Pëllumb Xhufi: Pse nuk jam dakort me Oliver Shmidt për Skënderbeun
Fillon konferenca ndërkombëtare albanologjike kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmët që la në histori. Profesor Xhufi shpjegon se përse nuk është dakord me trajtimin, që i ka bërë Oliver Jens Schmit kësaj figure historike
Në kuadër të konferencës ndërkombëtare albanologjike kam zgjedhur që të ligjëroi temën: “Traditë dhe risi në mendimin dhe veprimin politik të Gjergj Kastriot-Skënderbeut”.
Ligjëratën e nis me dy interpretime, që i janë bërë Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe epokës së tij, nga dy historianë që ndahen në kohë.
Njëri është Edëard Gibbon, (historian i njohur i fundit të shekullit XVIII i perandorisë britanike. Gibbon nuk është marrë posaçërisht me Skënderbeun, por në historinë e tij të shekullit XV në mënyrë të pashmangshme i del edhe emri i Skënderbeut, për të cilin ka bërë disa vlerësime.
Në interpretimin, që Gibbon i bën historisë së Skënderbeut thotë: “Motivet e luftës së Skënderbeut dyshohet të jenë interesi dhe hakmarrja. Princi i shqiptarëve mund të lëvdohet me të drejtë, si kampion, trim dhe i aftë i pavarësisë kombëtare, por edhe ai vet e kuptonte se kishte të bënte me burime të varfra të një vendi malor, siç ishte Shqipëria. Kështu lavdia e heroit nuk mund që të ngrihej veçse me rrënimin e atdheut të tij. Nëse do të kishte peshuar mes pasojave të nënshtrimit dhe atyre të qëndresës Skënderbeu, si patriot i mirë do të duhej të kishte hequr dorë nga një luftë e pabarabartë, rezultat i së cilës varej nga jeta dhe nga gjenia e një burri të vetëm”.
Çuditërisht të njëjtat ide të thëna prej tij i gjejmë edhe te studiuesi Oliver Jens Schmit, që njihet për studimin e botuar para disa vitesh mbi Skënderbeun. “Ndryshe nga fqinjët e tij, Skënderbeu nuk donte që të siguronte mbijetesën e vet politike, të luhatej midis fuqive të mëdha, por synonte të asgjësonte sundimin osman më Europë. Motivimi i tij ishte i fortë dhe personal, hakmarrja për të atin. Kjo e shpjegon kënaqësinë e Kastriotit, i cili ndryshe nga fisnikët e tjerë të Ballkanit nuk kërkonte ndonjë kompesim apo shpërblim nga Sulltani. As feja dhe as politika e madhe nuk qëndronin në fillim të një kryengritje, e cila mund të merrte përmasa të mëdha historike Evropiane.
Kastrioti thjesht mbronte nderin e tij të dhunuar, e ndiqte kësisoj modele, që në kohët e mëvona do të zinin një vend të dukshëm në të drejtën zakonore shqiptare. Ai vepronte në përputhje me traditat. Kryengritja ishte një konflikt personal me derën e osmanëve. Natyrisht që do të mbetet e hapur pyetja nëse ai do të kishte ngritur krye, sikur Sulltani mos t’ja kishte vrarë babanë. Në këtë mënyrë jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e vendit të tij, i cili si asnjë rajon tjetër i Ballkanit, u shkretua dhe u shpopullua nga osmanët. Është gati emblematike vetmia e Skënderbeut në ditët e tij të fundit. Hakmarrësi i tetë, armiku i sulltanëve, atleti i Krishtit dhe Aleksandërit i ri u ndodh i vetëm mbi rrënojat e veprës së vet”, thotë Oliver Jens Schmit.
Përveç ndonjë spuntoje që thashë pozitive edhe objektive, më duket se ky interpretim i Schmitit, që jam i bindur se ka marrë thelbin dhe nga interpretimi që ka bërë dy shekuj para tij, Edward Gibbon, të cilin nuk e citon asnjëherë është një interpretim që nuk qëndron, është krejt ahistorik dhe mua më kujton një interpretim, që u bën luftërave të normanëve me bizantinët në shekullin XI historiania Ana Komnena. Edhe, ajo këtë përplasje të madhe midis Lindjes dhe Perëndimit, midis normanëve të Italisë së Jugut dhe bizantinëve e shpjegon me faktin, sepse Perandori i Bizantit Aleks Komneni i shau mjekrën mbretit të normanëve, Robert Guiskardit. Këtu kemi të bëjmë vërtet me banalizim, të historisë, por Ana Komnena këtë interpretim e ka bërë X shekuj para Schmitit.
Përsa i përket përmbledhjes së epokës së Skënderbeut me figurën gati poetike, se: “Skënderbeu, lavdia e tij u ul mbi pirgun me rrënoja që krijoi vetë”, duket sikur Schmiti ka konsideratën se me vdekjen e Skënderbeut pushon edhe historia e Shqipërisë, për t’u ringjallur ndoshta pas 500-vitesh më Pavarësinë. Është e çuditshme, por këtë ide të tij e gjej të pasqyruar edhe tek ndonjë intelektual i yni, i cili mendon se me pushtimin osman historia e Shqipërisë qëndron e ngrirë në vend, gjë që nuk është aspak e vërtetë.
Referenca ndaj Skënderbeut, si referencë bazë rreth të cilës u mpiks edhe vetëdija kombëtare.
Padyshim, që jeta ka vazhduar, qytetet u rimëkëmbën, siç e tregojnë edhe dokumentet e shekullit XVI, por mbi të gjitha epoka e kryengritjeve vazhdoi edhe më tej, madje vazhdoi me emrin e Skënderbeut.
Vetëm një vit pas rënies së Shkodrës në zonën e Labërisë (Himarë), kemi një kryengritje të madhe, që jo rastësisht erdhi edhe e udhëhoqi i biri i Skënderbeut. Në vitin 1501 nipi i Skënderbeut erdhi për të drejtuar një kryengritje të madhe, që do të shtrihej nga Veriu në Jug të Vlorës.
Në vitin 1535 një udhëheqës kryengritjesh shqiptare nga ekstremi i poliponezit, Gjon Jeraku, i shkruante mbretit të Spanjës dhe i kujtonte, që ashtu siç mbretëria e Napolit kishte ndihmuar Skënderbeun, duhet që të ndihmonte dhe ata, si pasardhës të tij. Madje, ai shtirej, sikur ishte edhe kushëriri i Skënderbeut, gjë që nuk ishte e vërtetë. Por, që ka një kuotim shumë interesant, sepse një shqiptar i poliponezit, që nuk e kishte njohur epopenë e Skënderbeut, (pasi shqiptarët e Poliponezit kishin ikur I shekull para se të ndodhte epopeja e Skënderbeut), e njihte Skënderbeun, si një pasaportë, me të cilin mund të prezantohej edhe mund që të kërkonte ndihma nga Europa.
Kjo ndodh edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Në vitin 1595 nMark Gjini nga Veriu punoi për të organizuar një kryengritje të madhe në trevat e Veriut dhe nga Ulqini, Tivari, madje deri në Kotor e në Shkodër, mburrej, duke thënë se: “Gjyshi im ka luftuar me Skënderbeun”.
Por, jo vetëm kaq! Edhe kur një pjesë e Shqipërisë nisi që të islamizohej, në vitin 1610 ne kemi një kryengritës, që quhej Dar Maneshi. Në zonën e Kalimashit në fillim të shek. XVII organizoi një kryengritje të madhe. U angazhuan pesë sanxhakbej për ta shtypur, ndërsa Dar Maneshi, që ishte mysliman nga familja e famshme e marneshëve, mburrej duke thënë se: “Unë do të bëhem një Skënderbe i ri”. Kjo gjë ka qarkulluar edhe në Kuvendin e Dukagjinit në vitin 1602. Edhe më shekujt e mëvonshëm ka shembuj të tjerë, si ai i Kara Mahmud Pashë Bushatilliu, i cili në fund të shek. XVIII u thoshte tregtarëve, që e frekuentonin rregullisht, se edhe ai donte të bëhej një Skënderbe i ri.
Pra, referenca ndaj Skënderbeut u bë një referencë bazë rreth të cilës u mpiks edhe vetëdija kombëtare. Më duket se kjo është një trashëgimi jo e vogël, të cilën Schmiti nuk e merr parasysh.
Historia e Skënderbeut edhe epokës së tij, ndonjëherë, si në rastin që përmenda, ai i Schmitit është shkëputur nga konteksti, është dekontekstualizuar dhe është paraqitur, si një shkëlqim kalimtar, si një meteor, që u shfaq Skënderbeu në qiellin e Shqipërisë edhe u zhduk pa lënë zhurmë dhe rrjedhoja.
Është domethënëse, që Schmiti e fillon historinë e tij, duke injoruar fazat e mëparshme. Më duket edhe një zgjedhje e tij, jo e drejtë për të dalë në konkluzionin që unë thashë më lart.
Ne kemi studime të tjera për Skënderbeun. Por nuk mund që ta studiojmë Skënderbeun, duke filluar me Skënderbeun.
Shteti shqiptar ka më para fazat e tij më të hershme. Para Skënderbeut bëri kryengritje Gjergj Arianiti në vitet 1430 dhe pati një jehonë dhe rezonancë të jashtëzakonshme në Europë. Aq e rëndësishme ishte kjo kryengritje, e cila u shpërnda në të gjithë territorin e Shqipërisë deri në ekstremin jugor të Shqipërisë, tek zenebishët e Çamërisë.
Gjurmët që la kjo kryengritje gjenden në kancelaritë e huaja. Aq sa deri vonë, pas vitit 1450 humanisti italian Francesco Filelfo kujtonte se ai që luftonte në Shqipëri nuk ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që mesa duket akoma nuk e njihte, por ishte Gjergj Araniti. Pra, ka pasur ngjarje të tjera, kryengritje për të ngritur një parashtet shqiptar dhe jo vonë, por që në fund të shekullit XII u krijua principata e Arbërit, e cila jetoi disa vjet dhe arriti të jap një dinasti sunduese, por edhe kreu disa funksione shtetërore, siç është ai i politikës së jashtme nga shteti i Arbërit. Për këtë kemi disa dokumente për marrëdhënien me Raguzën, Papatin, Venedikun etj.
Pra Skënderbeu është një hallk në një zinxhir të vazhdueshëm ngjarjesh, të cilat priheshin gjithnjë nga kjo, se në Shqipëri ishte tendenca për t’u mëvetësuar (shkëputur), në rastin konkret nga perandoria Bizantine (deri në shek XIV). Dhe jo më kot kur përmenden për herë të parë me emrin e tyre burimet bizantine shqiptarët përmenden si kryengritës, sepse kishin ngritur krye kundër perandorisë bizantine.
Por çfarë solli kryengritja e Skënderbeut?
Kryengritja e Skënderbeut kishte diçka krejt të veçantë, sepse ndodhte në një konjuktur tërësisht të ndryshuar. Ka pasur një zhvendosje tektonike të rolit të Shqipërisë në kontekstin e ngjarjeve të përbotshme, duke kuptuar botën e në atë kohë, Europën, krahun Lindor dhe Perëndimor të saj. Nga shek. XI-XV ne kemi pasur një presion të Perëndimit ndaj Lindjes (perandorisë bizantine). Duke nisur me sulmin e normanëve 1080-ën, e vazhdimisht ne kemi nga ky krah tentativa për të depërtuar në territoret e perandorisë Bizantine. Kujtojmë kryqëzatat. Për të kapur Romën e dytë, Kostandinopojën. Ky ka qenë sensi i historisë deri në prag të daljes në skenën e historisë së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Në shekullin XV me shfaqjen e turqve osmanë ndryshon komplet kahu i historisë dhe ne kemi një Lindje, e cila nuk është më as e krishterë, por e një konfeksioni tjetër, myslimane që dyndet në drejtim të Perëndimit dhe tenton të pushtojë Perëndimin. Në këtë situatë të re gjeopolitike ndryshon kryekëput roli i Shqipërisë. Nëse deri në shek. XV shqiptarët mund të ishin një aleat lokal i normanëve, anxhuinëve, aragonasve etj., (ata që kërkonin të zinin territoret bizantine) me Skënderbeun shqiptarët kthehen një antemorale e botës Perëndimore. Një front i parë edhe një parapritë e Italisë edhe e botës së Krishterë. Këtë ndryshim epokal realisht e kuptoi Skënderbeu.
Këtu i jepet një përgjigje edhe pikëpyetjes, që Edëard Gibbon (shek.XVIII): “Përse Skënderbeu u kujtua kaq vonë?” U kujtua vonë, sepse llogariti pikërisht këtë faktor të rëndësishëm. Kur Skënderbeu u shkëput nga Sulltani dhe realizoi kryengritjen edhe shtetin e tij, në zonën e Danubit kishte dalë fuqishëm mbretëria hungareze me Janosh Huniadin, të cilët e kishin krijuar një prit të parë ndaj depërtimit drejt të Europës Qendrore, por ngelej hapur fronti Perëndimor, sepse osmanët filluan sulmet për të dalë në Adriatik dhe nëpërmjet Italisë të kapnin Europën. Këtu Skënderbeu e kuptoi këtë funksion apo mision të ri, që kishin shqiptarët në historinë e përbotshme.
Ne e kemi të dëshmuar me dokumente këtë vendosje të re gjeopolitike të Shqipërisë. Në vitin 1462 kemi një letër të Senatit të Venedikut për Luigjin XI të Francës, i cili i thotë hapur se: “Duke kaluar në Vlorë-Brindisi turqit do të mund të penetrojnë në të përbrendshmet në rrobullit e botës së krishterë, në Europë”. Një tjetër letër e Senatit të Venedikut për Papën (1466) e jep shumë bukur këtë koncept, ku thotë: “Gjendja aktuale e Shqipërisë nuk ka të bëjë thjesht me shkatërrimin dhe me kolapsin e Shqipërisë, por edhe me shkatërrimin dhe kolapsin e Italisë edhe të gjithë botës së krishterë, ndaj ne duhet urgjentisht që të ndihmojmë Skënderbeun”.
Një tjetër letër e Venedikut (1466) për mbretin Ferrante: “I madhërishmi Skënderbe edhe gjendja e Shqipërisë dhe për rrjedhojë e mbarëkrishterimit ndodhet sot në një gjendje shumë kritike”. Për të mbyllur këtë lloji debati të vogël me Oliver Schmit, për rrjedhojë edhe me Edëard Gibbon, dua që të jap një vlerësim që i kanë bërë rolit të Skënderbeut që në vitin 1452, kur kishte realizuar fitoren me rrethimin e Krujës, por kishte shumë kapituj të tjerë të Epopesë së tij për të realizuar.
Ndërsa, Senati i Raguzës i shkruan në vitin 1452 Skënderbeut: “Ti i rezistove me një ushtri të vogël hordhive të panumërta të turqve, ti mbrojte të paprekur qytetin, Krujën dhe kështjellat e tua nga sulmi i një kolosi aq të madh. Edhe për këtë arsye ti fitove çmimin e përjetësisë tek Zoti, kurse te mbreti, princërit dhe e gjithë bota fitove emër edhe lavdi të përjetshme. Ti je pasqyrë edhe shembull për të gjithë princërit edhe të krishterët, për të gjithë kombet edhe emri yt do të shndërrohet në një famë të përjetshme”.
Këtë vlerësim e gjejmë te Republika e Raguzës, që ishte jopolitike, por tregtare, që jetonte, duke e dredhur sa me turqit dhe sa me perëndimin. Jep këtë që do të kishim dashur ta gjenim tek një studiues, siç është Oliver Schmit. Edhe pse ai ka merita për botimin e dokumenteve dhe libri për Skënderbeun në tërësinë e tij është një kontribut.
Historiani tregon nëpërmjet dokumenteve se si Gjergj Kastriot Skënderbeu, duke qenë i vetëdijshëm për statusin gjeopolitik të Shqipërisë ndërtoi me vetëdije marrëdhëniet e jashtme. Nga letërkëmbimet e Skënderbeut me venedikasit duken haptazi presionet, që ky i fundit ushtronte mbi ta, për të përfituar ndihmë
Presioni i Skënderbeut ndaj venecianëve: Nëse nuk më ndihmoni do të bëhem me turqit!
“Lufta ime është lufta juaj!”
Skënderbeu ishte fort mirë i ndërgjegjshëm për statusin gjeopolitik të Shqipërisë. “Unë nuk jam lojë e fatit”, thotë ai, i cili luhati momentin e kërkoi edhe e shfrytëzoi. Në një letër që i dërgon në vitin 1460Giovanni Antonio Orsinit, princit të Taranto-s, shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Nëse unë do të isha mënjanuar, ta dish se Italia me siguri do ta ndiente mungesën time. Ai zotëri, që sot thoni se është juaj, do të ishte bërë i tyre”, shkruan Skënderbeu, i cili fort mirë e kishte të qartë se cili ishte pozicioni i tij, prandaj në bazë të kësaj vetëdije ndërtoi edhe marrëdhëniet e jashtme.
“Lufta ime është lufta juaj” e kam zgjedhur si titull, pasi me fjalë të tjera, Skënderbeu ua thoshte të gjithë partnerëve evropianë: “Unë po luftoj, unë po mbaj turqit, jam paraprita e tyre. Por, lufta ime është edhe lufta juaj, prandaj ndihmoni”. Shumë komunikime, që Skënderbeu ka pasur me kancelaritë Europiane në këtë kohë këtë kuptim kishin.
A u ndihmua Skënderbeu?
Në fakt, nuk mund që të themi se u ndihmua siç e meritonte dhe e kërkonte roli i tij. Për shembull, me mbretërinë e Napolit (e para që prekej nga depërtimi osman drejt Europës) Skënderbeu ndërtoi një raport marrëdhëniesh strategjike, shumë të afërta dhe me respekt të jashtëzakonshëm për Alfonsin e Napolit. Por, mjafton që të kujtojmë, që mbas Traktatit të Gaetës, që u nënshkrua mes këtyre të dyve, në bazë të së cilit Alfonsi angazhohej që të ndihmonte me trupa edhe me furnizime Skënderbeun, në rastin më të parë, Alfonsi i Napolit dërgon vetëm 100 ushtarë dhe disa karro me grurë, që u vendosën në kështjellën e Krujës.