Skënderbeu, marrëdhëniet e Himarës dhe Mbretërisë së Napolit në shek. XVI
Marrëdhëniet politike dhe diplomatike të mbretërisë së Spanjës mesjetare me Shqipërinë nuk ishin intensive, për arsye që kuptohen lehtë. Distanca gjeografike, përkatësia në dy ambjente të ndryshme kulturore dhe, në rastin spanjoll, përqëndrimi në projektin e Reconquista-s së gadishullit, bënë që kontaktet hispano-shqiptare të ishin praktikisht joekzistente.
Me përjashtim të episodit kalimtar të pushtimit të Durrësit nga flota detare të Luis de Évreux në vitin 1376, që u larguan shpejt nga Shqipëria dhe kaluan në More, duhej pritur mbretërimi i Alfonso-s V të Aragonit (1396-1458) që marrëdhëniet hispano-shqiptare të intensifikoheshin.
Si mbret i Napolit që nga viti 1442, Alfonso filloi një politikë ballkanike ambicioze, si paraardhësit e tij normanë, Hohenstaufen dhe angevinët. Kjo politikë e çoi atë në përballjen me Venedikun, që nuk kishte e shihte me sy të mirë kontrollin e të dy anëve të ngushticës së Otrantos nga i njëjti princ.
Ndërhyrja e Alfonsos në Ballkan u përqendrua përballë Adriatikut të Epirit dhe të Shqipërisë. Ai krijoi aleancat me Gjergj Kastriot “Skënderbeun” në Shqipërinë qendrore dhe me vjehrrin e tij Jorge Arianit (Gjergj Arianiti) në jug.
Në vitin 1451, ai nënshkroi një traktat me Kastriotin, me të cilin ai (Kastrioti) i njihte të drejtat historike që mbretërit e Napolit kishin pasur mbi Shqipërinë, i dorëzonte Krujën dhe të gjitha zotërimet e tij dhe premtonte të paguante haraç nëse respektonte privilegjet e tyre.
Në vitet në vijim, deri në vdekjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe pastaj i biri i tij Ferrante I (1458-1494) vazhduan t’i dërgonin ndihmë Gjergj Kastriotit për luftën kundër turqve.
Ky, nga ana tjetër, shkoi në Napoli në vitin 1462 me 4.000 burra për të ndihmuar Ferranten gjatë një revolucioni pro-anzhuin të fisnikërisë që kishte shpërthyer në mbretëri.
Arritja e Skënderbeut i lejoi Ferrantes të ngrinte rrethimin e Barletës, të mposhtte francezët në Troa (Puglia) dhe të hyjë fitimtar në Napoli.
Kjo ndihmë ushtarake e dhënë nga Skënderbeu për Ferranten I, u bë një temë e përsëritur e memorialeve që shqiptarët i paraqisnin autoriteteve spanjolle, me të cilat ata kërkonin t’i vinin në lëvizje për t’i ndihmuar me të njëjtën mënyrë që kishte bërë Skënderbeu më parë.
Pa frikë se po e ekzagjerojmë, mund të thuhet se këto marrëdhënie ushtarake të Alfonsos dhe Ferrantes me Skënderbeun ishin themeli i kontakteve intensive diplomatike që spanjollët dhe shqiptarët mbajtën gjatë gjithë shekullit të 16-të.
Që atëherë, shumë shqiptarë i shërbyen Monarkisë si agjentë ushtarakë dhe informatorë, jo vetëm në Napoli, por në të gjithë Italinë dhe në ndërmarrjet ushtarake të huaja në Gjermani, Flandër, Francë, etj.
Kontaktet diplomatike të Alfonsos V me Skënderbeun gjithashtu hapën derën e emigracionit shqiptar në Italinë jugore në kohët moderne.
L Giustiniani dallon shtatë faza në të, nga të cilat katër të parat u zhvilluan në shekujt XV-XVI: I) mbretërimi i Alfonsos V; II) mbretërimi i Ferrantes I, kur Skënderbeu shkoi në Napoli në mbrojtje të tij; III) në vitin 1468, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, kur djali i tij Gjoni u strehua në Pulia; iv) emigrimi i coronasve dhe peloponezëve në 1532-1534.
Njihen dokumente të ndryshme rreth procesit të vendosjes së këtyre emigrimeve në Napoli dhe protagonistët kryesorë të tij.
Në shkurt 1519 Carlos V nënshkroi një patentë që emëronte kapitenin Lázaro Mates dhe pasardhësit e tij si mbrojtës të kombeve shqiptare, greke dhe sllave.
Llazari ishte larguar nga Shqipëria në fund të shekullit të XV-të, për të mos jetuar nën ligjin e turqve dhe ishte kreu i një familje stratiote, të cilët në shekullin e XVI-të dhanë shërbime të mëdha ndaj Spanjës, për të cilat morën qeverisjen e familjeve të ndryshme në Pulia dhe Basilikatë.
Një familje tjetër që luajti një rol vendimtar në vendosjen e emigrantëve shqiptarë ishte familja Kastriota-Granai, e lidhur me linjën e Kastriot-Skënderbeut.
Në vitet 1510, perandori Carlos V i dha Alfonso Kastriota-Granait, zotërimet e Markezit Atripalda në Kampania, e caktoi atë guvernator të tokave të Barit dhe të Otrantos, i dha leje për të ndërtuar dhe për të populluar tri territore dhe e konfirmoi atë si kapiten të 500 kuajve të shpejtë.
Nga pozicioni i tij në Pulia, Alfonso mbajti kontakte të ngushta me Shqipërinë dhe Epirin, veçanërisht me Himarën, siç do ta shohim më vonë. Vëllai i tij Ferrando mori privilegje të ngjashme: Zotërimet e Sant’Anxhelos, prona feudale, një kapitenëri të armëve, qiratë, licenca për të ndërtuar shtëpi, etj.
Përveç Mates dhe Kastriota-Granait ne i njohim emrat e grekëve dhe shqiptarëve të tjerë, të cilët u janë dhënë qira, emërime ushtarake, privilegje dhe përjashtime tatimore, siç janë Demetrio dhe Jorge Capuzzimati, Jorge Basta, Dionisio Critopulo, Juan Mates, Constantino Musaquis, Jorge Sofiano ose Miguel Ralis.
Me këto privilegje dhe emërime, autoritetet spanjolle kërkonin dy objektiva: ripopullimin e shtëpive të braktisura në brendësi dhe të bregdetit të Pulias, më të ekspozuara ndaj sulmeve turke dhe paqtimin social dhe politik të mbretërisë kundër fisnikërisë pro-anzhuine. Kishte disa faktorë që çuan popullsinë ballkanike nën sundimin turk të kërkonte mbështetjen ushtarake të Spanjës.
Në radhë të parë ishte afërsia gjeografike e mbretërive të Napolit dhe Siçilisë nën sovranitetin spanjoll. Në rastin e Himarës, fregata e Otrantos kaloi ngushticën (kanalin) prej72 km, në vetëm një orë pa asnjë pengesë. Kjo i dha himariotëve një liri të madhe të lëvizjes në komunikimet e tyre me mbretërinë e Napolit.
Një faktor i dytë që përcaktoi intensitetin e kontakteve ishte ideali i luftës kundër Islamit që impenjonte politikën e jashtme spanjolle. Krahasuar me vendet e tjera evropiane, si Franca, Anglia ose Hollanda, të cilat gjatë shekullit të XVI-të e pranuan Perandorinë Osmane si një aktor tjetër në skenën evropiane, Spanja e mbajti luftën kundër Turqisë si një tipar të shquar të politikës së saj të jashtme.
Këtyre dy faktorëve duhet t’i shtojmë hegjemoninë politike dhe ushtarake të Spanjës në Evropë gjatë shekullit të XVI-të dhe prosperitetin e dukshëm ekonomik për shkak të ardhjes së argjendit amerikan që ndihmoi në financimin e fushatave ushtarake të huaja.
Në planin ligjor të të drejtave d inastike, duhet të kujtojmë se mbretërit e Spanjës së bashkuar kishin trashëguar nga ata të Aragonit titullin e Dukës së Athinës dhe të Neopatit, dhe se Andrés Paleólogo, biri i despotit Tomás de la Morea dhe nipi i fundit të Perandori Konstandin XI, i kishte dhënë Ferdinandit Katolik të drejtat e tij në fronin e Konstandinopojës.
Për më tepër, autoritetet spanjolle i njihnin të drejtat që mbretërit e Napolit kishin pasur në kohët mesjetare në mbretërinë e Shqipërisë, Dukatit të Durrësit dhe Principatës së Akaisë.
Megjithatë, asnjë nga këto tituj dhe të drejta nuk përcaktoi ndërhyrjen spanjolle në Ballkan, as interesat komerciale, praktikisht inekzistente.
Gjatë dekadës së parë të shekullit të XVI-të, Spanja vazhdoi një proces të zgjerimit të shpejtë përmes Afrikës së Veriut, nga Melilla në Tripoli (1497-1511), të cilat e vendosën atë në kontakt të drejtpërdrejtë me Algjerinë e vëllezërve Barbarossa dhe me Perandorinë Osmane.
Në Ballkan, me zhdukjen e Shtetit bllokadë të Hungarisë pas betejës së Mohacit në 1526, perandoritë romano-gjermane dhe osmane erdhën në kontakt me Danubin.
Në 1529, osmanët erdhën në Vienë dhe në vitet e ardhshme bënë disa inkursione në Danub.
Kështu u krijua skenari i konfrontimit Habsburg-Otoman në dekadat e mesit të shekullit të XVI-të: sundimi i Habsburgëve në gadishullin iberik dhe italik dhe i Ballkanit verior deri në Kroaci dhe në rrafshin hungarez, dhe osmanët në Afrikën e Veriut dhe shumicën e Gadishullit Ballkanik.
Revolta e para të Himariotëve në 1433, të mbështetuar nga Gjergj Arianiti
Në këtë skenar të luftës, rajoni i Himarës luajti një rol të rëndësishëm në luftën kundër turqve me mbështetjen spanjolle.
Përveç qytetit që i jep emrin, rajoni përfshin gjashtë fshatra të tjerë, Palasë, Dhërmi, Vuno, Pilur, Kudhës dhe Qeparo.
Afërsia me Italinë e bëri atë një vend të përshtatshëm për një zbarkim të mundshme të trupave të krishtera dhe, anasjelltas, një rrezik për kalimin e bregdetit të Pulias në duart e turqve.
Terreni i saj i thyer e bënte të lehtë mbrojtjen nga sulmet e brendshme, por kundrejt këtij avantazhi kishte disavantazhin e varfërisë së saj bujqësore dhe mungesën endemike të ushqimeve, të cilat në rast të vendosjes së forcave spanjolle do t’i bënin të varur gjatë gjithë kohës ndaj furnizimeve nga jashtë.
Përveç fshatrave të përmendura, kishte edhe rajone të tjera fqinje të Himarës që morën pjesë rregullisht në kontaktet spanjolle-himariote, të tilla si Himara e brendshme (Labëria) ose fshatrat bregdetare nga Borshi në Sarandë.
Në tekstet e shekullit të XVI-të, zakonisht nuk bëhen dallime midis tyre, por të gjitha bashkë quhen me emrin Himarë.
Kur turqit e morën Janinën në vitin 1430, pothuajse i gjithë Epiri mbeti në duart e tyre, përveç zonave të izoluara si Parga, Butrinti apo Himara.
Revoltat e para të himariotëve janë dokumentuar tashmë nga këto data. Në vitin 1433 ata mbështetën Jorge Arianites (Gjergj Arianitin) dhe menjëherë pas kësaj u bashkuan me luftën e Skënderbeut.
Në luftën e parë turko-venedikase (1463-1479) stratiotët në shërbim të Venecias kapën fortesën e Borshit (Kalaja e Borshit) ndërsa himariotët pushtuan qytete të tjera.
Megjithatë, me paqen e vitit 1479 të gjitha territoret e pushtuara iu kthyen Turqisë, mes tyre, dhe qyteti i Himarës. Dy vjet më vonë, Corcodilo Cladás, një estradiot i Peloponezit që kishte luftuar kundër turqve dhe që pas nënshkrimit të paqes kishte kaluar në shërbimin e Ferrantes I të Napolit, zbriti në Vlorë dhe pushtoi pesëdhjetë qytete, mes tyre, sërish Himarën, që iu dorëzua Gjon Kastriotit, djalit të Skënderbeut.
Gjatë luftës së dytë turko-venedikase (1499-1503), Veneci humbi pothuajse të gjitha zotërimet kontinentale të Ballkanit, duke përfshirë edhe qytetin e Durrësit.
Në këtë mënyrë Perandoria Osmane përforcoi dominimin e saj territorial dhe hapi një fazë të re në të cilën do të nhdërrohej në një fuqi të madhe detare. Deri në fund të shekullit të XV-të banorët e Himarës kishin pasur mbështetjen detare të Venedikut, por kur turqit kishin nën kontroll qytetet bregdetare të Adriatikut dhe Jonit (Durrës, Vlorë, Lécautë, Lepanto, Coron, Modon), situata ndryshoi rrënjësisht.
Presioni otoman erdhi duke u rritur gradualisht, duke u ndier veçanërisht në zonat e brendshme, të cilat ngadalë-ngadalë iu nënshtruan një procesi islamizimi.
Ky presion kërkonte të eliminonte privilegjet e dhëna fillimisht dhe të fuste në Himarë institucionet themelore të dominimit të Perandorisë Osmane, siç është tatimi mbi kapitalin e vendosur ndaj jo-muslimanëve (haraçi), marrja e fëmijëve të krishterë për ushtritë qendrore të sulltanit (devşirme/jeniçerët) dhe sistemi i shpërndarjes së tokës në pjesë (timareve) që ishin caktuar për kalorësinë feudale (spahiet).
Në 1518, veziri i parë Ajaz Pasha, një vendas i fshatit Palasë, në shkëmbim të një sërë privilegjesh, duke përfshirë përjashtimin nga tatimi i kapitalit, pavarësinë administrative dhe gjyqësore dhe autonomia ushtarake, i detyroi himariotët t’i dorëzoheshin Portës së Lartë.
Ata vetëm duhej të paguanin një taksë të vogël vjetore si njohje ndaj sovranitetit të sulltanit dhe të kontribuonin me një regjiment për ekspeditat e Portës. Në këto rrethana të reja, himariotët shkuan për të kërkuar ndihmë nga spanjollët e Napolit.
Kështu filluan marrëdhëniet që do të zgjasnin, me ulje e ngritje, gati dy shekuj. Tre janë periudhat më të shpeshta të kontaktit në shekullin e XVI-të dhe dekadat e para të shekullit të XVII-të, që përkojnë me periudha të tjera të kulmeve të luftës të Perandorisë Osmane: vitet 1530 me luftën kundër perandorit në Danub; vitet rreth Lepantos, nga përpjekja e dështuar osmane kundër Maltës (1565) deri disa vjet pas Lepanto, dhe vitet e fundit të shekullit dhe fillimi i shekullit pasardhës, që përkon me luftën kundër Perandorit në Danub (1593-1606) dhe kundër shahut Abbas të Persisë (1602-1614).
Pjesa e II
VITET 1530, dokumentimi i kontakteve tw para të Himarës me Napolin
Kontakti i parë i dokumentuar i Himarës me Napolin është një letër në mars të vitit 1530. Në të, tre priftërinj dhe zotërinjtë e zonës dëshmuan se nuk kishte murtajë dhe prandaj kapiteni Demetrio dhe detarët e tij, të cilët ishin dërguar nga Zotëria (micer-titull) Cristoforo për të ngarkuar lis, nuk ishin bartës.
Në pjesën e dytë të letrës, himariotët u shpallën vasalë të perandorit Carlos V dhe kërkuan një letër nga autoritetet e Napolit për të konfirmuar këtë vasalitet. Kur arriti në Otranto, Demetrio iu afrua burrit të parë që takoi dhe i tha atij se donin të ishin vasalë të perandorit.
Fernando de Alarcón, gjeneral i mbretërisë së Pulias, dhe Alfonso Kastriota-Granai, guvernator i Tokës së Barit dhe Otrantos, dërguan në Himarë një agjent të quajtur Andrés de Otranto, i cili u kthye më 27 prill në shoqërinë e gjashtë drejtuesve nga rajoni, që kërkuan një mijë dukate për fortifikime, pesëqind arcabuce (armë zjarri), ushqime dhe një person të qeverisë.
Alarcon u dha atyre një pjesë të asaj çfarë kishin kërkuar, i urdhëroi të monitoronin lëvizjet e turqve dhe u dha një fregatë për të dërguar lajme.
Ky kontakt i parë tashmë tregon dy karakteristika që do të ruheshin dhe më vonë, rrjedhshmërinë dhe shpejtësinë e komunikimit mes dy anëve të kanalit dhe divergjencën e interesave të himariotëve dhe spanjollëve: ndërsa ata kërkuan ndihmë ushtarake për një revoltë anti-turke, spanjollët kërkonin krijimin e një rrjeti informacioni dhe spiunazhi.
Në letrat drejtuar perandorit dhe Pompeo Colonna-s, vikari i Napolit (1530-1532), Alarcon ishte i gatshëm për të fortifikuar në territorin osman një vend kaq afër Napolit. Jemi në vitin pas sulmit të parë turk kundër Vjenës (1529) dhe dy vjet para kapjes së Coronit (1532) nga Andrea Doria, kështu që nuk mund të hidhej poshtë një mundësia e një pushtimi ushtarak të rajonit.
Sidoqoftë, që nga fillimi është e dukshme politika e mbështetjes së kufizuar që parapëlqenin autoritetet spanjolle: armët dhe municionet, ushqimet dhe materialet për t’u fortifikuar dhe, me raste, një apo më shumë kapitenë për të drejtuar operacionet, por kurrë një ndihmë me trupa dhe as një pushtim ushtarak i vendit.
Ambasada e himariotëve pati pasoja. Në gusht të atij viti, Atripalda i komunikoi perandorit se Sanxhaku i Vlorës kishte urdhëruar që të vrisnin kryebashkiakët e Himarës, të cilët ishin dorëzuar si vasalë te autoritetet spanjolle. Ashtu si Alarcon, Atripalda mendonte se mund të arrihej zotërimi i rajonit me pak shpenzime dhe përfitime të mëdha.
Në prill 1531, tre ambasadorë të tjerë të Himarës arritën në Pulia dhe treguan për fitoret që kishin pasur në përleshjet e tyre me turqit. Duket se në Shqipëri pati një trazirë të madhe atë vit, gjithashtu nga fiset e tjera më veriore.
Në atë kohë Atripalda dërgoi në Konstandinopojë dy burra të tij, Juan Zagorites dhe Dopno Apolonio, të cilët në kthim informuan mbi përgatitjet e turqve për të sulmuar portugezët nga Deti i Kuq. Në korrik, himariotët përsëritën me letër dorëzimin e tyre te perandori dhe kërkuan ndihmë.
Nga letra dimë që venecianët ia kishin hequr anijen me të cilën ai kishte marrë përsëri nga gjashtë ambasadorët e vitit të kaluar mbrojtësit Dimo Prono. Ky veprim, si të tjerët që do të shohim, tregon kundërshtinë e Venedikut ndaj kontakteve të popujve ballkanikë në përgjithësi, dhe të himariotëve në veçanti, me spanjollët e Italisë.
Shkaku i kësaj kundërshtie ishte frika se lëvizjet kryengritëse mund të shqetësonin paqen e brishtë që ata mbanin me Perandorinë Osmane. Një letër nga Atripalda tek perandori na jep më shumë lajme në lidhje me informacionin e sjellë nga ambasadorët.
Sipas tyre, rajoni kishte 70-80 fshatra rebele nga të cilat mund të merreshin 20,000 ushtarë dhe 2,000 kalorës. Në një letër tjetër të nëntorit 1531, Alarcón përsëri u shfaq në favor të përmbushjes së kërkesave të himariotëve, sepse me një shpenzim të vogël do të merrej një fitim i madh.
Viti 1532 ishte i pasur me lajme dhe ngjarje luftarake. Atë vit, një ekspeditë e re otomane arriti deri në Köszeg (Güns) në Danub dhe ushtria perandorake pushtoi sheshet e Coronës dhe Patrës në Peloponez.
Trazirat e përjetuara në Himarë në vitet e kaluara arritën kulmin atë vit me mbështetjen e vendosur që iu dhanë ushtrive të perandorit. Më 9 maj, himariotët i shkruan një letër Alarconit, duke e informuar atë për përgatitjet e ushtrisë osmane në Sofje dhe Ipsala dhe objektivat e armatës turke.
Para trazirave që përjetonte rajoni, sanxhaku i Vlorës u dërgoi priftërinjve dhe pleqve të qyteteve Vuno dhe Dhërmi një urdhër në të cilin i njoftonin për kthimin e sulltanit nga ekspedita kundër portuggezëve dhe dërgimin në More të vezirit të parë Ibrahim Pasha me një ushtri të madhe për ta shkatërruar, sepse kishte marrë vesh “bisedat e kota” që bënin, duke aluduar për një rebelim që lidhej me kontaktet e jashtme që banorët e Peloponezit kishin. Meqenëse sanxhaku e dinte se edhe banorët e Himarës kishin kontakte të jashtme, ai urdhëroi që Togis Tetusis i Vunoit dhe konti Pitzilis i Dhërmiut të paraqiten para tij për të sqaruar situatën. Urdhri u dërgua në Otranto nga himariotët, ndoshta me një letër tjetër të tij, për të demonstruar rrezikun që i kërcënonte dhe për të detyruar dërgimin e ndihmës spanjolle.
Atë verë të vitit 1532, Atripalda vendosi të dërgonte në Himarë Cristoforo Trombetti-in me një letër të tijën, ku pyeste banorët e saj rreth situatës në rajon dhe qëllimet që kishin. Ai u kthye me një letër tjetër të nënshkruar nga pleqtë dhe drejtuesit e vendit, të kryesuar nga protonotario e tij, të datës 14 gusht.
Në letrën e himariotëve përsëritej gatishmëria e tyre në shërbimi të Spanjës, njoftonin për mungesën e grurit dhe kërkuan armë. Ata dhanë një listë të vendeve që përbëjnë krahinën e Himarës, të ndarë në katër zona: bregdetare, malore, kodrinore (zona e Dukatit) dhe rrafshina e Vlorës.
Zaptimi i Coronës nga Andrea Doria më 22 shtator 1532 rizgjoi shpresat e himariotëve, që mblodhën një mijë burra në pritje të një kapiteni dhe urdhri të mbretit për të sulmuar Vlorën. Atripalda i tha vikarit të Napolit në një letër të datës 2 tetor me lajmet e sjella nga njëfarë Gjergj Bullari, i cili kishte kaluar nëpër rajon.
Pak pas kësaj, në Leçe mbërritën katër himariotë të tjerë, të cilët i përshkruan Atripaldës vendin e tyre dhe cilësinë e tokave dhe banorëve të tyre, dhe i kërkuan atij të merrte një vendim për propozimet e tyre, sepse rrethanat e tanishme ishin të papërmirësueshme.
Një letër e re e 11 nëntorit na informon se dymbëdhjetë ditë pas largimit nga rajoni të këtyre katër të dërguarve (emisarëve), të tjerë donin të shkonin në Napoli në shoqërinë e Cristoforo Trombetti, por ishin penguar nga një galerë veneciane, e cila i akuzoi ata për një grabitje dhe filloi t’i bombardonte. Praktika e piraterisë nga ana e himariotëve përmendet nga disa burime të kohës.
Duke gjykuar nga dëshmitë, me raste ata përdornin armët e dërguara nga spanjollët jo në luftën kundër turqve, por në veprimet e piraterisë kundër anijeve të krishtera që kalonin pranë bregut të tyre. Për shkak të trafikut të tyre tregtar me lindjen, venedikasit ishin më të prekurit nga kjo praktikë, e nga kjo rridhnin dhe ankesat e tyre ndaj autoriteteve spanjolle që u dërgonin armë.
Në letrën e nëntorit, himariotët komunikuan ardhjen në Arbëri të disa korrierëve për t’u ofruar drejtuesve një shpërblim të mirë nëse ata shkatërrnin Himarën. Së fundmi, himariotët i kërkuan Atripaldës të dërgonte katër ambasadorët e tyre në shtëpi me shumë mbrojtje, sepse turqit dhe venecianët i ruanin të gjitha lëvizjet e tyre nga deti dhe toka.
Në fund të vitit Atripalda u dërgoi një letër himariotëve për t’i mbajtur në përkushtimin ndaj kurorës spanjolle. 1533 ishte viti i reagimit osman. Siç i kishte lajmëruar guvernatori i Vlorës pleqtë e Vunoit dhe Dhërmiut me anë të urdhrit të tij, Ibrahim Pasha kaloi me ushtrinë e tij në More.
Lajmet e mbërritura në Napoli flisnin për shkatërrimin e disa fshatrave në zonën e Patras-Cálabrita dhe për një intensifikim të jeniçerizmit, i cili i detyroi banorët e zonës të kërkonin strehim në male dhe të prisnin atje kundërsulmin e ushtrisë perandorake. E njëjta situatë përjetohej në Vlorë dhe Himarë.
Nga një letër e 6 shtatorit dhe nga informacioni i disa të dërguarve në Pulia, dimë se kur armata e Andrea Doria u largua nga Koroni, ku kishte sjellë furnizime dhe ndihmë, katër sanxhakë kishin shkuar në Vlorë për të mbrojtur qytetin nga një zbarkim i mundshëm i flotës perandorake.
Pasi kjo më në fund nuk u arrit, sanxhakët shfrytëzuan takimin për të sulmuar Himarën. Njëri prej tyre sulmoi Butrintin dhe vrau 30 të rinj, por pësoi shumë viktima në radhët e tij. Pas sulmit, përfaqësuesit nga të gjitha shtëpitë e rajonit u takuan përsëri dhe vendosën të dërgonin ambasadorë të rinj me një letër për të kërkuar ndihmë nga autoritetet spanjolle.
Deri këtu vijnë lajmet nga kjo fazë e parë e kontakteve hispano-himariote. Mungesa e dokumentacionit arkivor që nga shtatori 1533 tregon një pezullim të papritur.
Arsyet për ndërprerjen janë lehtësisht të kuptueshme: a) Në pranverën e vitit 1534 Carlos V riatdhesoi garnizonin e Coronit dhe solli në Napoli si grekët dhe shqiptarët që donin të largoheshin nga qyteti. Vështirësia e furnizimit të sheshit dhe kostoja e lartë ekonomike e mbrojtjes së saj sollën këtë tërheqje.
b) Në 1533, Jairedin Barbarroja, Zoti i Algjerëve, iu dorëzua Sulejmanit, i cili e emëroi Admiralin e flotës osmane dhe Bejlerbej të Afrikës së Veriut dhe në shkurt të vitit 1536 Sulejmani nënshkroi një traktat miqësie me Francën. Me këto dy fakte historike, konfrontimi hispano-turk u zhvendos nga Mesdheu qendror në perëndim dhe në veri të Afrikës (fushatat e perandorit kundër Tunizisë në 1535 dhe Algjer në 1541).
Në 1537, sulltani planifikoi një zbarkim në Pulia dhe, duke përfituar nga qëndrimi i tij në Vlorë, sulmoi himariotët, të cilët përsëri kërkuan strehim në male. Pastaj ai sulmoi Korfuzin, duke filluar luftën e tretë turko-venedikase (1537-1540).
Ne kemi disa lajme indirekte për pjesëmarrjen e himariotëve në këtë luftë, por arkivat spanjolle nuk kanë mbajtur ndonjë dokument përkatës të kësaj faze. Për ta përmbledhur, faza e parë e kontakteve hispano-himariote u zhvillua brenda kuadrit të politikës perandorak të Carlos V dhe kishte si objektiv të palës spanjolle mbledhjen e informacionit mbi përparimin osman nëpërmjet Danubit dhe për të larguar perandorin prej saj.
III
1566-1577/ Rikthimi i kontakteve të Himarës me Spanjën ttri dekada mw pas
BETEJËS DETARE e LEPANTOS (1566-1577)
U deshën tri dekada që të riaktivizoheshin kontaktet midis banorëve të Himarës dhe autoriteteve spanjolle në Napoli. Vitet ndërmjet viteve 1560 dhe 1574 ishin kulmi i përballjes hispano-turke. Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve u zhvilluan ekspeditat, spanjollja kundër Djerba në 1560 dhe turkja kundër Maltës në 1565, beteja detare e Lepantos dhe epilogu i pushtimit dhe humbjes së Tunizisë nga spanjollët në 1573-74.
Natyrisht, Himara nuk qëndroi larg nga përballja. Nga dokumentet e kësaj periudhe ne e dimë se pas nënshkrimit të paqes turko-venedikase të vitit 1540, himariotët u detyruan të pranonin status quo-në që doli prej saj. Pas saj, turqit shfrytëzuan qetësinë relative për të konsoliduar sundimin e tyre në zonë.
Në vitin 1548 ata pushtuan territorin me fjalë të mira, duke imponuar një spanjoll për himariotët për punët e mbikqyrjes, që bënin vetë ata, por me sa duket pa futur haraç ose devşirme.
Ndoshta në atë kohë u rindërtua fortesa e Borshit, objektivi i sulmeve të himariotëve në periudhën e re të luftës. Më vonë, turqit u caktuan atyre një garnizon prej 2,000 burrash që t’i mbanin në territorin e tyre dhe më në fund në 1563-64 zëvendësuan spanjollët e fortesave, u vendosën taksa dhe u përpoqën të fusnin nizamin (devsirme).
Deri këtu erdhi durimi i himariotëve, të cilët edhe një herë vendosën të marrin armët. Kontaktet rifilluan në 1566, një vit pas sulmit otoman në Maltë. Dy udhëtime nga Cristoforo Trombetti në Himarë në korrik dhe gusht u përdorën për të pasur dijeni mbi lëvizjet e ushtrisë osmane, të cilat hynë në Detin Adriatik atë vit për të mbështetur ekspeditën tokësore të sulltanit në Danub.
Turqit zbarkuan në Himarë dy herë, herën e parë për të ndihmuar guvernatorin e rajonit që t’i detyronte banorët e tij të paguanin haraçin, dhe të dytën, për të dënuar ata që morën armët. Sipas lajmeve të mbërritura në Napoli, kryengritja ishte e përgjithshme në rajon dhe vetëm fortesa e Borshit, me 200 burra, ishte në duart e turqve.
Për ta marrë atë, himariotët kërkuan nga Duka de Alcala, vikar i Napolit (1559-1571), barut dhe artileri. Në fillim të shtatorit Alcalá dërgoi kapitenin Juan Tomás Saeta me 12 fuçi baruti dhe letra të tijat që mbushën himariotët me gëzim.
Saeta kaloi 18 ditë në Himarë dhe u kthye me dokumente me interes të madh mbi rajonin dhe banorët e tij: i) betimin e banorëve të qytetit të Himarës dhe fqinjëve të tjerë, si Kudhësi, Piluri, Zhulati, etj., deri në nëntë (qytete/fshatra) në total, në të cilin ata zotoheshin të merrnin armët kundër turqve kur ta urdhëronte vikari ; ii) një letër të himariotëve për të; iii) një listë të shtëpive dhe burrave të aftë për luftë të fshatrave të ndryshme në rajon, dhe iv) një përshkrim të hollësishëm të rrethinave të Himarës.
I ngarkuari për të udhëtuar në Napoli me Saeta ishte Gjin Alexi Zacna, i cili në emër të bashkatdhetarëve të tij kërkoi barut, municion, artileri dhe disa kapitenë për të marrë fortesën e Borshit. Në vitet në vijim gjetëm disa anëtarë të familjes Zacna të përfshirë në kontaktethispano-himariote: Nicolás, biri i Gjin Alexit, dhe vëllezërit Stratis dhe Gjin, ndoshta fëmijët e Nicolás.
Ky i fundit përmend një përkujtim të tijin të vitit 1616 (shih më poshtë) për një gjysh me emrin Aleksandër Zacna, ndoshta babai i Gjin Alexit. Sipas informacionit të Saeta, himariotët ishin njerëz trima, me shtat të mirë dhe të fortë, dhe ishin të armatosur me shpatë të shkurtër, dhe disa me shpatë të gjatë. Kishte mungesë arquebusesh (tip pushke) në rajon, kështu që ata kërkonin që t’u dërgoheshin një mijë të tilla.
Zona që kontrollohej nga himariotët ishte 60 milje e gjatë dhe në të kishte shumë pak turq. Për t’i mbajtur ata të përkushtuar ndaj kurorës së Spanjës, Saeta rekomandoi t’u jepeshin paga udhëheqësve të rajonit. Ai gjithashtu njoftoi se fortesa e Borshit, e vendosur tetë milje nga Himara dhe një milje nga bregu, kishte një mur prej katër pëllëmbësh (të gjerë) dhe një trupë prej 150 burrash (me gra dhe fëmijë, gjithsej 1.000 njerëz).
Vikari i dha Gjin Alexit ushqime dhe pyeti gjykatën e Madridit se çfarë duhej të bënte me kërkesën e armëve. Në hakmarrje për humbjen e shkaktuar admiralit Pialí Bajá më 1566, në verën e vitit 1567, sulltani i ri, Selimi II dërgoi shtatë sanxhakë kundër Himarës për të ndëshkuar banorët e saj.
Nuk kemi mbajtur dokumente të viteve të ardhshme, por nga lajmet indirekte dimë se kontaktet midis Himarës dhe Napolit nuk ishin ndërprerë. Megjithatë, ndihma spanjolle nuk materializohej kurrë në dërgimin e ushtrisë, që ishte kërkesa e bërë nga himariotët, kështu që në 1570 ata vendosën të shkonin në Venedik, nga i cili morën një përgjigje të shpejtë.
Pjesa e dyte
Në maj, pleqtë e qyteteve Himarë, Vuno, Dukat, Pilur, Dhërmi, Palasë dhe Ilias premtuan besnikëri ndaj Venedikut. Furnizuesi i përgjithshëm i detit Sebastiano Venier shkoi në Himarë dhe më 10 qershor mori fortesën e Borshit. Pas suksesit, fshatrat e tjerë u bashkuan me rebelët.
Në të njëjtën kohë, Pedro Chucharo, një estradiot shqiptar në shërbim të spanjollëve në Milano, bëri një propozim për kryengritjen e disa fiseve malore të Shqipërisë dhe Himarës, të cilët sipas informacioneve të tij, donin të rebeloheshin. Sipas Chucharo, shqiptarët preferonin të luftonin në krah të spanjollëve për shkak të arbitraritetit që flota e Venedikut po kryente në territorin e tyre.
Marrja e Borshit kishte treguar se gatishmëria e shqiptarëve ishte e sinqertë dhe se mundësitë e pushtimit ishin të vërteta, por politika spanjolle në zonë nuk parashihte një ndërhyrje ushtarake të hapur. Ndërmarrjet e Coronit (1532-34) dhe Herceg Novi (1538-39) në kohën e Carlos V kishin treguar se një pushtim i befasishëm ishte i mundur, por që mbajtja e territoreve të pushtuara ishte e vështirë dhe e kushtueshme me një prapavijë armike.
Autoritetet spanjolle nxitën dhe mbështetën revoltat e bashkësive të krishtera të pakënaqura me politikën osmane si një mjet për të dobësuar Turqinë, por jo për t’i përfshirë territoret e tyre në Monarki. Venediku, nga ana tjetër, mbështeti propozimet ushtarake që i vinin në kohë lufte, por kur nënshkroi paqe me Turqinë, shpejt u kthye në territoret e pushtuara dhe nuk hezitoi të shtypte çdo përpjekje për revoltë që mund ta thyente.
Nënshkrimi i paqes turko-venedikase e vitit 1573 ishte një zhgënjim për himariotët, të cilët përsëri kërkuan aleancën spanjolle. Në gusht të atij viti, një himariot i quajtur “Gincha” mbërriti në Otranto për të takuar Juan de Austria. Në letrën që ai solli, shumë të shkurtër, himariotët shprehën përkushtimin ndaj Felipe II dhe Don Juan dhe dëshirën për të luftuar dhe për të vdekur nën flamurin e tyre.
Në vitet në vijim kontaktet diplomatike hispano-himariote u riaktivizuan edhe një herë. Në korrik 1575 Juan Andrea Segna (ose Tegna) paraqiti një raport mbi Himarën, ku kishte udhëtuar. Në të, ai pohoi se situata e banorëve të saj ishte e dëshpëruar, sepse pritej sulmi i përbashkët nga deti dhe toka e një kontigjenti të madh të turqve, që lajmet e mëvonshme e zbehën (numrin e turqve). Siç thuhej, objektivi i tyre ishte fortesa e Borshit, e cila me sa duket ishte në duart e rebelëve.
Përveç kontakteve të tij të drejtpërdrejta me autoritetet spanjolle në Napoli, Himara u përfshi edhe gjatë shekullit të XVI-të në veprimtaritë antiosmane të dy kryepeshkopëve të Acridës (Ohrit), Joaquin dhe Atanasio I.
Në vitin 1573, dy epirotë fisnikë, Mateo Papajuan dhe Pano Cestólico, i propozuan në emër të Joaquín de Acrida Juan-it të Austrisë organizimin e një kryengritjeje në “Greqinë e Ulët”, që do të thotë, në Epirin e Veriut dhe në Maqedoninë perëndimore. Në maj të vitit 1574 Papajuan paraqiti në Madrid disa memoriale, në të cilat vihej në dukje lehtësia me të cilin mund të pushtoheshin provincat e Greqisë së Poshtme dhe Shqipërisë.
Nga Madridi Papajuan u dërgua në Siçili për t’u takuar me Juan-in e Austrisë, i cili iu përgjigj peshkopëve dhe udhëheqësve të rajonit me një letër të datuar më 9 tetor 1574në Trapani ku shprehu kënaqësinë e tij për dëshirën që ata kishin për të luftuar kundër turqve dhe i siguroi se fatkeqësia që pësoi ushtria e tij atë verë (humbjet e Tunizisë dhe La Goleta) nuk do ta pengonin që t’u vinte në ndihmë.
Prandaj ai u kërkoi që të dërgonin një raport të detajuar të tij të forcave të tyre, furnizimeve që u nevojiteshin, trupave turke në zonë, mundësinë e mbajtjes së pushtimeve, etj.
Më 24 qershor 1575 i dorëzoi kapitenit Antonio de Echávarri, i cili ishte porositur të udhëtonte në zonë për ta shqyrtuar, një udhëzim me urdhrat e asaj që duhet të bënte gjatë udhëtimit. Echávarri duhej të njihte të gjithë krahinën dhe të mblidhte të dhëna për shtigjet natyrore, vendet e forta dhe të dobëta, fortesat e turqve, vendasit, armët që kishin, mundësinë e përdorimit të kalorësisë, etj.
Ai duhej t’u kushtonte vëmendje të veçantë shesheve të Vlorës dhe Borshit, nga të cilat mund të nisej ndihma turke. Përveç Mateo Papajuan dhe Gjin Alexi Zacna, në shoqërinë e Echávarrit, udhëtuan dhe djemtë e tij Nicolás dhe Andrés Musaqui (Ndreu Myzaqi). Përgjegjës për t’i çuar në Himarë në fregatën e tij ishte Juan Andrea Segna, i cili sapo ishte kthyer nga Himara dhe kishte paraqitur raportin alarmues të lartpërmendur.
Megjithatë, misioni vazhdoi përpara dhe më 13 korrik delegacioni hyri në Otranto në drejtim të Epirit. Udhëtimi zgjati pak më shumë se një muaj. Raporti i shkruar nga Echávarri në kthimin e tij daton më 19 gusht. Në të ai adresonte të gjitha pikat që ishte urdhëruar të hetonte.
Thotë se rajoni është i ashpër dhe i fortë, i vështirë për t’u depërtuar nga bregu. Pika e tyre e vetme e dobët ishte vendndodhja e fushave në pllajën bregdetare, gjë që i bënte të pambrojtur nga deti. I përshkruan banorët e saj si luftarakë, armiq të ashpër të turqve dhe shumë të dhënë pas kurorës së Spanjës.
Njeriu më i respektuar mes tyre ishte Gjin Alexi Zacna, edhe pse mosha e tij e avancuar e pengonte atë të fillonte ndërmarrjen dhe të qeveriste himariotët. Echávarri thotë në raportin e tij se territori prodhon ushqimet kryesore për jetesën e tyre, por ata nuk e kanë zakon t’i ruajnë nga një vit në tjetrin, por e shesin tepricën.
Ekziston vetëm një lumë i madh në rajon, Vjosa, i cili nuk përbën pengesë për ndërmarrjen, sepse është përtej maleve. Në anën tjetër të lumit është toka e Shqipërisë në drejtim të Durrësit, ku mund të mblidheshin më shumë se 100,000 luftëtarë. Sipas mendimit të Echávarrit, nëse pushtoheshin Vlora dhe Borshi, banorët e Himarës mund të bënin luftë me turqit pa vështirësi të mëdha, sepse turqit nuk mund t’i sulmonin nga deti me këto vende në duart e tyre.
Kështu, pasi të dëboheshin nga Shqipëria, turqit nuk mund të ktheheshin më nga asnjë prej tre hyrjeve të saj, as nga veriu, as nga lindja, as nga ana e jugut. Nëse turqit do e kishin shtënë në dorë pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, do kishte qenë prej përçarjes së brendshme të banorëve të saj, por tani ata e kishin mësuar mësimin dhe tregoheshin të gatshëm të vdisnin para se ta linin të hynte sërish në territorin e tyre.
Echávarri ishte në favor të heqjes së turqve nga Borshi dhe shtyrjes së ndërmarrjes në Vlorë për më vonë. Sipas mendimit të tij, me njëqind galera (anije ose garnizone), mund të pushtohej e gjithë Greqia e Ulët, nga Durrësi në Janina dhe tre kalimet e përmendura.
Më 31 gusht, u urdhërua Don Juan de Austria për t’u dërguar himariotëve ndihmën e kërkuar me barut, municion dhe një mijë arquebuses, sepse nuk rrezikohej nga ata. Lajmet e mëvonshme janë disi konfuzuse. Ato të 1575-ës flasin për mbrojtjen e fortesës së Borshit nga himariotët dhe ato të vitit 1576, për ripushtimin e saj, sepse me sa duket turqit e kishin rimarrë në vjeshtë-dimrin e vitit 1575-76.
Pas ripushtimit, himariotët i kërkuan Markezit de Mondéjar-ut, vikarit të Napolit (1575-1579), nëse duhet ta mbanin fortesën apo ta shkatërronin. Mondéjar zgjodhi opsionin e dytë dhe ia besoi këtë agjentit grek Pedro Lantzas. Lantzas mbërriti në Himarë më 29 korrik 1576.
Pas u mori banorëve besën për besnikëri ndaj mbretit të Spanjës, ai shkoi me ta në fortesën e Borshit, të cilën e çmontuan (29-30 korrik). Tre muaj më vonë, më 2 nëntor, një letër e re e himariotëve, tregon se si ata i ishin nënshtruar vite më parë Dukës së Alkalisë dhe se si kishin luftuar kundër turqve, sidomos në ditën e Lepantos.
Përkundër kësaj, ndihma spanjolle nuk kishte kishte shkuar përtej premtimeve, përveç armëve që u kishte çuar Juan i Austrisë dhe dërgimit të Lantzas për të çmontuar Borshin. Pas këtij suksesi, himariotët u propozuan spanjollëve marrjen e Vlorës, e cila mund të bëhet me 20 galera dhe 3,000 ushtarë, ndërkohë që ata merrnin (shtinin në dorë) pasazhet malore.
Gjithashtu kërkuan leje për të marrë furnizime nga Napoli, sepse Venedikasit e Korfuzit, vendi i tyre i zakonshëm i furnizimit, u kishin vënë embargon për luftën e tyre kundër turqve. Vikari Mondéjar ishte kundër ndërmarrjes së Vlorës për shkak të rrezikut dhe dobisë së pakët, por u dha leje për të marrë njëqind karroca gruri nga mbretëria.
Veprimi i fundit që ne dimë për ambasadën e Greqisë së Ulët është letra e 1 Qershorit 1576 që Joaquín de Acrida i dërgoi Juan de Austria në përgjigje të letrës së tij të datës 9 tetor 1574. Në të i shfaqte gëzimin që kishte ndier me marrjen e letrës së tij, por edhe pikëllimin që i kishte shkaktuar këputja e Lidhjes së Shenjtë dhe, mbi të gjitha, indiferenca e Juanit të Austrisë, sepse nëse ai do të kishte vepruar më parë, do të ishin korrur fitore të mëdha për shkak të dobësisë së turqve .
Joaquin kërkoi dërgimin e një agjenti në territorin e tij për besueshmëri më të madhe të propozimeve të tij. Prej vitit 1577 është një kërkesë e re për armët, municionin dhe ushqimet për himariotët e paraqitur në Madrid nga kapiteni shqiptar Pedro Luche. Felipe II e dërgoi atë te Vikari i Napolit, të cilit i dha leje për të dërguar armë dhe municione në rajon, por jo ndihmë direkte me luftëtarë.
Prej vitit 1577 lajmet rreth Himarës pushojnë edhe njëherë. Arsyet për këtë janë të dukshme: së pari armëpushimi i nënshkruar nga Spanja dhe Turqia në shkurt 1578, gjë që bëri të paimagjinueshme mbështetjen njëkohësisht të rebelëve të Portës Sublime (së Madhe); së dyti, “kthesa” Atlantike e politikës së jashtme spanjolle pas fillimit të luftës së hapur të Flandrës (1572) dhe përfshirjes së Portugalisë në Monarki (1580), gjë që devijoi vëmendjen e Filipit II nga Mesdheu; së treti, vëmendja në rritje e Spanjës ndaj çështjeve të Amerikës; dhe së fundi, zhgënjimi dhe lodhja e himariotëve pas një dekade të gjatë (1566-1577) të kërkesave pa përgjigje.
Ishte e nevojshme të pritej ardhja e një brezi të ri në mënyrë që himariotët të kërkonin edhe një herë ndihmën spanjolle. Kjo heshtje e arkivave spanjolle pas 1577-ës bën kontrast me bollëkun e dëshmive rreth kontakteve diplomatike të krijuara me Romën ndërmjet viteve 1577 dhe 1582. Himariotët i dërguan të paktën katër ambasada Papës Gregori XIII dhe disa kardinalëve, për të cilat kemi ruajtur disa dokumente origjinale.
Në letrat e tyre, himariotët kërkonin ndihmë financiare për të rindërtuar kishën e tyre dhe ndërmjetësimin e Papës para Felipe II të Spanjës për t’u dërguar atyre ndihmë ushtarake. Këto ambasada janë rindërtuar mirë nga studiues të tjerë para meje, kështu që unë do të flas për ta që të mos ndikuar në marrëdhëniet me Spanjën (nuk kuptoj ç’ka dashur të thotë autori me këtë).
5.- REVOLTA E ATANASIOS SË ACRIDA (OHRIT)
Të detyruar nga murtaja dhe uria, në vitin 1590 himariotët iu nënshtruan turqve. Udhëtari hollandez Jan van Cootëijk (Cotovicus), i cili kaloi nëpër rajon disa vjet më vonë, thotë në librin e tij të udhëtimit se venedikasit i kishin ndaluar banorët e Korfuzit të prisnin ndonjë himariot nga frika e ngjitjes së murtajës dhe se u kishin mohuar blerjen e sendeve ushqimore në ishull.
Kjo i detyroi chimarrotët të dorëzoheshin sanxhakut të Epirit, me të cilin ata nënshkruan një pakt. Megjithatë, qetësia nuk zgjati shumë. Fillimi i luftës midis Turqisë dhe Perandorisë nga ana e Danubit (1593-1606) ringjalli dëshirën për rebelim kundër sundimit osman.
Në verën e vitit 1594, dy të dërguarit e Himarës arritën në Romë për të kërkuar armë, municione dhe barut për luftën kundër turqve. Në tetor, Papa u dërgoi banorëve të saj një letër, në të cilën i këshillonte që të qëndronin besnik në besim (fe), dhe disa armë dhe municione. Por protagonisti i vërtetë i kontakteve midis Himarës dhe Napolit në vitet e fundit të shekullit të XVI-të dhe fillimit të shekullit të XVII-të ishte përsëri një kryepeshkop i Acrida(Ohrit), Athanasius I.
Në një memorial që paraqiti në vitin 1598 në oborrin e perandorit Rodolfo II (1576-1612), Athanasiusi tregonte se si e kishte vënë veten në krye të revoltës së himariotëve. Në verën e vitit 1595 autoritetet kishtare të krahinës së Acrida (Ohrit) mbajnë një sinod në të cilin ata vendosën të organizonin një vespersë siçiliane dhe të dërgonin një lajmëtar drejtuar princërve të krishtërimit për të kërkuar ndihmë.
Ambasadori i zgjedhur ishte vetë Atanasio, i cili, nën pretekstin e një vizite baritore në rajonin e Dropullit, shkoi në Himarë me qëllimin për të shkuar në Napoli. Athanasi u njoh nga banorët e saj, që e mbajtën dhe e vunë në krye të rebelimit në të cilin ishin zhytur.
Burimet e Venedikut pohojnë se Athanasius u vu fillimisht në kontakt me venedikasit e Korfuzit. Furnizuesi i përgjithshëm i detit Antonio Basadonna udhëtoi për në Butrint, ku u takua me të më 26 janar 1596. Atanasio e siguroi atë se spanjollët po përpiqeshin të ngrinin Shqipërinë në revolta dhe për këtë ata u kishin dërguar letra zotërve të ndryshëm të rajonit.
Ai gjithashtu i tha atij se ata u kishin dërguar armë dhe municione himariotëve. Së fundi, ai ofroi t’u jepte venedikasve gjithë Shqipërinë në jug të Durrësit. Oferta u refuzua nga Basadonna, kështu që Atanasio vendosi të kontaktojë spanjollët në Napoli.
Nga dërgesat e Giovanni Sagredo,gjykatës (baile term i vjetër) vendikas i Korfuzit, ne e dimë se, pas ambasadës së himariotëve në Romë në 1594, fregata e Otrantos kishte marrë armët në Himarë me leje papale, armë që sipas Sagredo, banorët e saj nuk i kishin përdorur kundër turqve, por në veprimet e piraterisë kundër anijeve të krishtera që kalonin në bregdetin e saj.
Gjithashtu i akuzonte ata se bënin biznes duke ua rishitur turqve. Sagredo u përpoq të pengonte këtë tregti, gjë që provokoi protestën e vikarit të Napolit para Girolamo Rannusio-s, ambasadori venedikas në mbretëri, sepse ndihma për himariotët ishte bërë gjithmonë me dijen dhe lejen e autoriteteve të Venedikut.
Në verën e 1596 u bënë përgatitje të mëdha ushtarake dhe detare në Napoli, për të cilat Rannusio informoi zotërinë (parinë). Sipas lajmit të tij, spanjollët po përgatiteshin të pushtonin Vlorën me propozimin e Athanasit, i cili kishte premtuar të ngrinte gjashtë mijë shqiptarë dhe kishte kërkuar armë, municione dhe luftëtarë për të marshuar kundër Kaninës. Rannusio flet për 16 kompani të këmbësorisë, secila prej më shumë se 250 burrash, që bënin një total prej më shumë se 4000 luftëtarësh. Pedro de Toledo, gjeneral i galerave të Napolit, ishte i gatshëm të kalonte në Shqipëri, por në momentin e fundit admirali Juan Andrea Doria e ndaloi atë të merrte detin. Juan Andrea, i cili kishte luftuar në Lepanto në vitin 1571 dhe një vit më vonë kishte shkuar në More me armë dhe municione për t’i shpërndarë mes kryengritësve pa dalë askush që t’i merrte, ishte skeptik për propozimet për rebelim që vinin nga lindja.
Nuk është për t’u habitur që katër vjet më vonë, në vitin 1600, ambasadorët e Dionisio de Larisa, të cilët udhëtuan për në Madrid për të kërkuar ndihmë për revoltën e tyre, shprehimisht kërkuan që të mos i besohej komanda Juan Andreas, të cilin e akuzonin për pandjeshmëri dhe pasivitet.
Edhe pse marina spanjolle nuk e kishte kaluar kanalin, siç bënin himariotët, këtë e bënë disa kapitenë grekë dhe shqiptarë që ishin në shërbim të kurorës në Napoli, si Miguel Bua dhe Giovanni Golemi, të cilët nën komandën e mjeshtrit të fushës Ottaviano di Loffredo morën një mijë arquebuses, plumba, barut dhe fitila.
Më 10 gusht, himariotët pushtuan kështjellën e “La Cerna” (Kaninës?)nën komandën e Loffredo, në të cilën një flamurtar arriti të vendosë flamurin. Një pjesë e sulmuesve iu përkushtuan plaçkitjes dhe ikën maleve me plaçkën. Ottaviano iu desh të mbante pushtimin me pothuajse 50 burra, por në fund u detyrua të tërhiqej pa e shkatërruar kështjellën.
Ne i njohim emrat e grekëve dhe shqiptarëve të tjerë të përfshirë në këtë veprim lufte, si Esteban Bublia, një vendas i Korfuzit, i cili kishte marrë pjesë me Gjin Alexi Zacna në një kryengritje të dështuar më 1587, ose Nikodemus Kostandin, kalorës fisnik grek dhe kryedhjak i kishës katedrale të Acrida(Ohrit).
Duke gjykuar nga burimet, ndërmarrja e Himarës, e propozuar nga Atanasio i Acrida (Ohrit), u përfshi në mosmarrëveshjet personale që kishin dy agjentë në shërbim të Spanjës në Napoli, korfuzasi Pedro Lantzas dhe epiroti Jerónimo Combis, mbikëqyrës i përgjithshëm i shërbimit të spiunazhit dhe informacionit mbi lindjen në mbretërinë e Napolit.
I pari ishte një nga mbështetësit kryesorë të himariotëve para vikarit të Napolit, ndërsa i dyti ishte në kundërshtim me propozimet e tij. Në memorialin e lartpërmendur të 1598-ës, Atanasio fajësoi Combisin për refuzimin e që i bëri Juan Andrea Doria lejës për të shkuar në Himarë ushtrisë spanjolle në verën e vitit 1596.
Atanasio e akuzoi se ishte një agjent i dyfishtë në shërbim të Venedikut dhe Portës Sublime (së Madhe), të cilës i dërgonte lajme nëpërmjet një vëllai renegat. Ai kishte qenë ai që duhet ta kishte bindur Pedro de Toledon të mos shkonte në det, duke i thënë atij se rebelët e Himarës kishin nënshkruar paqe me turqit.
Së fundi, duhej të kishte bindur Búa-n dhe Golemi-n të shkruanin një raport negativ për gjendjen në rajon në kthimin e tyre nga Himara, në të cilën thoshin se rebelët nuk kishin më fuqi dhe se turqit që i rrethonin mund t’i sulmonin në çdo kohë.
Raporti kundërshtonte (binte në kontradiktë) me lajmet e sjella nga një nip i Atanasio dhe dy ambasadorë himariotë, të cilët përgënjeshtruan versionin e Búa-s dhe Golemi-t dhe theksuan lehtësinë e ndërmarrjes. Ambasadorët u mirëpritën mënyërë të shkëlqyer në Leçe nga Ottaviano di Loffredo, i cili në këtë mënyrë donte që të gjithë të dinin se atë verë ai kishte qenë kapiten i përgjithshëm i tyre në kapjen e “La Cerna” (Kanina?).
Ashtu si në raste të tjera, ambasadorët morën disa armë dhe municione, por asnjë ndihmë në njerëz dhe galera, kështu që ata u kthyen në shtëpi të zhgënjyer. Situata vazhdoi e pandryshuar në muajt në vijim. Himariotët i kërkuan ushtrisë të kalonte kanalin për t’i mbështetur, por spanjollët refuzuan të ndihmonin me burra dhe anije.
Në muajt e parë të vitit 1597, banorët e fshatrave dhe kodrave të Himarës u mblodhën në praninë e Athanasiusit për t’i treguar atij bindjen e tyre. Turqit, nga ana tjetër, ishin të frikësuar nga një sulm i mundshëm spanjoll. Në fund të majit 1597, dy ambasadorë të rinj mbërritën në Napoli për të kërkuar përsëri armë dhe municione, por nuk u pritën nga vikari.
Të ballafaquar me refuzimin e përsëritur të autoriteteve spanjolle për të dërguar ndihmën e kërkuar, Atanasio vendosi të kalonte në Itali. Ai udhëtoi së pari në Romë, ku kërkoi katër mijë këmbësorë, 20 kapitenë, armë dhe barut. Paratë për të paguar këto trupa do të vinin nga vetë rebelët, të cilët kishin fshehur gjysmë milioni dukate. Sipas planit të propozuar, në fillim të marsit të vitit 1598, rebelët do të paraqiteshin në Vlorë dhe pastaj do të kalonin në Himarë, ku do të prisnin forcat e dërguara nga Papa.
Athanasi premtoi të mbledhë 200,000 njerëz për të marshuar drejt Konstandinopojës. Pas tre muajsh qëndrimi në Romë, në janar të vitit 1598, Atanasio udhëtoi për në Napoli, ku kaloi gjashtë muaj. Në fund të qershorit, ai shkoi në Europën Qendrore i shoqëruar nga Jeremia Bateo, Peshkop i Pelagonias-Perleapos (Maqedoni). Në oborrin e perandorit në Pragë ai paraqiti memorialin që kam përmendur me informacione për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe akuzoi venedikasit si aleatë të Turqisë dhe armiqë të krishtërimit sepse kishin frenuar kryengritjen e përgjithshme të Shqipërisë dhe Greqisë. Perandori i dha atij disa para dhe një letër rekomandimi për Mbretin e Spanjës.
Përktheu nga spanjishtja: Kebriona VELIAJ
*Shënim: Studiuesi spanjoll, Prof.Jose Manuel Floristan Imizcoz, e ka përgatitur këtë kumtese për Konferencën Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që u mbajt më 31 maj në Tiranë. Titulli në origjinal i këtij studimi është “Marrëdhëniet diplomatike mes Himarës dhe Mbretërisë së Napolit në shek. XVI: Ambasada dhe Ambasadorë”. Titujt dhe nëntitujt në artikullin e botuar në suplementin “Rilindasi” të “Shqiptarja.com” janë redaksionalë.