Albspirit

Media/News/Publishing

Jahja Lluka: Dedë Gjo Luli na mësoi se gjaku shqiptar nuk shuhet

Se sa sublime është dashuria ndaj Atdheut; se sa e shenjtë është mbrojtja e pragut të shtëpisë – edhe kur shanset janë të pamundura dhe fitorja thuajse është e paarrirë – shpirti luftarak i malësorit Dedë Gjo Luli duhet të jetë shembull: një burrë që i kushtoi çështjes kombëtare mbi gjysmë shekulli jetë, duke mos u dorëzuar deri në frymën e fundit.

Familja e Dedë Gjo Lulit në historinë shqiptare njihet me përkushtimin e denjë ndaj atdhedashurisë. Nga kjo derë e madhe lindën shumë burra që me veprën dhe gjakun e tyre do të ngrenë në përjetësi emrin e fisit të tyre – sa madhështor aq dhe të dhimbshëm. Por, të vdesësh për atdhe është akti më i lartë që mund të jep njeriu nga vetja.

Kur shfletojmë historinë do të gjejmë se si kjo tokë e bekuar lindi shumë trima e trimëresha të cilët nuk e njihnin frikën dhe dorëzimin ndaj armikut. Shpirti i shqiptarit është i etur për liri. Në mohimin e kësaj nga bota, në vuajtjen e tyre pa mbarim, shqiptarët janë një ndër popujt e rrallë që njeh historia, sepse asnjëherë nuk pranuan dorëzimin e aq më pak nënshtrimin.

Trimi i madh Dedë Gjo Luli u lind në Traboin të vitit 1840. Emrin e trashëgoi nga gjyshi për t’u bërë një ndër figurat më të mëdha të qëndresës shqiptare. Si i ri u njoh me Prende Gjeloshin, me të cilën lidhën kurorë dhe nga kjo martesë patën katër fëmijë: dy vajza dhe dy djem.

Shpirti i tij luftarak nuk e lejoi që të rrinte anash në luftën për çlirimin e Shqipërisë. Kongresi i Berlinit me vendimet e tij la jashtë shumë territore shqiptare, duke ua dhuruar fqinjëve. Kështu, u angazhua në luftën heroike në mbrojtjen e Hotit dhe Grudës të cilat iu dhuruan Principatës së Malit të Zi. Populli iu bind fjalës dhe luftës së tij: ai udhëhoqi malësorët edhe në Kryengritjen antiosmane të vitit 1911. Ndezi gjakun e malësorëve për ta ngjallur qëndresën e tyre, që të çliroheshin njëherë e përgjithmonë nga pushtimi turko-sllav duke e bërë të mundur kështu hapjen e një epoke të re me shpalljen pavarësisë e Shqipërisë (e cila nuk do të ishte ashtu siç deshën shqiptarët).

Luftërat Ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër ishin ogurzeza për kombin tonë. Ishte mbi 70 vjeç, por pushka e tij nuk ndali edhe atëherë kur ia vranë birin Gjergjin dhe kushëririn Nikë Gjelosh Lulin. Me zemrën e thyer, burrërisht nuk u ndal jo vetëm ai, por gjithë Malësia gjëmoi duke u dhënë mesazh fqinjëve pushtues se gjaku shqiptar nuk shuhet edhe atëherë kur Dielli nuk arrin të lind.

Ai do t’ia ndal hapin Turgut Pashës në Tuz, i cili erdhi të pushtojë Malësinë; po ashtu dhe Etem Pasha me 27 mijë ushtarë shumë më të armatosur sesa timat e maleve, nuk arriti të mposht djemtë e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli. Malet gjëmonin, toka çahej, Evropa bënte sehir, por askush s’arriti ta çante qëndresën e trimave në mbrojte të Atdheut.

Ishte shtator të vitit 1915, kur Deda ballafaqohet me një pritë në Sheshëz afër Oroshit, e ku vritet pabesisht nga hordhitë serbo-malazeze. Tri vite pas me 1918, djali i tij Kola do ndërronte jetë si pasojë e helmimit. Më 1920, në verilindje të Shkodrës do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit, i djathti i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë, e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdhe të këtij fisi.

Please follow and like us: