Namik Selmani: In memoriam Baftjar Dobi
Në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta
Mes pengjeve të panumërt që preken së gjalli apo edhe të atyre që mbeten si çengelë të varur në jetët e atyre që lëmë pas është dhe pengu i shkronjës. Shumë më i dhimbshëm se ai i pasurisë, se ai një shtëpie të munguar, se i një fëmije të martuar, se i një shkolle të pabërë… Në disa shkrime kisha shkruar për Baftjar Dobin, një gjirokastriti i mençur, punëtor mirëdashës dhe shumë fisnik.
E nuk kisha mundur që ta botoja një shkrim shumë të gjatë pse jo edhe një libër për të. Jo për të rivalizuar me atë libër dashurie të tij për Gjirokastrën “Gjirokastra jonë”, por për të nxjerrë atë shpirt të madh të tij, ato rrëfime që të skuqnin fytyrën nga mençuria dhe modestia që kishte.
Para dy ditësh u nda nga jeta. Nuk më kishte rënduar asnjëherë celulari nga lajmi i hidhur që më sillte vëllai i tij Viktori. U nda nga jeta në Itali ku miqtë e tij e kishin marrë përsipër shpenzimet e trajtimin mjekësor. Ishin zonja Kostanza D’Agostino, djemtë e shkrimtarit Halil Jaçellari, Ilir dhe Edi dhe miku i tij prej shumë vitesh Bujar Xhaferri.
Jo të lehta për t’u përballuar në rastet e zakonshme. U nda atje ku ai nuk donte që të ishte. Dorëshkrimi shumëfaqesh më mbeti pa e botuar së gjalli. Se Baftjar Dobi më modest se sa duhej, duhej të gëzonte ashtu si gëzonte ai… Dhe sot më duhet që edhe foljet e shkrimit t’i kthej në kohën e shkuar. Ai nuk është më te tavolina e miqve të rinj e të vjetër. E një njeri të tillë, për besë të fjalës, janë modele që duhet njihen. Nuk është vetëm rrethi i vogël i familjes, por edhe shumë të tjerë bëhen në këtë mënyrë pjesa e dhimbjes së ndarjes, e dhimbjes së humbjes po aq sa bëhen edhe pjesa e krenarisë për ata që e kanë njohur, kanë rrufitur një kafe, e kanë dëgjuar kanë debatuar me të në mënyrën më fisnike. Kur kalova pragun e shtëpisë së Baftjarit që do t’i mungojë fizikisht kësaj familjeje, vëllezërve, motrës e sa e sa shokëve iu drejtova shumë natyrshëm mbesës Marklina. “Marklina, krenohu se kishe një gjysh të mire, po ai ishte shumë herë mësuesi i shumë njerëzve. Madje edhe imi që prej vitesh edhe pak fshehurazi ia shënoja ato këshilla ato detaje të jetës gjirokastrite që në asnjë vend, në asnjë libër, në asnjë tavolinë nuk i dëgjoja, nuk i mësoja. Aq sa për shumë tavolina edhe unë isha bërë pak gjirokastrit me mendimet e tij.“ Marklina kishte vendosur që të bënte disa skica për librin tonë të ardhshëm në heshtje e miratoi e, padyshim bashkë me dhimbjen, ndjeu edhe krenarinë e të qenit pjesë e familjes së Dobajve.
Kur para disa vitesh UNESCO-ja e vuri Gjirokastrën në listën e qyteteve më të bukur të njerëzimit, zemra ma donte pak më shumë se herët e tjerat që ta shihja edhe më afër këtë qytet. Të madhështohesha edhe unë që kam shkelur jo shpesh në rrugicat e tij të gurta apo të ngjitem në lakadredhat e udhës drejt kalasë që ka një muze nga më interesantët në Shqipëri e të mos e matja kulturën e statusin e saj aq të lakmuar nga qytete të tjerë në mbarë botën, por edhe të hyja atë degëzim njerëzor që i kishte dhënë frymën këtij qytetërimi kaq të lashtë e të ri. E në këtë meditim njerëzor, po edhe krijues m’u fut në përfytyrimin tim Kalaja e Gjirokastrës, herë si një burg i ftohtë ku kalonin ditët-ferr shumë intelektualë të shek. XX për fjalën e tyre të lirë. Por edhe shumë kohë më parë se ato vite. Herë si një vlerë monumentale që do ta kishin zili edhe qytete të tjerë në hartat e tyre turistike një befasi. Si portë prej nga do të lindnin sa e sa këngë, legjenda, gojëdhëna.
E pra, njerëz si Baftjar Dobi janë çelësat më të sigurtë të hapjes së këtyre dyerve që do të na ndjekin në shekuj jo thjesht me mistikën e tyre, me dritën që do të na japin, por edhe me fytyreskuqjen, se nuk kemi bërë dhe aq sa duhet të gjithë dhe veç e veç shumë më tepër për të. Mund të shkruaja edhe më parë për Baftjar Dobin që dhe frymën ia njihja kur më fliste në telefon apo kur rrinte në tavolinë si një kapedan i mençur me miq aq të nderuar se e vetmja dëshirë e parë dhe e fundit që ishte të rrije e ta dëgjoje. Jo për modesti. Kaherë madhështia e thjeshtësia e tij më ka bërë që të vonoj edhe një ditë, edhe një orë, edhe një minutë për të shkruar. Që të jem më i bindshëm. Madje edhe ai e ka atë sedër profesionale në artin e të shkruarit. Edhe pse është invalid me dorën e djathtë para 12 vitesh, ai ka botuar librin e tij “Gjirokastra jonë”…
Po, po, me portrete kaq të thjeshtë, kaq njerëzorë, kaq të lexueshëm, po edhe kaq madhështorë si të tij, e kuptojmë edhe më qartë se pse është ngjitur në majë kaq të lartë të kulturës botërore ky qytet. Me një kurorë të ndritshme që ai e kishte para se bota e kulturuar t’ia jepte zyrtarisht një ditë të caktuar, diku në fillim shek XXI e do të thoja me plot bindjen, pa u mëdyshuar se ndonjë opozitë apo ndonjë studiuesi, diplomati, gjykatësi (Gjirokastra është quajtur për më shumë se një shekull me radhë edhe si “Qyteti i kadilerëve ose i gjykatësve”), historiani, folkloristi, për të thënë të kundërtën e asaj që dua të them e ta mbroj. Ndoshta ishte afërsia kulturore me Çamërinë që u bë sofra e parë e kulturës sime që më ka bërë ta shoh me sytë më të dashuruar këtë qytet apo edhe afërsia me Beratin ku për shumë e shumë vite punoj, pse jo edhe propagandoj ato vlera që kanë të dy qytetet tashmë BINJAKË të UNESCO-s.
Baftjar Dobi ka lindur më 7 Mars 1946. Ende ne Shqipëri nuk ishte caktuar 7 Marsi si Dita e Mësuesit. Dita e Shkronjës Shqipe, Dita e Shkollës Shqipe. Të qarat e Baftjarit në atë vit në Gjirokastër e në mbarë Shqipërinë, ende përziheshin me krismat e pushkëve apo me zërat të bukur të analfabetëve që mësonin ndonjë shkronjë të re në kondakët e pushkëve që nuk po qëllonin më apo në ca fletore të vjetra që nuk dihet se nga vinin e ku prodhoheshin. Apo dhe me zërat e lartë të gjykatësve në gjyqet e para antikomuniste ku dënoheshin shumë njerez që, për fatin e keq të Gjirokastrës, do të vinin ta kryenin dënimin në Kalanë e qytetit të tyre të dashur. O zot, një qytet magjik si ai, të kishte dhe Burgun më të egër të atyre viteve!! Të atij qyteti që kishte bashkëjetuar me gurin, këngët, lulet qëndismat, shkronjat, atdhetarizmin.. Kishte një mall të patreguar për vendlindjen Shumë herë më thoshte: “Mezi pres të dal jashtë shtëpisë, në rrugë e të më ndjekin pas gurët e saj poshtë këpucëve. Gërr-vërr-gërr-vër. Kam plot 20 vjet që kam ikur nga Gjirokastra, por prej saj s’ndahem dot. Në pëllëmbën e saj lindën gjyshi e stërgjyshi im, linda unë e fëmijët e mi. Në pëllëmbën e saj lindën e morën jetë lodrat e aventurat tona, të këndshme e të pakëndshme. Nuk ka ditë që të mos flitet për Gjirokastrën në shtëpinë tonë. Imazhet për të i kemi gjithnjë para syve. Na ndodh shumë herë të shohim ndonjë gjirokastrit dhe ndalemi gjatë me të. E shohim nga fytyra, nga sytë, nga duart. Kërkojmë ndonjë copë Gjirokastre. Ka raste që ata, të cilët takojmë, nuk bëjnë pjesë në miqtë tanë, por janë thjesht të njohur e ne iu lutemi që të pimë një kafe, të hamë një drekë. Eh, malli im rritet, rritet pa fund!’’
Bashkë me këtë frymë të pavdekshme, të pahumbur gjirokastrite, te Baftjari jetonte edhe fryma ballkanike. Jo vetëm që nuk gaboje që ta quaje një gjirokastrit të mrekullueshëm, por edhe një ballkanas të kulturuar, me përfytyrimin e portretit më të mirë të një ballkanasi të së nesërmes. Po ngulte këmbë në këtë përfundim, pasi edhe e kishte nxjerrë përfundimin se tani kur libra, filma, piktura, skulptura, poezi, leksione politikanësh, ekonomistësh, diplomatësh, sociologësh kërkojnë që të zbusin sa më shumë imazhin e një Ballkani si “fuçi baroti” ai dhe familja e tij, të paktën në tre breza të tyre, e kanë bërë këtë gjë fort mirë për të ardhur më tej në këtë brez që përfaqëson vetë Baftjari e që besoj se do të vazhdojë edhe më tej te nipërit edhe mbesat e tij, të vëllezërve të tij. Respekti ndaj minoritarëve që ka ai dhe mbarë qyteti e ka ballkanizuar kaherë këtë njeri e këtë qytet. Po kështu ai të flet me dashuri për çamët. Një kunat e ka çam dhe tregon plot respekt për krushqinë me çamët që nga viti 60. ”Të punës dhe të mençur çamët”- na thotë herë pas here Baftjari ose “Baçoja” si i thërrasin shkurt ose me shaka. Kohët e fundit e kishte tërhequr disi edhe lidhja më tokën. Edhe pse i duhet të jetonte me vështirësinë që mund të ketë secili njeri me një dorë invalidi, ai edhe me një dorë punonte në atë bahçe të vogël që kishte para shtëpisë së tij. Pa diskutuar shkrimin aq të shpejtë që bënte me të. Tani i duhet të ishte edhe mësues i mençurisë së brezave të nipërit dhe mbesat. Një ditë, pasi volën disa kokrra domate, nga ato që kishin mbjellë në atë pak tokë para shtëpisë, i tha nipit, Ilirit: ”Shiko, nipçe, sa kohë do që ta hash këtë kokërr?”
“Vetëm pak minuta.”- i ishte përgjigjur ai.
-Po sa kohë na u desh neve që ta bënim që ti ta merrje nga degët e ta vije në tavolinë?”
Edhe ky nipçe ka një histori të bukur që sërish të mesazhon si ballkanas të mirë…Ka lindur në Greqi dhe kur vajza e Baftjarit shkonte që ta regjistronte në gjendjen civile të Athinës, i tregoi edhe emrin që do t’i vinte.
-Ilir,- i ishte drejtuar ajo nëpunëses.
-Ilia?- e kishte pyetur me një naivitet të shtirur grekja e administratës së shtetit grek.
-Jo, Ilir, – kishte ngulur sërish këmbë nëna me origjinë nga Gjirokastra.
–E cili është kuptimi i fjalës “Ilir”? Çfarë kuptimi ka?
Debati vazhdoi për disa minuta dhe nuk ishte aq i rëndomtë. Ai përfundoi në favor të nënës shqiptare dhe të Ilirit të vogël që po qante ëmbëlsisht në atë zyrë mes vështrimeve kureshtare të grekëve të tjerë duke i thënë Ilirit që rri kaq shumë me gjyshin, tregimin e parë të jetës shqiptare. Brenda kësaj filozofie kaq jetësore që lidhet edhe në shumë fusha të jetës që po kalojmë fytyrëqeshur për atë fëmijëri të bukur e të mbushur me përvojë jete të nipërve dhe mbesave për ate motërzim të jetës së tyre me natyrën, se si ata gëzohen me fluturat, me barin e mbjellë, me mushkonjat, me pulat, me yjet që rrinin mbi kokat e tyre, me xixëllonjat, me buburrecet, me minjtë, për të cilët edhe kanë pak frikë se mos i kafshojnë. Sa bukur!”
Tani, në fisin e familjes Dobi janë vëllezërit Selmani, Viktori ose Torja, si e thërrasin shkurt, Ahmeti dhe motra Dëshira. Janë rritur edhe fëmijët e ata janë bërë edhe gjyshër. Natyrisht, duke kujtuar shpesh edhe shprehjen e popullit që e kanë përmendur edhe prindërit e tyre që thotë se “rritet fëmija, rritet këpuca”. Pragu i nderuar i Dobëve kujton miqtë e babait të tyre Behaudinit Hulusi Spahiu, Ali Kelmendin, Rustem Sadrinë, Sulo Çuberin, Xhemal Kallçiun, Zenel Shehun, Dhimo Jasonidhi, Muço Delon, Telo Mezinin, etj. Ndërkohë që këtij vargu shumë të gjatë e të pambaruar i shtohen miqtë e Baftjarit si artistët Mihallaq e Edi Luarasi, Edmond Goga, Muharrem Kushi, Xhemil Tagani, Fitim Makashi, Taqo Anagnosti, Robert Ndrenika, Luftar Paja, Reshat Arbana, Dhimo Dhimën, Ndrekë Lucën. Dikur, në Gjirokastër kishte një Rustem Dobi një njeri vërtet emblematik që ka qenë më shumë se një mik i Baftjarit e për të cilin ai ka shkruar me aq dhimbje e dashuri në librin e tij “Gjirokastra jonë”.
Mund ta vazhdonim listën me Ylli Shehun, Njazi Bahitin, Hyso Hysën, Shaban Frangu, Nuri Topulli, Isuf Çepani, Resul Zani, Përparim Xhixhën, Dasho Ruçin, Bujar Xhaferri, Kujtim Puto, Spiro Sotirin, etj. Ka miq italianë e grekë. Ka miq të shumtë në Kosovë. Kudo ku shkon, zë miq të mirë dhe di t’i mbajë ata. Në këtë listë të gjatë ai na kujton një piktor nga Lushnja që quhej Besim Golemi e që sot nuk jeton më. Një piktor i persekutuar që dikur i kishte blerë disa piktura, edhe për ta ndihmuar ekonomikisht. Besimi sot nuk jeton më. Ai ishte shumë mirënjohës për Baftjarin dhe e fton një ditë në shtëpinë e tij në Lushnjë. Më vonë ai vrau veten. Ngjarja e vetëvrasjes e ngacmon shumë herë Baftjarin në jetën e tij të përditshme që duket se ka jetuar e jeton shumë herë me hallet e njerëzve të thjeshtë. Më tej, ai na tregon një dialog për disa risi interesante për jetën e tij. Një risi që lidhet edhe me vdekjen. Përmbi 15 vjet që kur janë larguar nga Gjirokastra vëllezërit Dobi shkojnë shpesh atje dhe kthehen si për të marrë edhe një herë uratat e pathëna të prindërve të tyre.
Brenda këtij rrëfimi që uroj të ketë sa më pak pengje për atë që nuk e kemi shkruar për shpirtin e paepur e kaq të kulturuar gjirokastrit të Baftjar Dobit, na shkoi mendja edhe te një ngjarje po kaq e rëndësishme e jetës së tij, edhe pse ajo nuk lidhet me një ngjarje të familjes. Kjo i jep atij edhe një Kurorë tjetër nderi për atë që ka bërë deri tani për vendlindjen. Më saktë, është firma që ai ka hedhur si Sekretar i Forumit të Intelektualëve të Gjirokastrës për pranimin e këtij qyteti në UNESCO. “Kam hedhur me mijëra firma në jetën time, – na thotë ai, – edhe tani hedh, ndonëse më pak, por firma që zyrtarizonte pranimin e Gjirokastrës në UNESCO është për mua firma më e paharruar. Këtu nuk ishte fjala vetëm për qytetin tonë, por për mbarë kombin.. Firma jonë u hodh përkrah shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.” Me këtë dashuri me këtë mall, me këtë trishtim e nostalgji aq karakteristike për njerëz me botë të madhe shpirtërore, por edhe për njerëz që e duan aq shumë vendlindjen, ai para pak kohësh kishte mbaruar një tjetër libër me një titull paksa edhe të dhimbshëm “Porta te braktisura”.
Ç’të jetë ky zë, kjo klithmë, kjo sokëllimë ose piskamë, si thonë vëllezërit tanë të Veriut, kjo ëmbëlsi pragjesh që kthehet në librin e tij në fjalën e tij, në tavolinë, në një baladë prej guri, në një këngë mërgimi ku flitet për gurrë bedenash pa luftëtarë, të një gurre pa buzët e thara të një udhëtari që ndjen rinimin në kristalimin e saj???????
Kur kujtoj atë më vjen në mend një varg gjirokasrtit “ O Gjirokastra me vulë/ me mend e para shumë” Shumë herë ai këndonte këngët e bukura. Ishin këngë që të ngrohnin e na gjallëronin sytë, shpirtin, hapin, duart, fytyrën, gjakun, fjalën, të nesërmen..Na e mbanin rrugicat ku shpesh era luante si në një oborr të stërmadh ku shtëpitë dorështrënguara valëvisin stinëve shamitë e gurta.
Duket se këtë radhe ison tonë shumëtingujshe na e merrte kalaja hijerëndë e legjendare e Gjirokastrës, udhët, grykat, malet, Lugina e Drinos ku lumi i saj gjarpëron vetëm pak metra larg kalldrëmeve që duken si fjongo të bardha në trupin e këtij qyteti. Duken si dekorata të përjetshme në gjoksin e tij. E sa herë që do të ndahemi nga takimet me miqtë e tij do të na vijë edhe një herë në mendje monologu i tij: “Kur hidhem në kujtime shpesh e pyes veten: “A i kam lënë pa shlyer ndonjë detyrim ndaj prindërve të mi? A mund të shlyejnë dot detyrimet prindërore fëmijët e nipërit e mi?” Një pyetje paksa retorike që na e jep të qartë Kodin e Bujarisë së një pragu që do ta ëndërronim të gjithë. Një kujtesë e trishtuar dhe krenare për shumë njerëz kjo e ndarjes nga Baftjar Dobi.
Korrik 2013