Albspirit

Media/News/Publishing

Albanoi  dhe Latinoi  në Historinë  E MICHAEL ATTALEIATES

Marrë nga libri “Skënderbeu në vendet nordike” me autorë Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë 2018.

John QUANRUD

 

 

 

Tema e këtij libri është përhapja e historisë së Skënderbeut në Vendet Skandinave, duke nisur nga një pikë në shekullin XVII. Në shkrimin e mëposhtëm autori shqyrton mundësinë e kontakteve shumë më të hershme ndërmjet shqiptarëve nga Ballkani dhe skandinavëve nga Europa Veriore, të cilat shkojnë pas në periudhën e Epokës së Vikingëve. Është me interes të veçantë që të  vihet në dukje, se për herë të parë etnonimi Albanoi del së bashku me një popull të quajtur Latinoi në një tekst greqisht (të shkruar rreth vitit 1080), lidhur me ngjarjet në Sicili dhe në Italinë e Jugut rreth vitit 1040. Ndonëse autori bizantin Mihail Ataliati nuk e pëmend, nga burime të tjera, ne e dimë se në këto ngjarje ka marrë pjesë gjithashtu dhe ka shërbyer po në atë ushtri bizantine si edhe Albanoi një prej vikingëve më të famshëm përgjithësisht, një njeri që më pas u bë mbret i Norvegjisë, Harald Hardrada, së bashku me një repart prej 500 luftëtarësh nga Veriu.1

Ndonëse për shumicën e mendjeve të kohëve të reja Bota Nordike dhe trojet që zinin shqiptarët në Ballkanin e Mesjetës së hershme  duken tejet të largëta, ndërveprimet midis popujve të tyre kanë qenë të mundshme për shkak të kushteve unikale politike dhe shoqërore-ekonomike në kontinentin europian të asaj periudhe. Prapa këtyre shkëmbimeve në largësi kaq të madhe si faktor që i mundësonte ka qenë Konstantinopoli, kryeqyteti i Perandorisë Bizantine dhe qendra e një rrjeti të ndërlikuar marrëdhëniesh politike dhe ekonomike, që shtriheshin prej Perandorisë Romake dhe atyre sllave në perëndim e në veri-perëndim drejt popujve turkikë në lindje dhe arabe në jug, si dhe drejt Rusisë së Kievit e mbretërive të ndryshme skandinave, bashkë me ngulimet e tyre në drejtimin e veriut, veri-lindjes dhe deri larg në veri.

Por në qoftë se skandinavët dhe shqiptarët kanë bashkëvepruar në Mesjetën e hershme, përse kjo gjë nuk është vënë re më përpara? Një pjesë e këtij problemi ka të bëjë me faktin, që autorët bizantinë shpesh i kanë përshkruar popujt e ndryshëm me të cilët janë marrë, duke përdorur etnonimë arkaikë ose të papërcaktueshëm, të cilët (të paktën për ne) na sjellin ngatërrime. Nganjëherë është e vështirë të përcaktohet se për cilin flasin tekstet burimore. Për shembull, skandinavët që mbërrinin në Bizant nga Kievi mund të dalin në dokumentet e shkruara si ‘skitë’, ‘tauro-skitë’, ‘rusë’, ‘varangë’, ‘barbarë’, ‘sëpatambajtësit’ etj. Së dyti, ndonëse ushtria bizantine në cilëndo periudhë përfshinte në sasi të ndryshme trupa të huaja dhe mercenarë, shpesh kronikanët e kanë përshkruar thjesht si ‘ushtria’ ose ‘ushtria greke’, ndërsa ushtarët si ‘grekë’. Së treti, burimet bashkëkohëse nuk janë të njëjta as nga paraqitja që u bëjnë ngjarjeve dhe periudhave. Teksti kryesor që na njofton për fushatat e suksesshme në Ballkan të perandorit Vasili II në dy dhjetëvjeçarët e parë të viteve 1000, nga kjo pikëpamje është veçanërisht i zhveshur, me pak hollësi, ose i përshkruan ngjarjet në një mënyrë që është e vështirë të datohen me çfarëdo shkallë përpikërie.2 Kjo përbën një vështirësi të madhe për këtë punim, sepse skandinavët dhe skandinavë-rusët, që shërbenin si mercenarë ose si ushtarë të gardës varange po njësoj luanin rol udhëheqës në shumë prej këtyre konflikteve dhe pothuajse është e sigurt, në ato ku ishte i pranishëm vetë perandori.3 Së fundi, ndonëse territoret që kishin rënë nën kontrollin e tyre si pasojë e ‘luftërave bullgare’ nëpër Ballkan, ka të ngjarë që përfshinë edhe ato të banuara nga njerëz që flisnin shqip, përsëri burimet e kursyera historike nuk na japin njoftime të brendshme për këto çështje. Është domethënëse, që shqiptarët, ashtu si gjithë popujt ballkanikë në atë periudhë, do të kenë qenë të detyruar të bënin bisedime me Bizantin pas fitoreve të Vasilit. Në qoftë se si rrjedhim, burrat shqiptarë janë marrë në shërbim të Bizantit, atëherë ata kanë hyrë në një kohë, kur forcat e zgjedhura të ushtrisë kishin në mbizotërim luftëtarë skandinavë ose rusë me prejardhje skandinave.

Ka një vargëzim ngjarjesh në fund të shek. X dhe në fillim të shek. XI: varangët që kanë shërbyer në pararojën e ushtrisë bizantine, sukseset ushtarake mbizotëruese të Vasilit II në Ballkan në vitet e para 1000, rekrutimi i mëpastajmë i popujve të Ballkanit në ushtrinë bizantine, të gjitha këto do ta kenë hapur rrugën për shqiptarët që të takoheshin, të luftonin krah për krah dhe ndoshta të krijonin lidhje të afërta me ata burra, që kishin bërë udhëtimin e gjatë dhe të vështirë drejt jugut nga vendet e tyre ruse ose skandinave. Prania në numër të madh e skandinavëve në shërbimin perandorak gjatë gjithë perandorisë ka një peshë, e cila nuk është marrë parasysh për të përcaktuar se kush ishin Albanoi dhe Latinoi të Ataliatit.

 

  1. Historia e Mihail Ataliatit

Michael Attaleiates ishte senator, jurist bizantin dhe pedagog i drejtësisë i suksesshëm në Konstantinopol. Ka hartuar një histori të perandorisë,4 që mbulon periudhën 1034-1079. Rrëfimin e vet e ka hapur me një ndodhi fatkeqe nga e kaluara e afërt, lidhur me një hakmarrje vetjake në nivelet më të larta të shoqërisë bizantine. Viktima ishte Georg Maniakisi, gjenerali më i madh i brezit të tij. Në atë kohë (rreth 1040), Maniakisi ishte duke drejtuar një fushatë ushtarake në ishullin e Sicilisë për ta shkëputur nga sundimi arab. Përfundimi i këtij episodi, të cilin ka të ngjarë që Ataliati e ka përfshirë për udhëzime morale, doli shkatërrimtar dhe u shtri përtej qarkut personal, me pasoja afatgjata për gjithë Bizantin.

Në pjesën e shkurtër lidhur me fushatën e Maniakisit në Sicili, Ataliati i vetmi ndër historianët e periudhës, ka përfshirë një fragment lidhur me dy grupe popullsish, që shërbenin në ushtrinë bizantine në Sicili ndërmjet viteve 1038-1040. Ai i ka quajtur Albanoi dhe Latinoi. Këto etnonime, në veçanti ai Albanoi, kanë ngjallur një debat të gjerë, meqë kjo mund të jetë shfaqja e parë e popullit shqiptar në regjistrimnet e shkruara historike. Studimet e kohëve të fundit janë përqendruar më tepër për të përcaktuar Albanoi, sesa ata Latinoi.5 Kjo ka ndodhur sepse është hamendësuar gjerësisht, që këta Latinoi ishin një popull i lidhur me Bizantin prej perëndimit, ndoshta normanë ose lombardë. Një lexim më nga afër i kësaj dhe i pjesëve të lidhura me të në burimet e tjera bashkëkohore, megjithatë, mund të lejojë një hipotezë tjetër lidhur me Latinoi të Ataliatit: si skandinavë të ardhur nga veriu, të cilët perandorisë i kanë shërbyer shumë gjatë dhe në atë kohë tashmë ishin integruar mirë në shoqërinë bizantine.

 

  1. Albanoi dhe Latinoi Historinë e Ataliatit

Më 1038 Mihali IV Paflagoniani (1034-1041) e ngarkoi Georg Maniakisin me detyrën që t’ua merrte arabëve Sicilinë dhe e udhëzoi të mblidhte një ushtri ‘nëpër gjithë perandorinë’.6 Maniakisi, një veteran lufte i vjetër, me shumë fitore që lidheshin me emrin e tij, e bënte përzgjedhjen ndër luftëtarët më të mirë dhe me më shumë përvojë, që mund t’i jepte perandoria.

Sipërmarrjet ushtarake të Maniakisit në Sicili dhe në Italinë e jugut u zhvilluan në dy faza të veçanta. E para në Sicili u shtri në vitet 1038-1040. Ndonëse qe një sukses i madh, mori fund kur akuzat e rreme sollën arrestimin e tij dhe thirrjen në Konstantinopol, ku e hodhën në burg. Kur ndodhi një ndryshim i perandorit më 1042, e liruan dhe u kthye në Italinë e jugut për të shtypur trazirat në ato pak territore bizantine që kishin ngelur nën kontrollin e Bizantit. Ndonëse pati suksese të mëtejshme, brenda disa muajsh Maniakisi për herë të dytë për shkak të intrigave të oborrit, ra sërish në mërinë e perandorit. Këtë radhë ai e vrau kasnecin e dërguar për t’u përballur me të, shpalli kryengritjen, njerëzit e tij e shpallën perandor dhe ngriti një ushtri me qëllimin që të marshonte mbi Konstantinopol. U vra duke luftuar kundër forcave të perandorit në një vend që quhet Ostrovo (sot Arnisa në Greqinë veriore) në pranverë të vitit 1043.

Ataliati i ka trajtuar të dy fazat veç e veç në Historinë e tij. Nga pjesa e parë lidhur me fushatën në Sicili të Maniakisit më 1040, ai shkruan në fund: “Pasuesit e tij në komandim morën vendime të ulëta dhe të mjerueshme, që u shkaktuan bizantinëve humbjen e ishullit bashkë me pjesën më të madhe të ushtrisë së tyre”.

Siç u tha më sipër, Ataliati pjesën e rrëfimit të gjithë veprës e hap me këtë. Kjo është një zgjedhje interesante. Pazotësia e drejtuesve, që solli shpartallimin e Maniakisit, u kushtoi shtrenjt bizantinëve, një fakt të cilin Ataliati e nënvizon edhe me një humbje tjetër për perandorinë: miqtë e mëparshëm të bizantinëve u kthyen në armiq të tyre:

 

Për më  tepër jo vetëm kaq, madje edhe ata që kishin qenë më parë aleatë dhe që gëzonin bashkë me ne barazinë e të drejtave civile, si edhe me të njëjtën fe, shqiptarët dhe latinët, të gjithë ata afër rajoneve italiane në territorin e Romës perëndimore papritur u bënë armiqtë tanë, kur dux Mihail Dokeianosi, i cili drejtonte ushtrinë në atë kohë, veproi duke kundërshtuar udhëheqësin e tyre.

 

Me këto radhë e përfundon Ataliati pasazhin e parë lidhur me gjeneralin bizantin Georg Maniakis. Krahasuar me rrëfimet e tjera bashkëkohëse, ky është çuditërisht i shkurtër. Ai nuk përmend asnjë nga titujt që kishte marrë Maniakisi prej perandorit. Nuk përmend asnjë vend të betejave. Hesht edhe për rolin e Harald Sigurdssonit (Hardrada) dhe 500 shokëve të tij, të gardës varange, dhe për pak qindra mercenarët normanë, të dërguar nga Italia e jugut prej princit Gaimar IV i Salernos për ta ndihmuar Maniakisin për Sicilinë.

Me gjithë shkurtësinë e tij, ky pasazh te Historia e Ataliatit është i vetmi tekst që i përmend Albanoi dhe Latinoi në lidhje me fushatën e Maniakisit në Sicili. Kjo ngre disa pyetje. Kush ishin ata? Përse i ka përmendur? Nga vinin ata? Çfarë ndodhi me ta? A ishin ata, siç kishte shkruar Ataliati në vitet 1070 ende ‘armiq’ të Perandorisë? Këto pyetje dhe të tjera të ngjashme do të trajtohen më poshtë.

Pasazhi i dytë dhe i fundit i Ataliatit lidhur me Maniakisin trajton rivendosjen e tij dhe kthimin në Italinë jugore, si dhe kryengritjen e tij të mëpastajme kundër perandorit më 1042-43. Ai vijon pas një paraqitjeje të gjatë e të hollësishme në Histori të ngjarjeve në Konstantinopol dhe më gjerë në Perandorinë Bizantine për periudhën 1040-1042. Në këtë pasazh lexojmë:

 

Por befas u shfaqën re të zeza në perëndim, duke gjëmuar me bubullima dhe po kërcënonin se si të shkatërronin atë [Konstantinin X Monomakun], ashtu edhe ta dëbonin nga froni. Një burrë i guximshëm dhe i etur për gjak, i sipërpërmenduri Georgi, që e kishte mbiemrin Maniakisi, ngriti krye nga baza e tij në Italinë e jugut së bashku me ushtarët e vet që komandonte atje, si romanë,7 edhe shqiptarë. Pakënaqësia e tij vinte sepse e kishte shpërfillur perandori dhe kishte frikë lidhur me një armiqësi të mëparshme, që kishte ekzistuar ndërmjet tyre. Ai i mundi dhe i nënshtroi gjithë ushtritë, që u dërguan kundër tij dhe ngriti fushimin dy ditë larg nga Thesaloniki. Vonë në mbrëmje ai e sulmi ushtrinë e madhe perandorake, sepse gjenerali, të cilin  perandori e kishte dërguar me trupat romane, ishte ngritur kundër tij…. Me rrëzimin e tij përtokë, ushtria e tij u shpërnda dhe fitorja tashti anoi nga pala tjetër; ushtarët perandorakë u sulën mbrapsht me një përzierje gëzimi e frike si nëpër rrëfenja.

 

Ashtu si në rastin e parë, krahasuar me historitë e tjera bashkëkohëse, pasazhi i dytë lidhur me Maniakisin gjithashtu merr formën e një rrëfimi të redaktuar rëndë dhe tejet dramatik. Këtu sërish gjejmë Albanoi, ende besnikë dhe ende duke luftuar për Maniakisin, duke ndjekur kthimin e tij në Italinë jug-lindore, por këtë radhë ata përmenden të shoqëruar prej ushtarësh bizantinë (Romanoi). Këto njësi të Albanoi dhe Romanoi u bashkuan me kryengritjen e Maniakisit, e shpallën perandor dhe së bashku me shumicën e varangëve në ushtri,8 marshuan bashkë me të drejt kryeqytetit, duke synuar të kapnin fronin dhe të shtinin nën kontroll gjithë perandorinë. Mirëpo atëherë, në prag të fitores, një kthesë e papritur e fatit e ktheu gjithçka në favor të Bizantit. Në pranverë të vitit 1043 Maniakisi u vra në Ostrovo dhe ushtria e tij ‘u shpërnda’, sepse i tillë kishte qenë ‘vullneti i Zotit’.

 

  1. Studimet e mëparshme

Dy nga studiuesit kryesorë, që janë marrë me debatin rreth Albanoi jashtë Shqipërisë kanë qenë Alain Ducellier dhe Era Vranoussi. Siç u vu në dukje më sipër, studiuesit deri më 1970 kanë pranuar që Albanoi të Ataliatit kanë qenë shqiptarë nga Ballkani, kur Vranusi botoi një punim që e hidhte poshtë këtë pranim. Ajo argumentoi se Albanoi të Ataliatit nuk ishin shqiptarë të Ballkanit, por një grup i ardhur para pak kohësh prej normanësh mercenarë, që e kishin bazën në Italinë e jugut. Ducellier-ja e mbrojti intepretimin e mëparshëm. Ky debat ka vijuar prej dhjetëra vjetësh.

Vranusi e fillonte artikullin e saj me një kritikë ndaj studimeve të mëparshme. Ajo u shpreh se mendimi i përkrahur gjerësisht, që Albanoi të Ataliatit kishin qenë shqiptarë nga Ballkani, mbështetej në një ndërthurje të konceptuar gabim, e cila nuk i qëndronte shqyrtimit. Ajo ia vinte fajin varësisë nga përkthime të gabuara të Historisë në pjesën për këtë problem dhe vinte në dukje, se shumica e studiuesve nuk ia kishte dalë të merreshin drejtpërdrejt me tekstin greqisht të Ataliatit. Për shembull, ka tre pasazhe te Historia, të cilat më parë studiuesit i kishin quajtur se përmendnin ‘shqiptarë nga Ballkani’. Dy të parët (që të dy të lidhur me Maniakisin) përdorin etnonimin Albanoi, ndërsa i treti përdor një term tjetër: Arvanitai. Duke shënuar se ‘është e pranuar që [Ataliati] është i përpiktë në terminologjinë që përdor’, Vranusi argumentonte se ai nuk do ta kishte emërtuar të njëjtin popull duke përdorur dy fjalë të ndryshme. Rrjedhimisht, ajo arrinte në përfundimin që vetëm njëri prej këtyre etnonimeve mund të lidhej me shqiptarët e Ballkanit. Duke u mbështetur te fakti që Arvanitai janë shënuar se kanë marrë pjesë në një ngjarje në Ballkan në vitet 1070, ajo argumenton se Arvanitai duhet të jenë shqiptarët në Ballkan. Për pasojë, termi Albanoi nuk mundet gjithashtu t’u referohet shqiptarëve. Dyseljeja e kundërshtoi mendimin e saj për këtë rast, duke vënë në dukje se e njëjta dëshmi mund të përdoret për të mbështetur pikëpamjen e kundërt: që termat Albanoi dhe Arvanitai janë përdorur për të dalluar dy grupe të ndryshme shqiptarësh, që kishin evoluar në Ballkan përpara asaj periudhe.9 Ai shkruan:

 

Nuk ka asgjë për t’u habitur lidhur me këtë emërtim të dyfishtë, meqë secila fjalë mbulon realitete mjaft të ndryshme: po ashtu si dikush mund të bëjë një dallim ndërmjet turqve relativisht të ngulur dhe turkmenëve ende endacakë dhe shumë hijezimeve të të njëjtit stil ndërmjet shumë popujve të tjerë, çifti: Αλβανοι-Αρβανιται do të ishte përkthimi i dy etapave të evoluimit brenda po asaj bashkësie, akulturimin e pabarabartë të së cilës u përpoqëm ta tregonim më sipër, dhe mbërritjes në zonën më të ulët të elementëve shqiptarë deri atëherë më pak të prekur nga ndikimi kulturor. Ky çift ka vazhduar, siç do ta shohim, në burimet e mëpastajme, të cilat i tregojnë më mirë realitetet e ndryshueshme shoqërore dhe kulturore, të cilat i kanë karakterizuar bashkësitë e shqiptarëve. Është krejt e pamundur që të pranohet se te Ataliati, ashtu si edhe te Vazhduesi i Skilicisit, që e kopjon atë, termi αρβανιται do të thotë se shënon gjithë popullin shqiptar.

 

Gjithashtu Vranusi ka mëtuar, se asnjë studiues ‘që është marrë posaçërisht me këtë çështje’ nuk e ka quajtur ‘të nevojshme të jepte një shpjegim të dokumentuar dhe bindës se si “Arvanitët” e Ballkanit u gjendën në Italinë e jugut rreth vitit 1040. Ajo e ka hedhur poshtë mendimin, se shqiptarët mund të ishin rekrutuar nga Maniakisi ose se kishin shërbyer si mercenarë me trupat bizantine, të dërguara në Itali nga Ballkani. Ajo ka shkruar: ‘ky hamendësim tashmë është provuar si i papranueshëm, sepse Ataliati nuk ka përmendur njësi ushtarake ose ushtarë kryengritës nga popullsitë e tjera, që ishin vendosur në Itali’.10 Vranusi gjithashu ka arritur në përfundimin që, në rast se do të kishte pasur një rekrutim të gjerë të shqiptarëve në Dyrrachium, ose po të ishte krijuar një njësi e posaçme ushtarake shqiptarësh në ushtrinë bizantine, apo bizantinët të kishin kryer një shpërngulje masive të një popullsie të madhe shqiptare nga Ballkani në Italinë jugore, atëherë këto ngjarje gjithashtu do të ishin regjistruar në burimet e shkruara.

 

Kështu është e provuar mjaftueshëm mirë, se në kundërshtim me përmendjen nga Ataliati të Albanoi, ata nuk kanë qenë as ushtarë, as mercenarë me prejardhje shqiptare në njësitë e ushtrisë bizantine, as edhe fise shqiptarësh të ngulur në Itali. Duke e përjashtuar kështu një pikëpamje të tillë, duke u çliruar prej një ndërthurjeje të tillë të menduar dobët, ne mund të vazhdojmë për një rishqyrtim të burimeve historike.

 

Këto pika, të cilat Vranusi i quan si ‘të provuara mjaftueshëm mirë’, domethënë që Albanoi të përfshirë me Maniakisin në Sicili e në Italinë e jugut nuk mund të kenë qenë ushtarë ose mercenarë shqiptarë, apo popullsi e shpërngulur shqiptarësh, përbëjnë pikënisjen për hulumtimin e saj. E vlen të vihet në dukje, se secila pikë interpreton  heshtjen e burimeve. Kjo qasje mjaft e guximshme nuk u shkon akademikëve zemërbutë, sidomos kur kemi (siç u vu në dukje më parë) varfëri ose mungesë të qartësisë në tekstet bashkëkohëse që na kanë ardhur ose në ato afër bashkëkohëse lidhur me gjendjen e Ballkanit në gjysmën e parë të shekullit të njëmbëdhjetë. Dyselieja nuk u bind. Ai ka shkruar më 1998:

 

Natyrisht, të gjithë e dimë rrezikun kur i shohim Αλβανοι si shqiptarë, por nga të gjitha interpretimet e tjera që janë dhënë, unë ende besoj se kjo është zgjidhja më e arsyeshme.10

 

Të dy, Vranusi dhe Dyseljeja11 i kanë parë problemet lidhur me interpretimin e këtyre pasazheve te Historia e Ataliatit. Ndërsa është e qartë se studimet e mëparshme kanë nevojë të rishikohen; përfundimi që në fillim i Vranusit, se Albanoi nuk mund të ishin shqiptarë nga Ballkani, e ka penguar studimin e saj, ngaqë i ka mbyllur rrugët me gjasë mjaft të rëndësishmne për kërkimin.

 

  1. Teksti i Historisë së Ataliatit

Interpretimi i kuptimit të termave Albanoi dhe Latinoi kërkon një vlerësim nga afër të pasazhit, ku dalin në Historinë e Ataliatit. Tabela e mëposhtme jep tekstin greqisht të Ataliatit, me përkthimin shqip në krahun e djathtë:

oύ μὴν δὲ ἀλλὰ καὶ οἳ ποτε σύμμαχοι Për më tepër, madje edhe ata që më parë kishin qenë aleatë
καὶ τῆς ἰσοπολιτείας ἡμῖν συμμετέχοντες, dhe që ndanin bashkë me ne të njëjtën barazi të të drejtave civile,
ὡς καὶ αὐτῆς τῆς θρησκείας, si edhe të njëjtin besim,
’Αλβανοί καί Λατῖνοι albanët dhe latinët,
όσοι μετά την εσπερίαν Ρώμην τοις Ιταλικοίς πλησιάζουσι μέρεσι, të gjithë ata në territorin në perëndim të Romës afër rajoneve italiane
πολέμιοι παραλογώτατοι εχρημάτισαν krejt papritur u bënë armiqtë tanë,
εμπεπαρωνηκότως εις τόν άρχοντα τούτων του τότε την στρατηγίαν ιθύνοντος Μιχαήλ δουκός του Δοκειανού”. 12 kur veproi me fyerje kundër udhëheqësit të tyre dux Mihali Dokeianosi, i cili drejtonte ushtrinë në atë kohë.

 

Nga ky pasazh Era Vranusi ka nxjerrë gjashtë fakte lidhur me Albanoi dhe Latinoi dhe i ka renditur kështu: ishin vendosur në një rajon të veçantë të Italisë jugore; ishin aleatë të Bizantinëve; gëzonin të njëjtat të drejta qytetare; i përkisnin njësoj krishterimit; kishin arhondin e tyre, por papritur u bënë armiq të bizantinëve.

E vlen të shënohet, se Vranusi e nis duke i vendosur Albanoi dhe Latinoi ‘në një rajon të veçantë të Italisë jugore’ (diku ndërmjet Romës dhe territoreve bizantine). Ishte e qartë se kjo ishte e rëndësishme për ta ndërtuar çështjen e saj, sipas së cilës Italia jugore dhe jo Ballkani kishte qenë “shtëpia” për këta popuj. Mirëpo, siç mund të shihet në variantin greqisht të tekstit, Ataliati e ka hapur këtë pasazh jo me gjeografinë, por me tri fjali të shkurtra, që përshkruanin Albanoi dhe Latinoi — me tri atribute, që ishin qendrore për qëllimin e tij duke e shkruar këtë pasazh. Këta ishin njerëzit të cilët kishin qenë “aleatë të mëparshëm që kishin të përbashkëta me ne të drejtat civile, si edhe të së njëjtës fe”, por ata ishin bërë armiq të Bizantit për shkak të gabimeve të rënda, të bëra nga dux i perandorit.

 

  1. Mendime për gramatikën

Një vështrim i gramatikës së këtij pasazhi mund të na ndihmojë të interpretojmë kuptimin e këtyre pohimeve.13 Na duket krejt e natyrshme që të pranojmë, se shprehja hoi pote ‘më parë’ drejton gjithë togfjalëshat, që përshkruajnë marrëdhëniet ndërmjet Bizantit e Albanoi dhe Latinoi.

 

ou mēn de alla kai hoi pote

·                   symmachoi

·      kai ēs isopoliteias hēmin symmetechontes,

·      hōs kai autēs tēs thrēskeias,

Albanoi kai Latinoi… πολέμιοι παραλογώτατοι εχρημάτισαν

madje edhe ata që më parë kishin qenë

·               aleatë

·               dhe që ndanin bashkë me ne të njëjtën barazi të të drejtave civile,

·               si edhe të njëjtin besim,

albanët dhe latinët… krejt papritur u bënë armiqtë tanë

 

Ky interpretim përputhet mirë me synimin e Ataliatit kur e rrëfen këtë histori, sepse këto radhë vijojnë pas një pohimi, në të cilin ai ka fajësuar humbjen e Sicilisë nga Bizanti dhe “të shumicës së ushtrisë” për shkak “të vendimeve të paturpshme” të marra nga prijës të marrosur. Nga ndërtimi i këtij pasazhi del se Ataliati dëshironte të theksonte marrëdhënien e ngushtë që Bizanti gëzonte dikur me Albanoi dhe Latinoi, e cila përfundoi me një ‘humbje’ tjetër edhe më të vajtueshme, domethënë të marrëdhënieve të ngushta që kishin pasur me këta popuj.14 Ata kishin qenë: (1) aleatë, (2) partnerë me të njëjtat të drejta qytetarie dhe (3) partnerë me të njëjtën fe si bizantinët. Por të gjitha këto ishin në të kaluarën, siç e kërkon hoi pote. Një zyrtar i lartë bizantin e fyeu arhondin e tyre për një çështje nderi, kështu që ata e hodhën poshtë traktatin të cilin e kishin bërë me perandorin. Tashti ata ishin (1) aleatë të dikurshëm, (2) qytetarë të dikurshëm të njëjtë dhe (3) me fe të përbashkët të dikurshme, ndërsa ishin bërë armiq të perandorisë.

Pavarësisht se si e kuptojmë ne këtë pasazh, megjithatë, çdo përpjekje për të përcaktuar, se cilët popuj ka gjasa të tregojnë termat Albanoi dhe Latinoi, duhet të marrë parasysh se çfarë nënkuptonin bizantinët me terma të tillë, si symmachoi ‘aleatë’ dhe isopoliteia ‘qytetaria’, ndërsa në të njëjtën kohë duhet shënuar, se lajmi për faktin që ata u bënë armiq të perandorisë erdhi ‘krejt papritur’ për dikë të shkolluar dhe me përvojën juridike e politike të Mihail Ataliatit.

 

  1. Thrēskia — ‘duke ndarë me ne të njëjtën besim’

Në qoftë se interpretimi i ndërtimit gramatikor të kësaj pjese provohet i qëndrueshëm, pohimi i Ataliatit për thrēskia ‘feja’ ngre një pengesë serioze për përfundimin e Vranusit, se Albanoi ishin mercenarë normanë, të cilit ishin ‘vendosur në një rajon të veçantë të Italisë jugore’. Sepse po ashtu siç ndikimi i hoi pote duket se na sugjeron, Albanoi dhe Latinoi kishin të përbashkët jo vetëm ‘barazinë e të drejtave civile’ me bizantinët, kishin pasur gjithashtu ‘të njëjtën fe’ përpara viteve 1040, por jo më pas, atëherë ajo fe duhej të ishte Ortodoksia lindore, mbasi nuk ka të ngjarë që hoi pote synonte që të përcillte kuptimin, se Albanoi dhe Latinoi kishin qenë më parë “të krishterë”, por nuk e ndiqnin më këtë besim. Kjo është me rëndësi, sepse po të kishin qenë Albanoi dhe Latinoi. ndjekës të Ortodoksisë lindore në periudhën para vitit 1040, atëherë çfarëdo përpjekje për ta bërë norman cilindo grup në Italinë e jugut bie poshtë, sepse asnjëherë normanët nuk janë njohur se kishin përqafuar Ortodoksinë lindore në shifra të ndjeshme, ndërsa ka shumë më tepër siguri për ata pak qindra, të ardhur rishtas si mercenarë nga Normandia, të dërguar te Maniakisi më 1038 nga Princi Gaimar i Salernos.

Alain Ducellier-ja ka parapëlqyer ta lexojë fjalën thrēskia në këtë rast si një referim i Ataliatit për Ortodoksinë lindore.15 Në rast se do ta pranojmë që hoi pote qeveris gjithë tre pohimet përshkruese, ndërsa rrjedhimisht Albanoi dhe Latinoi ishin: (1) aleatë të dikurshëm, (2) partnerë të dikurshëm me të drejta të barabarta civile dhe (3) partnerë me fe të përbashkët të dikurshme, atëherë interpretimi i thrēskia si referim te krishterimi ortodoks është e vetmja mundësi e arsyeshme. Duke e pranuar këtë, duket se pasazhi na sugjeron, që Albanoi dhe Latinoi e kishin të përbashkët Ortodoksinë lindore15 me bizantinët deri kur, së bashku me statusin e tyre si aleatë dhe bashkëqytetarë, ata e hodhën poshtë fenë bizantine për të kaluar te krishterimi perëndimor (meqë ata pjesërisht janë përshkruar si ‘latinë’).

 

  1. Symmahoi ‘aleatët’ e Bizantit dhe ngritja e ushtrisë tagmatike

Sipas Ataliatit, Albanoi dhe Latinoi kishin jetuar si symmahoi ‘aleatë’ të bizantinëve. Ky nuk është një term i përgjithshëm, por pasqyron një tip të veçantë marrëdhëniesh politike, të mbështetura në një traktat të pranuar ndërmjet perandorit të Bizantit dhe prijësve të grupeve të ndryshme etnike, që lidheshin me perandorinë, duke përcaktuar të drejta të veçanta, privilegje dhe detyrime për të dy palët.16

Më 1960 Hélène Glykatzi-Ahrweiler ka botuar një studim me rëndësi,17 duke i nxjerrë të dhënat nga tekstet bizantine, për të hulumtuar natyrën dhe zhvillimin e ushtrisë bizantine. Me zgjerimin e veprimtarisë ushtarake të Bizantit në shekullin e dhjetë, megjithatë, po ashtu u zgjerua edhe nevoja e perandorisë për një ushtri më të madhe dhe të përhershme. Kjo u arrit duke e mënjanuar varësinë nga temat dhe duke kaluar te një tip tjetër rekrutimi: te njësitë ushtarake, që bizantinët i quanin tagmata, të cilat prej kohësh kishin funksionuar krahas sistemit të temave.

Ndonëse ndryshonin nga përmasat, secila tagma drejtohej prej komandantit të vet. Një prej vëzhgimeve të Glykatzi-Ahrweiler-it mund të shërbejë si përgjigje për pyetjen e Vranusit se si tagma shqiptare nga Ballkani mund të kishte përfunduar në Sicili dhe në Italinë jugore rreth vitit 1040.

 

Ne nuk duhet të harrojmë se tagmata të ushtarëve në atë kohë jo vetëm vepronin në çfarëdo vendi në perandori, por gjithashtu dislokoheshin në vende ku kërkoheshin për arsye ushtarake, të cilat jo detyrimisht ishin rajonet e rekrutimit të tyre.18

 

Ndërsa termi symmachoi ‘aleatët’ përcakton statusin e Gardës varange brenda perandorisë, por jo normanët, të cilët luftuan së bashka me ata në vitet 1038-1040.

 

  1. Isopoliteia ‘qytetaria’ bizantine

Albanoi dhe Latinoi Ataliati i ka përshkruar gjithashtu se kishin pasur ‘së bashku me ne barazinë e të drejtave civile’. Në një studim të kohëve të fundit Dion C. Smythe-i ka hulumtuar konceptet bizantine të isopoliteia ose të ‘qytetarisë’.19 Një element qendror ka të bëjë me perceptimet e bizantinëve për ‘të brendshmit’ dhe ‘të jashtmit’, dallime të cilat përcaktonin se cili u përkiste dhe cili jo.

Meqë Ataliati kishte shërbyer si jurist dhe si gjykatës, ndoshta perceptimet e tij për qytetarinë bizantine lidhur me Albanoi dhe Latinoi rridhnin nga disa të drejta ose privilegje, që u ishin dhënë atyre nëpërmjet traktateve ndërmjet prijësve të tyre dhe perandorit. Nuk është e mundur që ta dimë këtë si të sigurt. Megjithatë, pavarësisht se çfarë kuptimi i jepte Ataliati kësaj fjale, është e qartë se në Bizant në vitin 1040 kanë qenë varangët dhe jo normanët, të cilët bizantinët i kanë vështruar si një grup të huajsh, që kishin të përbashkët me ta isopoliteia.

Prej grupeve që dihet se kanë luftuar për Maniakisin në Sicili, kandidatët e mundshëm për Latinoi janë normanët dhe/ose lombardët, varangët, si dhe 500 ‘shokët’ e Harald Hardradës. Sa për Albanoi Vranusi ka ardhur në përfundimin se ishin normanë, duke u mbështetur në një interpretim të papranueshëm të pasazhit nga Synopsis i Skilicisit. Tashti le të vështrojmë të kaluarën e secilit prej këtyre grupeve.

 

  1. Lombardët dhe mercenarët normanë të Maniakisit

Mercenarët normanë nisën të vinin për herë të parë në Italinë e jugut me kërkesën e kryengritësve kryesorë të Lombardisë. Në fillimet e shekullit XI pjesë të Italisë jugore ishin nën sundimin bizantin. Disa rajone, si Kalabria, vijonin si qendra të kulturës, gjuhës dhe fesë greke. Rajone të tilla, si Apulia ku lombardët ishin në shumicë, i ruajtën pak gjurmë të ndikimit grek në jetën e përditshme. Latinishtja ishte gjuha zyrtare e administratës lokale. Kishat i mbikëqyrnin peshkopë latinë, të caktuar nga Papa në Romë. Pavarësisht prej lëshimeve që u ishin bërë, lombardët vijonin të kërkonin largimin e bizantinëve nga Italia.

Gjatë viteve erdhën gjithnjë e më shumë normanë nga Franca duke kërkuar punë. Bizantinët i shihnin me përbuzje si luftëtarë të paguar, besnikëria e të cilëve shkonte te ai që i paguante më shumë. Më 1038 një princ i ri i Salernos me emrin Gaimar kishte me tepricë normanë në tokat e tij, të cilët nuk bënin asgjë. I shqetësuar se ata mund të sillnin trazira, ai u mor me vesh me perandorin e Bizantit që t’i dërgonte të bashkoheshin me Maniakisin në Sicili. Këta janë ata njerëz, të cilët Vranusi ka hamendësuar se Ataliati i ka përshkruar si “aleatët e mëparshëm, që kishin të përbashkëta me ne të drejtat civile dhe me të njëjtën fe.” Mirëpo, duke e ditur qëndrimin e bizantinëve kundrejt normanëve në këtë periudhë, ky argument nuk arrin të na bindë.

Në këtë periudhë Maniakisi i rimori qytetet dhe qendrat e Sicilisë lindore nga duart e arabëve. Beteja më e madhe e fushatës ndodhi në pranverë 1040. Afër Malit Etna ai korri një fitore të rëndësishme. Një incident i lidhur me këtë fitore bën pjesë në problemin e identifkimit të Albanoi dhe Latinoi. Kur Maniakisi mësoi, se drejtuesi i forcave arabe kishte shpëtuar pavarësisht prej bllokadës detare dhe ishte larguar nga ishulli, fajësoi admiralin e vet, Stefanin dhe e rrahu para popullit. Ky shpërthim shkaktoi rënien e Maniakisit dhe humbjen e të gjitha fitoreve të tij në Sicili, sepse Stefani ishte kunati i perandorit. Ai njoftoi Konstantinopolin, se Maniakisi po përgatiste një kryengritje dhe menjëherë u dërguan njerëzit për ta arrestuar.

Një incident i dytë i lidhur me fitoret në Troinë dhe Sirakuzë bën pjesë në problemin e identifkimit të Albanoi dhe Latinoi. Kur plaçka nga këto beteja u shpërnda mes ushtarëve, normanët shprehën pakënaqësi për pjesën që morën. Një lombard që fliste greqisht, me emrin Arduini, i çoi ankesat e tyre te Maniakisi, i cili u përgjigj duke shpërthyer i zemëruar dhe e fshikulloi atë përpara ushtrisë. Arduini dhe normanët atëherë i braktisën bizantinët dhe u kthyen në Italinë e jugut për t’u bashkuar me kryengritjen. Duke vështruar historinë e shkurtër të tyre në Italinë e jugut në periudhën që vjen deri më 1040, për mercenarët normanë në shërbim të Maniakisit ka pak gjë ose aspak që të përputhet me përshkrimin e Albanoi dhe Latinoi si aleatë të mëparshëm, të cilët të kishin të përbashkët me bizantinët si fenë, edhe qytetarinë. Ka shumë më tepër gjasa që këta normanë të vështroheshin atëherë nga ana e bizantinëve si ‘të jashtëm’ përfundimisht, disa pak qindra usharësh që kërkonin fatin, të cilët rekrutoheshin nga perandoria për një periudhë më pak se dy vjet.

Gjithashtu e vlen të shënohet, se kur Maniakisi u kthye në Italinë e Jugut më 1042 për të shtypur rebelimin e normanëve në rajonet e kontrolluara prej bizantinëve atje, historianët e mëvonshëm normanë e kanë fajësuar se i kishte terrorizuar popullsitë vendëse dhe se kishte përdorur dhunë të skajshme kundër tyre. Kur Maniakisi atëherë u përpoq ta blinte mbështetjen e normanëve për kryengritjen e vet më 1042-1043, askush nuk i vajti pas. Në vend të kësaj, ai e përforcoi ushtrinë e vet me rekrutë të rinj, pasi ata zbarkuan në Durrës në shkurt 1043.20

 

  1. Garda varange

Ka pasur edhe të huaj të tjerë në ushtrinë e Maniakisit, i cili aty nga viti 1040 kishte zënë një vend me ndikim në qendër të shoqërisë bizantine. Këta kanë qenë ushtarët skandinavë dhe skandinavë-rusë të Gardës varange elitare. Origjina e tyre shkon prapa disa shekuj në kohën kur aventurierë nga bota Nordike nisën të drejtoheshin nga jugu në numër gjithnjë në rritje me ato anijet e tyre të gjata. Nga mesi i shekullit VIII ata kishin ngritur ngulime të ndryshme përgjatë brigjeve të lumenjve në ato toka, që sot i përkasin Rusisë. Gjatë dhjetëvjeçarëve valë të reja skandinavësh ndoqën rrugët lumore drejt jugut, disa duke u kthyer më pas dhe të tjerë duke u ngulur përgjithnjë në tokat e reja. Këta ‘ardhacakë’ të hershëm u përzien me popullsinë vendëse sllave, iu përshtatën mjedisit dhe me kalimin e kohës u bënë të njohur si ‘Rhos’, ‘Rus’ ose ‘Rusë’.

Më 869 një flotë ruse sulmoi rrethinat e Konstantinopolit. Perandori  Mihali III lidhi një marrëveshje me rusët, duke përfshirë klauzolën që ushtarët rusë mund të hynin në shërbimin personal të perandorit. Traktate të tilla ndërmjet Mbretërisë ruse dhe Bizantit hapën rrugën për një numër gjithnjë në rritje skandinavësh ose skandinavësh-rusë që të hynin brenda perandorisë. Ata që synonin të hynin në ushtri, nxiteshin që të ktheheshin në Ortodoksinë lindore. Numri i skandinavëve në shërbim të Bizantit u rrit ndjeshëm kur një perandor i ri, Vasili II kërkoi ndihmë ushtarake nga princi Vladimir i Kievit mw 988 për të zgjidhur dy konflikte të mëdha të brendshme me familjet e fuqishme bizantine. I ofroi Vladimirit të motrën për grua si shkëmbim për nja 6000 luftëtarë skandinavë e skandinavë-rusë dhe me premtimin se princi do të merrte fenë e bizantinëve.

Vasili i vendosi këta luftëtarë skandinavë dhe skandinavë-rusë si ‘Garda varange’, të cilën e ndau në ‘Varangët e qytetit’, që cilët ruanin perandorin dhe e shoqëronin nëpër udhëtim si brenda kryeqytetit, ashtu edhe nëpër fushata, dhe në ‘Varangët jashtë qytetit’, të cilët ishin vënë në poste kyçe të provincave. Varangët madje u lejuan të ndërtonin kishën e tyre në Konstantinopol. Me ndihmën e këtij regjimenti të ri Vasili shtypi kryengritjet, duke mundur armiqtë e brendshëm.

 

  1. Harald Hardrada dhe 500 ‘shokët’ e tij

Një kontingjent tjetër të huajsh, që dihet se ka luftuar për Maniakisin në Sicili, udhëhiqej nga Harald Sigurdhason (Hardrada). Ishte gjysmëvëllai i mbretit Olaf II të Norvegjisë. Ai udhëtoi drejt jugut te princi Jarosllav, sundimtari rus i Kievit, ku shërbeu për një kohë me një detyrë ushtarake. Më pas kaloi në Bizant, ku hyri në Gardën varange gjatë mbretërimit të Mihalit IV, ndoshta qysh më 1034. Historia e Haraldit është e dokumentuar mirë në disa gjuhë.

Haraldi mund të ketë drejtuar 500 ‘fisnikët’ që solli me vete në fushatën e Sicilisë, ndërsa varangët e tjerë kanë pasur një komandant tjetër. Më 1040, ka shumë gjasa pas arrestimit të Maniakisit dhe burgosjes, Haraldi dhe burrat e tij u thirrën në Konstantinopol. Kishte nisur një kryengritje mes bullgarëve atë verë, e udhëhequr nga një njeri me emrin Peter Deleanos. Perandori Mihali IV i çoi Haraldin dhe burrat e tij për të luftuar kundër kryengritësve në fund të 1040 ose në fillim të 1041, Haraldi u shqua në këto konflikte. Kur Deleanosi më në fund u thye më 1041, Mihali IV e shpërbleu Haraldin për pjesëmarrjen në fushatë. Perandori vdiq pas pak kohe dhe nipi i tij, Mihali V hipi në fron, por Haraldi e humbi përkrahjen e oborrit, të perandorit dhe të këshillit të tij. E burgosën së bashku me dy islandezë të Gardës varange. Burimet nuk thonë asgjë se ku 500 luftëtarët e tij e kaluan këtë periudhë, apo se çfarë ndodhi me ta më pas. Gjithashtu rreh kësaj kohe Mihali V e liroi Maniakisin dhe perandorja Zoe e dërgi përsëri në Italinë e jugut për të shtypur kryengritjen lombarde. Ndoshta Maniakisi i mori me vete disa nga burrat e Haraldit. Më vonë Haraldi e gjeti rrugën për të dalë nga burgu dhe u kthye në Kiev, ndërsa më pas kaloi në Norvegji, ku kërkoi fronin dhe sundoi deri më 1066.

Duke i krahasuar varangët me mercenarët normanë, që luftuan përkrah tyre në ushtrinë e Maniakisit në Sicili, Jonathan Shepardi ka shkruar:

 

Është diçka joshëse që të vihen në kontrast diametralisht këta ruso-skandinavë dhe ‘aleatët’ të përcaktuar për Bizantin nga sundimtarët e tyre, nga njëra anë, dhe ‘Frankët’ [d.m.th. normanët], të cilët dalin në mënyrë mjaft të papritur në burimet greke e latine për Bizantin e mesit të shekullit të njëmbëdhjetë: vullnetarë me kërkesa materialiste, që mbështeteshin në vorcat e veta, për të cilët paga ishte kërkesa kryesore dhe që fare lehtë kalonin në rebelim, po të mos kënaqeshin.21

 

  1. Latinoi të Ataliatit

Kur vjen puna për të vlerësuar se cili prej këtyre grupeve përshtatet më mirë me përshkrimin e Ataliatit për aleatët e mëparshëm, bashkëqytetarët dhe bashkëbesimtarët me bizantinët, deri më tash varangët dhe pesëqind luftëtarët e Harald Haradrës nuk janë vështruar si kandidatë për këtë rol. Pjesërisht kjo vjen ngaqë varangët, qysh nga ngritja e regjimentit të tyre në fund të viteve 980 njihen se janë rreshtuar me krishterimin ortodoks lindor. Vranusi ka ardhur në përfundimin se Albanoi ishin normanë dhe Latinoi lombardë, që të dy grupet të vendosura në rajone të Italisë jugore. Megjithatë, meqë aq sa dimë për normanët nuk përputhen me asnjë prej pohimeve të Ataliatit, të cilat i ka bërë për Albanoi, ky supozim nuk duket se ka gjasa të jetë i vërtetë.

Teoria e Vranusit varet, në një pjesë të madhe, nga vërtetësia e hamendësimit të saj se pohimi i Ataliatit lidhur me fyerjen e Dokeianosit për arhondin e Albanoi i referohet po të njëjtit incident te Synopsisi i Skilicisit, në të cilin njoftohet se Mihal Dokeianosi e kishte fshikulluar Arduinin. Por edhe këtu argumentimi i saj bie, sepse siç e ka treguar mjaft bindshëm Shepardi, versioni i Skilicisit është pothuaj e sigurtë që i ka shtrembëruar faktet.22 Jo Dokeianosi, por Maniakisi e fshikulloi Arduinin. Pohimi i Vranusit se Albanoi kanë qenë normanë thjesht nuk qëndron nga një shqyrtim i afërt.

Por në rast se as normanët dhe as lombardët nuk ishin Albanoi ose Latinoi. a ka mundësi që Ataliati t’i ketë përshkruar ushtarët varangë si Latinoi? Ndonëse ata ishin symmachoi ‘aleatë’, që bënin pjesë në isopoliteia bizantine, qysh nga vendosja e tyre në viitet 980 kishin bërë pjesë në krishterimin ortodoks lindor. Atëherë si mund të përmenden ata si Latinoi? Këtu Ataliati përdor togun hoi pote dhe ndikimi i tij mbi të tre pohimet përshkruese lidhur me Albanoi dhe Latinoi. mund të dalin të rëndësishme. Në qoftë se, siç sugjeruam më sipër, Latinoi të Ataliatit ishin aderentë ‘të mëparshëm’ të ortodoksisë lindore, të cilët si pasojë e ngjarjeve rreth arrestimit të Maniakisit, burgosjes, lirimit dhe kryengritjes në fillim të viteve 1040, u prishën me Bizantin dhe u bënë aleatë me krishterimin perëndimor, atëherë varangët e Maniakisit janë ata që përshtaten më mirë për këtë përshkrim. Si varangë të dikurshëm, të kthyer në krishterimin perëndimor, ata fare lehtë mund të përfundonin që nga bizantinët të quheshin Latinoi. Është për t’u vënë re se Ataliati nuk shkruan asgjë rreth shërbimit ushtarak të Albanoi dhe Latinoi, ndërsa ishin në shërbim të ushtrisë. Duket se interesimi i tij i vetëm ka qenë për reputacionin e tyre si armiq të perandorisë pas vdekjes së Maniakisit më 1043. Vranusi argumenton, se Albanoi  nuk mund të kishin qenë shqiptarët e Ballkanit, meqë përndryshe te Ataliati do të ishin përmendur si ‘ushtarë të etnive të tjera të përfshira në kryengritje’. Këtu ajo nuk ia ka dalë ta kuptonte qëllimin e Ataliatit gjatë tregimit të historisë së Maniakisit, në mënyrë që ta trajtonte atë pasazh si një histori objektive dhe jo si një moralizim didaktik. Ataliati vetëm i ka përmendur Albanoi dhe Latinoi sepse, ashtu si Sicilia dhe ‘shumica e ushtrisë’, u kishin ‘humbur’ bizantinëve. Në qoftë se tagmat e tjera do të kishin ‘humbur’ po njëlloj, atëherë ka gjasa që po ashtu njësoj do të ishin dhënë me emër nga Ataliati. Gjithashtu është me domethënie, që lajmet për faktin se Albanoi dhe Latinoi jetonin si armiq të perandorisë mund të kishin mbërritur deri te Ataliati, në qoftë se ata do të kishin mbijetuar pas thyerjes dhe vdekjes së Maniakisit në Ostrovo më 1043, do të kishin shpëtuar nga përndjekja prej ushtarëve të perandorit dhe do të bënin jetën e tyre diku mjaft afër Bizantit, meqë cilësorët që ka përdorur Ataliati për t’i përshkruar ata do të ishin bërë të ditur dhe do të kishin kaluar te të tjerët. Kjo na sugjeron se disa prej ushtarëve skandinavë dhe skandinavë rusë të Maniakisit mund të ishin bashkuar me Albanoi kur u kthyen në vendlindjet e tyre rreth Dyrrachium-it, ku edhe qëndruan, dhe me kalimin e kohës, u quajtën Latinoi, domethënë të huaj, që aderonin te traditat krishtere perëndimore dhe pranonin autoritetin e papës së Romës.

 

  1. Albanoi shqiptarë si symmachoi tagma?

Në qoftë se Latinoi të përshkruar prej Ataliatit kanë qenë varangë të mëparshëm, atëherë si ka të ngjarë që Albanoi kanë qenë shqiptarë nga Ballkani? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të shqyrtojmë dëshmitë ekzistuese lidhur me historinë më të gjerë të Ballkanit në atë periudhë.

Në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XI, ndërsa forcat e Vasilit II përparuan më tej në Gadishullin e Ballkanit, bizantinët nisën të nënshkruanin marrëveshje politike me sundimtarët vendës në territoret e reja ‘të çliruara’. Disave u ofrohej titulli dhe shkalla e arhondit. Në Synopsisin e Historive Skilicisi përshkruan Stefan Vojisllavin, në atë kohë sundimtar i Dioklesë, një rajon menjëherë në veri të temës së Durrësit, si ‘archon i serbëve’. Në veri të Dioklesë të tjerë arhondë sundonin mbi tokat e Dalmacisë. Tekste lidhur me Durrësin në fund të shekullit XI gjithashtu përmendin arhondët, që sundonin në atë rajon.23

Kështu, burimet e shkruara na sugjerojnë se qysh në periudhën pas fitoreve të Vasilit në Ballkan, sundimtarët vendës në rajone të tilla si Dioklea dhe Dalmacia bënin me perandorin bisedime për traktate, të cilat përfshinin klauzola për të nxjerrë ushtarë për ushtrinë bizantine. Është një hamendësim i paarsyeshëm, të pohohet se Albanoi shqiptarët në Ballkan asnjëherë nuk kanë bërë një marrëveshje të tillë me Bizantin thjesht sepse asnjë historian bashkëkohës nuk e ka parë të udhës që ta regjistronte. Heshtja e burimeve, veçanërisht kur shqyrtojmë varfërinë e dëshmive të shkruara lidhur me Ballkanin e kësaj periudhe, nuk është një ‘provë’, se kurrë nuk ka ekzistuar një aleancë e tillë. Në qoftë se arhondët e Albanoi shqiptarëve kanë hyrë në ndonjë aleancë të tillë me perandorin, e cila përfshinte nxjerrjen e ushtarëve Albanoi, a mund ta hamendësojmë se ndonjë autor bizantin do ta kishte quajtur të vlefshme që të regjistronte një popull symmachoi, i cili përmbushte detyrimet e veta të rregullta sipas marrëveshjes?

.Burimet njoftojnë gjithashtu se pas betejës vendimtare të Vasilit në Dyrrachium më 1018 dhe në fund të sundimit të bullgarëve në atë rajon, bizantinët kanë dërguar rekrutë të Ballkanit për në Italinë e jugut. Për shembull, Skilicisi ka njoftuar se më 1024 Vasili II kishte në plan ‘të ndërmerrte një fushatë kundër Sicilisë dhe dërgoi që më parë Orestesin, një prej eunukëve më të besuar, me një forcë të madhe’. Ndonëse Skilicisi nuk e përmend emrin e njësive të përfshira, autori i Annales Barenses,24 duke shkruar për të njëjtën ngjarje, është shprehur: ‘Koitonites të Orestesit erdhën në Itali me një ushtri të madhe, domethënë një ushtri rusësh, vandalësh, turqsh, bullgarësh, vllehsh, maqedonësh dhe të tjerë, për të marrë Sicilinë’. Albanoi shqiptarë fare mirë mund të ishin përfshirë mes atyre që cilësohen ‘të tjerë’ në këtë pasazh.

Duket e arsyeshme të pranohet, se Albanoi, ashtu si dhe fqinjët e tyre në veri në Diokle dhe në Dalmaci, ka mundësi të kenë qenë një popull ballkanik, i përfshirë në një aleancë symmachoi me Bizantin në periudhën që pasoi rënien e ndikimit bullgar në atë rajon. Si të tillë, Albanoi shqiptarë do të kenë qenë një ndër  εθνικου ‘etnitë’, që gëzonin të drejta dhe privilegje të posaçme brenda perandorisë (duke qenë se Ataliati ka pohuar, se ata kishin të përbashkët me bizantinmët threskia të tyre), domethënë në dhjetëvjeçarët përpara vitit 1040 ka të ngjarë që gjithashtu i përkisnin krishterimit ortodoks lindor.

 

  1. Kush i fyeu Albanoi?

Në pjesën e fundit të këtij punimi do të shqyrtojmë ngjarjet në periudhën pas arrestimit dhe burgosjes së Maniakisit më 1040, duke u mbështetur te hipoteza e paraqitur më sipër se Latinoi të Ataliatit në pasazhin e hyrjes të Historisë së tij ishin varangë të mëparshëm dhe Albanoi të lidhur me ta ishin shqiptarë nga Ballkani.

Siç e ka vënë re Jonathan Shepardi,15 ka një pështjellim në historinë që ka transmetuar ngjarjet përse Albanoi dhe Latinoi u prishën me perandorinë rreth vitit 1040. Sipas Ataliatit, dux Mihail Dokeianosi e fyeu arhondin e tyre, emri i të cilit nuk jepet. Duket se Skilicisi këtë histori e ka shkrirë me incidentin, që përfshiu Arduinin, në të cilin ai, si ‘prijës i frankëve’ u fshikullua publikisht nga komandanti bizantin, sepse kishte kërkuar kushte më të mira dhe shpërblime më të mëdha për trupat normane. Skilicisi e përmend Mihal Dokeianosin si njeri që rrahu Arduinin. Ky rrëfim në Synopsisin e Skilicisit përbën një shtyllë qendrore në argumentimin e Vranusit, se Albanoi nuk ishin shqiptarë nga Ballkani. Mbi këtë bazë, se (1) Skilicisi i ka përshkruar pasuesit e Arduinit si ‘Frangoi’, dhe (2) duke hamendësuar se Ataliati dhe Skilicisi njoftojnë po të njëjtën ngjarje, Vranusi ka ardhur në përfundimin se Albanoi të Ataliatit dhe Frangoi të Skilicisit kanë qenë i njëjti popull dhe, rrjedhimisht, se Albanoi kanë qenë normanë dhe jo shqiptarë ballkanas. Mirëpo kjo vijë arsyetimi mbahet vetëm në rast se Dokeianosi e rrahu Arduinin. Megjithatë, në qoftë se siç duket ka më shumë gjasë, që Shepardi e ka trajtuar drejt këtë problem dhe ka qenë Maniakisi e jo Dokleianosi, që e zbatoi fshikullinin e Arduinit, atëherë hamendësimi i Vranusit bie poshtë. Gjithashtu, në rast se ka qenë Maniakisi, atëherë episodi me Arduinin është i veçantë dhe i palidhur me pohimin e Ataliatit lidhur me kryengritjen e Albanoi, sepse pas poshtërimit të Arduinit si ai, edhe normanët i braktisën bizantinët dhe u kthyen në Italinë e jugut, ku më vonë kanë luftuar kundër Maniakisit, ndërsa Albanoi i mbetën besnikë Maniakisit si përpara, ashtu edhe pas arrestimit të tij dhe burgosjes më 1040. Del se Skilicisi (ose ndoshta ndonjë prej burimeve të tij) i ka përzier hollësitë e dy incidenteve të veçanta dhe ka krijuar një pështjellim të ndjeshëm në këtë proces.

Megjithatë, ka edhe një histori tjetër në Synopsisin e Skilicisit, që gjithashtu është e datës 1040, ku përfshihet një dux Mihal, i cili e fyeu një njësi ushtarake nga rajonet rreth Dyrrachium-it, kështu që ushtarët e saj ngritën krye kundër Bizantit dhe i bashkuan forcat me armikun. Ngjashmëritë ndërmjet këtij rrëfimi dhe pohimit të Ataliatit lidhur me Albanoi më 1040 janë mbresëlënëse. E vetmja mospërputhje ndërmjet paraqitjes së Skilicisit për këtë incident dhe pohimit të Ataliatit, përse Albanoi u prishën me perandorinë, është emri i fyesit dux Mihali. Sipas Ataliatit, ai ka qenë Mihal Dokeianosi, ndërsa Skilicisi e quan të Mihal Dermokaitesit. A ka mundësi që të dy rrëfimet mund të përshkruajnë po të njëjtën ngjarje, pavarësisht prej kësaj mospërputhjeje? Është për t’u shënuar, se ‘trupat vendëse’, që ngriti Vasil Synadenosi do të kenë ardhur nga krahina të ndryshme rreth Dyrrachiumit. Në qoftë se Albanoi kanë qenë shqiptarë ballkanas në një marrëdhënie symmahoi me Perandorinë Bizantine, atëherë arhondi i tyre do të ishte i detyruar të pranonte autoritetin si dux të Synadenosit. Nuk është një hamendësim i paarsyeshëm, që ‘trupat vendëse’ prej rrethinave të Durrësit mund të ishin përfshirë në tagmën, që e kishin nxjerrë Albanoi ethnikos. Pyetja është se ku ishte dislokuar ajo tagma në verën e vitit 1040.

Në fillim të vitit 1040 Maniakisi dhe ushtria e tij, duke përfshirë Albanoi tagma, ende po luftonin në Sicili. Megjithatë, brenda disa muajsh gjenerali i tyre u ndodh në burg në Konstantinopol dhe hakmarrësi i tij, Stefani, ia kishte zënë vendin si komandant i fushatës në Sicili. Nuk është larg dyshimit, që njësitë besnike të Maniakisit, si Albanoi dhe Latinoi, do t’i shkaktonin shqetësime Stefanit pas largimit nga ishulli të Maniakisit të prangosur. Ndoshta ai kishte frikë nga kërcënimi, se do të hakmerreshin, meqë e kishte tradhtuar prijësin e tyre të dashur. Që gjërat vajtën aq keq dhe aq shpejt pas fitoreve në Troina dhe në Sirakuzë, mund të mos ketë të bëjë vetëm me pazotësinë e tij. Ndoshta ushtria e Maniakisit u shpërbë dhe gjithë repartet e dyshuara për pabesnikëri u shpërndanë. E vlen të shënohet, se Harald Haradra dhe burrat e tij u thirrën në Konstantinopol rreth po asaj kohe dhe u përfshinë në ushtrinë, që do të luftonte kryengritjen bullgare. Meqë Maniakisi kishte zgjedhur Albanoi për të shërbyer në ushtrinë e tij në Itali, kur u kthye më 1042, dhe se ata ishin bashkuar me kryengritjen e tij më 1043, fare mirë ata mund të jenë vështruar si një rrezik i padëshiruar për Stefanin më 1040 dhe i kanë dërguar mbrapsht në atdheun e tyre. Në qoftë se ka ndodhur kështu, atëherë ata do të kenë qenë në dispozicion për  dux Vasil Synadenosin në Dyrrachium atë vit. Ndoshta kthimi i tyre në Ballkan i dha zemër atij dux të marshonte kundër forcave të Deleanosit më 1040, sepse atëherë Albanoi tagma do të ketë qenë një nga njësitë ushtarake të elitës më me përvojë në gjithë Bizantin. Meqë shtypja e kryengritjes është në krye të listës së përparësive të perandorit, dërgimi i Albanoi për të luftuar kundër Deleanosit do të ishte një veprim plotësisht i përshtatshëm

Në qoftë se historia e Skilicisit rreth Vasil Synadenosit, Mihal Dermokaitesit dhe ‘trupave lokale’ nga krahinat rreth Durrësit paraqet një rrëfim më të hollësishëm të episodit prapa pohimit të Ataliatit, se për ç’arsye  Albanoi u kthyen kundër perandorisë, atëherë të dy autorët e kanë mësuar atë prej burimesh të ndryshme. Skilicisi e përfshin në një pasazh, që thekson kryengritjen e Deleanosit, gjë që ai e ka mbështetur ose në materiale të shkruara, ose në dëshmi vetjake apo në një ndërthurje të të dyjave. Nga ana tjetër, Ataliati ka qenë duke moralizuar mbi shkatërrimin e Maniakisit dhe prandaj ka dhënë vetëm shënimet më të shkurtra për çështjen, përse Albanoi ishin bërë armiq të perandorisë. Madje edhe po të kishte pasur ai më shumë informacion për ta trajtuar këtë, mund të mos i ketë shërbyer për qëllimin e vet që ta përfshinte në Historinë e tij. Ndoshta ai kishte dëgjuar një njoftim për Albanoi tagma dhe për tradhtinë e Mihal Dermokaitesit ndaj dux  Vasil Synadenosit, por më pas e ka ngatërruar dux Mihal Dermokaitesin me dux më të njohur për të Mihal Dokeianosin, kur do të shkruante për çështjen e tradhtisë së Albanoi. Njoftimet e Ataliatit më të hollësishme për kryengritjen e Deleanosit vijojnë menjëherë nga pohimi i tij për Albanoi dhe Latinoi, duke nisur me togfjalëshin ‘në këtë kohë’.

Sipas Skilicisit, kur Deleanosi mësoi për kryengritjen e ushtarëve prej rrethinave të Dyrrachiumit, e ftoi prijësin e tyre të sapozgjedhur Teichomeros për të biseduar. Ushtaraku pranoi kundër dëshirës. Ndërsa po qëndronin përpara grupit të mbledhur, Deljani u shpreh, se asnjë vend nuk mund të shkojë mbarë ‘kur qeveriset nga dy prijës’. Dhe ‘mes një brohorime të madhe’, ata që ishin mbledhur e zgjodhën Deljanin që t’u printe dhe ‘ngritën gurë e ia hodhën Teichomeros-it të mjerë’.

Në qoftë se forca nga Durrësi përfshinte edhe Albanoi tagma, ka mundësi që pas vdekjes së Teichomeros-it, ata do të jenë marrë vesh me Deleanosin për t’u kthyer në Dyrrachium dhe për ta marrë qytetin bashkë me një njeri të dërguar nga Delianosi me emrin Kaukanosi. Megjithatë, ky është vetëm një hamendësim, sepse Skilicisi nuk e përmend përsëri këtë forcë nga rajonet rreth Dyrrachiumit.

 

  1. Përfundim

Në këtë punim autori ka shqyrtuar kontekstin më të gjerë historik, në të cilin u përfshinë Albanoi në Sicili, në Italinë e jugut dhe në Ballkan rreth vitit 1040. Ai ka ardhur në përfundimin, se përshkrimi nga Ataliati i Albanoi si aleatë të mëparshëm, qytetarë të përbashkët dhe bashkëfetarë me bizantinët e përjashton mundësinë, siç e kishte parashtruar Era Vranusi, që ata të ishin normanë ose lombardë të  ndodhur në Italinë e jugut. Në vend të kësaj, një rishikim i dëshmive ekzistuese na tregon se interpretimi tradicional është sigurisht opsioni që ka më shumë gjasa, se këta Albanoi kanë qenë shqiptarë nga Ballkani. Sa për Latinoi, bashkë me të cilët Ataliati përmend Albanoi, autori shprehet se, meqë ata përshkruhen me të njëjtët terma, kandidatët që ka më shumë gjasa ndër ata që dihet se i kanë shërbyer Maniakisit, kanë qenë pjesëtarë të Gardës Varange, të cilët së bashku me Albanoi, duket se janë prishur me bizantinët, kanë hequr dorë nga gjithë lidhjet me Konstantinopolin dhe u kthyen në armiq të Perandorisë.

Burimet kështu e dëshmojnë një prishje të tillë në atë rajon gjatë asaj kohe. Pëllumb Xhufi ka vënë në dukje, se disa shekuj më pas, “në vitet që pasuan vdekjen e Justinianit, dioqeza e Epirit të Ri me Durrësin, u shkëput nga Roma për t’u lidhur me Konstantinopojën. Mungesa e korrespondencës së Papës Grigori i Madh (fundi i shek. VI) me peshkopët e Epirit të Ri, ndërkohë që ai mbante lidhje të rregullta me provincat e tjera shqiptare, provon se lidhjet e Durrësit me Romën qenë ndërprerë.” Tashmë në periudhën 969-976, “mitropolia e Durrësit shtrihej nga Tivari në Vlorë, me 15 peshkopata: Tivar, Lyknid, Shkodër, Drisht, Diokle, Pult, Lezhë, Krujë, Stefanikë, Kunavi, Cërrik. Ky ishte zeniti i Kishës së Konstantinopojës në Shqipëri”. Por kur erdhi koha e skizmës së madhe, e cila i ndau botën e krishterimit lindor dhe të krishterimit perëndimor, diçka kishte ndryshuar në rajonet rreth Durrësit, siç e ka shpjeguar Xhufi.

 

Fjala është, në radhë të parë, për të njohurin “trekëndëshi katolik i Shqipërisë”, provinca e dikurshme kishtare e Prevalit, me qyetet e Shkodrës, Drishtit, Danjës, Shasit, Tivarit, Ulqinit. Kjo trevë edhe politikisht u shkëput atë kohë nga Perandoria Bizantine dhe sundimtarët e saj, si Bodini dhe nga bota sllave që i rrethonte, e lidhën përfundimisht kishën e tyre me Romën.25

 

Kjo dëshmi përputhet për bukuri me pohimin e Ataliatit, se Albanoi dhe Latinoi jo vetëm e prishën aleancën me perandorin, por gjithashtu i braktisën të gjitha lidhjet me bizantinët, fetare dhe shekullare.26

Më 1078 dhe 1091 shfaqet një njësi ushtarake enigmatike në burimet bizantine, shoqëruar me një dux të Dyrrachium-it. Ata janë quajtur ‘pasuesit e Maniakisit’, si dhe Maniakatoi Latinoi. Duke i ditur lidhjet e tyre me dux të Durrachium-it, si dhe shoqërimin e vazhduar me Maniakisin e rrëzuiar, a kanë qenë ata pasardhës të Albanoi dhe Latinoi, të cilët tridhjetë dhe pesëdhjetë vjet pas betejës së Ostrovës ende vijonin ta quanin veten me emrin e gjeneralit të madh, nën të cilin etërit e tyre kishin shërbyer dhe pothuaj e përmbysën perandorinë? Sigurisht që kjo na shtyn te një hamendësim intrigues.

Në rast se ky interpretim do të ishte i qëndrueshëm, atëherë ka gjasa të mund të hetojmë gjurmë të pranisë së varangëve në viset shqiptare, ndoshta në gjurmimet arkeologjike ose në fusha të tjera studimi. Për shembull, autori ka vënë re një numër ngjashmërish ndërmjet kodeve zakonore gojore skandinave të Epokës së Vikingëve dhe ndërtimeve e zbatimit të Kanunit. Mbi këtë bazë, duke bërë analiza krahasuese ndërmjet dëshmive shqiptare, që datohen të mjesjetës së hershme dhe dëshmive varange e skandinave nga e njëjta periudhë e ngjashme, por përmes një hapësire shumë më të gjerë gjeografike, mund të konsiderohet si një studim që e vlen të ndërmerret.

 

SHËNIMET

 

  1. Autori ka qenë student i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, masterin e doktoraturën i ka marrë në Mbretërinë e Bashkuar me temën për historinë e hershme mesjetare skandinave dhe anglosaksone në Britani dhe është nga të paktët akademikë, që merren me studime mbi popujt skandinavë dhe shqiptarë në Mesjetën e hershme.
  2. Catherine Holmes në veprën Basil II and the Governance of Empire (976-1025) (Oxford University Press, 2005), ka vënë në dukje (f. 395), se: “rrëfimet për Ballkanin na japin vetëm pamje të çastit gjatë luftërave të ngatërruara ndërmjet Vasilit dhe kundërshtarëve të tij bullgarë”, si dhe (f. 496): “është e vështirë të përcaktohet statusi i Dyrrachion-it për dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XI”. Paul Stephenson në Byzantium’s Balkan Frontier: A Political Study of the Northern Balkans, 900-1204 (Cambridge: Cambridge University Press, 2000), 11 dhe 66 na ka përshkruar “shpërfilljen e përgjithshme të autorëve bizantinë për Ballkanin verior në atë kohë” dhe i ka vështruar burimet paraqitëse si ‘të papërshtatshme’. Gjithashti Stephenson-i ka vënë re: “Ne nuk kemi asnjë informacion për cilëndo fushatë ndërmjet rimarrjes së Dyrrachium-it [1005] dhe fushatës fatale të vitit 1014”, po aty, f. 76.
  3. Sigfús Blöndal, The Varangians of Byzantium: An Aspect of Byzantine Military History, bot. nga Benedikt S. Benedikz (Cambridge: Cambridge University Press, 1978), f. 48.
  4. Botimi standard i Historisë së Ataliatit është: Immanuil Bekker dhe de Presle Brunet, W. bot., Michaelis Attaliotae historia (Bonn: Weber, 1853). Për njohuri rreth jetës së Ataliatit shih: A. P. Kazhdan et al., bot., The Oxford Dictionary of Byzantium (New York: Oxford University Press, 1991), I, f. 229.
  5. Selim Islami dhe Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë (Tiranë: Universiteti i Tiranës, 1959), f. 175-76; Georg Stadtmüller, Forschungen zur albanischen Frühgeschichte (Wiesbaden: Harrassowitz, 1966), f. 162-64; Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëll. 2 (Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1962), f. 11, 32 shën. 10; Kristo Frashëri, Histoire d’Albanie (bref aperçu) (Tirana: 1964), f. 44; Alain Ducellier, ‘L’Arbanon et les Albanais au XIe siècle’, Travaux et Mémoires, 3 (1968), f. 356-58; Era Vranoussi, ‘Οι οροι «Αλβανοι» και “Αρβανιται” και η πρωτη μνεια του ομωνυμου λαου της Βαλκανικης εις τας πηγας του ΙΑ αιωνος’, Byzantina Symmeikta 2 (1970); Alexandru Madgearu, Byzantine Military Organization on the Danube, 10th-12th Centuries (Leiden: Brill, 2013), f. 25; Alain Ducellier, ‘Les Albanais dans l’Empire byzantin: de la communaouté á l’expansion’, Οι Αλβανοι στο Μεσαιωνα / The Medieval Albanians (1998), f. 17–45.
  6. Bizantinët sunduan mbi Sicilinë deri më 827, kur kështjella e tyre e fundit ra në duart e forcave myslimane nga Afrika veriore.
  7. Në tekstin në greqishten bizantine termi Romanoi shënon ‘bizantinët’.
  8. Në një tekst përlavdërues pothuaj bashkëkohës, që përkujton fitoren e Konstantinit IX kundër Maniakisit në Ostrovë, Mihail Pselosi ka shkruar, lidhur me varangët në atë betejë, se “një pjesë jo e vogël e kontingjentit rus” ka luftuar për Maniakisin. K. N. Sathas (bot.), Μιχαήλ Ψελλού ιστορικοί λόγοι επιστολαί και άλλα ανέκδοτα, Venice-Paris: Τύποις του Φοίνικος (1876), f. 138. Shih edhe: Jonathan Shepard, “Why Did the Russians Attack Byzantium in 1043?”, në Byzantinische-neugriechische Jahrbücher 22 (1978), 147–212, në 174–175, dhe 175, shën. 1; si dhe Vera Falkenhausen, Untersuchungen über die byzantinische Herrschaft in Süditalien vom 9. bis ins 11. Jahrhundert (Weisbaden: Otto Harrassowitz,1967), f. 91.
  9. Ducellier, ‘Les Albanais’, f. 36-39.
  10. Vranoussi, ‘Οι οροι «Αλβανοι»’, f. 216.
  11. Ducellier, idem, f. 36.
  12. Bekker dhe Brunet, Michaelis Attaliotae historia, f. 9. Teksti i transkriptuar greqisht thotë: Ou mēn de alla kai hoi pote symmachoi kai ēs isopoliteias hēmin symmetechontes, hōs kai autēs tēs thrēskeias, Albanoi kai Latinoi hosoi kata tēn esperian Rōmēn tois ἰtalikois plēsiazousi meresi, polemioi paralogōtatoi echrēmatisan empeparōnikotōs eis ton archonta toutōn tou tote tēn stratēgian ithynontos Michaēl doukos tou Dokeianou.
  13. Autori dëshiron t’i shprehë falendërimin e çiltër Robert Walker-it që i dha një ndihmë të paçmuar në përgatitjen e përkthimit të tekstit anglisht dhe që pati mirësinë ta rishikonte gramatikën e këtij pasazhi.
  14. Ducellier ka qenë në të mirë të këtij interpretimi të pasazhit; te ‘L’Arbanon’, f. 357, shën. 22.
  15. Ducellier, idem, f. 357.
  16. Jonathan Shepard, “The uses of the Franks in eleventh-century Byzantium”, Anglo-Norman Studies 15 (1993), f. 275–305, në 280–281.
  17. Glykatzi-Ahrweiler, “Recherches sur l’administration de l’empire byzantine aux IXe-XIe siécles”, Bulletin de correspondance hellénique 84, no. 1 (1960).
  18. Glykatzi-Ahrweiler, idem, f. 35.
  19. Dion Smythe, ‘Insiders and Outsiders’, në A Companion to Byzantium, bot. nga Liz James (Malden, Mass; chichester: Wiley-Blackwell, 2010).
  20. Jules Gay, L’Italie méridionale et l’Empire byzantin depuis l’avènement de Basile 1er jusqu’à la prise de Bari par les Normands (867–1071) (Paris: A. Fontemoing, 1904), f. 464.
  21. Shepard, idem, f. 282.
  22. Jonathan Shepard, “Byzantium’s Last Sicilian Expedition: Skylitzes Testimony.” Rivista di Bizantini e neoellenici 14–16 (1977), f. 145–59, në 142–143, shën. 1.
  23. Në një akt të patriarkatit të nxjerrë rreth vitit 1082, disa ‘prijës të Dyrrachium-it’ përshkruhen si Dyrrachitai archontes; Stephenson, Byzantium’s Balkan Frontier, f. 167, shën. 31.
  24. William J. Churchill, “The Annales Barenses and the Annales Lupi Protospatharii: Critical Edition and Commentary”, disert., Universiteti i Torontos, 1979, f. 346.
  25. Xhufi, Pëllumb, “Krishterimi Roman në Shqipëri, shek. VI-XVI”, në Simpoziumi Ndërkombëtar: Krishterimi ndër shqiptarë, Tiranë, 16-19 nëntor 1999, botuar nga Dom Nikë Ukgjini, Willy Kamsi dhe Romeo Gurakuqi, Shkodër 2000, f. 89-99, në 91-92.
  26. Gautier, P. (ed.), Nicéphore Bryennios Histoire. Brussels. CFHB IX (1975), f. 269; Reinsch, D. R., and Kambylis, A. (ed.), Amae Comnenae Alexias, Berlin (2001), f. 20.

 

Please follow and like us: