Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Foli Luftari foli kllasa

 

 

 

Para pak ditësh aktori apo artisti i popullit Luftar Paja iu ankua publikut për heqjen nga lista e rimbursimit të një ilaçi zemre. Ku sipas tij, nuk e blinte dot, ishte shumë i shtrenjtë. Kjo pati efektin e menjëhershëm sa që gjithçka u konkludua një zot e di se si… pasi Luftari nuk na e sqaroi më ne si publik, me një fjalë iu gjet një zgjidhje mes një mestari të qeverisë dhe vet Luftarit. Themi u gjet pasi qysh atëherë Luftari nuk u ndje më, ose nuk bëzajti. Me siguri është një nga manovrat, çke ore se e rregulloj unë për ty. Kot më ke mik etj. Një nga ato manovra ku një sërë a soj kaste qeniesh, intelektuale a artistësh, bjen menjëherë dakort, mjaft që t’u shkojë uji në bahçen e tyre. Ashtu si edhe e përmblodhi po ca ditë më parë, Rikard Ljarja punën e diktaturës dyzetë e pesëvjeçare në Shqipëri, krimet e komunizmit apo luftën e klasave, duke thënë se unë për vete kam qënë në rregull, dilja për natë në televizor. Por mos të hapemi shumë. Le të qëndrojmë tek Luftari, thjesht për t’i kujtuar raportin e shqipatrëve me njëri-tjetrin dhe historinë…, sidomos atë të artit. Luftari vet vjen nga ai soj, që quhet produkt i brigadave prodhuese, amatorët. Si shumë të tjerë aty në Fier a Mallakastër. Dhe sigurisht syve të regjisorëve të kohës duke përfshirë këtu edhe Pëllumb Kullën. Pa diskutim që është një talent, por fal aderimit dhe partisë kapi trefish më shumë se shokët e tij. Dhe duke qënë se vjen nga klasa punëtore, normale që do i mëshoj partisë dhe jo historisë së artit. Kjo është karakteristikë e komunistëve që historia bëhet duke larë duart me sapun dhe duke pështyrë anash, pasi nuk ka histori tjetër veç ideologjisë. Përshembull mua a brezave që nuk jemi as të persekutuar as të privilegjuar, kur vjen puna, këmbëngulim që komunistin ta kemi aty, tek historia, në ato mure qëllimisht të rrënuar, qoftë si shtojcë të akademisë së arteve, teatrit etj. I shërbejmë Luftarit ashtu si kurrë Luftari nuk na shërben ne. Që domethënë, ne nuk duam të prishim dhe sigurisht që duam të ndërtojmë. Duam teatër të ri, por diku tjetër. Kjo vetëm moralisht, pa u futur në shkërdhatokracitë e përqindjeve të tenderave, ku rrezik edhe Luftari ka pjesë. Ashtu siç ka pjesë në persekutimin që i bëhej familjeve a shtresave të ndryshme shoqërore. Dhe shoku në fjalë votonte në mbledhjet e partisë. Por për t’u thënë brezave se ne paraardhësit tuaj duam t’ju tregojmë se këtu, tek kjo godinë, tek ky oborr ecën këta edhe ata. Ata që përndoqën, ata që përndoqën, spiunuan njëri-tjetrin por nga ana tjetër na sollën të gjallë edhe Hamletin, Otellon etj. Këtu ishte e djeshmja dhe këtej fillon e reja…., kaq. Për t’ju thënë brezave se udha më e mirë kombëtare është ruajtja si xhevahir e çdo objekti social. Se ndryshe kurrë nuk kemi për të pasur një të vërtetë të përbashkët, një histori tonën. Ndryshe jemi palë me persekutorët dhe zullumet e tyre. E thotë Lasgush Poradeci, e keni tel ftesë në studio e Kadaresë, i thotë Ismailit (e kam risjellur disa herë dhe nuk do të lodhem).., me pak fjalë poeti a artisti i ka faj është bashkëfajtor për krimet e shtetit. Po kjo nuk vlen për një artist komunist nga brigadat e klasës punëtore. Rrevolucionarët që sheshuan gjithçka të bindur se po hapnin një histori të re dhe se nuk do perëndonin kurrë. Kjo nuk vlen për një artist komunist që padrejtësive sociale ua bën në kokë mjaft që atij t’i rimbursohen ilaçet e zemrës. Ndofta edhe ndonjë përpjekje e fundit e gjeneratës së nomenklaturës për të zhdukur butaforinë dhe mëkatet e tyre, ku pa diskutim edhe ti artist i popullit ke pjesën tënde. Ndryshe nuk do e pranoje për kryeministër një person që ka lidhje të drejtëpërdrejtë me varjen në litar. Atë të Havzi Nelës…, kur në gushtin e vitit 1988, dy vjet para rënies së kastës suaj. Por që ty kurrë nuk tu skuq faqja, ndaj sot e trajton demokracinë me materialin e diktaturës së proletariatit.

Please follow and like us: