Albspirit

Media/News/Publishing

Maks Velo kundër shembjes së Teatrit Kombëtar: Defektet e projektit danez

Arkitekti Maks Velo, i ftuar në “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili në “News 24” ka deklaruar prerë se Teatri Kombëtar nuk duhet të shembet. “Aty ka katër probleme. Problemi i parë është i tokës, problemi i dytë është i teatrit, problemi i tretë është trashëgimia dhe i katërti projekti”- thote ai.

Dua ta filloj me një temë aktuale, shembjen ose jo të Teatrit Kombëtar, ndërtimin ose jo të një ndërtese të re në atë vend. Është një temë, që vjen dhe rivjen në 20-vjeçarin e fundit. Duket se artistët janë në shumicë kundër. Cili është opinioni juaj?

“Për mua, nuk duhet shembur. Aty ka katër probleme. Problemi i parë është i tokës, problemi i dytë është i teatrit, problemi i tretë është trashëgimia dhe i katërti projekti. Shpesh, mundohen t’i ngatërrojnë këto të katërta, ndonëse ato janë probleme veç e veç. Për mua, ajo tokë i duhej dhuruar Teatrit, për faktin se për kaq vjet, aty është zhvilluar një aktivitet i madh, janë krijuar institucione. Unë kam qenë në teatër që në vitin 1950. Kam parë edhe “Prefektin” me Behije Çelën, etj.. Kam bërë disa skenografi, kur drejtor ka qenë Xhemal Broja, i cili më ka ftuar. Aty janë themeluar të gjitha institucionet e kulturës. Aty është themeluar Teatri i Kukullave, Ansambli i Ushtrisë, Orkestra Filarmonike, në 1953 kam qenë aty kur Krantja dirigjoi Filarmoninë e Tiranës, pastaj kam parë baletet “Shatërvani i Bahçisarajit”, “Rusalkën”, etj.. Ka një manipulim, një goditje të keqe ndaj ndërtesës, me justifikimin: vajza ime është 2 vjeç dhe nuk e di se çfarë është bërë aty dhe ta shembim. Me këtë logjikë, edhe unë nuk kam qenë në kohën e Ismail Qemalit dhe le ta shembim shtëpinë e Vlorës, që, për mua, s’ka asnjë rëndësi dhe nuk kam asnjë lidhje me të, ose me godinën ku u mbajt Kongresi i Lushnjës. Unë kam lindur në vitin 1935, ç’lidhje kam unë me të. Vlerat vijnë nga vjetërsia. Francezët shitën një shishe vere të 1774-ës, 103 mijë euro. Kantina e ka mbajtur që në 1774-n. Kjo e bën vlerë dhe jo aftësia që të bësh një verë të re. Trashëgimia është pikërisht transmetimi, grumbullimi dhe ruajtja e vlerave, sepse ne kaq kemi. Unë e di mirë dhe më dhembi që këta (aktorët) ishin shumë keq kur shkuan në Londër te “Shekspiri”, por ne këtë nivel kemi. Nuk është se ne në fusha të tjera jemi shkëlqyeshëm. Është gabim i rëndë. Trashëgimia jonë aty është”.

A ka vlera arkitekturore Teatri Kombëtar? Arkitektët që kishte mbledhur kryebashkiaku Veliaj ishin të gjithë në një mendje, që duhet shembur për shkak të problemeve apo të materialit. Ju si mendoni, a ka vlera arkitekturore?

Gjërat janë si t’i gjykosh. Gjithçka në Tiranë mund ta shembin. Duam ta shembim Kryeministrinë? E shembim dhe ndërtojmë një 10-katësh! Duam të shembim ish-Komitetin Qendror? E shembim! Madje u bë edhe një projekt atëherë. Nuk është kjo logjika. Ajo ka vlera në ansamblin e ndërtimeve italiane, duke filluar me maternitetin, Bankën, Teatrin, “Dajtin”, Kryeministrinë, Akademinë, Universitetin. Stadiumin e shembëm. Rama thotë që ajo është shumë e mirë, por ajo është një gjë kaq gjigante, kaq e madhe, kaq e frikshme, saqë po merr që tani pjesë mbi Bulevard. I ka ardhur kaq afër kolonave, saqë nuk ka më mashtab. Gjëja më themelore në arkitekturë, që e kanë ruajtur europianët dhe që i kanë bërë qytetet aq të këndshme, është mashtabi.

A është e nevojshme që çdo projekt për Tiranën apo institucione të rëndësishme në Tiranë, t’i jepet një studioje të huaj, pa kaluar më parë tek arkitektët shqiptarë? Përse të mos e ndërtonte Maks Velo, për shembull?

Ka një zhvleftësim ndaj arkitektëve shqiptarë, në mënyrë totale. Fakti është, që po të pyes ty dhe gjithë qytetarët, se kush është arkitekt i mirë tani në Tiranë, nuk di asnjë, sepse është bërë me qëllim. Por faji është i arkitektëve, sepse pas ’90-ës, arkitektët ua dorëzuan profesionin, politikanëve, sepse politikanët panë që urbanistika dhe ndërtimi janë gjëja më me fitim. 340 mijë ndërtime pa leje, të cilat kanë të gjitha firmën e një arkitekti. Arkitektët thanë: duam para dhe bëni ç’të doni dhe politikanët i zhvleftësuan. Mund t’ju them që, kur punoja në Komitetin Ekzekutiv, ne kishim kryearkitektin Koço Mio, që ishte personalitet i Tiranës. Ai i vuri të gjitha zgjidhjet, unazat… Tiranën moderne e ka bërë ai. Kryetari i Komitetit nuk ndërhynte fare në problemet e tij, shkonte ai te Kryeministri, jo kryetari i Komitetit. Sot nuk ke kryearkitekt dhe gjithë qytetin e bën kryebashkiaku. Dëgjon ti ndonjë arkitekt të hapë gojën? Nuk flet asnjë. Flasin vetëm politikanët, që janë ekspertë për arkitekturën, i dinë të gjitha, duke ditur deri te kush janë arkitektët më të mirë e kush janë më të këqijtë. Pra, këtu është një faj i dyfishtë dhe tani arkitektët nuk shprehen, por deklarata e Shoqatës së Arkitektëve ishte shumë e saktë, punë profesionale dhe nuk u mor parasysh fare. Është një gabim i madh që po bëhet dhe bëhet me qëllim. Duke ftuar këta arkitektë, ata bëjnë çfarë u thonë politikanët. Imagjinoni kullën e Korçës, ajo është një marrëzi. Si mund ta bëjë një arkitekt gjerman atë? Ai na konsideron si Afrikë ne. Ai merr paratë dhe ikën dhe as i hyn në punë fare. Ky është problemi. E kanë shumë më të lehtë me ata, se sa me arkitektin vendas.

Projekti i Teatrit, cfare thote Velo 

Por duhet të flasim edhe për projektin. Mua më kishin ftuar. Madje Rama kishte porositur të ma sillnin ftesën në dorë. Isha afër dhe kur u ngrita të shihja maketin, erdhi Veliaj dhe ministrja e Kulturës dhe më thonë: Maksi si të duket? U thashë, shumë i mirë për në Lezhë. Ata u hodhën përpjetë. Po ku janë defektet. Së pari: Ai ndërtim nuk merr parasysh sheshin përpara Teatrit. Çdo teatër në botë, në Bolshoi, në Beograd, Garnier, në Paris…, ka një shesh, që është një gjë shumë e rëndësishme: lë një takim, pret një biletë, shohim vajzat, presim të shkojmë në restorant…, pra, sheshi është një eveniment. Ky i kthen shpinën. Është një mur betoni. Dhe hyrja është nga pedonalja. Si mund të pranosh një mur betoni? E dyta: Rama gjithnjë ka bërë konkurse ndërkombëtare, ku disa herë më ka ftuar edhe në juri. Pse këtë herë nuk bëri konkurs? E treta: Në fillim, kur bëheshin konkurset ndërkombëtare, ishte rregull që studiot sillnin albumin, projektin dhe shihje fasadat, prerjet, të dhënat… Ky nuk solli asnjë album. Nuk ka një program pune. Nuk ka marrë program pune. Mirë që do bëhet teatri, po si do jetë ky teatër? Këta thonë që dhomat e grimit, të zhveshjes, etj. janë të vogla, po ajo sa i ka? Pastaj na paska bërë një sallë në tavan? Në tarracë? I thashë Maznikut: Po mirë. mor burrë, ju keni një teatër të mrekullueshëm veror te Akademia e Arteve dhe ka një muaj e gjysmë që nuk bëhet asnjë aktivitet. Ç’më ngjit mua në majë të ndërtesës? Ç’është ajo skenë në tarracë me flamuj, me lodra e me daulle?! Ku ka Teatër Kombëtar me teatër në tarracë?! Ne e kemi në tokë, ç’na duhet në tarracë?! Këta arkitektë punojnë në mënyrë spekulative. Teatri mbahej në dy pika. Ne këtu nuk bëjmë as cirk dhe as skulpturë. Si mund të mbahet një teatër në dy pika?! Mendoni se çfarë harxhi do të kenë ato dy pika për t’u ndërtuar. Këta bëjnë për lavdinë e tyre kësi lloj gjërash.

Ju thoni që një ndërtesë e tillë e rrit koston në mënyrë të panevojshme? Pra, kur thuhet 30 milionë euro, duhet të kemi parasysh…

Po nuk dihet sa mund të shkojë… Mua më la përshtypjen e një pallati kulture që bëjnë nordikët, finlandezët, suedezët… me dhoma, që kërcejnë, bëjnë lexime, teatër… Ky është si koncept. Nuk është një teatër që duhet të jetë edhe dinjitoz. Ai nuk është prezantues i shtetit. Nuk e kam të qartë. Salla brenda m’u duk pak si ajo e Kishës Ortodokse, që nuk është për teatër. Teatri është me lozha, sepse ka edhe një lloj misteri. Transmetohet nga mesjeta…, ai e rrafshon… Është tjetër gjë kinemaja, tjetër gjë teatri. Nuk e pata fort të qartë, pasi nuk pashë asnjë material. Edhe sot, ti e unë nuk kemi të dhëna.

Please follow and like us: