Bunkerët në Shqipëri
Në fillim të vitit 1971 u zhvillua në Tiranë Plenumi i 12 i Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili shqyrtoi tezat e Artit Ushtarak dhe projektet për Fortifikimin e vijave të mbrojtjes. Arti Ushtarak Popullor parashikonte që e gjithë Shqipëria të stërvitej dhe armatosej për t’i bërë ballë armikut. Ideja e fortifikimit të vendit mbështetej fortë nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili u vendos vetë në vijën e parë së bashku me një grup specialistësh të talentuar siç ishin Mero Backa, Alfred Moisiu (Presidenti), Josiv Zegali etj.
Modeli shqiptar i bunkerëve u realizua pasi u konsultuan të gjitha sistemet e mëparshme që nga vija Marzhino deri tek lufta në Vietnam. Sipas literaturës së kohës, bunkerët shqiptarë ishin të aftë të përballonin të gjitha armët e kohës, por edhe armët kimike dhe bërthamore me fuqi deri në 20 kiloton. Prodhimi i bunkerëve nisi menjëherë dhe prova e parë e tyre u krye në vitin 1975 në Grykën e Këlcyrës. Prova e dytë u krye në Peldhja të Sarandës në vitin 1976.
Brenda bunkerëve u vendosën kafshë të gjalla dhe më pas nisi bombardimi i zonës me armët më të rënda që kishte ushtria shqiptare. Në Sarandë u hodhën mbi 1000 predha artilerie dhe më pas aviacioni hodhi mbi 100 bomba 50kg, 250kg deri në 500kg. Bunkerët i rezistuan bombardimeve dhe kafshët brenda mbijetuan. Përpara se çështja të dërgohej për miratim në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, u bënë edhe eksperimente të tjera dhe të gjitha dolën me sukses. Më pas Byroja Politike vendosi atë që njihet si bunkerizimi i Shqipërisë.
Fortifikimi masiv që nisi në vitin 1975 vazhdoi deri në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha. Dhjetëra specialistë ixhenierë shqiptarë u nisën në Europë, kryesisht në Suedi, Francë dhe Itali, ku arritën të lidhin kontrata për blerjen e makinerive të prodhimit të çelikut dhe të betonit special. Në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore u krijua edhe posti i zv.ministrit për fortifikimet. Sistemi i bunkerëve është bërë në mënyrë rrethore në mënyrë që të mbrohen nga njëri-tjetri përmes dy vijave mbrojtjeje.