Vilson Blloshmi, mes poezisë dhe përkthimit
* * *
Dhe shpirti i të vdekurve në dorë me një pish(tar…)
Vrapon, del i dalldisur nga humbja e ndien v…..
Hapësirës në çdo vend.
Përzien krahë flatra me shpirtin tim takon (…)
Mbi detin e qetësisë, mbi dallgët kalon
Takojnë një pikë nga lot’t që rrodhën
Dhe dhimbja ndrin argjend.
30 qershor 1971
Ora katër e mëngjesit
*) Kjo poezi është shkruar në kopertinën e pasme të një numri të revistës “Nëntori”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve gjatë diktaturës. Kjo revistë bashkë me libra të tjerë u groposën nga familja pas arrestimit të Bedri Blloshmit, më 1 prill 1976. Ky libër është nxjerrë nga dheu gjysmë i kalbur pas vitit 1991. Në vend të fjalëve në fundet e vargjeve kemi vënë tri pika në kllapa(…), nga që janë të palexueshme nga dëmtimi. Pas kësaj poezije, mbase të improvizuar aty për aty, është shkruar në frëngjisht kjo fjali që vjen e pakuptueshme nga dëmtimi: quan me souvient en someenet…. le minuet pour pianon… orkestre de Boundrie… que ju econte ume jour andit…
* * *
Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,
Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur;
Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë,
Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.
1 shtator 1972
SAHARAJA
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç‘ e saj e zezë s’ka ç‘të mbulojë.
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.
E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.
Prandaj kur urrejtje e fortë e nxehur
Mbi dikë mallkon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Kur mallkimi çfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.1)
25.10.1973 / 25.10.1974
JEHONË VJESHTE
Ja vjeshta që gjithçka për rreth e zverdh,
– erdh.
Erdh dhe po hedh ngadalë mbi botën mbarë,
– ar.
Lejlekët ikin, vajtojnë mbi pyll të shkretë,
– retë.
Dhe pyllit pellgjet tashmë janë mbushur plot,
– lot.
Dhe qielli i nxirë që përmbi tokë pështyn,
– shtyn
Vjeshtën, dhe kjo e zhveshur kur gjithçka vdes, humbet,
– mbet
Me zemrën mijëra fletë që kur acari ngriu,
– griu.
Prandaj në vjeshtë ti na lajmëron përherë,
– erë.
E di, e di, i rëndë është ky ogur
– gur
Të ndiej, të ndiej tek ikën tatëpjetë
– jetë.
6 shkurt 1974
* * *
Emër, s’të mori dot me vehte ty ajo,
– jo,
Ndonëse ajo vetë doli, ti mbete thellë në zemër
– emër.
Ti, kur mbi tokë koha mote e stinë ndërron,
– rron;
Ndaj bëhesh, kur rininë nëpër kujtime ndiell,
– diell.
7 shkurt 1974
KANË IKUR SHUMË VJET
Ah, kan’ ikur shumë vjete…!
Ikën koha, rrjedh si lumë.
Ishe zgjuar apo fjete
Kur gjithë bota ish në gjumë?
Ikën koha, rrjedh si lumë…
Diku mbeta, diku mbete.
Asnjë gjë kujtimet s’prunë…
Ah, kan’ ikur shumë vjete.
Diku mbeta, diku mbete,
Ndofta s’qemë as ti, as unë…!
Shkel e shkon mbi cifla jete,
Ikën koha, rrjedh si lumë.
19 qershor 1974
* * *
Moj yllëz e vogël, moj yllëz e vogël,
Mes nesh si nuk erdhe po mbete aq larg;
Përmes hapësirës mbi tokën si gogël,
Moj yllëz e vogël s’na vë re aspak.
Moj yllëz e vogël, moj yllëz e vogël,
Me lotin e rrezes aspak nuk na lag;
Tej visesh qiellore larg tokës si gogël,
As ndizesh, as shuhesh, po feks që nga larg.
25.10.1974.
KUR NATA ËSHTË ME HËNË
Dhe zgjuar shpesh bashkoj un’ mbrëmjen me
mëngjezë…
Eh, botë faqe bardhë. Eh, botë faqe zezë!
Kur ditën qiell i kthjellët nxihet nga retë shkrumb,
S’e shoh hijen bonjake, që s’di nga shkon e humb.
Kur natën midis qiellit hedh rreze hënë e plotë
Humbet ndriçim jetimin nën dritën e ngrohtë.
Prandaj vërshon gëzimi, prandaj brengat më lënë
Kur dita është e vrenjtur, kur nata është me hënë.1)
* * *
Jam apo nuk jam në vete…,
S’e kuptoj dot këtë punë;
Ika vetë e ti më mbete,
S’di jam unë apo s’jam unë…!
S’e kuptoj dot këtë punë.
A nuk vija unë netve…?!
Isha unë a s’isha unë,
Jam apo nuk jam në vete..!?
A nuk vija unë netve,
Kur gjithë bota ish në gjumë!?
Po ku ika, ku u trete;
S’e kuptoj dot këtë punë.
Kur gjithë bota ish në gjumë,
Ah, kanë ikur shumë vjete…!
Ku je? Gjegju… Thirre shumë.
A nuk vija unë netve…?
* * *
Kur u ktheva sërishmi i brengosur mbi
Rrypin e rrugës, sikur të doja të mblidhja
Përsëri këtë rryp rruge që e çpështolla.
Orteqet e mendimit s’i kishin lënë
Flokë në kokë. Ato shpesh kishin
Marrë dhe një pjesë të mirë
Të mishit të tij, sidomos në faqet.
* * *
Dhe mua më duket se vrapoj
Me tmerr nëpër tubin e grykës së topit!
Pak sekonda dhe po nëpër këtë grykë
Do të kalojë predha e llahtarshme.
Oh! Pengesat, viaskat,
Ah! Gryka sa larg!
Ja shpërthimi dhe pak
Ja – ja, vrapo…ah….sss.
* * *
I tremburi ikën si i ndjekur prej egërsisë
N’jerm bën tunele n’ajër t’hapsirës
Simbas formës së tij, lëvizjes së tij.
Ah sikur mbas çdo hapi
Ajri të ngrinte – beton,
Duke ruajtur gjithmonë lëvizjen
Kallëp – shabllon
E të tregojë ta gdhendë
Sa kohë iku zvarrë
E sa në këmbë.
Sikur të mbeteshin e shiheshin
Rrugët nga vjen kujtimi, mendimi
Brenga, shpresa, vegimet,
Të dukej krejt i jetës zig-zaku i gjatë
Që nga ardhja në këtë botë e gjer
Tek varri, pikëz e llahtartë.
* * *
A s’e patët ditën plot me diell
Q’e bën natë koha dhe e nxin . . .!
I jep hënë e yje, lart në qiell
E, së fundmi, fare e përpin . . .!?
A s’e shkuat shpejt ju fëmininë?
Kjo s’u fsheh për ju e s’humbi fare?
A s’po mbani mbi sup pleqërinë,
E në mendje thellë vitet mitare?
A s’e mbani mend at’herë te plepi
Loznit në oborr me hijen tuaj?
Po tani më larg nga ju është djepi
Apo arkivoli, pa më thuaj?
Gjithçka e marrin vitet duke shkuar,
Sërish kthen gjithçka që shkon, humbet
Troket lehtë kujtimi i trishtuar
Mysafiri në shtëpi të vet.
* * *
Sërish dukesh në udhë
Që ngjan si vijë gjaku
Mes gëlbazës së murrme
Të pështyrë
Nga turbekulë.
I lodhur,
Vetveten mbi kurriz
E shket
Dhe mendja lodhur
Klith: po shkoj,
Mbeç me shëndet . . .!
Dhe rend barkbosh
Në zorrën bosh të rrugës
Si një shtrëngatë
E qetë.
Dhe gurët kthejnë nga ti
Anën e mprehtë
Dhe njerëzit, ata
Stërnjerëzit,
Ajkë mbi jetët-hirrë
E kanë vështirë
Mëngjesit.
Edhe mbrëmjes
Vështirë,
Kur mbi ju ngecin vështrimin
Mbi ju rreckë-njerëzore,
Masë zhelesh mishi e shpirti
E qepur me fije damarësh
Mendimesh
E hedhur, pa mëshirë
E pa të drejtë
Në anë të rrugës së ndotur
Ku të qetë
Ata rrjedhin gjithë nder e dinjitet-
Këllirë.
Dëshirat
Që i ndez thëngjilli i zemrës,
Mbuluar thellë
Me hirin e trupit . . .
Dhe bredh prapë rrugëve
Me bujë e pohe
Kërkoje ti vetveten
Që më në fund e gjete
E s’e njohe
Ngaqë pandehje
Është shumë vështirë ta gjesh.
Kur të doli rastësisht
The: s’është kjo
Dhe kalove
Dhe u zhyte mes territ
Të zi pa fund.
Kërkon – një dorë e kurm
Dhe një këmbë
Dhe mbetesh cung.
Po prap sulesh përpara
Me tallas
Me me gjysmën e thatë
Dhe gjysmën e njomë
E at’ që kërkon e arrin
E lë pas
Dhe zvarrë hiqesh përpara
Kërkon . . .
Vazhdë lënë mbi pluhur
E gjak
Gjymtyrët gjysmë të thara
Gërvishtin trak – trak
Dhe gjer thellë të ngushen
Ato kër – kër – kër – krak.
. . . kërkon
Mbi këtë tokë shkëmb
Mbi këtë tokë gur
Mbi këtë tokë kockë
E lëkurë.
E as e di ç’të dhemb
Veç sulesh para, shkon
Me zemrën e rëndë plumb
Dhe sa më shumë kërkon,
Ç’kërkon,
Më tepër
E humb.
* * *
Të egër neve heshtnim në gji të natës qetë,
Për gaz e brengë e djall më fare s’bisedonim,
Mbi tëmtha hap i kohës, ndonse na shkelte lehtë,
Na shkrojti rëndë me thembër diçka për këtë jetë.
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Por oh! U zhdukën fjalët sa nisëm t’i lexonim! . . .
11 shtator 1975. (2045 min.)
Dy perkthime nga Sharl Bodler
I VDEKURI I GËZUAR
Në një tokë me pleh dhe me kërmij plot,
Një gropë të thellë dua për vete të gërmoj,
Ku të mund të shtrij eshtrat e vjetra prej kaq mot
Dhe si peshkaqeni n’dallgë në harresë të pushoj.
I urrej testamentet e varret s’i duroj;
Sa t’rri t’i lutem botës të derdhë ndonjë pikë lot,
I gjallë, do doja, më mirë korbat të ftoj,
Të ma përgjakin krejt skeletin kërmë e ndot.
O krimba! Shokë të zes, pa veshë dhe pa sy,
Një xhenaze e qeshur e lirë po vjen aty;
Filozofë qejflij, bij të kalbjes gjithëkur,
Peshkomani kufomën vetëdija pa u brejtur
Dhe thomëni ka më për të hequr torturë
Ky trup i lashtë, pa shpirt, i vdekur ndër të vdekur.
1851
(Brengë e ideal)
Përkthyer, 31 gusht 1975
LUGATI
Si engjëjt me sytë e përskuqur,
Në dhomë kam për të t’u futur,
Do shkas drejt teje pa u ndjerë
Me hijen tok të natës sterrë.
Dhe do të të jap, moj zeshkane,
Puthje të ftohta si prej hane
Dhe ledhatime gjarpri krejt,
Që rreth e rreth një grope shket.
Kur do të vijë mëngjes i zbetë,
Do ta gjesh vendin tim të shkretë,
Që deri vonë i ftohtë do t’ rri.
Si të tjerët me dhembshurinë
Mbi jetën tënde dhe rininë,
Un’ do mbretëroj me lemeri!
(Brengë e ideal)
Përkthyer, 23 gusht 1975