Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptari Millosh Kopili dhe letërkëmbimi i panjohur i tij me Sulltan Muratin I

 

 

“Kronisti Turk Ashik Zade Pasha e shënoi këtë ngjarje duke përfunduar”: Betejën e fituam, kaurrët i thyem keq. Lazari u vra. Dhe kur po gëzonim fitoren nga qyqavica zbriti një i pabesë, i quajtur Millosh Kopili dhe therri Padishahun me hanxhar të helmuar… “Heroizmi i Princit Drenicas mori dheun. Trupin e tij të bërë copë-copë ja bartën shokët deri në Rrëzallë”.

 

Qershori 1389 Milloshi ishte zgjuar herët dhe pasi ua hodhi një sy pronave të tij të shumta në Kopiliq të Drenicës, u ngjit lart në Kullë e piu radhazi tri kafe pa sheqer. Ishte kjo një shenjë trazimi e shqetësimi të thellë shpirtëror. Dje e kishte hidhëruar i vjehrri Car Lazari. Kishte biseduar për organizimin e një koalicioni për t’ia ndalur turrin bishës aziatike e cila si një masiv përmbysës po rrokullisej drejt tokave të tyre. Do të bëheshin rreth 50 000 veta karshi 100.000 trupave pushtuese turke. Mirëpo, tek ky e kishte shfaqur një mosbesim. Dyshonin në besnikërinë e tij. Dhe e gjithë kjo pa asnjë arsye. Vetë Sulltan Murati I, Milloshin e njihte si njërin nga sundimtarët kryesorë të këtyre trojeve dhe kundërshtarin më të rrezikshëm. Para se të nisej këndej atij i dërgoi letër ku i kërkonte.“Haraçin e shtatë vjetëve dhe çelsat e shtatë kullave në Qyqavice”. Madje i kishte propozuar që të shkëputej nga koalicioni i krishterë me kusht që të siguronte pushtetin e plotë në Kosovë. Për këto letra dinte edhe kronisti grek Joan Dukas madje ky kishte konstatuar se “Milloshi letrat e mbretit ia kishte treguar vazhdimisht Car Lazarit, i cili e kishte këshilluar Milloshin t’i pranonte propozimet e Sulltanit. Por Milloshi ishte i vendosur për fillimin e luftës dhe për sakrificat supreme”. Do ta shihni kush është Millosh Nikollë Kopiliqi u kishte thënë troç darkën e fundit princërore dhe i nevrikosur në kulm kishte dalë nga kuvendi e ishte kthyer në Drenicë. Luftëtarët e tij, Drenicasit, do të radhiteshin përkrah atyre të Gjergj Balshajt të II (Sundimtar i Shkodrës), Dhimitër Jonimas (sundimtar i Përdhanës që përfshinte rrethin e Lezhës dhe Rrëshenit) e të Theodor i II Muzaka (sundimtar i Beratit dhe i Myzeqesë). “Sipas Jeraksit, në betejën e Kosovës krahas sundimtarëve arbëreshë morën pjesë edhe feudalët shqiptarë nga Kosova. Millosh Nikollë Kopiliqi sundimtar i Klopatinikut (Drenicës), Ban Strahinja, sundues i Trepçës, Gjon Kosançi, sundues i Llapit, Musa Arbanasi, sundues i Ibrit të Poshtëm. Se do të bëhej luftë e madhe merrej vesh nga përgatitjet e palës kundërshtare…

…Fiset endacake të Oguzëve Turanikë nga Azia Qëndrore lëviznin në grupe sa andej këndej. Në mesin e tyre shquhej një farë Osman Beu, i biri i Ertogrulit i cili më 1326 e formoi edhe dinastinë me qendër në Brusë. Kështu lindi shteti Osman, shtet feudalo-ushtarak e despotik, i cili pas luftrash e betejash të shumta do të zgjerohet në të dy kontinentet. Në vitin 1355 ata i kaluan Dardanelet dhe iu vërsulën Ballkanit. Marshimet e tyre nuk kishin të ndalur. Shkatërronin, digjnin e përmbysnin çdo gjë. Shkombëtarizonin e asimilonin. Pa pengesa të mëdha arritën deri në Shkup. Dhe pas tij rradhën e kishte Dardania (Kosova) të cilën nga “të pafetë” do t’i çlironte vetë Padishahu Sulltan Murati I, cili me vete i mori edhe dy djemtë: Pajazitin dhe Jakupin…

Këto po e mundonin trimin e Drenicës dhe nuk po i zihej vendi vend. Zbriti poshtë në bodrum. U vesh mirë e mirë, me përkrenare e me parzmore prej çeliku. E pregatiti edhe kalin e mejdanit, sharanin jelë gjatë. U përshëndet me nënloken duke përqafuar fort e përmallshëm. Të shoqes Vukosavës nga inati nuk i bëri zë fare. I vetëm fillikat doli në Majën e Zezë, në Qyqavicë. Mëngjesi i 15 qershorit 1389 gdhiu ngjyrë gri. Ditë e martë, ditë ters. Sakaq, në Fushën e Mëllenjave, dy ushtritë ballë për ballë. Shqipja dy krenare shikonte vrëngër gjysmëhënën e zbehur dyllë. Udha edhe shenja për sulm. Pas kryqëzimit të heshtave dhe shigjetave në qiellin e përloshur, nisi përleshja fyt më fyt. Turqit po përparonin dukshëm. Murati në mes e djemtë për anësh. Ai, i kënaqur dhe i dehur nga sukseset u tërhoq për të pushuar pakëz. Vajti në çadrën e tij ngjyrë qielli. Dhe tamam kur po kotej e lajmëruan se një princ shqiptar po kërkonte të përshëndetej me të.

-Lëshojeni, tha, por kini kujdes: çarmatoseni dhe e përcillni mirë! Nuk u besohet kaurrëve. Të çuditshëm janë ata. Për atdhe bëjnë çmos edhe vetëflijohen. “Nëse shqiptari ta jep dorën e këshilloj sadër azemi – t’i zgjatja këmbën, që t’i tregosh se është nën pushtetin tënd…”.

Dhe dera e çadrës u hap. Trimi shqiptar për plot krenari, ecte drejt tij. Për anash roje të shumta. Dhe afrohej dhe afrohej. E zgjati dorën ta përshëndes. Ai nuk luajti nga vendi. Plot qesëndi e zgjati këmbën për t’ia puthur, siç bënin zakonisht të gjithë të tjerët. Ky shpejt e nxori thikën dhe ja nguli thellë në zemër. Ai nuk lëvizi fare, i doli shpirti pa arritur mjekët. Rojat e mbërthyen vrasësin. Shpejt e thirrën Pajazitin, të mbiquajtur “rrufeja” dhe katili menjëherë urdhëroi ta ekzekutonin trimin që t’ia lehtësonin shpirtin të porsavrarit. Kronisti turk Ashik Zade Pasha e shënoi këtë ngjarje, duke përfunduar “Betejën e fituam. Kaurrët i thyem keq. Lazari u vra dhe kur po e gëzonim fitoren, nga Qyqavica zbriti një i pabesë i quajtur Millosh Kopili dhe e theri Padishahun me hanxhar të helmuar…”. Heroizmi i Princit Drenicas mori dheun. Trupin e tij të bërë copë-copë ia bartën shokët deri në Rrëzallë. Përbindshi i përtej Dardaneleve nuk u mjaftua me kaq. Dogji e shkretoi mbarë vendin. Mllefin hakmarrës e shfreu mbi Drenicën e panënshtruar. Kopiliqin e zhbëri me gjithë ç’kishte. Me javë e muaj e mbajti të mbërthyer në rreth. Jeniçerët e lodhur, veç me kunguj të zierë mbanin shpirtin të gjallë. Shumë prej tyre u bënë ushqim për korbat e uritur. Këtë e dëshmojnë toponimet Kodra e Kungujve e Lugu i Korbave, që edhe sot i gjejmë në këtë vendbanim. Fill pas betejës, i ati, Nikolla me disa anëtarë të tjerë të familjes në mesin e tyre dhe Vukosava, mësyen për në Raguzë e disa të tjerë shkuan u vendosën në Elbasan… Të vëllanë e Princit Hilë Kopiliqin, me gjithë familje i burgosin në kalanë e Vushtrisë. I kishte dy djem e tri vajza. E shtrënguan e torturuan dhe e munduan derisa një ditë u bë Hysk… Edhe sot në Vushtri ekzistonjë disa familje që veten e konsiderojnë pasardhës të Hilë Kopiliqit… Historiografia serbe në përgjithësi e mohon vazhdimisht përkatësinë kombëtare shqiptare të këtij trimi, por edhe gjithë pjesemarrjen e shqiptarëve në betejën e Kosovës. I vetmi serb që e përmend realisht ështe Konstantin Mihajoloviqi nga Ostrovica ne librin “Kujtime jeniçerësh ose kronikë turke”, i shkruar në gjuhën polake. Megjithatë faktet flasin krejt ndryshe. Sipas Fahredin Beut, i cili mbështetet në një letër të Pajazitit dërguar fill pas betejës Kadit të Brusës. “Shqiptarët mbushnin edhe radhët e shigjetarëve të koalicionit dhe qenë të parët që filluan betejën…”.

Po ç’bëri epika jonë popullore, përcjellesja me besnike e të gjitha ngjarjeve historike? Si zakonisht edhe këtë ngjarje e përjetesoi ne tel të lahutës. Dhe këngëtari i krishtër e paraqiti shumë realisht kur thotë:

Kjo Arbni ka bijtë e vet,

Ta ven kryet maje kapicës,

Jam Milloshi prej Drenicës…

Historia jonë mjerisht heshti. Çdo heshtje është edhe pajtim. Por faktet janë edhe më kokëforta. Ato flasin ndryshe. As nata 500 vjeçare e krah-krasë as djallzitë e ujqërve të stepave, nuk ia dolën mbanë. Heroi ynë mesjetar sfidonte historinë njerkë. Ai frymonte kudo, në mendje, në zemra, në këngë. Smirziu, Jovan Cvijiqit, sa nuk i ra pika kur pas aq shekujsh kaloi këndejpari nëpër Drenicë dhe kur ndaloi edhe në Kopiliq iu fanit një zë: O historian, kjo është Fusha e Sharanit… Ja edhe livadhi i Milloshit… Ky është Bunari i Milloshit… Kjo Vneshta e Milloshit… Kjo tjetra Kisha e Milloshit… Ato tutje Ara e Milloshit dhe Ara pa Kry. Ndalo edhe pakëz, shënoje edhe këtë Themelet e Kullës së Milloshit… O zot po çmendej fare i ziu, mbretëria e tij kot së koti paskësh shkrirë para e flori për trillimi e fallsifikime. Të mallkuar edhe dreqi është i vonë në këto shkrepa frikësuese! Ulëriu me zë duke ia dhënë vrapit me të katërta… Dhe thonë koha shëron plagët. Shumë e vërtetë. Kjo po dëshmohet edhe sot ku pas 623 vjetësh po i u rikthehemi krenarise sonë arbërore, heroit që sfidoi suksedshëm historinë, Millosh Nikollë Kopiliqit.

Skënderaj, Kopiliq, 21 korrik 2012.

Please follow and like us: