi besnik besimit dhe artit të tij gjatë një shtypjeje të tmerrshme, që gjunjëzoi shumë shkrimtarë të tjerë.
Pozita e tij sot është e jashtëzakonshme. Njëlloj si Tolstoi nga fundi i jetës, Pasternaku është një shkrimtar i njohur botërisht, i papranuar nga qeveria e vendit të tij, por i parë, qoftë edhe nga kritikët e tij, me një adhurim të veçantë të përzier me magjepsje, gjë të cilën nganjëherë gjenitë kanë aftësinë ta përçojnë.
Ai është një njeri tërësisht i përthithur nga poezia e tij. Të shkruarit e tij dhe mënyra e jetës i shërbejnë idealit të tij me një besnikëri të patundur dhe me përkushtim. Edhe kritikët më të ashpër të tij nuk kanë mundur ta akuzojnë se Pasternaku bën art që t’i shërbejë ndonjë qëllimi të fshehtë, personal apo politik, apo çfarëdo qoftë ky, përveç krijimit të kulluar artistik. Kushdo që e ka takuar, e di mirë se sa e pamendueshme është që ai të ketë marrë pjesë në ndonjë lëvizje, fushatë apo shmangie drejt të majtës apo të djathtës, në ndonjë rreshtim politik ose letrar, apo intrigë. Ai është një figurë e vetmuar, e pafajshme, e pavarur, tërësisht e përkushtuar. Ndershmëria dhe pafajësia e tij ia kanë dalë të bëjnë për vete edhe burokratët më të egër dhe cinikë, nga të cilët në mënyrë të pashmangshme varej mbijetesa e tij.
Për shumë vjet kritikët sovjetikë e kanë akuzuar Pasternakun si elitar, i stërholluar, i stërpërpunuar, i largët ndaj realitetit bashkëkohor sovjetik. Mendoj se ajo që ata nënkuptojnë, është se poezia e tij nuk ka qenë as propagandistike, as zbukuruese. Por edhe nëse kjo që nënkuptohet do të thotë se shkrimet e Pasternakut merreshin me një botë vetjake, se ai flsite në një gjuhë vetjake, se mbyllej në vetvete, krejtësisht i veçuar nga bota ku jetonte, akuza është tërësisht e pabazë. Që në fillimet e tij si poet dhe dramaturg Pasternaku ka shkruar mbështetur në përvojën e tij vetjake apo shoqërore, qoftë edhe politike, duke ndjekur traditën themelore të shkrimtarisë së madhe ruse. Dhe nëse poezia e tij nuk është dukshëm autobiografike, siç është për shembull poezia e bashkëkohëses së tij, poetes Ahmatova, kjo ndodh ngaqë është në natyrën e artit të tij të shndërrojë dhe jo të regjistrojë.
Është thënë se e gjithë shkrimtaria ruse është një rrëfim vetjak, një aveu (fr.) Pasternaku mund të çmohet si një perëndimor në kuptimin që ai nuk u drejton lexuesve predikime të drejtpërdrejta siç bënin shpesh Gogoli, Dostojevski apo Tolstoi, madje edhe Turgenievi. Çfarëdo që shkrimtari ka për të thënë, duhet ta thotë me art dhe të mos e shpalosë si një shtojcë jashtartistike apo predikim të ngjitur jashtë botës së krijuar nga artisti. Në këtë këndvështrim ai ndjek Çehovin, i cili shndërron çdo gjë, pa lënë pas mbetje, në një tregim të mirëfilltë. Por shkrimtaria e Pasternakut, njëlloj si e Çehovit dhe e të gjithë pararendësve të tij, përfshi poetët e mëdhenj simbolistë, ndaj të cilëve ai është një bashkëkohës i ri, përshkohet nga ndjenja e përgjegjësisë së artistit.
Artisti nuk është një prift apo një tregtar sendesh të bukura, por thotë të vërtetën në publik, të bazuar drejtpërsëdrejti mbi përvojën e tij të freskët. Faqe kësaj të vërtete artisti është kritiku i vetëm më përshtypjendjellës dhe më i përgjegjshëm, një kritik më zbërthyes, shprehës dhe bindës se njerëzit e zakonshëm. Në këtë kuptim, arti dhe koncepti i tij për të është tepër pranë doktrinës klasike “sociale” të artistit si shprehja më e lartësuar e kohës dhe mjedisit të tij, doktrina klasike e Bjelinskit dhe Hercenit, krahasuar me kritikët dhe poetët e mëvonshëm estetikisht “të kulluar”. Ai e shikonte këtë qëndrim – të cilin marksizmi e përthithi – si tepër afër utilitarizmit vulgar. Në këtë kuptim Pasternaku nuk është aspak i afërt me puristët dhe estetët e Shën Pjetërburgut. Ai u lind në Moskë dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi atje. Ndikimet me të cilat ai u mbrujt, impresionizmi imagjinativ dhe njerëzor i pikturave të të atit, miqësia e familjes së tij me Tolstoin, e cila la gjurmë në fëmijërinë dhe rininë e tij të hershme, qëndrimet metafizike të Skrijabinit, nga i cili Pasternaku mori mësime muzikore kompozicioni, kur mendonte se do të shkruante muzikë, doktrina fetare dhe shoqërore e Andrej Bejlit, futurizmi revolucionar i shokut të tij të madh Majakovskit, mbajtës i kurorës me dafina i epokës leniniste të bolshevizmit, punuan kundër estetizmit të paanshëm të këtij lloji.
Pasternaku nuk e braktisi kurrë këtë drejtim, ai nuk u mbyll kurrë në ndonjë kështjellë të fildishtë dhe nuk kërkoi të shkëputej nga realiteti në çfarëdolloj kuptimi të fjalës. Gjatë periudhës së tij më eksperimentale, kur si të gjithë poetët revolucionarë të epokës ai shkroi me një mënyrë të thyer, të shtrembëruar dhunshëm, episodike, nga e cila mënyrë ka plot të ngjashëm në Perëndim; ky ishte një mjet dhe asgjë më shumë se një mjet për të shprehur dhe rindërtuar botën reale të veprimit, zgjimin social dhe politikën në të cilën ai jetonte. Fakti që “Doktor Zhivago” shkaktoi përshtypje të madhe në Perëndim erdhi pjesërisht edhe nga fakti se lexuesit, si rregull, nuk ishin njohur me veprat e mëparshme të autorit, krahasuar me të cilat romani qëndron shumë më lart, por ka edhe ngjashmëri të dukshme. Fragmenti i mëhershëm biografik “Lejekalimi” dhe tregimet e shkruara në fillim të viteve ’20, të cilat tashmë autori nuk i vlerëson edhe aq, krijonin botë përvoje, ato nuk ishin aspak ushtrime në zanat apo imitime mjeshtërish.
Aftësia që Pasternaku zotëron mbi shkrimtarët e tjerë të brezit të tij është ai i shndërrimit të cilësisë organike, të pulsimit të jetës në brendësi të çdo sendi, në botën që ai krijon. Asnjë artist nuk e ka shembullësuar më gjallërisht teorinë e Rilindjes të artistit si krijues, si rival i vetë natyrës sesa Pasternaku. Gurët, pemët, toka, uji janë mishëruar me një jetë të tyren në një vështrim pothuaj mistik, që mbush poezinë e tij që nga fillimet e hershme. Ky këndvështrim u jep jetë të pavarur karaktereve njerëzore që popullojnë faqet e tij, banesave ku ata jetojnë, rrugëve ku ata ecin, institucioneve tredimensionale politike dhe shoqërore ku ata gjenden. Kjo aftësi gjeniale për të ndërkallur jetën në ngjarje pavetore – revolucione, luftëra, dhoma ku njerëzit flasin, flenë apo mendojnë – është në kundërshtim të plotë me realizmin apo natyralizmin, por edhe më larg besnikërisë fotografike apo gazetarisë.
Ndryshimi mes Pasternakut dhe shkrimtarëve të tjerë sovjetikë (me disa përjashtime të nderuara) nuk qëndron te fakti se ai është jopolitik kurse të tjerë janë të përzier në fatin e vendit apo fesë së tyre, por tek e vërteta se aftësitë e tyre janë më të pakta, teknika e tyre e papërpunuar dhe karakteret që ata skalisin janë të vdekur që në lindje. Kjo provohet bindshëm nga personaliteti i poetit, siç ai përshkruhet tani nga visitorët e shumtë të huaj, nga fytyra e tij madhështore dhe tërheqëse ( fytyrë e cilësuar nga një bashkëkohës i tij si “një arab dhe kali i tij”), cilësia e jashtëzakonshme e gjuhës së tij, qoftë edhe në bisedat më të rëndomta, e pasur me krahasime dhe imazhe, gjuhë me të cilën ky burrë i apasionuar, i rreptë dhe gjeni i brendakyçur mahnit, prek dhe bën për vete këdo që vjen ta vizitojë në daçën e tij të vogël në Fshatin e Shkrimtarëve në rrethinat e Moskës. Ka diçka mahnitëse dhe thellësisht prekëse në këtë paraqitje të një njeriu tërësisht të ndershëm, tepër të talentuar, që jeton në mes të një revolucioni, të cilin nuk e kundërshtoi kurrë duke përdorur një gjuhë të pakuptueshme për bashkatdhetarët e tij. Gjuha e tij, e cila është më e efektshme falë një madhështie të traditës së vjetër, që është zhdukur nga bota perëndimore kohë më parë, na kujton me dhimbje se ç’do të thoshte dikur të ishe njeri i madh.
Ka shkrimtarë – edhe poetë të mëdhenj mes tyre – poezia e të cilëve është e dallueshme nga jeta dhe proza e tyre. Jeta dhe veprimtaritë e tjera të Brauningut, Malorisë apo T.S. Eliotit nuk janë veçanërisht të racës së poetëve. Te Pasternaku këto ndarje nuk ekzistojnë. Çdo gjë që ai thotë apo shkruan është poetike; proza e tij nuk është e llojit të shkruar nga prozatorët, por nga një poet, me të gjitha meritat dhe të metat e saj; pikëpamjet e tij, kuptimi i tij mbi jetën, politika e tij, besimi i tij te Rusia, te Revolucioni, te bota e re që do të vijë, besim që është shumë i thellë, ka qartësinë dhe dukshmërinë e një këndvështrimi poetik. Ai është i fundit mes përfaqësuesve më të mëdhenj të të ashtuquajturës “Epoka e Argjendtë” e letërsisë ruse.
Është e vështirë të gjesh kudo në botë ndonjë figurë që të krahasohet me të për nga aftësitë, vitaliteti, integriteti i pacenueshëm, kuraja shoqërore dhe qëndrueshmëria. Pajtohen ose jo me pikëpamjet e tij, shumica dërrmuese e qytetarëve sovjetikë, që kanë dëgjuar për Pasternakun, krenohen me të, e ndiejnë atë, pavarësisht se çfarë thonë kritikët, si pjesë të tyren në të gjitha fazat e jetës së vështirë. Ai gëzon respektin e komunistëve, antikomunistëve dhe neutralëve. Asnjë shkrimtar nuk e ka arritur një pozitë të tillë në kohën tonë.Përktheu nga anglishtja: Viktor CANOSINAJ

Please follow and like us: