Eleanor Rose: Unë jam fëmijë i një përdhunimi
E lindur në Sarajevën e kohës së luftës nga një nënë që ishte përdhunuar në një kamp ndalimi, më pas e rritur nga prindër birësues në Britani, Lejla Damon u rikthye në Bosnjë-Hercegovinë për të kërkuar të vërtetën rreth origjinës së saj. «Unë jam fëmijë i një përdhunimi. Ja se çfarë jam unë», thotë Lejla Damon. «Është një term i tmerrshëm sepse ato janë dy fjalë që s’do të doje kurrë t’i bashkoje. Por realiteti…».
Damon, tani 25 vjeçare, është e qetë kur flet me BIRN në Frontline Club të Londrës, pas një eventi për të shënuar përvjetorin e masakrave të Srebrenicës – por ajo ka luftuar me këtë përkufizim për shtatë vjet. Ajo u rrit në Britani, ku prindërit e saj birësues i treguan në moshën shtatë vjeçare se ajo ishte birësuar nga zona e luftës në Bosnjë. Më pas, në moshën 18 vjeçare, ajo mësoi më shumë. Ajo ka lindur në Sarajevë në ditën e Krishtlindjes së vitit 1992. Nëna e saj ishte përdhunuar në një kamp paraburgimi në Foçë nga ushtarët serbë para se të arrinte disi t’ia mbathte në kryeqytet, ku solli në jetë foshnjën e saj në Spitalin Koshevo.
Dy gazetarë britanikë, Sian dhe Dan Damon, të cilët ishin të dy me bazë jashtë spitalit atë vit, ndodhën të intervistonin nënën e saj. Gruaja boshnjake e traumatizuar tha në xhirim se druhej se mund «ta mbyste» fëmijën disa ditësh ose se foshnja mund të rritej dhe mund të bëhej si burrat që e përdhunuan atë. «Ne ishim në Sarajevë, duke filmuar skena të tmerrshme në jetimore dhe vuajtjen që po ndodhte dhe pastaj u shfaq kjo foshnja. Çfarë mund të bënim?» – shpjegoi Sian Damon, duke folur në eventin e mbajtur në Frontline Club. «Nuk mund ta linim këtë foshnjë të vogël nëntë ditëshe», tha ajo për publikun.
Me bekimin e zyrtarëve boshnjakë, dy shtetasit britanikë morën dokumente të evakuimit emergjent dhe ikën me Lejlan në Slloveni më 3 janar 1993 dhe pastaj në Hungari. Ata u kthyen me të në Mbretërinë e Bashkuar, ku vajza e vogël pati një fëmijëri të mirë në zonën Manor House në verilindje të Londrës, larg nga lufta që përfundoi në vitin 1995, pasojat e saj të tmerrshme dhe vuajtjet emocionale të nënës biologjike të vogëlushes.
Por kur Damon arriti moshën e adoleshencës, kureshtja po e gërryente.
«Fillova të lexoja literaturë mbi gjërat që ndodhën në Bosnjë – gratë që u përdhunuan, kampet», thotë ajo. Ajo mund ta imagjinonte atë nga larg. «Kur prindërit e mi më ulën dhe më thanë: ‘Mamaja jote biologjike u përdhunua në një kamp përqendrimi’, kjo nuk erdhi si një tronditje e madhe. Nuk u ula dhe u mbyta nga lotët, por ndoshta kjo ishte kështu sepse nuk jetoj në Bosnjë.» Sipas Bosnia UK Network, në Britaninë e Madhe jetojnë rreth 10 mijë boshnjakë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve kanë humbur familjen ose miqtë ose vuajtën vetë gjatë luftës.
Por teksa rritej, Damon nuk njihte asnjë prej tyre. Në vend të kësaj, ajo jetonte një jetë në Londër, ku miqtë e saj adoleshentë nuk ishin të vetëdijshëm për konfliktin, ndërkohë që në të njëjtën kohë ajo ndiente se «një tjetër pjesë e jetës sime vazhdonte në Bosnjë».
Pra, kur ishte 18 vjeçe, Damon shkoi tre javë me pushime në vendin e saj të lindjes. «Në atë kohë isha më e vetëdijshme në një nivel femëror, mendoj, sepse isha në fillimet e viteve të mia të rinisë dhe kisha filluar të mendoja se ç’kuptim mund të kishte kjo», thotë ajo. Me «ajo» nënkupton përdhunimin – një temë që ka rezonuar me të, sidomos gjatë lëvizjes #MeToo që filloi në tetorin e kaluar. Përdhunimi nuk merret seriozisht, sepse shihet në kuadrin e seksit dhe jo si dhunë, beson ajo – një perspektivë që padrejtësia brutale e përdhunimit gjatë një gjenocidi në kohë lufte mund të ndihmojë të hidhet dritë mbi të, thotë ajo. Askush nuk e di se sa gra u përdhunuan në Bosnjë gjatë konfliktit, por vlerësimet variojnë nga 20 mijë në 50 mijë.
Këto gjëra nxitën Damonin të ndërmerrte një aventurë për të gjetur nënën e saj. Kur ajo ishte 19 vjeçe, një mikeshë e universitetit bëri një dokumentar për historinë e saj për të cilën ajo udhëtoi drejt Sarajevës, duke vizituar Spitalin Koshevo me një agjent shtypi. Çuditërisht, kur ajo foli me një infermier, ai e mbante mend atë. «Ai tha: ‘O Zot! Ti je ajo që doli…» – kujton ajo. Ambasada e Bosnjës në Mbretërinë e Bashkuar ndërkohë gjurmoi nënën biologjike të Damonit me emrin që ajo kishte dhënë. Ata dërguan një oficer policie për të kontrolluar nëse adresa ishte e saktë dhe më pas dorëzuan disa detaje kontakti. Damon i shkroi asaj dhe ato mbajtën korrespondencë në atë mënyrë për tre vitet e ardhshme. Por, ajo thotë se «ishin gjëra sipërfaqësore. Shpresoj të jesh mirë. Dua të dish që jam mirë. Kaq ishte.» Damon donte më shumë. Pra, në gusht 2017, një mikeshë që ajo kishte takuar në një nga udhëtimet e saj në Bosnjë – gjithashtu një fëmijë përdhunimi i kohës së luftës – shkoi të takonte nënën e Damonit në emër të Damonit.
«Ajo tha, ‘Kam takuar Lejlën. Ajo është e mrekullueshme’. Po përpiqej të më rriste vlerat para saj dhe e pyeti nëse ajo dëshironte të më takonte. Kjo ishte e rëndësishme, sepse në letrat e saj, ajo thoshte që do të më takonte, por nuk e dija nëse ajo thjesht po përpiqej të tregohej e dashur».
Kur, më në fund, erdhi dita tetorin e kaluar, ishte aq e sikletshme sa mund të imagjinohet. «Kishte shumë ankth në lidhje me faktin nëse ajo do të tërhiqej në minutën e fundit. Ajo nuk ishte e detyruar të më takonte. Nuk kishte asgjë për të thënë se ajo kishte nevojë ta bënte këtë». Prindërit e saj birësues hynë në dhomë të parët, pasuar nga shoqja që kishte ndërmjetësuar takimin dhe Damon ishte e fundit nga të gjithë. «Ishte një nga ato gjëra ku unë ngurrova. Pastaj ajo më mbajti dorën dhe më dha një përqafim. Dhe ishte pikërisht ai çast kur ne shembëm aq shumë kufij që kishin ndërtuar gjatë dhjetë viteve të fundit, që kur unë kisha mësuar për origjinën time,» thotë ajo.
Ato u ulën bashkë me një përkthyes duke i treguar njëra-tjetrës fotografi nga 25 vitet e fundit. «E keni parasysh atë programin ‘Kush mendon se je?’. Ishte diçka e tillë», thotë ajo, duke iu referuar një programi televiziv britanik, në të cilin njerëzit gjurmojnë rrënjët e tyre familjare dhe shpesh habiten nga ajo që mësojnë për trashëgiminë e tyre. Ka ende shumë gjëra që Damon nuk i di. Kush e përdhunoi nënën e saj, e cila tani vuan nga epilepsia dhe parkinsoni, apo se si ajo arriti në Sarajevë nga kampi i përqendrimit në Foca. «Është ndoshta shumë më e lehtë në këtë mënyrë», pranon ajo.
Por edhe pse nëna e saj është relativisht një e panjohur, Damon u prek shumë nga aftësia ripërtëritëse e gruas boshnjake. «Forca e asaj gruaje, thjeshtë për të vazhduar para…», thotë ajo duke i hapur sytë fort. «Ajo nuk është mirë fizikisht dhe jam e sigurt që e njëjta gjë është edhe emocionalisht, por forca për të vazhduar para dhe forca për të parë mua… Kjo kërkon shumë. Mendoj se ajo është një njeri i mrekullueshëm dhe është një frymëzim dhe një model»,
Gjatë përkujtimores së përvitshme të gjenocidit të Srebrenicës, Damon foli në një sërë eventesh me organizatën jofitimprurëse me bazë në Mbretërinë e Bashkuar «Remembering Srebrenica», e cila rrit ndërgjegjësimin për masakrat. Ajo thotë se puna që ajo ka bërë deri më tani e ka ndihmuar atë të kuptojë se kush është ajo dhe i ka sjellë një ndjesi paqeje. «Unë e kam pranuar dhe mendoj se kjo është arsyeja pse njerëzit e kanë kaq të vështirë të kuptojnë pse s’jam ulur këtu duke qarë», shpjegon ajo. «Nuk them që nuk ndihem e zbrazët ndonjëherë.
O Zot i madh! Është e vështirë të flasësh për përdhunim, gjenocid, dhunë seksuale dhe maskilizëm toksik. Kjo të shteron, sepse nuk ka asnjë përgjigje». Ajo bën një pauzë, pastaj pyet: «Por në të njëjtën kohë, nëse jo unë, atëherë kush?» (BIRN)