Historia e panjohur e Teatrit Kombëtar
Institucioni teatror më i rëndësishmi i Shqipërisë, një nga vlerat sublime të kulturës shqiptare, gjithashtu një shkollë e artit teatror kombëtar; në terma poetikë, një “tempull” dhe vatër e rëndësishme artistike në mbarë hapësirën shqiptare. Ndodhet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” (kryqëzimi me rrugën “Shyqyri Ishmi”, përballë Ministrisë së Brendshme). Deri në shtator ka pasur gjithsej 52 vetë, nga të cilët 30 aktorë, 1 drejtor, 1 nëndrejtor, 1 skenograf, 1 inspektor skene, prapavija ndihmëse (elektricist, fonist, marangoz, punëtor skene), shërbimet, administrata e të tjerë. Personeli më i kompletuar i arritur para vitit 1991 rezultonte gjithsej 90 vetë, nga këta 60 aktorë, 1 drejtor, 4 regjisorë, 1 dramaturg, 1 skenograf etj. Themelimi: Në fund të prillit 1944, me urdhër të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare u grumbulluan nga grupet teatrore partizane dhe terreni 16 vetë, ndër ta dy vajza, të drejtuar nga Andon Pano, Pirro Kondi dhe Njazi Jaho. Grupi qëndroi një muaj në Përmet dhe në ditën e çeljes së punimeve të Kongresit të Përmetit, shfaqi pjesën Pleqtë dhe lufta të Sotir Papulit. Kjo datë shënoi edhe krijimin e bërthamës së teatrit të parë në Shqipëri, të paracaktuar si “profesionist” nga vetë delegatët dhe forumet e këtij Kongresi.
Ai u vendos në Poliçan dhe u quajt “Grupi Qendor”, kurse më 25 shtator 1944 u quajt “Teatri Qendror i Ushtrisë Nacionalçlirimtare”. Ai funksionoi si i tillë, vijimisht, përgjatë një viti, deri më 25 maj 1945, kur, mbi bazën e tij u krijua, më pastaj, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, “Teatri Profesionist i Shtetit”. Ky teatër erdhi nga bashkimi i dy grupeve të njohura teatrore, ai i qarkut të Gjirokastrës me regjisor Andon Panon dhe ai i qarkut të Korçës me regjisor Sokrat Mion. “Teatri Qendror” kishte në përbërje 35 artistë të zgjedhur. Ai krijoi një repertor aktiv, sa të trashëguar nga grupet teatrore partizane, po aq edhe me pjesët e reja që viheshin në skenë. Barra e rëndë e Politikës. Sido që të suksesshme për kohën, shfaqjet e TK si Orët e Kremlinit, Mbi gërmadha, Doktor Aleksi, Studentja e vitit të fundit, Ngjarje në fabrikë, Sinjali i kuq, Përmbytja e madhe, Shënomëni dhe mua, Komunistët, Lulet e shegës, Furrnalta e patën më të ndjeshëm problemin e shtrembërimit të së vërtetës, krijimin e miteve politike; kjo si pasojë e ndërhyrjes së tendencës politike e ideologjike imponuese. Gjithsesi, si nga pikëpamja historike ashtu dhe nga pikëpamja estetike, me interes në këto shfaqje ishte fakti i përplasjes së kohëve, spektakulariteti i tyre, efekti politik i mbërritur dhe moralizimi i fshehur pas përjetimesh e përthyerjesh “psikologjike” të protagonistëve. Impakti i krijuar me kohën, me publikun si dhe me mendësinë sunduese, përpos dëshmisë së manipulimit politik të teatrit në dobi të synimeve të partisë-shtet, fliste edhe për fuqinë e tij të madhe në përpunimin e vetëdijes estetike.
Dramaticiteti, krijimi i miteve politike, heroizmi, madhështia e sakrificës, anët sublime të jetës, qëndresa, momentet epike, identifikimi i progresit dhe i emancipimit të shoqërisë me moralitetin dhe ideologjinë komuniste, – janë veçori të kudogjendura në dramat e sipërpërmendura si dhe realizimin e tyre në skenën e teatrit. Dramaturgjia botërore. TK u mbajt fort pas vlerave të jashtëzakonshme të dramaturgjisë botërore. Ajo shërbeu si një ushqim i freskët, por edhe si një katedër mësimdhënëse ku mësohej mjeshtëria dhe rritej cilësia. Gjithsesi, klasikja vinte dallgë-dallgë në skenën e tij, përputhur situatave e konjukturave politike, të “kulaçit dhe kërbaçit”, lëshimeve e shtrëngimeve. Në v. ‘50 dhe fillimin e v. ‘60, repertorin e mbizotëroi dramaturgjia sovjetike, pjesa më e madhe e së cilës ishte skematike, e politizuar, glorifikuese, patetike. Megjithatë, përtej utopive dhe miteve politike komuniste, kishte mes tyre edhe asish që operonin me struktura dramatike interesante, çka shënuan arritje të ndjeshme artistike për “pjekjen” e vetë teatrit shqiptar si të tillë, p.sh: Makar Dubrava, Fundosja e skuadrës (O. Korneiçuk), Koha e rinisë së baballarëve (B. Gorbatov), Platon Kreçiot (A. K. Borneiçuk), Ivnadimi, Karakteri moskovit (V. Sofronov), Armiqtë (M. Gorki), Për ata që janë në det, Përmbysja (A. Llavrenjev), Tragjedia optimiste (A. Vishnjevski), Orët e Kremlinit dhe Njeriu me pushkë (N. Pogodin), Ljubov Jarovaja (N. Trenjev). Ajo që i dha hapësirë dhe frymëmarrje TK ishte veçanërisht dramaturgjia që vinte nga vendet e Evropës Prof. Dr. Josif Papagjoni Perëndimore.
Krahas vlerave mirëfilli artistike, që migrojnë natyrshëm nëpër shekuj e breza, nëpër vende dhe popuj të ndryshëm, ashtu sikurse edhe vlerave njohëse, TK ka bërë kujdes që të përcjellë nëpërmes tyre, poashtu, frymëmarrjen e kohës së vet. Mund të veçoheshin si më të spikaturat: Revizori (N. Gogol), Hamleti, Otello, Gratë gazmore të Uindsorit, Shumë zhurmë për asgjë, (Shekspir), Tartufi, Borgjezi fisnik (Molier), Orët e Kremlinit (N. Pogodin), Intrigë e dashuri (F. Shiler), Zonja e bujtinës, Shërbëtori i dy zotërinjëve (K. Goldon), Morali i zonjës Dulska (G. Zapolska), Dhelpra dhe rrushtë (G. Figueredo), Qeni i kopshtarit e Lope de Vegës, Xhaxha Vanja (A. P. Çehov), Shtëpia e Bernarda Albës (F.G.Lorka) në vitet ‘50-‘60; Arturo Ui (B. Breht), Monserati (Roble), Njeriu që pa vdekjen me sy (V. Eftimiu), në vitet ’70; Nata e 12, Romeo e Zhulieta, Zbutja e kryeneçes, Dy zotërinj nga Verona (Shekspir), Vizita e inspektorit (Xh. Pristli), Valsi i Titanikut (T. Mushatesku), Vdekja e një komisioner (A. Miler), në vitet ’80; Këngëtarja tullace (E. Jonesko), Magjia e madhe, Cilindri (De Filipo), Duke pritur Godonë (S. Beket), Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër (T. Dorst), Apologjia e vërtetë e Sokratit (K. Varnalis), Kopshti me dallandyshe (B. Cikliropulos), Armiku i Popullit (H. Ibsen) në vitët ’90; Pulëbardha, Xhaxha Vanja (A. P. Çehov), Zoopark (E. Ollbi), Portreti i Dorian Grejit (O. Uajlld), Kopraci (Molier), Kapitulli i dytë e (N. Saimon), Për një fjalë goje (N. Sarrot), Pamje nga ura (A. Miler), Trojanet (Euripidi), Franku V (F. Durrenmat), Fishkëllimë në errësirë (T. Murphy) në vitet ’2000.
Realiteti që sillej përmes tyre, me psikologjinë e formuar në kushte të caktuara social-historike, kombëtare, në popuj e vende të ndryshme (rëndom të panjohura nga ana e publikut; si tradita kulturore, si mentalitete, si zakone, si mënyrë jetese etj.) përgjithësisht është ngjizur me mendimin dhe psikologjinë shoqërore të shqiptarëve. Spektatorit i janë komunikuar vlerat më të qëndrueshme, si gjendje e përvoja të vyera humanitare, si mesazhe veprimi e ekzistence. Brenda kësaj kornize janë gatuar në skenën e TK edhe interpretimet më të mira të shfaqjeve të sipërpërmendura si në konceptimet regjisoriale, si në aktrim ashtu edhe në zgjidhjet skenografike. Regjisorët. Në TK u rritën dhe u afirmuan regjisorët e plejadës së parë si Sokrat Mio, Pandi Stillu, Andrea Malo, për të mbërritur në një stad të lartë pjekurie profesio nale me regjisorët Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Agim Qirjaqi, Gëzim Kame, ndërsa pas viteve ’90 me një brez të ri regjisorësh si Altin Basha, Kiço Londo, Hervin Çuli, Mehmet Xhelili, Arben Kumbaro, Alfred Bualoti etj. Aktorët. TK ka në kalendarin e vet aktorë të mrekullueshëm, që i dhanë atij emër të nderuar, dritë, bukuri e hijeshi artistike, famë e lavdi, vlerë e meritë.
Ata janë bërë pjesë e kujtesës historike të artit skenik, poashtu edhe e kujtesës kombëtare. Dramat, shfaqjet, rolet dhe krijimet e tyre janë fryma e vetë TK, jeta dhe shpirti i tij. Në këtë kalendar bëjnë pjesë artistët e mëdhenj shqiptar si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Robert Ndrenika, Prokop Mima, Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Ndrek Shkjezi, Gjon Karma apo aktorë të brezit tjetër si Agim Qirjaqi, Roland Trebicka, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Fatos Sela, Luiza Xhuvani, Fadil Kujovska, Ahmet Pasha, Bujar Lako, Bujar Asqeriu, Rajmonda Bulku etj. Skenografët më në zë kanë qenë: Rrok Daberdaku, Hysen Devolli, Agim Zajmi, Shaban Hysa, Kristo Çala etj.